| E diele, 26.04.2020, 12:04 PM |
Vepër dokumentare dhe një gur themeltar për Kojën
Nga
Gjekë Gjonaj
Kur
e kam lexuar librin e parë të Fran Gjeloshajt ,, Koja ndër shekuj” kam shprehur
mendimin tim modest se është një kurorë e artë për vendlindjen e tij, e cila
në kohët më të hershme e deri më sot
ka ruajtur me fanatizëm gjuhën
traditën dhe identitetin e vet. Pasi e përfundova së lexuari me vëmendje veprën
e tij të dytë studimore “Koja në rrjedhë
të kohëve” them pa mëdyshje se ajo është një tjetër përmendore dhuruar Kojës.
Një vepër dokumentare me shumë vlera. Një gur themeltar për Kojën.
Autori
këtë monografi për historinë e Kojës e shkroi në mërgim në Detroit të Shteteve
të Bashkuara të Amerikës nga dashuria e
madhe përvëluese që kishte
në zemër dhe ndjente në shpirt për
vendlindjen, për të cilën më
thoshte se është e shtrenjtë, dashuri,
vuajtje, dhimbje, krenari. Vetëm në vend të huaj e njeh bukurinë dhe ëmbëlsinë
e gjuhës amtare, vetëm atje e ndjen ç ‘është vendlindja që e ke braktisur. Në
një vend të huaj mund t’i kesh te gjitha, por shpirti gjithmonë ndjehet i
varfëruar. Vendlindja është vendi më i
dashur, prandaj ajo në vende të huaja
vazhdimisht të shfaqet në ëndrra. Kjo
forcë magjike nuk e lëshoi kurrë as
autorin e kësaj vepre , por përherë e mbajti
pranë, sado larg saj që ndodhej. Pa këtë dashuri për një copë vendlindje, apo siç thonë malësorët, pa nji grusht dhe që e merrnin me vete mërgimtarët tanë të hershëm, që ta kishin vendlindjen
gjithkund me vete dhe pranë vetes, dyshoj që
lexuesi shqiptar do ta kishte në dorë këtë studim voluminoz të
rëndësishëm për studiuesit e tashëm dhe
të ardhshëm.
Fran
Gjeloshaj nuk është historian. Dhe nuk
bëri histori. Por ai në këtë studim serioz e gjithëpërfshirës për Kojën seleksionoi dhe përmblodhi shënmet që ka grumbulluar dhe koleksionuar
për një kohë të gjatë nga literatura e
lexuar , ose nga tregimet e të moshuarve.
Natyrisht është një përpjekje që duhej ta kishin bërë gjeneratat e
mëparshme, të cilët mund të kishin shënuar më
shumë rrëfime nga të moshuarit e
tyre. Aty flitet për historinë e këtij fshati, por autori nuk lë anash edhe
pjesët tjera të jetës së banorëve të kësaj krahinë shqiptare të Malësisë së Madhe.
Në
veprën e Fran Gjeloshajt , Koja në
rrjedhën e kohëve” ka histori, toponimi,
heronj, por ka edhe figura njerëzish e dokumente të tjera me rëndësi, të cilat,
veprës në fjalë ia rrisin vlerën në përgjithësi. Unë konsideroj se Fran Gjeloshaj ka bërë një vepër që duhet
lakmuar, ndonëse ai është me profesion krejtësisht tjetër. Kjo është vlera jo
vetëm e autorit, por edhe e veprës së tij. Pra, autori na ka sjellë shumë
shënime për kohën e kaluar të popullatës së Kojës, e cila, sikur në mjedise të
tjera, edhe këtu ka pësuar nga okupuesit. Ajo që e karakterizon këtë botim të
mirëfilltë është trajtimi në aspektin
shumëdimensional, duke filluar nga koha e hershme e deri në ditën e sotme.
Vlerën këtij libri ia shton edhe mbështetja në burime të shumta jo vetëm
shqiptare, por edhe të huaja.
Me botimin e kësaj vepre të këtillë dokumentare autori shleu një obligim moral që ndjeu ndaj vendlindjes së tij, sepse e meritojnë njerëzit e këtij lokaliteti, por e meriton edhe ky vendbanim që ka një lashtësi dhe një histori të bujshme, sa të dhimbshme, por aq edhe krenare. Është një shembull i rrallë i krijuesve tanë, sepse, pak-kush nga malësorët deri më tash kemi bërë vepra të tilla si autori në fjalë. Prandaj, kjo vepër mbetet një vlerë e rëndësishme që do të trashëgohet dhe do të vlerësohet nga të gjithë.