| E shtune, 25.04.2020, 02:13 PM |
Lufta e UÇK-së , vepra më e lavdishme në historinë tonë kombëtare
Nga
Skënder Sadri KAPITI
UÇK
– Ushtria Çlirimtare e Kosovës- Lufta Çlirimtare e saj është faqja më e
lavdishme në Historinë tonë Kombëtare që
ju kundërvu me guxim dhe vetmohim makinerisë ushtarake dhe genocidit barbar
serb për çlirimin njëherë e përgjithmonë të Kosovës prej kolonizatorit
sllavo-serb.
UÇK,
Lufta e drejtë e saj për çlirim kombëtar është vepra më heroike e popullit
tonë, është UÇK-ja dhe lufta e saj ajo e cila e ndërkombëtarizoi si kurrë më
parë Çështjen kombëtare shqiptare në arenën botërore.
UÇK
është ajo e cila i detyroi Fuqitë më të Mëdha të Botës, edhe ato të cilat i
kishin coptuar padrejtësisht trojet Shqiptare në Vitin 1913, që të mblidhen në
një konferencë ndërkombëtare, në atë të Rambujesë, posaçërisht për Çështjen
shqiptare; dhe ishte kryesisht Lufta e
UÇK-së ajo që mundësoi që për herë të
parë në një Konferencë të përmasave të tilla Ndërkombëtare që të jenë
pjesmarrës përfaqësues të Kombit shqiptar, Konferencë që ndryshe nga ato të
mëparshmet që bënë tragjedinë me shqiptarët dhe me trojet e tyre si ajo e
Berlinit dhe e Londrës, kësaj radhe aty ishim të pranishëm edhe Ne shqiptarët,
me delegacionin tonë, si dhe aleati ynë i Madh, Fuqia më e Madhe botërore,
SHBA.
Ishin
vullnetarët e UÇK-së nga të gjitha trojet shqiptare bashkë me ata të cilët
vinin me uniforma dhe të organizuar nga
Perëndimi dhe diaspora për lirinë e Kosovës, gjë e cila i dha kësaj ushtrie
karakterin e një ushtrie gjithëkombëtare shqiptare dhe të një Lufte për çlirim
dhe Bashkim kombëtar
UÇK
ishte faktori i cili për herë të parë në
Historinë tonë Kombëtare bëri të mundur një aleancë ushtarake
shqiptaro-perendimore,UÇK-NATO, kundër barbarisë sllavo-serbe për Çlirimin e
Kosovës; NATO ishte Aviacioni i UÇK-së, ndërsa UÇK ishte këmbësoria e NATO-s.
Pas
faktorit NATO, nën drejtimin e SHBA-s, faktori kryesor që mbrojti dhe që ka
meritën kryesore për Lirinë, për Pavarësinë dhe për Shtetin e sotëm demokratik
të Kosovës është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtë mision historik të kryer
prej saj tashmë, që njihet edhe botërisht madje, e ka shënuar Historia jonë
Kombëtare.
*
* *
Këtë
realitet, këtë meritë, këtë sakrificë dhe rol vendimtar të jashtëzakonshëm,
këtë faqe të lavdishme të historisë tonë kombëtare të UÇK-së nuk e njeh dhe nuk
e pranon Serbia për faktin se UÇK në aleancë me NATO-n i sollën asaj disfatën
më të madhe, dëbimin përfundimtar nga Kosova. Prandaj Serbia përdor të gjitha
mjetet dhe format më të ulta të
shpifjeve duke ngritur e montuar akuza nga më të pacipa dhe intriguese me
qëllim për ta degraduar Luftën e UÇK-së dhe për ta kriminalizuar atë, si dhe për ta manipuluar dhe mashtruar opinionin
ndërkombëtar sikur ushtria dhe shteti serb nuk paskan ushtruar genocid mbi
popullin e Kosovës.
Dhe
nuk e di se si e marrin guximin edhe
disa shqipfolës intelektualë, gazetarë
apo të ashtuquajturish opinionistë të cilët edhe këta njëlloj si propaganda e
Beogradit fabrikojnë thashethemnaja, intriga, komplote, shpifje, deri dhe akuza
që bëhen qëllimisht për ta zbehur, për ta degraduar dhe për ta kriminalizuar
Luftën e Lavdishme të UÇK-së.
Është
e papranueshme që prej shpifjeve, prej përbaltjes së këtyre dallkaukëve dhe
shërbëtorëve të propagandës serbe që të vuajnë akoma Martirët, dëshmorët,
veteranët dhe ishluftëtarët e UÇK-së. Kjo nuk përbën rastësi për ata që shpifin
dhe komplotjnë kundër UÇK-së, por kjo ka shkakësinë e vet që vjen prej egoizmit
politik negativ të tyre, por më shumë vjen prej origjinës dhe të trashëgimisë
së tyre si ish-shërbëtorë dhe agjentëve të Serbisë, pasi nuk ka si të jetë
ndryshe.
Duhet
të miratohet një ligj i posacëm që mbron vlerat e Luftës Çlirimtare të UÇK-së,
për ta ndëshkuar dhe ndaluar këtë revansh antikombëtar të këtyre agjentëve
shqipfolës të fshehtë por që po guxojnë të dalin edhe hapur; të këtyre
mercenarëve mediatik, publik e juridik shumë të dëmshëm kombëtarisht të cilët
frymojnë, përhapin dhe propogandojnë por
edhe vendosin gjyqësisht pro asaj se
çfarë gatuhet, shpifet e komplotohet në Beograd me qëllim që të harrohen
e të shlyhen nga kujtesa historike shqiptare dhe ajo botërore krimet dhe genocidi serb mbi
shqiptarët si dhe për ta degraduar dhe kriminalizuar luftën e drejtë dhe
heroike të UÇK-së.
Por
ligji, duhet t’i ndëshkojë edhe më ashpër të gjithë edhe ata që kanë bërë krime
të faktuara; por jo të jipen ndëshkime e dënime për akuza e gjykime të
fabrikuara dhe të montuara; ligji duhet
të ndëshkojë edhe ata të cilët kanë manipuluar, mashtruar dhe spekuluar me
luftën, me gjakun dhe me sakrificat e luftëtarëve dhe të dëshmorëve të UÇK-së;
edhe ata të cilët kanë vjedhur, grabitur
dhe përfituar në mënyrë të paligjshme prona dhe pasuri duke u mbrojtur dhe u
justifikuar me pjesëmarrjen në Luftë apo me faktin e të qënurit pjesëtar apo komandant në Luftë.
Askujt
nuk i lejohet që edhe pse ka ndonjë
meritë dhe kontribut kombëtar që ta
mbrojë dhe ta justifikojë sjelljen apo veprimin e tij që është si në dëm të
ndonjë individi tjetër ashtu dhe as korrupsionin, abuzimin dhe keqbërjen
publike shkaktuar prej tij.
Dhe
askush nuk ka të drejtë për ta personalizuar dhe për ta përdorur politikisht
Luftën e UÇK-së për interesa të ngushta personale politike dhe pushteti.
Atdheu
dhe Kombi janë mbi gjithçka, ata janë të pasfidueshëm, dhe asnjë politikë e
ndonjë individi dhe as e ndonjë shoqate dhe partie politike nuk mund t’i
përafrohet asaj vepre të madhe, më të ndritshme në Historinë tonë Kombëtare që
ka bërë UÇK-ja e popullit martir të Kosovës për Atdheun dhe për Kombin
shqiptar.