| E shtune, 25.04.2020, 11:11 AM |
Mëma është e shenjtë, ajo nuk harrohet asnjëherë!
Vështrim
mbi librin “Një ditë me Marigonë”,
shkruar nga Viron Kona
Nga
Fran GJOKA
Sapo doli nga
shtypi libri “Një ditë me Marigonë” i shkrimtarit Viron Kona,i cili përmban “Përmbledhje
artikujsh, vlerësime dhe krijime letrare rreth monografisë “Marigoja shqiptare
në Norvegji” dhe protagonistes shqiptaro-norvegjeze Emine S. Hoti, portreti i
së cilës shfaqet i plotë, jo vetëm nëpërmjet librit të shkrimtarit, por
plotësohet më tej edhe nëpërmjet diskutimeve, këmbimit të ideve, mendimeve të
shprehura apo krijimeve letraro-artistike. “Një ditë me Marigonë” çelet me një
intervistë të gazetarit Fran Gjoka me shkrimtarin Viron Kona, shkrim i cili
është njëherazi edhe një prezantim i Marigosë shqiptare në Norvegji( Emine S.
Hoti) me lexuesin. Emineja është nga Drenica e Kosovës. Në vitin 1989 për shkak
të represionit serb mbi shqiptarët, ajo mërgoi në Norvergji, ku pasi u integrua
iu përkushtua me pasion krijimtarisë letare dhe, veçanërisht pasionit të saj si
stiliste e veshjeve kombëtare shqiptare. Bleu një makinë qepëse, penj e rroba
dhe, gjatë natës, pasi vinte fëmijët në gjumë, ajo qepte veshje kombëtare,
kryesisht të zonës së saj, por edhe më gjerë. Fillimisht i qepi për fëmijët e saj
dhe për grupin artistik të shoqatës së
shqiptarëve në Norvegji. Më pas, vijoi të qepte veshje kombëtare shqiptare dhe
t`i dhuronte në shoqatat shqiptare të Suedisë, Maqedonisë së Veriut, të
Kosovës, të Italisë e kudo ku i jepej mundësia. Nëpër natë, duke punuar me
makinën qepëse, Emineja mbante edhe laps
e letër dhe hidhte edhe mendimet e saj poetike, që i vlonin, por dhe episode,
ngjarje, ide dhe motive, që do të shndërroheshin në libra në prozë dhe poezi...
Libri “Një ditë me Marigonë” përmban më shumë se 40 artikuj, kushtuar Emine
Hotit dhe autorit V.Kona i cili, e bëri të njohur Eminenë, fillimisht në
rrethet intelektuale shqiptare dhe më gjerë.
Në këtë aspekt,
prof. dr. Gjovalin Shkurtaj, akademik,
vë në dukje “Ndihmesat e Viron Konës për
njohjen e diasporës shqiptare në Suedi dhe Norvegji” dhe njohjen e një yjësie
personalitetesh të arsimit e të letrave shqipe që halli i ka shpënë deri në
Suedinë dhe Norvegjinë e largët, por që malli i Atdheut, i Shqipërisë dhe i
trevave shqiptare të Kosovës a të Maqedonisë prej nga janë shpërngulur, i
bashkon të gjithë në një hulli të përbashkët gjuhëmbrojtëse e shqiptaripohuese.
Poeti, përkthyesi dhe atdhetari shqiptar nga Suedia z.Sokol Demaku, shkruan
se “Emineja është një ndër ato gra
shqiptare, ku duhet të marrim shembull se si duhet të jetë femra shqiptare në
mërgatë. “Ajo,-nënvizon ai,-është jo vetëm një stiliste, por edhe një mësuese,
është një nënë dhe kujdestare e fëmijëve, të cilët i edukon dhe i shkollon në
mënyrën se si ata duhet të jenë të dobishëm për shoqërinë”. Ai vlerëson se “Emineja është aktive në Qendrën Kulturore
Shqiptare “Migjeni” në qytetin suedez Borås, veçanërisht duke i dhuruar kësaj
qendre, deri më sot rreth 30 palë veshje kombëtare shqiptare, të qepura me
duart e saj të arta...” Një vlerësim special bën për Emine Hotin, poeti,
avokati dhe ish-piloti i aviacionit shqiptar Delo Isufi. “Emine Hoti,- shkruan
ai,- është një ylber me mijëra ngjyra, që qëndron përherë i shpalosur si
aureolë e kombit tonë” dhe, në vazhdim, ai citon vargjet e mikut të tij Kadri
Tarelli, kushtuar kësaj heroine drenicare: “Emine Hoti, moj çikë
Dardanie,/Në dorë e në shpirt, flamur shqiptarie,/Nga larg po na sjell, aromë
Norvegjie,/Futur nëpër vargje, si frymë magjie.” Studiuesi dhe publicisti
Kadri Tarelli, duke vlerësuar kontributin atdhetar të Emine S. Hotit shkruan:
“Pse hallakatemi të fusim në tekstet shkollore shembuj nga bota, që nuk e dimë
ku janë e nga janë, dhe mbyllim sytë për heronjtë tanë shqiptarë, që i kemi me
bollëk mes nesh?”. Alisa Velaj, poete, studiuese dhe pedagoge pranë Katedrës së
Letërsisë së Universitetit "Aleksandër Moisiu", Durrës, nënvizon:
“Xhubletat e saj nuk janë vetëm imitime të modeleve të gatshme të krahinave
tona të ndryshme. Emine S. Hoti ka derdhur aty dhe shpirtin e vet krijues, duke
shtuar elemente të reja në mozaikun plot dritë të fantazisë sonë
popullore....”. Prof. dr. Arian Kadiu, publicist e studiues “Mjeshtër i Madh”,
thekson idenë se “Edhe më parë kemi marrë pjesë në veprimtari për skandinavët,
por në asnjë rast tjetër nuk kemi qenë kaq pranë norvegjezëve, sa ky i sotmi.
Ndaj them se Vironi është ambasadori i parë që solli tek intelektualët
shqiptarë, këtu në Tiranë, Norvegjinë
dhe norvegjezët... Më kanë mbetur në mendje fjalët e Eminesë: “Në Norvegji u
kujdesën për ne, si nëna për fëmijën e saj të vogël”. Prof.dr. Ilinden
Spasse, studiues dhe shkrimtar, shkruan:
“Sapo mbarova së lexuari këtu në Bergamo të Italisë, monografinë me titullin
“Marigoja shqiptare në Norvegji”, një monografi që të mbush me atdhedashuri, me
optimizëm për jetën, me dashuri për njerëzit, për të afërmit, për miqtë dhe
shokët e rinj të zënë gjatë udhës së
jetës, veçanërisht duke u përqendruar në Norvegjinë e largët, fatmirësisht në
një shtet me një demokraci për t`u patur zili dhe nga shtetet më të përparuara...
Po të isha poet, shkruan ai në fund të kumtesës së tij,- ashtu si dhe poetët e
tjerë edhe unë do të përpiqesha t`i kushtoja Emine S. Hotit, një poezi, poemë e
pse jo dhe rapsodi si ato të Gjergj Elez Alisë, apo Shote Galicës etj”. Ibrahim
Hajdarmataj, studiues e gazetar në Tropojë, veçon përkushtimin e kësaj
shqiptareje heroinë, bamirëse, e guximshme, bujare dhe fisnike, e cila natën
pas pune, me makinën e saj të qepjes, qep dhe qëndis me pasion e njëherazi dhuron te shqiptarët e diasporës veshje karakteristike të Shqipërisë
së Veriut: pshtjellak, zapreg, dimi, jelek e deri flamuj kombëtar kuqezi me
shqiponjën dykrenore... Ndërkaq, në emër të shoqatës “Bytyçi” dhe kryetarit të
saj z. Agron Gjedia, ai bën të njohur edhe një “Mirënjohje” kushtuar Emine S.
Hotit si “Një nënë shembullore” shqiptare në diasporë. Leksikografi, poeti dhe
atdhetari i shquar Sadulla Zendeli-Daja me origjinë nga Gostivari dhe rezident për më se 50 vjet në Suedi, në
artikullin e tij të titulluar “Mëma
është e shenjtë, ajo nuk harrohet asnjëherë!” nënvizon me emocion se
portretizimi i Emine S.Hotit si një Marigo shqiptare në Norvegji, është një
vlerësim edhe për mërgimtarët e tjerë,
që jetojnë në një atdhe tjetër, por që nuk e harrojnë kurrë vendlindjen, sepse
janë edukuar me dashurinë për kombin shqiptar dhe flamurin që në djep me
ninullat e kënduara nga nënat e shenjta shqiptare. Në libër gjejmë dy poezi të
përkthyera nga gjuha shqipe në gjuhën suedeze nga albanologu i njohur dhe “Mik
i Madh i Shqiptarëve”, Ullmar Qvick (Kvik), e pikërisht poezitë: “Politika” dhe “Kam dëshirë”, ku do të veçonim vargjet: “Dëshiroj të mos shoh askënd të
nënshtruar,/ Askënd të gjunjëzuar dhe
askënd të varfër,/ Askënd t`sëmurë dhe askënd pa bukë e ujë,/ Askush të
mos vuajë nën këtë qiell të pastër”. Merita Kuçi, poete dhe drejtore
shkolle në Durrës, në artikullin e saj “Poetja qëndistare”, shkruan: “Emineja radhitet ndër ato zonja si grua
atdhetare, nënë, krijuese, ku arritjet e saj i kushtohen punës, thjeshtësisë
dhe besimit për të bërë përpara në tokë të huaj me vlera e dashuri njerëzore...
». Elona dhe Ilir Jançe, intelektualë në Tiranë, vlerësojnë autorin e librit V.
Kona dhe protagonisten Emine S. Hoti, të njohur si “Marigoja shqiptare në
Norvegji”. Vlerësim të veçantë bën edhe Njomëza Imeri-Ismaili, drejtore e
bibliotekës “Koço Racin”, Tetovë. Ndërsa
Bujar Poçari, fizikan, Tiranë, mes të tjerash shkruan: “Në festat
që organizoheshin në
Norvegji nga komuniteti
shqiptar atje, shqiptarët parakalonin
si në një
manifestim madhështor, me flamuj
dhe kostume shqiptare të dala
nga dora e
Eminesë... Me punën plot
pasion e atdhedashuri,
Emineja ka përgatitur
rreth 250 kostume
popullore shqiptare, të cilat
ua ka dhuruar individëve dhe grupeve të të rinjve dhe të rejave, të
cilët me to kanë
marrë pjesë në
ditë festash kombëtare,
por edhe në ditë
festash familjare si
dasma e gëzime etj. Hamit
Gurguri, shkrimtar shqiptar në Suedi, në fjalën e tij shkruan: “Të lumtë pena,
Viron Kona!... Ti i bëre nder një poeteje, një shkrimtareje, një stilisteje,
një bije të Drenicës, që jeton në Norvegji, i bëre nder QKSH “Migjeni” dhe ne anëtarëve të saj. Urime ty
dhe Eminesë! Ju faleminderit, miq nga e gjithë Shqipëria, që begatuat këtë
takim të sotëm!” Dr. Petrit Teferiçi, mjek kardiolog, “Qytetar nderi” i Kavajës, me banim në
Tiranë, shkruan: “Ndihemi krenarë me
veprën “Marigoja shqiptare në Norvegji”, kushtuar shkrimtares, stilistes dhe
atdhetares Emine S. Hoti. Mes të tjerave ai solli në kujtesë të
pjësëmarrësve vitin 1999, kur ishte
Lufta e Kosovës dhe kur prindërit e Eminesë jetuan në Kavajë...
Liljana Kona, bashkëshorte e shkrimtarit V. Kona, shkruan se “Emineja është një shqiponjë me krahë të artë e veshur me
flamurin kombëtar. Ajo u dhuron veshje dhe simbole kombëtare shoqatave e
individëve, si t`u dhuronte zemrën e saj të madhe dhe të ndritshme, që, ata, të
mërguarit tanë nëpër botë, të ndihen mirë, të shfaqin dinjitetin e tyre, të
përfaqësohen si bij e bija të një kombi të lashtë dhe të ndritur, që, edhe në
Oslo, Stokholm, Shkup, Romë e kudo, të përfaqësohen si qytetarë të botës së
lirë, të ndihen sikur të jenë në Prishtinë dhe në Tiranë. Në libër është botuar
edhe një përshëndetje dërguar nga prof. Murat Gecaj, i cili vlerëson veprën madhore
të zonjës Emine S. Hoti. Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe
Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi, e cilëson Emine S. Hotin
“Njërën ndër atdhetaret më të dëshmuara në Europë për afirmimin dhe
sensibilizimin e etnografisë shqiptare”.
Izet Abdyli, sekretar i Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”,
Prishtinë, shkruan midis të tjerave: “Me këtë libër Viron Kona i ka ngritur një
monument jetshkrimi Minire Hotit (Emine S. Hotit) në gjashtëdhjetvjetorin e
lindjes, puna e së cilës do t`iu shërbejë si burim frymëzimi e krenarie
pasardhësve të saj”. Ajete Zogaj, gazetare, Prishtinë, shkruan: “ I tërë
rrugëtimi i saj jetësor, edhe tani që është gjyshe, ka një motiv: Punë dhe
vetëm punë, e mbi të gjitha dashuri për artin, gjuhën, kulturën dhe traditat
shqiptare. Dashuri për atdheun”. Imri
Trena, kryeredaktor i radios “Zëri i Arbrit” Norvegji, midis të tjerave
shkruan: “Ajo që na bëri përshtypje ishte rasti që përmend z. Viron se si një
gazetar norvegjez, për kremten e 17 Majit - Ditës Nacionale të Norvegjisë,
dikur para afro 30 vitesh, me të parë flamurin kombëtar shqiptar, të cilin e
kishte qëndisur zonja Emine, pyet:
-Çfarë flamuri është ky?
-Është flamuri i
Nënë Terezës, - iu përgjigj djali i madh i Eminesë me krenari.
-I Nënë
Terezës?!
-Po, Nënë Tereza
është shqiptare, siç jemi edhe ne. Ky është flamuri ynë, kurse kostumi që kam
veshur është kostum popullor shqiptar. Ma ka qepur nëna”.
...Ju shtrëngoj
dorën miqësisht nga larg e ju përqafoj vëllazërisht! E paçim SHQIPËRINË!”,
Libri përmban
edhe disa vlerësime të veçanta për Emine S. Hotin dhe autorin e monografisë “Marigoja shqiptare në Norvegji”
z. Viron Kona. Z. Azis Bislimi, kryetar
i shoqatës “Nënë Tereza” në Norvegji, si dhe bashkëshortja e tij e falënderuan
dhe e përgëzuan Eminenë për talentin, pasionin dhe suksesin e arritur... Afrim Aliu, njëri nga mërgimtarët
më të vjetër në Ski të Norvegjisë, e uroi Eminenë me fjalët më të ngrohta, duke
veçuar sidomos ndihmesën e madhe të saj
për gjallërimin e veprimtarive të shoqatës “Nënë Tereza”, por dhe për pasionin
në përgatitjen e veshjeve kombëtare e dhurimin e tyre. Një urim të veçantë i bëri Eminesë bashkëkombësja Arta
Drenica, moderatore e vallëzimit, e cila me aftësitë dhe talentin e saj i
përgatit në mënyrë të shkëlqyer vajzat dhe gratë për koncerte me raste festash,
duke u mësuar kërcimin, vallet dhe këngët shqiptare. Kurse shoqja e Eminesë,
Basrije Gashi, me një gëzim dhe respekt të jashtëzakonshëm, e uroi duke derdhur
lotë gëzimi, që shoqja e saj vlerësohet aq shumë dhe kudo nga shqiptarët, e
sidomos i shprehu gëzimin për respektin që iu bë asaj nga intelektualë në
Tiranë gjatë përurimit të monografisë “Marigoja shqiptare në Norvegji”. Urime i
kanë bërë Eminesë edhe Majlinda dhe Resmije Trena, duke e shoqëruar urimin me
fjalët e ngrohta: “Ti Emine, na ke bërë edhe ne krenare dhe na nderon të gjitha
grave shqiptare në Norvegji”. Të gjithë ata që e kanë takuar, edhe
personalisht, por edhe në tubime apo veprimtari të shoqatës “Nënë Tereza”, e kanë uruar me
gjithë zemër Eminenë, duke vlerësuar kontributin e saj si letrare, stiliste dhe
atdhetare. Ndërkohë që ajo ka marrë mesazhe dhe telefonata të shumta nga miq,
të njohur të saj, nga bashkëkombës në Norvegji, Suedi, Maqedoninë e Veriut,
Itali, nga Kosova, nga shkolla “Dritan” e Drenicës, ku ajo ka qenë nxënëse dhe nga Shqipëria.
Mediet shqiptare dhe shumë portale e revista,
i kanë bërë jehonë librit dhe veçanërisht protagonistes së tij Emine S.
Hoti, të njohur edhe me emrin artistik “Marigoja shqiptare në Norvegji”. Gazeta
shqiptare “Nacional” e kishte në faqen e parë kopertinën e librit, ndërsa disa
televizione dhanë kronika nga përurimi i monografisë “Marigoja shqiptare në
Norvegji”. Vlerësime të veçanta ka shprehur për Emine S. Hotin edhe
prof.dr.Hektor Veshi. Studiues dhe kritiku i letërsisë Sejdo Harka,Tiranë,
shkruan: “Kjo monografi, sa e thjeshtë,
aq edhe e bukur, aty nga mesi i nëntorit të këtij viti, u bë objekt i një
tubimi të bukur vlerash për të zbuluar se ku qëndron magjia e protagonistes
kryesore të këtij libri, sa voluminoz aq edhe tërheqës. Për të asistuar në
promovimin e këtij libri kishin ardhur nga Norvegjia dhe Suedia e largët, nga Kosova, dhe nga e gjithë
Shqipëria lexues të thjeshtë dhe njerëz të fushave të ndryshme të dijes e
letrave shqipe. Diskutimet e zjarrta
s`kishin të mbaruar...” Dr. Bajram Mejdiaj, Laureat i Çmimit të
Republikës, studiues, etnograf,
Tiranë,shkruan: “Ajo që dua të theksoj tjetër është se lexuesi i monografisë
“Marigoja shqiptare në Norvegji”, është në një mendje me autorin, me
shkrimtarin e njohur Viron Kona, pra, mendimet e lexuesit harmonizohen me
shkrimtarin, ato që janë shkruar në atë libër, gjenden jo vetëm të vërteta, por
edhe frymëzuese për të tjerët”. Dr. Nuri Dragoj, në artikullin “Një libër që
shpreh shpirtin e trazuar të vajzës kosovare”, ndër të tjera shkruan:“Emineja
është konkrete, bazohet te puna dhe jo te fjalët. Kostumet popullore shqiptare
që ajo shpërndan, kanë vlerë më shumë se qindra fjalime e deklarata të
ambasadorëve...” Dr. Nazmi Xhomara, pedagog - Universiteti “Luarasi”, nënvizon se ”Shkrimtari Viron Kona përbën një
nga autorët bashkëkohorë shqiptarë, i cili po jep ndihmesën e tij të vyer në
promovimin e vlerave më të mira në shoqërinë shqiptare, është një nga autorët
më prodhimtarë të mendimit letrar dhe publicistik në vendin tonë. Kontributi i tij shtrihet jo vetëm në
territorin e Shqipërisë, por prej vitesh ka kaluar kufijtë e saj...”. Luljeta
dhe Vangjel Llupi vënë në dukej se “Emine S. Hoti është e njesuar me
vendlindjen, si shqiponja me flamurin tonë kombëtar.” Bashkim Saliasi,
shkrimtar, gazetar, Tiranë, shkruan: “Ajo që mua më ka mbetur më shumë në
mendje është malli për vendlindjen, atë mall që kush e ka provuar jetën e
emigrantit e di se çdo të thotë të vuash dhe të llafosesh natën me hënën e yjet
dhe t`u tregosh atyre brengën që vuan në shpirt për të dashurit, atdheun dhe
bukën e ëmbël të truallit ku ke lindur dhe je madhuar”. Bujar Agalliu, jurist,
Tiranë nënvizon: “U impresionova nga thjeshtësia dhe nga prezantimi pa
pompozitet i znj. Emine S. Hoti. Për një çast m`u duk vetja sikur isha mik në
shtëpinë e saj dhe, nga thellësia e
zemrës, më doli shprehja: “Nëse Nënë
Tereza, si shenjtore ishte shqiptarja e
parë e njohur në të gjithë botën, ju jeni “Nënë Tereza” shqiptare në Norvegji”.
Ndue Dragusha, psikolog dhe shkrimtar nga Lezha, shkruan: “Fjalët e Eminesë
gjatë përurimit na provokuan dhe lotë malli dhe dashurie. Ajo fliste e qetë dhe
përmes fjalëve të saj shpalosi gjithë atë dhimbje dhe vuajtje që kishte
kapërcyer, duke mos u përkulur dhe as duke mos lypur lëmoshë, por duke e
rrëmbyer jetën dhe respektin përmes punës së saj të palodhur, e pathyeshme dhe
me shpirt heroine”. Maliq Qoku, drejtues shkolle, Tiranë shkruan: “Me një gjuhë
të thjeshtë, të ëmbël, të pastër e të qartë, Viron Kona të tërheq si me magnet
teksa lexon shkrimet e tij. Ai arrin të skicojë dhe të portretizojë personazhet
e tij aq bukur, saqë të mahnit dhe të
“detyron” që të mos e lëshosh librin nga dora pa e mbaruar atë”. Agim Qoku, publicist
dhe drejtor shkolle në Elbasan, nënvizon: “Kujtdo, nderimi nuk mund t`i bëhet më mirë se në atdheun e
tij... Nuk ka gjë më të madhe për një krijues se kur vlerësohet me madhështi në
atdheun e vet”. Nikolin Papa, ekonomist ushtarak, Tiranë shprehet:
“Dhurata e shkrimtarit Viron Kona me
këtë monografi, që u bën lexuesve shqiptarë, kudo që jetojnë në të katër anët e
globit, tregon njëherazi se sot njerëzit kanë nevojë të dukshme për përurimin
e vlerave të dashurisë për atdheun. Mal
Buçpapaj, mësues, ish drejtues arsimi, publicist, Tiranë, na tregon me
artikullibn e tij se« Në themel të veprimtarisë krijuese të Emine S. Hotit
janë: trojet, atdheu, flamuri, heronjtë... Përmbajtja e librit dhe theksi
atdhetar, është një shtyllë e fuqishme e
tij, që do ta dëshironim ta shihnim më
shpesh në letërsinë tonë. Amantja Kona, gjeografe, Tiranë nënvizon në
artikullin e saj: “Krijimtaria dhe dashuria për kombin shqiptar janë stolitë më
të bukura të Emine S. Hotit”. Në rubrikën “Skica dhe vargje kushtuar Emine S.
Hotit”, dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli, esenë e tij e titullon: “Madhështia e thjeshtësisë”. Çaush Kullafi,
mësues dhe poet, Tiranë, në esenë “Një
ditë me Marigonë”, shkruan: “Sa herë sjell ndërmend Marigonë që qëndisi
flamurin në Vlorë më 1912, kam shumë emocione, pse ta fsheh, loti më kalon
padashje mes qepallave të mia si vesa që rrëshqet mbi petalen e lules në pikën
e mëngjesit, kur as bilbili nuk e ka nisur këngën e tij... Atë Marigo e gjeta
sot edhe në librin e Viron Konës, edhe duke qëndisur flamurin dhe veshjet
kombëtare shqiptare, edhe duke përhapur shqiptarizmin në mërgatën shqiptare, të
shpërndarë nëpër botë si dallëndyshet ». Libri përmban edhe disa poezi
kushtuar Emine S. Hotit nga Kadri Tarelli, “Jam çikë shqiptare, bota le ta
dijë!” Halim Laçi, poezinë “Burrnesha”. Familja Kona, në Tiranë, e cila i
dedikon poezinë “Shpirt e zemërdiell”, kurse vogëlushja Diora Kona, nxënëse e
klasës së parë, shkolla “Konferenca e Pezës”, Tiranë, ka shkruar poezinë “Tetën
Emine Hoti e dua shumë!”. Libri përfundon me një intervistë që i dhanë Emine
Hoti dhe Viron Kona gazetarit të Radio Tiranës z. Jaho Margjekaj...