| E merkure, 29.04.2020, 03:17 PM |
NEXHMIE ZAIMI DHE ROMANI I SAJ
“DAUGHTER OF THE EAGLE”
Nga
Sinan GASHI
Nexhmie
Zaimi shkroi në anglisht romanin “Daughter of the Eagle: Autobiography of an
Albanian Girl” (“Bija e shqipes: Autobio - grafia e një vajze shqiptare”), i
botuar së pari në New York në vitin 1937, kurse nga interesimi i madh i
lexuesve, ai ribotohet pas disa muajsh po të atij viti, ndërsa pati edhe një
botim të tretë në vijim, përkatësisht më 1938, nga shtëpia botuese “Ives
Washburn.INC”, ndërsa që shqip e përkthej Enida Rusi, botuar më 2007 nga
“Plejad” në Tiranë.
Ajo
është një autore që koherisht radhitet ndër krijuesit shqiptarë të viteve ’30.
Edhe pse ky roman është shkruar e botuar në gjuhën angleze, dhe madje është
mbështetur kryekreje në autobiografinë e autores, për çudi, ai ruan edhe në
vijimësi vlerat estetike, madje edhe ato të aktualitetit të pasqyrimit të një
rrugëtimi në transformim të shoqërisë shqiptare, të vonuar në hap me kohën, sa
edhe bën një paraqitje të denjë, madje duke zgjuar interes të jashtëzakonshëm,
për shqiptarët dhe jetën e tyre me ngjyrime të kushtëzuara orientale të jetës
shoqërore dhe familjare.
Pasqyrim i një realiteti
të hidhur brenda dymbëdhjetë kapitujsh
Kjo
vepër është e ndarë në dymbëdhjetë kapituj, që njëkohësisht janë edhe me tituj
që, në të vërtetë, lehtësojnë deri diku edhe paradijen se çfarë do të ndodhë
brenda tyre, duke qenë se ruajtja e vazhdimësisë së rrëfimit është aty-aty, dhe
pasqyrimi rrëfimtar është më tensionin emocional të njëjtë.
Nexhmie
Zaimi me familjarët e saj dhe me ata që i behën pjesë gjatë rrugëtimit të saj
në atë copë jetë, sa ishte në Shqipëri, janë në fakt personazhet e romanit, nga
të cilët ajo nuk ka vështirësi që t’i përshkruaj me fantazinë e një krijueseje,
ngase ata janë të pranishëm, realë dhe veprojnë konkretisht brenda jetës së
saj.
Ajo
çka është e ndryshme nga realiteti i asaj jetë – autorja ‘seleksionon’ materien
e mjaftueshme, duke synuar ta ruaj
nervin dedikues, e cila, në mos edhe vetëm më një reflektim akti, dëshmon mjaft
për ato që ndodhin. Ose për atë formë jete, e cila së fundi, është e destinuar
që të shkapërderdhet, të zbehet deri në zhdukje, duke ia lëshuar vendin
frymëmarrjes së re, ani pse me plot ngrysje manifestohet ky ndryshim dialektik
i ecjen përpara, në kahe të civilizimit njerëzor.
Pasqyrimi
i jetës rurale e pastaj edhe asaj urbane, me specifikat e tyre, janë mënyra
përjetimi dhe reflektimi të një shpirti të njomë, e cila për asnjë çast nuk
është në gjendje që t’i dorëzohet atyre formave bajate, tepër formale dhe të
vrazhda të një primitivizmi oriental familjar, për çka edhe problemet që
ndodhin, dhe madje reflektojnë në rrethin familjar, ngjasojnë me skandalozitet,
e cila formë kërkon sakrifica të mëdha për të manifestuar synimin e ndryshimit.
Ngase
autorja, pas atij ngadhënjimi, që manifestohet vetëm në ikjen në ndërrim të
ambientit jetësor, nga largësia mund t’i sheh edhe më mirë dhe, madje herë-herë
edhe me mallëngjim, atë jetë të rinisë së saj të brishtë. Mu për këtë, jo vetëm
që nuk i ngurron, por edhe e përshkruan qartas, që nga Amerika e largët,
biografinë emocionale të një kohe të lënë pas, në kohë edhe në hapësirë.
“Dhe
unë sërish i ndërpreva mendimet e saj të trazuara me dërdëllisjen time.
‘Mana,
harrove ta largosh Hanon sot. Do të qëndrojë në shtëpi ajo kur të vij Gani
Efendiu?’
‘Lipsu
tutje; m’u hiq sysh, Nexhmie’, tha nëna e nxehur.
‘Por,
Mana, nuk mund ta shoh unë kunatin tim kur të vijë?’
‘Jo,
është turp që vajzat të jenë të pranishme, kur vijnë miq burra. Dhe ti e di
këtë. Tash ik, Nexhmo, dhe qëndro tutje.”
Pos
zakoneve, autorja paraqet edhe klasat shoqërore: babain e saj që kishte një pasuri të dukshme për kohën, sa
për të bërë jetë të lumtur, ngase “Midis gjashtë zyrtarëve të zgjedhur nga
qeveria e Shqiptare për të drejtuar industrinë e kripës, në atë kohë e zotëruar
nga vendi im, ishte edhe im atë, Mustafa Zaimi nga Libohova.”
Në
vijimësinë e rrëfimit realist të një jetë, Zaimi sa përshkruan mënyrën e jetës
së brendshme familjare, aq edhe ndonjë insert nga ajo e jashtmja, e përjetimeve
të saj me mocanikët, sa i duken fillimisht interesante, ngase ishin njohuri të para e një të reje për kodet
patriarkale të fejesave, martesave, veshjeve, sjelljeve në suaza të caktuara,
respektit të domosdoshmërisë, shpesh sa për të thënë, e edhe deri te ndryshimet
fshat-qytet, që ishin në distanca diametralisht të kundërta, ngase atje hetohej
filli i një risie në manifestimet
njerëzore, që në të vërtetë ishin paralajmërimet e një civilizimi modern që
kishte tendencë në rritje. Nexhmia e letërsisë dhe e jetës njëkohësisht, i
sheh, i ndien, i prek që të dy format e jetës, të cilat vetëm sa e forcojnë
bindjen e saj për ndryshim, edhe me kokëfortësinë që s’i shkonte trupit të saj
të ndjeshëm femëror, por që nuk dinte mënyrë tjetër për thyerje të atyre kodeve
të vrazhdëta.
Përmendja e fakteve
historike – bindje dhe dëshirë paraqitjeje
Në
raste në roman ajo ndërthur fragmente që në të vërtetë janë veç histori
kombëtare, me data e fakte, të cilat zihen në gojë të dikujt ose në kujtesë, që
autorja i përmend më një dëshirë. Kjo ose vërtet është vetëm një ikje e çasteve
nga monotonia përshkruese, edhe përjetuese, e një jete të tillë ose, duke qenë
se romani prezantohej para një populli tjetër, me gjithçka të ndryshme nga
atdheu i saj i largët tashti, sikur ka dëshirë të jep shkëndija se kush është
ajo, fati i kombit të saj, dhe gjithë vonesat-pengesat e pranishme të lirisë së
të tjerëve, nisur nga individualja.
“Pas
luftërave të vazhdueshme dhe gjakderdhjes dhe katër qind e pesëdhjetë vjetësh
mjerimi nën Sulltanët Turq, Shqipëria ishte çliruar nga Turqia në 1912. Por nuk
kishte kaluar as pesë vjet nga e ashtuquajtura paqe, kur një tjetër komb i
fuqishëm, këtë herë fqinj, po përpiqej të bënte për vete tokën tonë. Sapo
kishte përfunduar Lufta e Parë Botërore kur Italia filloi të nisë për në
Shqipëri gjithnjë e më shumë familje, ushtarë dhe zyrtarë të arsimuar,
‘skllevër’ dhe inxhinierë.”
Ose,
pasi përshkruan fragmente luftërash, të cilat i kishte regjistruar të freskëta
truri i fëmijës, sërish dalin konstatime që kanë bazë të faturës historike,
“Sepse Shqiptarët kanë qenë popull luftëtar që në kohën kur fiset e para të
Arianëve u shtynë drejtë Evropës në kërkim të një strehe. Ata i ndërtuan
shtëpitë përgjatë brigjeve të Adriatikut, duke ndërtuar në majat e maleve dhe
mbi shkëmbinjtë e thatë, ku nuk rritej gjë tjetër përveç shpresës. Nga
shqiponja madhështore, e cila ende e bën folenë e saj atje në majat më të
larta, për të mbrojtur të vegjlit, këta njerëz primitivë e quajtën veten ‘Shqipëtarë’
– ‘Bij të Shqiponjes’ dhe shkëmbinjtë e tyre ‘Shqipëri ose Tokë e Shqipes.”
Edhe
pse këto janë veçse çaste kur ndërlidhet diçka me ato konstatime, sepse lumi i
ngjarjes ecën tutje, tek fatet e familjarëve të saj, përmes së cilëve del
sheshazi i gjithë ndërtimi intim e social i një shoqërie shqiptare e viteve’30,
ato hepojnë duke u bërë kushti një ndërprerje të lezetshme, që manifestohet me
një thyerje të njëtrajtshmërisë rrëfimore, e cila edhe kur pasqyrohet
përmes dialogeve, të nxjerr te i njëjti
përfundim.
Autorja, cila është ajo?
Edhe
pse autorja e romanit nuk fsheh nga jeta dhe përjetimet e saj dhe të farefisit
asgjë për të kohë sa e përthekon romani, sërish duhet thënë diçka më zyrtarisht
për të.
Nexhmie
Zaimi (1914-2004) është nga Libohova, ku e kishte kaluar fëmijërinë, ndërsa
rininë edhe në Tiranë. Vazhdimisht kishte kundërshtuar dhe s’i kishte pranuar
mënyrat e jetës patriarkale-orientale. Pasi kishte kryer shkollimin e mesëm,
pas një proteste familjare, kishte migruar në SHBA, më 1937. Atje kishte
mbaruar studimet në “Wellsley College” dhe “Columbia University”, duke u bërë
pastaj gazetare e “Zërit të Amerikës”, CNN-nit, “Evropës së Lirë”, madje duke u
lartësuar në ”Office of Strategic Services”. Me mundësitë e saja kishte
ndihmuar komunitetin shqiptar në New York dhe New Yersi. Pas Luftës së Dytë
Botërore shkoi në Itali, ku kishte punuar aktivisht me refugjatë, ku i kishte
ndihmuar mjaft edhe shqiptarët e migruar atje Për disa kohë kishte qëndruar në
Kalabri, ku kishte studiuar dialektin dhe historinë e tyre. Për punën e saj me
përkushtim ishte nderuar me shumë çmime, si “Ameican Legion”, ”Comandatoressa
della Coronna d’Italia” si dhe “Medaljen e mirënjohjes” nga presidenti amerikan
Franklin D. Roosevelt.
Jetën
e mbylli në Santa Barbara, SHBA.