| E marte, 28.04.2020, 01:09 PM |
KOSOVA KËRCËNOHET NGA SERBIA E MADHE
DY
LIBRA NË ANGLISHT MBI KOSOVËN TË AUTORIT ENVER BYTYÇI
Nga
Frank Shkreli
Autori
dhe eksperti i çështjeve ndërkombëtare dhe të Evropës jug-lindore, Profesori i
shkencave politike dhe i historisë në universitetin “Aleksandër Moisiu” në
Durrës, Enver Bytyçi, pati mirësinë të më dërgonte kohët e fundit dy librat e
tija të përkthyera në anglisht: “Kosovo Threatened by the Greater Serbia”
(Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe) dhe “Coercive Diplomacy of Nato in
Kosovo” (Diplomacia e Imponuar e Nato-s në Kosovë). Libri, “Diplomacia e NATO-s në Kosovë” e
studiuesit dhe historianit Enver Bytyçi është botuar në anglisht në vitin 2015
nga Shtëpia Botuese Cambridge Scholars Publishing, ku trajtohet, siç sugjeron
edhe titulli, diplomacia e NATO-s në Kosovë, duke i ofruar lexuesit një pasqyrë
të gjithëanshme të ndërhyrjes së NATO-s për çlirimin e Kosovës. Por, po përqendrohemi tek libri “Kosova e
Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, botuar kohët e fundit, në përgjigje të hedhjes
së tezës për korigjimin e kufijve të Kosovës me Serbinë.
Libri
“Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, është botuar anglisht dhe shqip nga
Instituti i Studimeve të Evropës Jug-lindore dhe është promovuar nga fundi i
Janarit që kaloi në Tiranë dhe në Prishtinë.
Kjo monografi është një përmbledhje dokumentacioni mbi ngjarjet
historike mbi Kosovën, ku në thelb, autori trajton çështjen e kufijve të
Kosovës me Serbinë, duke argumentuar se ndryshimi, rishqyrtimi, korrigjimi i
kufijve, rregullimi ose demarkacioni, ose sido që ta quajnë sot mbështetsit e
kësaj teze ndryshimin e kufijve midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë – është
një precedent tepër i rrezikshëm për paqën dhe stabilitetin afat-shkurtë dhe
afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.
Profesor Bytyçi me të drejtë e konsideron ndryshimin e mundëshëm të
kufijve midis dy vendeve, si një akt që është në interesin e Serbisë dhe që si
i tillë kontribon drejt realizimit të planit afatgjatë dhe ëndërrës shekullore
të Beogradit, për krijimin e Serbisë së Madhe.
Autori
ka zgjedhur kohën më të përshtatëshme për të botuar në anglisht monografinë
“Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndërkohë që qendrat kryesore botërore
– Washingtoni dhe Brukseli – po përgatiten të rifillojnë bisedimet e
planifikuara, ose siç e qujanë ato, “dialogun” midis Prishtinës dhe Beogradit
për një marrëveshje “gjithëpërfëshirse”, e cila sipas shumë eskpertëve do të
përfshijë edhe ndryshimin, ose të pakën rishqyrtimin e kufijve midis dy
vendeve. Megjithëse zëdhënës të
ndryshëm, sidomos në Washington, pretendojnë se propozimi për ndryshim të
kufijve nuk është në tavolinë, përfshir edhe të dërguarin e posaçëm të
Presidentit Trump, Ambasadorin Richard Grenell, ndërsa evropianët janë shprehur
kundër ndryshimit të kufijve midis dy vendeve.
Megjithkëtë, në këtë ndërkohë, duke parë se diçka po vlon në ketë mes,
Kongresisti amerikan dhe mik i kahmotshëm i shqiptarëve në Kongresin amerikan,
Eliot Engel, në kapacitetin e tij si Kryetar i Komisionit të Dhomës së
Deputetëve për Punët e Jashtme, ka shprehur, ditët e fundit, shqetësimet e tija
mbi politikën aktuale amerikane ndaj Kosovës.
Ndërkohë
që Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, e kryesuar nga ish-deputeti amerikan
Joe Dioguardi, i ka bërë thirrje presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të
largojë ambasadorin Richard Grenell nga detyra e tij si i Dërguari Special i
tij për dialogun Kosovë -Serbi,
“Meqenëse Ambasadori Grenell ka humbur besueshmërinë e një
ndërmjetësuesi të paanshëm”, thuhet në deklaratën e Lidhjes Qytetare
Shqiptaro-Amerikane (LQSHA). Kjo
organizatë lobiste shqiptaro-amerikane, njëkohësisht, kritikon ashpër edhe
klasën politike të Kosovës në krye me Presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se
nga një ndryshim i kufijve, jo vetëm që do të humbiste Kosova, por do të
fitonte Serbia dhe jo vetëm Serbia, por edhe aleatja e saj historike, Rusia:
“Pa dyshim, ndarja do të trimëronte si Serbinë ashtu edhe Rusinë dhe aspiratat
e tyre hegjemone për dominim në Evropën Juglindore dhe hyrjen në detin
Adriatik”, thuhet në letrën e hapur të LQSHA-s.
Me fjalë të tjera, punët shqiptare janë ndërlikuar shumë keq dhe për fat
të keq, mund të keqësohen e dhe më shumë.
Libri i historianit Enver Bytyçi “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”
e përkthyer në anglisht, është një kontribut i vlefshëm në debatin aktual të
këtyre çështjeve madhore në këtë moment të historisë së shqiptarëve.
Do
të sugjeroja që të gjithë protagonistët në këtë mes -- kombëtarë dhe
ndërkombëtarë -- të lexojnë monografinë e Profesor Enver Bytyçit. Në debatin aktual, Enver Bytyci ofron, jo
vetëm, fakte e dokumentacion të dobishëm për gjëndjen e krijuar por ofron edhe
këshilla se si duhet të dilet nga ky qorrsokak i politikës shqiptare në Kosovë,
por edhe politikës së ngatërruar ndërshiptare, midis Tiranës dhe
Prishtinës. Ndajë shqetësimin tim me
autorin e nderuar dhe jam dakort me të -- ashtu siç kam shkruar edhe disa herë
në të kaluarën -- se mungesa e këshillimeve dhe bashkrendimeve të qëndrimeve në
radhët e udhëheqësve shqiptarë, për një politikë aq me rëndësi, siç janë
bisedimet Kosovë-Serbi dhe ndryshimi i mundëshëm i kufijve -- është një
politikë e papërgjegjëshme nga ana e kësaj klase politike, për të mos thenë
edhe skandaloze, ndaj interesave kombëtare të shqiptarëve. Siç është i papërgjegjëshëm edhe i
ashtuquajturi procesi “minishengen”, i udhëhequr nga Kryeministri i Shqipërisë,
Edi Rama dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, një proces ky që kundërshtohet
nga Kosova pasi nuk merr aspak parasyshë shqetësimet dhe as interesat e
Kosovës, në këtë proces.
Ku
është strategjia kombëtare e platformës mbarë-shqiptare për “minishengenin”
ballkanik dhe ku janë këshillimet dhe bashkrendimet e politikave me
institucionet përkatëse midis dy shteteve shqiptare? Mos pasja e një politike të bashkrenduar
midis Shqipërisë dhe Kosovës, për parimet e mëdha të interesit kombëtar, jo
vetëm që është skandaloze, por mund të konsideorhet edhe kriminale ndaj
interesave kombëtare.
Pajtohem
edhe me mendimet dhe kritikat e Profesorit Enver Bytyçit, autorit të
monografisë, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”, ndajë politikës së gabuar
të Tiranës përsa u përket shumë çështjeve të pazgjidhura Kosovë-Serbi – e
sidomos, procesit ndaj procesit “minishengen” të kohëve të fundit, si një
politikë e gabuara që, me mbështetjen e Tiranës zyrtare, po vendos përsëri
Beogradin në qendër të politikës ballkanike, si një “mini-jugosllavi e re”, e
cila i shërben kryekëput interesave të Serbisë së Madhe, ndërkohë që
njëkohësisht, i hap dyert edhe influencës ekonomike, politike dhe ushtarake të
Moskës në Ballkanin Perëndimor. Dikush
prej këtyre udhëheqësve shqiptarë që mbështesin këtë proces, duhet të shpjegojë
se si një rol i përforcuar politik, ekonomik dhe ushtarak i Rusisë në Balkan
dhe në Evropën Jug-lindore, është në favor të interesave kombëtare të
shqiptarëve?!
Për
ata që duan të dinë se pse kjo politikë është e gabuar, le të lexojnë librin e
posa botuar në anglisht dhe shqip të Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e
Kërcënuar nga Serbia e Madhe”. Eksperti
i politikës dhe i historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare bën paralajmërimin e
tij se Tirana zyrtare me politikën e saj, sidomos, me politikën minishengen për
Ballkanin Perëndimor, po dëmton dhe mund të shkatërrojë pavarësinë shtetërore
të Republikës së Kosovës. Ai e quan këtë
politikë si terësisht anti-shqiptare sepse, shkruan autori, ky proces thekson
dhe mbështetë një politikë që drejtohet nga Beogradi dhe jo nga Brukseli,
drejtë integrimeve të plota euro-atlantike të shqiptarëve, një ide dhe dëshirë
kjo e kahmotëshme e shumicës së shqiptarëve. Tridhjetë vjet pas shembjes së
komunizmit dhe pak më shumë se 20-vjet nga çlirimi i Kosovës dhe pas 12-vjetë
pavarësi, Kombi shqiptar, si asnjëherë më parë gjatë kësaj periudhe, gjëndet
përballë një krize të një rreziku të përmbrendshëm, një rreziku të shkaktuar
nga vet shqiptarët.
Kjo
krizë për të cilën kanë kontribuar vet me politikat e tyre të papërgjegjëshme
nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, fatkeqësisht, i gjenë udhëheqësit
politikë në Tiranë dhe në Prishtinë, krejtësisht të pa përgatitur, të zbuluar
krejt lakuriq para popullit të vet dhe para opinionit botëror, duke mos ditur
se si të merren me këtë situatë përballë të cilës gjenden, pa asnjë ide të re
dhe pa asnjë strategji politike kombëtare, se si duhet shkuar përpara. Gjithkush në mendje të vet jep idetë e veta,
ose kundërshton idetë e atij tjetrit, pa ofruar asnjë marrëveshje as vizion të
përbashkët se si duhet vazhduar. Presidenti
i Kosovës kundër Kryeministrit të Kosovës, opozita kundër pozitës, ndërkohë që
Tirana kryesisht hesht, aktualisht, pasi ka “hedhur gurin e tani fsheh
dorën”. E njëjta ndodh edhe në Tiranë,
pa asnjë politikë bashkërenduese midis forcave politike në Shqipëri dhe as
midis Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për këtë çështje tejet me rendësi
kombëtare. Ekziston pra një kaos i rëndë
mendimesh dhe një mungesë bashkërendimi në politikën kombëtare, për sa u përket
interesave afatgjata të Kombit shqiptar, siç mund të vihet re nga debati mbi
çështjet e kufirit midis Kosovës dhe Serbisë dhe jo vetëm kërcënimit, por edhe
mundësisë së krijimit të një Serbie të Madhe, në kurriz të interesave të
Kosovës dhe të shqitarëve në përgjithësi.
Fatkeqsisht,
për fatet tona, kriza shëndetsore botërore e shkaktuar nga koronavirusi
vdekjeprurës, i ka ndërlikuar edhe më shumë punët e shqiptarëve në Ballkanin
Perëndimor, përfshirë edhe interesimin e miqëve tradicionalë të shqiptarëve, të
cilët ashtu si e gjithë bota përballen me hallet e veta, si përfundim i kësaj
epidemie dhe është vëshitër që ti kushtojnë vëmendje një zone të largët të
Balalkanit, me të cilën edhe mund të jetë lodhur edhe opinion public amerikan
dhe perëndimor.
Prandaj,
para se të fajësojmë amerikanët por edhe të tjerët për ngërçin e punëve tona,
duhet që të drejtojmë gishtin e akuzës atje ku në të vërtetë duhet ta
drejtojmë: ndaj Tiranës dhe Prishtinës zyrtare dhe t’i identifikojmë ata si
fajtorë të gjendjes aktuale kaotike kombëtare dhe politike në trojet tona,
përfshirë mungesën e një strategjie kombëtare në bisedimet me Serbinë, por edhe
për çështje të tjera të rëndësishme.
Libri i Profesor Enver Bytyçit, “Kosova e Kërcënuar nga Serbia e Madhe”,
furnizon në gjuhën anglisht -- jo vetëm lexuesin e thjeshtë por edhe
protagonistët ndërkombëtarë që merren me punët e Ballkanit Perëndimor -- me
analiza të dobishme, dokumentacion, fakte dhe ide, nga të cilat, sipas Wolfgang
Grossruck, ish-presidenti Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, gjithashtu “do të
përfitojnë edhe politikëbërsit rajonalë që të mendojnë dhe të veprojnë në
mbështetje të demokracisë, paqës dhe sigurisë në rajonin e Evropës
Jug-lindore”.