| E marte, 28.04.2020, 01:04 PM |
KUNDËRRYMA
(Këndi
meditues në kohë izolimi)
Nga
Prend BUZHALA
Ende
nuk është bërë një dekadë, kur në profilin tim të rrjetit social kisha një
polemikë tepër të sertë me këtë Shkëlzen Gashin. Kishte të bënte me të njëjtat
teza që i përsërit edhe pas dhjetë vjetësh.
Mirë
që çohen peshë tash të gjitha partitë. Dhe publiku, i errur sysh nga epidemia,
kreshp;rohet e shumë ndër ta nuk gjykojnë me mendje të kthjellët.
Dhe
është mirë që ka kush ta shkarkojë S. Gashin. Sigurisht, që nuk ka Gjykatë këtu
t'i kërkojë llogari: urdhëro, përmendi ata njëmijë emra, me fakte që qenkan
vrarë! Madje, rrjetet sociale janë mbushur përplot kërcënime e sharje nga më të
neveritshmet.
Në
rregull, nëse nuk ka argumente, atëherë ai mund të thotë se ky është një mendim
i lirë, dhe ka të drejtë ta shprehë lirshëm mendimin e tij. Një “mendim të
lirë” i mbështetur në faktet ruse apo serbe. Se çka mendon Rusia për Kosovën, u
pa në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit, ku paraqiti sulme
monstruoze kundër nesh, që të çohen flokët përpjetë prej tmerrit çka dëgjon
prej një njeriu, sikur të ishte ideolog gjenocidesh!
1.
Bie
fjala, dikujt, si prirje kundërryme, i teket të thotë: nuk ka nevojë të
ekzistojë Republika e Kosovës, sepse ashtu "mendon" ai! Dhe ligji nuk
e ndjek!
Po
shtojmë: reagimet nuk duhet të kenë kute të dyfishta: po qe se reagohet ndaj
shkarkimit të një ministri për mendim anti-qeveritar... Po del në pah
demagogjia e reaguesve, kur situatat analoge vlerësohen ndryshe e ndryshe.
Reagimet dyfytyrëshe janë shenjë e një shthurjeje e mungese totale të masës së
vlerësimeve. Janë shenjë e një krize që e ka kapluar si kancer (konfrontues)
shoqërinë tonë!
Por,
momenti e kërkon të shtrohet edhe një pyetje tjetër: a ka kush t'i shkarkojë
ata deputetë që e votuan Gjykatën Speciale? Ishte “vullnet i popullit” kjo
Gjykatë një-nacionale, që vë na bankën e zezë UÇK-në?
Përsëri
na shfaqet ai kuti i dyfishtë i qëndrimeve... Dikujt i lejohet t’i dërgojë të
vetët (bashkëluftëtarët) në Hagë, mbasi aty gjenden akuzat e Dick Martave...
Jo,
se populli i voton ata (në votim kanë qenë 88 deputetë, pa opozitën, 82 kanë
votuar pro, 5 kundër, një abstenim).
Ky
popull edhe i ka rivotuar shumë ndër ta.
Domethënë:
ky popull i ka votuar e rivotuar që t'i dërgojë bijtë e vet në Hagë, për t'u
vërtetuar ose për të mos u vërtetuar akuzat për krime ndaj UÇK-së!
I
ka votuar se ekziston akuza për vrasje të civilëve shqiptarë e të civilëve
serbë etj etj
Ky
populli i ka shpërblyer me poste të larta, me privilegje, me punësime
familjare... etj etj. Por për një gjë nuk jam i sigurt: a thua, a e kanë pyetur
popullin, se cilin duhet ta kandidojnë për ta votuar?
2.
Kur
pata reaguar, ndër të parët (të mos them i pari), ndaj Peter Handkes me rastin
e dhënies së Çmimit Nobel, ndër të tjera (mbase, për ta zbutur pak situatën),
veçova fenomenin e KUNDËRRYMËS.
Kundër-rryma
ka për qëllim ta provokojë publikun: për ta njohur një të vërtetë më mirë...
E
tërë karriera letrare e jetësore e Handkes, përshkohet nga provokimi i
publikut: të qëndrojë "kundër rrymës". Por këtë
"kundër-rrymë" e zgjodhi gabimisht: duke e mbrojtur Millosheviqin. E
ka bërë këtë, pa i njohur rrethanat dhe kontekstin politik. Pa e njohur
Kosovën, përpos mallkimit historik që ua drejtoi Kosovës e fëmijëve shqiptarë:
"Shkofshi në ferr"!
Qarqe
serbe shprehën entuziazëm për këtë mallkim çmendurak të këtij shkrimtari.
Entuziazëm sadist.
Handke
përpiqet të thotë se Millosheviq mbrojti Jugosllavinë. Por Millosheviq nuk ka
vrarë asnjë serb. Ushtria e tij, në "mbrojtje të Jugosllavisë", nuk
ka dhunuar asnjë femër serbe . Ka vrarë, pa dallim, myslimanë të Bosnjës,
kroatë, shqiptarë. U përpoq të vriste edhe në Slloveni.
Po
Shkëlzen Gashi?
Me
pretendimin se edhe ne u dashka të bëjmë "si kroatët", ai harron se
kroatët e kanë mbrojtur me fanatizëm secilin "domobran" (luftëtar)
kroat.
E
Sh. Gashi zgjodhi gabimisht për KUNDËRRYMË UÇK-në. Madje, duke theksuar se ka
"burime" që "dëshmojnë" se gjoja paskan vrarë rreth 1000
civilë serbë! Kundërr-rymë që nuk prodhon asgjë pozitive, dhe as e çliron këtë
komb, si mund të mendojë ai, nga “balta” e “vrasjeve”. Apo nga akuzat. Këtë e
kanë bërë Carla del Ponte-t, Dick Mart-at, prokurorë serbë e mediat ruse.
Tashmë ministri i punëve të jashtme i qeverisë sonë na e dëshmoi se këtë e ka
bërë një ambasador rus, ashtu si e dëshmoi në edhe Mbledhjen e Këshillit të
Sigurimit. Aq iu bën rusëve a serbëve për ta spastruar UÇK-në nga “balta e
vrasjeve”! Kur ata asnjë fije pendese nuk e kanë shfaqur për vrasjet e civilëve
shqiptarë, të fëmijëve shqiptarë apo të dhunimit të femrave shqiptare.
Mirëpo,
fenomen më vete është edhe kundërryma e partive politike (si mendim e qëndrim
diversiv, animozues...)
Është
interesant, se vetë Shkëlzen Gashi, si njëri ndër themeluesit e LVV, për vite
të tëra ka vjellë vrer kundër LVV, krerëve të saj e kundër vetë liderit të
kësaj partie!
Ndoshta,
pse i pëlqen "kundërryma" ekstravagante!
3.
Do
bërë një distinksion: luftën e paraluftën. Lufta ka mbaruar më 10 qershor 1999,
kur u nënshkrua në Kumanovë kapitullimi i Jugo-serbisë prej NATO-s.
Se
çka ka ndodhë pas luftës, aty nuk i takon UÇK-së të japë përgjigje, sepse ajo
tashmë nuk quhej UÇK. Nuk i takon UÇK-së, tashmë me mision të kryer historik,
të japë përgjigje se kush është shndërruar në hajn e kush jo! Sepse hajnia nuk
njeh parti, as përcaktim partiak apo politik. Se çfarë emrash të bukur politikë
e jopolitikë, partiakë a joqeveritarë, marrin emra "me trashëgimi
lufte", kjo është një tjetër çështje.
4.
UÇK-në
askush nuk mundet as për ta njollosë, e as
për
T'IA HUMBUR vlerat, se nuk është pronë personale e do
individëve...
Mendoj që formulimi më i saktë është ky: luftën e ka bërë populli shqiptar në
krye me UÇK-në... nëse aty është edhe populli "si kategori e luftës".
Nëse jo- atëherë?!
Nganjëherë
këto zhvillimet e pasluftës po na shtrojnë e krijojnë shumë pyetje (ku ka
përplasje interesash, privilegjesh etj etj): a është populli kategori e luftës
apo kategori jo-e-luftës? (Kosova ishte në luftë para 21-vjetësh, dy milion e
gjysmë njerëz përbënin një ushtri pleqsh, fëmijësh, grash... krejt duarthatë...
por ata edhe e mbanin UÇK-në gjallë me bukë, rroba, strehim, para nga diaspora
e brenda, e me njëmijë sakrifica tjera ...por, sikur DIKUSH nuk e do popullin
në "kategorinë e...".)
Nëse
është e këtij KOMBI UÇK-ja, atëherë nuk ka nevojë për ligj të veçantë
mbrojtjeje, se është vetë liria e Kosovës. Vetvetiu Kosova e ka Kushtetutën e
vet se si TË MBROHET. Komunizmi dikur më kot nxirrte ligje për Mbrojtjen e
figurës së shokut Tito apo për mbrojtjen e vlerave të LNÇ të Luftës së dytë
(njësoj si në Shqipëri e në krejt vendet e Lindjes evropiane). Asnjë ligj
mbrojtjeje nuk e shpëtoi komunizmin e as liderët e tyre prej falimentimit e
dënimit historik. Por të rënët në luftëra dhe luftërat çlirimtare, mbetën
krenari e historisë antifashiste si vlerë e patjetërsueshme, më saktësisht, si
DËSHMI jona, që shkon përtej secilës vlerë...
(Prend N. Buzhala, 25 prill 2020)