| E hene, 27.04.2020, 12:32 PM |
KUR LIGJI I HAMURABIT E KTHEN TË SOTMEN NË KOHËN E BARBARISË
(Lexime
poetike. Poezia “Ligji i Hamurabit" e Edi Shukriut), XXI
Nga
Prend BUZHALA
Të
gjithë librat poetikë të Edi Shukriut “Sonte zemra ime feston” (1972),
“Gjakimi” (1979), “Syri i natës” (1986), “Nënqielli” (1990), Përjetësi,
Dukagjini (2001 ), Ungëshimë (2014 ), mandej dramat “Kthimi i Euridikës”
(1987), dhe “Lkêni i Hasit” (1992) përbëjnë një projekt letrar të shkrimit e të
gjakimit, duke e ngërthyer, pra, edhe gjakimin e shkrimit. Cvetan Todorov
raportin në mes të gjërave dhe të fjalëve në letërsi e përfytyronte si ANALOGON
të gjakimit, karshi objektit të këtij gjakimi. Ndërsa Edi Shukriu, duke kërkuar
vazhdimisht aso lënde kozmogonike e metafizike, aso arkeologjie poetike, aso
përmbajtjesh jetësore e aso përmbajtjesh të antropologjisë poetike; pra gjerësi
të atillë artistike; arrin të na japë sinteza të bukura poetike: sintezën e
thënies poetike e të bukurisë së shprehjes me atë të refleksionit e të
meditimeve personale.
1.
Poezia
“Ligji i Hamurabit", e shkruar në kohët e rënda të durimit në vitet '90, e
shqipton atë kod gjuhësor të tekstit poetik, kur hapësirat e pandemoniumit
mitologjik e historik, folësi lirik i zbret në kohën tonë. Është koha kur
forcat që përplasen me njëra tjetrën, për drejtësi apo për pushtime, për
interesa apo për aventura – shkelin gjithnjë mbi njeriun: njerëzimi sikur është
futur në rrugë të pakrye, përderisa peshojën për drejtësi ia beson Hyjneshës së
Interesit, kurse Drejtësia rri në gjunjë, duke kërkuar lëmoshë (këtë e thotë te
një poezi tjetër, me titullin "Peshoja” dhe e bart, me konotacione të
ngjashme përmbajtjesore, te poezia në lexim).
Në
fushën e dijeve të historisë së të drejtës dhe shtetit, përmendet edhe Ligji i
Hamurabit, rreth 10 shekuj para Epokës së Re. Hamurabi ishte mbreti i gjashtë i
Babilonisë, më saktësisht, i Dinastisë së Parë Babilonase, nga 1792 e deri më
1750 para Epokës së Re. Ai është i njohur për kodifikimin e ligjeve të
përmbledhura në Kodin e Hamurabit. Janë ndër kodet(kanunet a kushtetutat) e
para botërore në histori. Ligji përshkohet nga shkeljet: "çdo shkelje
kishte dënimin që i takon." Shkeljet e çonin njeriun në vdekje ose në
sakatim ishte simbol i kohës së tij si ligjdhënës, kur gjykatësit e zyrtarët i
takonin mbretit, ai shndërrohet edhe në simbol të zgjerimit (pushtimit) të
territoreve të të tjerëve. Në kohët moderne, ai merret si simbol i tiranisë dhe
shtypës i revoltave. Thuhet, argumentueshëm, se prej tij u morën dy postulate
të tjera: e para, se ligji i shkruar nga Mbreti ka Frymëzim Hyjnor (fjalë e
zbritur nga perënditë) dhe, e dyta, te ky Kod e kanë burimin filozofia "Sy
për sy, dhëmb për dhëmb" ("Ligji i Shpagimit", shih edhe disa
Libra të Shenjtë të religjioneve monoteiste, përpos krishterimit, që e thotë të
kundërtën). Kësisoj, edhe poezia nis me një paratekst, që shpërbën si nyje
tekstuale e ndërkomunikimit tekstor me shkrimin lirik:
Neni 226: Nëse kirurgu…
e shlyne damkën nga robi, le t’i priten duart.
Neni 282: Nëse robi i
thotë të zotit: Ti nuk je zotëria im, le t’ia prejnë veshin.
Neni 231: Nëse është
mbytur robi, le të ipet robi për rob.
Në mbështetje të nenit
226
të Ligjit të Hamurabit
Këto
nene, t'i përkujtojnë ato shqiptimet e terrorit gjyqësor serb kundër njerëzve
të pafajshëm e të pambrojtur nga askush. Dhe, këtë "drejtësi"
pushtuesi e arsyetonte në emër të ligjit! "Forma më e keqe e padrejtësisë
është drejtësia e pretenduar" thotë Platoni. Ishte koha kur individi i
shkrirë në nacion, më nuk mund të ishte neutral, por t'i thoshte një jo të
madhe Serbisë. Kishte edhe të tillë, "neutralë", a "të pavarur”,
por në situata të tilla, ti do të jesh në anën e padrejtësisë dhe armikut. Te
padrejtësia s'ka neutralitet. I shtypuri s'ka si ta vlerësojë këtë neutralitet.
Mund ta vlerësojë si vepër “të ndershme" sunduesi (ashtu siç i quante
"shqiptarët e ndershëm" ata që ishin luajalë ndaj regjimit kriminal).
E çka i mbetet poetes të thotë, kur e përkujton atë Ligj me pasojat
vdekjeprurëse?
Në mbështetje të nenit
226
të Ligjit të Hamurabit,
ditën e djeshme
gishtërinjtë m’i
shkurtuan
se damkën e mjerimit
tentova ta bëj të kaluar
përpjkeja
për afrim e zgjim edhe te pala tjetër, e fqiut serb, që kishte shtypur e
kolonizuar toka në të kaluarën, ishte e pamundur.
Shumë
të këqija janë bërë në emër të këtij neni famëkeq!
Dëbimet
ishin drakonike, njerëzit ishin të pafuqishëm ndaj kësaj dhune. Por te këta
njerëz ishte diçka e si e drejtë e shenjtë, që nuk mund të mposhtej, që nuk
mund t'ua rrëmbente asnjë ligj: të drejtën për të mos u pajtuar me këtë dhunë
dhe për të protestuar ("se damkën e mjerimit/ tentova ta bëj të
kaluar"). E pra, pse njerëzit protestonin kundër këtij mjerimi me damkë,
dënoheshin! Paralelizmi tekstor Ligj i Hamurabit- ligj millosheviqian,
korrespondojnë semantikisht e poetikisht me atë kohë të egër. Është alegori
ndaj secilit regjim dhune policore.
Padrejtësia
me ligje terrori dhe dhuna, ishin lakuriq. Kishin dalë në sipërfaqe hapur. padrejtësi
bëhet në secilën kohë, por kur ajo shumëzohet, kur shtrin kthetrat e veta,
atëherë e shndërron ligjin në vegël dhune, kriminaliteti e pabesie, shpifjeje
që ligjëron e mbron fakte të paqena. Masat serbe, deri dje fqinj të mirë me
shqiptarët, bënin sehir. Të rrallë ishin ndër ta zërat mospajtues. "Ai që
pranon të keqen pa protestuar kundër tij, me të vërtetë po bashkëpunon me
të" do të thioshte Martin Luther King.
2.
Ndërsa
njerëzit e thjeshtë, shqiptarët e shtypur, s’kishin ngritur besimin e tyre monumental,
se duhet luftuar për drejtësinë dhe lirinë, për demokracinë dhe pavarësinë. Te
kjo poezi, nga njësia poetike te tjetra, përmenden gjymtimi e sakatimi. Ato
shkojnë duke e shkallëzuar tensionin e përjetimit dramatik të dhunmës e të
rezistencës ndaj saj:
Në mbështetje të nenit
226
të Ligjit të Hamurabit,
mbrëmjen e djehsme
më gjymtuan,
se këngën e zogjve
desha nga e nesërmja
ta sjell në të sotmen
Faktografia
e kohës, faktzografia humarabiane dhe ajo e së drejtës serbe të shtypjes,
shndërrohen në faktografi poetike, sipas asaj lektyrës artiastike të bertold
Brehtit që zhvesh tekstin nga metaforat dhe e shndërron në poezi objektiviste.
Në realitet të objektivuar në poezi.
Kush është qenie e
gjymtuar këtu?
Është ky folës lirik?
Folësi
lirik këtu ligjëron në veten e parë e që është personifikim i njeriut shqiptar
të asaj kohe etiketimesh e dënimesh të hekurta. Ky folës lirik e ka idealin e
tij veprues për ta ndryshuar gjendjen e tij, historinë, për ta mbajtur shpresën
gjallë, sado që viktimizohet e martirizohet ("se këngën e zogjve/ desha
nga e nesërmja/ ta sjell në të sotmen").
Rezistenca,
fillimisht, niste si qëndresë paqësore, për kërkesën aq të virgjër e njerëzore,
për atë që ëndërron, lirinë ("desha nga e nesërmja/ ta sjell në të
sotmen").
Porse,
dihej: paqe me një kohë varfërie, padrejtësie, pabarazie, shtypjeje, nuk mund
të ketë; paqja është vetëm iluzion aty ku shkelen nga sunduesit e të fuqishmit
ata që ishin të dobët e të pafajshëm. Në këtë mënyrë, teksti vë në spikamë
pafajësinë, kërkesat e dëshirat e dëlira për barazi e liri. Dhe njerëzit
s'kishin se çka të zgjidhnin: skllavërimin me anë të shtypjes apo rezistimin,
duke u gjymtuar! Frika ishte thyer, çlirimi i brendshëm kishte ndodhur,
zinxhirët e shpirtit ishin këputur. Ata, zinxhirët fizikë, ishin të trashë, që
mbroheshin me tanke e aeroplanë, me bomba e makina autoburgjesh.
Dhe,
kur njeriu vepronte kundër kësaj pamjeje e këtij realiteti të ligjit
hamurabian, e ndiente veten se shpreh nderimin më të madh pikërisht ndaj Ligjit
të Drejtë që i këput këta zinxhirë. Njerëzit ishin në këmbë. Poezia, e
publikuar aso kohe, vetëm sa i bënte jehonë asaj rezistence.
Më vranë në mëngjesin e
sotëm
dhe në mbështetje të
nenit 231
të të njëjtit ligj
më zëvëndësuan sipas
tyre
me një rob tjetër
Zëvendësimi
i robit?
Pas
sakatimit vjen vrasja hamurabiane, e kohës së sistemit primitiv. barbar. Është
kjo figurë e polisemisë biblike, ku asociacioni na çon te shkrimi biblik i
kryqëzimit të Jezusit me Barabanë.
Dhe
në emër të këtij çlirimi e të këtyre idealeve, të kësaj shprese, njerëzit
duronin. Më askush nuk kishte iluzione se do të bëhej mirë me këtë shtet burg
popujsh.
Te
kjo figurë arketipore identifikohet mbrojtja e jetës, shëmbëllehet mbështetja
ekzistenciale–jetësore, kurse semiologjia letrare e Edit i shenjëzon drejtësinë
si ideal kundër dhunës dhe shqiptojnë lartësimin etik e shpirtëror të jetës, të
ringjalljes së saj, si e feniksit nga hiri i vet.
3.
Nortrop
Fraj konsideron se ndonjëri nga krijuesit mund të thotë diçka më shumë se sa
strukturat intersubjektive. Duke qenë mediator i shenjave më të thella të
historisë, mitologjisë dhe hapësirave ekzistenciale të qenies njerëzore, poetja
është edhe mediatore e logosit shoqëror. Së këndejmi, edhe Edi Shukriu arrin ta
tejkalojë poetikën e artit poetik si TEHNE apo si mjeshtëri aristoteliane, duke
arritur ta shprehë logos-in e praxis-it shqiptar, dhe nga fryma e praxis-it të
kësaj kohe arrin t’i nxjerrë kuptimet më të thella humaniste, këtë esencë të
mundësive të pakufishme të lirisë:
Të mjerët, nuk e dinë se
ai jam përsëri Unë,
me njëmijë gishtërinj,
me njëqindmijë veshë
dhe
me një të vetme
dëshirë të çelniktë
të kalitur ndër brezni.
Pra,
kjo është ajo vlera e patjetërsueshme, pas të cilës njerëzimi përgjaket e
therorizohet, duke e kërkuar amshueshëm, si te miti antik i labirintit,
rrugëdaljen për tek qëllimi, drejtësia a liria. A kishin ideal paramilitarët e
pushtuesit se për çka po luftonin e për çka po përgjakeshin? “Të mjerët”, thotë
folësja lirike, a thua s’e dinin që shqiptari e kishte ngritur në mit qëndresën?
Miti i vëllazërim-bashkimit ishte shembur për tokë nga padrejtësia që e ngritën
në kult vetë regjimi serb. Padrejtësia mund të shkëmbehet vetëm me barazinë mbi
principe të lirisë e të drejtësisë. E, po i gushtove rrathët e drejtësisë në
rrathë të dhunës hamurabiane, atëherë vetvetiu ngushtohen edhe hapësirat e
lirisë.
Përsëri
Edi do të na shpjerë drejt fenomenologjisë të së fshehtës. Për ta gjetur veten
përjetësisht.
___________________________
EDI SHUKRIU
LIGJI I HAMURABIT
Neni
226: Nëse kirurgu… e shlyen damkën nga robi, le t’i priten duart.
Neni
282: Nëse robi i thotë të zotit: Ti nuk je zotëria im, le t’ja prejnë veshin.
Neni
231: Nëse është mbytur robi, le të ipet robi për rob.
Në
mbështetje të nenit 226
të
Ligjit të Hamurabit,
ditën
e djeshme
gishtërinjtë
m’i shkurtuan
se
damkën e mjerimit
tentova
ta bëj të kaluar
Në
mbështetje të nenit 226
të
Ligjit të Hamurabit,
mbrëmjen
e djehsme
më
gjymtuan,
se
këngën e zogjve
desha
nga e nesërmja
ta
sjell në të sotmen
Më
vranë në mëngjezin e sotëm
dhe
në mbështetje të nenit 231
të
të njëjtit ligj
më
zëvëndësuan sipas tyre
me
një rob tjetër
Të
mjerët, nuk e dinë se ai jam përsëri Unë,
me
njëmijë gishtërinj,
me
njëqindmijë veshë
dhe
me
një të vetme
dëshirë
të çelniktë
të
kalitur ndër brezni
(Prend N. Buzhala, 23 prill 2020)