| E premte, 24.04.2020, 02:02 PM |
NDJESHMËRIA TRAGJIKE E VETMISË
(Lexime
poetike. “Vetmia” e poetes Drita Çomo), XIX
Nga
Prend BUZHALA
Drita
Çomo (19 mars 1958-19 shkurt 1981), ja edhe një emër që hyn në Bibliotekën
tragjike të letërsisë sonë. E internuar me prindërit që në moshën dyvjeçare,
për shkak të nënës së saj të burgosur, ajo vdes nga kanceri në moshën
23-vjeçare. Sa ishte e re ka shkruar edhe poezi, por, siç thonë shënimet për
të, ajo kishte frikë t'i publikonte ato. Shënimet nga ditari, si dhe poezitë e
saj panë dritën e botimit më 1997 me titullin "Dritë që vjen nga
humnera", vetëm pas vdekjes së saj, pasi ndryshuan rrethanat shoqërore.
Nga krijimtaria e saj poetike, morëm për lexim poezinë "Vetmia". Ajo
është mike e vetmisë, sepse është e shoqëruar me të bukurën në art, si
përmbajtje që e pasuron dhe e shpëton jetën. Ky është kërkimi i saj.
1.
Të
përzgjedhësh një poezi nga opusi krijues poetik, ta lexosh poezinë në
kontekstin e sotëm, të ri, të leximit; a nuk do të zbulonte dy thelbe tek
vetja: nga njëra anë dinamikën e forcës së këngës në përtëritjen e receptimit
kritiko-letrar, e nga ana tjetër, rizbulon trishtimet dhe vetmitë, sa intime aq
edhe universale?
Te
kjo poezi lexojmë dhe përjetojmë në një kompozim së bashku: lirikë, tinguj,
imazh... mendime, monolog që përpiqet ta mbulojë trishtimin, ... të gjitha
ndërthuren e pleksen brenda një komunikimi e ndërkomunkimi artistik ... në këtë
rast, një lirike funebër, e përzishme, ... e kënduar në skenën e përshpirtshme
të vuajtjes dhe vetvetes.
Vetmia,
që na del si një kryetemë e kryefigurë e tërë opusit krijues lirik; ngërthen në
vete shprehjen filozofike dhe metaforike të poetes, një si përballje me sfidat
e jetës. E te kjo sfidë ajo e sintetizon rebelimin e saj të heshtur, në mënyrë
të veçantë poetike. ajo e shpreh madhështinë e qenies poetike, tek e ngre
mesazhin dhe forcën e mendimit, në gërshetim me dhembjen, melankolinë e dashurinë,
me ndrydhjet e heshtjet e pashqiptuara. Porse aty ngre kokë edhe thënia e
papajtueshmërisë, ashtu si shfaqet e madhërishmja, si kategori estetike, të
cilën di ta ketë dhe ngërthejë njeriu në kushte dhe situata të ndryshme, mbase
edhe më të rënda. Poezia e saj ngërthen ndjeshmëri të veçantë: bëhet dhe mbetet
këngë e përjetuar, këngë e dhembjes, por edhe këngë e papërfunduar. Është
folësja lirike ajo, që ligjëron përmes një vete impersonale, e cila do ta njohë
vetveten vetëm nëpërmes vetmisë, durimit të saj si sprovë shpirti, jete e
ekzistence. Në tri strofat e para ajo e përsërit togfjalëshin poetik-proverbial
"Vetmia është...", për t'i shqiptuar variacionet e saj dhe situatat e
saj. te strofa e parë ajo hyn drejtpërdrejt në atmosferën konkrete të kësaj ndjesie
e situate:
Vetmia është zilja e
telefonit
Dhe një zë i huaj që
kërkon dikë tjetër
Vetmia është e diela e
zbrazët
Me biseda boshe dhe pa
diell.
Cila
është kjo situatë?
Me
të përmendur dita e diel, si ditë pushimi, do të na shkonte mendja te ato të diela
romantike, si një ditë e veçantë, që ngjall frymëzime, me kalimin e kohës me
miqtë, familjen ose veten; me shëtitjet, një vizitë tregut, një libër që
lexohet... një kërkesë për të bërë diçka argëtuese. Porse situata e qetë në
sipërfaqe, prishet nga një zë i huaj që kërkon "dikë tjetër"
(asociacion përgjimesh të diktaturës, varg që e thur psiko-lirikën me s
dramatik), një ditë pushimi si e diela, me zbrazëtinë e saj, e diel pa diell e
me biseda boshe, që nuk thonë asgjë. Së këndejmi, ajo na sjell një atmosferë
tjetër, të zymtë, gjithë boshllëk e ftohtësi. S'ka komunikime, ka vetëm zëra të
huaj, të panjohur që thërrasin dikë në telefon. Nëse e diela duhet të sjellë
mbushullimin e shpirtit a mirënjohje bekimesh, e vetmja gjë që arrin ta bëjë,
janë meditimet poetike. Një boshllëk tragjik. Një shpirt i vetmuar, që vegjeton
në zbrazëtinë e ekzistencës.
2.
Së
paku, në vetmi ajo është vetvetja, sado që rrethohet kudo me rrethin shoqëror.
Vetmia është streha e saj, është vetvetja e fshehur prapa këtij veli, me dëshpërimet
e saj, me historitë e rrëfimet e saj tragjike,
Për
t'i ikur këtij ballafaqimi me vetveten, ajo shpik një trajtë të veçantë
komunikimi, që përafrohet me thënien proverbiale "vetmia është...".
Mungon rrëfimi për vetveten! Rrëfimi shndërrohet në një figurë poetike të
elipsës, të mosrrëfimit, të pashprehshmes. Elipsa është karakteristikë e
shprehjes proverbiale.
Kësisoj,
si qenie që përsiat, mendimi i saj është vazhdimisht në lëvizje, në veprim, i
pakapshëm me krejt drithërimat e nuancimet e rrjedhës së ndërdijes. Ajo në
situatën e tillë gjykon, vlerëson, peshon vetveten. Gjendja e tillë gjithmonë
qëndron në opozicion me pozicionin a gjendjen tjetër, të ëndërruar, ku dëshiron
të hyjë, por nuk mundet:
Vetmia është të duash
shumë
Dhe të mos kesh çfarë të
duash
Të mos kesh kujt t’i
falësh dy lule
Dy fjalë të mira të mos
kesh kujt t’ia thuash.
E
pra, kodi i thënies eliptike do të an thoshte se ajo gjakon të dashurojë, të
dhurojë dy lule, t’i thotë dy fjalë të mira (bota e dëshiruar); por detyrohet
të qëndrojë në atë opozicion tragjik, pa pasur mundësi ta gëzojë dashurinë,
lulet, takimin dashuror apo bashkëbisedimin me fjalë të mira. Shprehja lirike e
thur poetikën antitetike të situatave të tilla përplasëse (“të mos kesh...”).
E
çka duhet të bëjë ajo në këso situatash, përpos që të jetë një qenie e menduar
dhe e vetmuar? A mund ta ndryshojë këtë rend gjërash, marrëdhëniesh me
njerëzit? Ajo është e detyruar të qëndrojë e shkëputur nga realiteti i tillë ku
ndërtohen marrëdhëniet mes njerëzve.
E
ka në dorë vetëm ëndërrimin (për dashurinë, lulet, fjalët e mira), por ato janë
këputur në mes. Nuk arrin të çlirohet nga dhimbja, e cila e përplas për
realitetin përballë. Dhe ajo nuk ngurron t'i ikën këtij realiteti, ta emërtojë
ashtu si është. Duke jetuar në dy dimensione të vetmisë, në vetminë tragjike
dhe në botën e ëndërrimit të fshehur, ajo gjithnjë e kërkon zgjimin, një
dimension tjetër, ku do të mund të gjendej e shpëtuar. Por jo! Nuk arrin.
Përsëri i faniten hijet e botës që e rrethon, me kujtimet vuajtjet, mungesën e
shpresës, me tjetërsimin mizor e të skajshëm të qenies njerëzore:
Të jesh kudo, i tepërt,
i huaj
Mik i paftuar në botë,
hije
Pa një kujtim që të të
bëjë të vuash
Pa një shpresë për atë
që do të vijë.
Nëse
shpresa është forca magjike e njeriut që e ruan qenien e vet, poetja detyrohet
të këndojë mu në mesin e errësirës, në situatën e tjetërsimit tragjik, haresë
së humbur, dashurisë së ndaluar, ku ti nuk je qenie e pranuar, por e dëbuar nga
rrethet shoqërore, si një hije. Prandaj, edhe Fjalori i mendimeve është një
leksik proverbial, një alfabet ndjesish të prekshme, të përshpejtuara nën
ritmin e melodisë së dhimbshme të lirikës. Por ajo e ka ëndërruar të bukurën e
fjalën e mirë. Ëndrrat janë dëshmi e ekzistencës poetike, po edhe jetësore.
Janë edhe dëshmi e shpirtit. Është ëndrra për të bukurën që e gjakon dhe e
mbështet ndjesinë e ndrydhur. Është e papranueshme, e paftuar kudo, pa shpresa,
e megjithatë ajo bën sikur jeton. Ëndërron sikur jeton. Këto nuk i thotë,
përveçse le ta kuptojmë të kundërtën e asaj që e gjakon: të jetë e pranuar në
mesin e miqve e njerëzve, të mos ndihet e huaj, të mos vuajë nga kujtimet e
hidhura, të ketë shpresa për jetën.
3.
Poezia
është akt krijues. Dhe në këtë akt ajo e ndien shpirtin e saj. E ndien si
fitore të vetëdijes së saj krijuese. Nuk ka kujt t'i drejtohet tjetër në këtë
hapësirë kaosi e çrregullimi, përpos këtij akti krijues në mediumin e vetmisë.
Së paku, kënga e shtyn vdekjen edhe për ndonjë ditë. E mban gjallë qenia e
ëndërruar a dashuruar, qoftë edhe e munguar (“pa ty”):
Po ankthi i ditëve të
mia pa ty
Ankthi im i përhershëm
Për të gjitha ato që i
di dhe s’i di
Kjo është diçka tjetër.
Së
paku, aty e thadron ëndrrën për përjetësinë dhe dashurinë, mu në zemrën e një
realiteti të tillë fatkeq. Çastin e vetmisë së saj, realitetin e hijeve
mashtruese, dhimbjes dhe pikëllimit, trishtimit të kësaj kotësie, ajo e
shndërron në çast përjetësie krijuese. Janë diktatura dhe sëmundja e kancerit
që ia ngjyrosin mendimet me zymtësi, por edhe ato detyrohet t'i përballojë me
poezi. Aty qëndrojnë edhe thellësitë e këtij meditim-emocioni. Aty, si një fill
i kuq zbukurues i artit, është ndjeshmëria tragjike e vetmisë.
Poezia
shndërrohet në ditar shpirti i vuajtjes e vetmisë. "Poezinë e mirë e ka
lindur vuajtja dhe revolta", thuhej në antikë. ky trishtim i vuajtjes,
tjetërsimit dhe vetmisë, i jep një ritëm të përjetimit të thellë lirikës, një
ritëm të qëndrueshëm dhe të pastër.
Në
vetmi edhe përjetimet janë më të intensifikuara se në realitetin e përditshëm,
rrethuar me zhurmën e jetës; tensionet emocionale janë më ekspresive. Në këso
situate, poetja thellohet, mediton, prandaj edhe i njeh më mirë se ç ‘është
fati tragjik dhe jeta e realizuar, boshllëku dhe shpirti i mbushulluar, njeh më
mirë edhe karakterin e njerëzve tjerë, i peshon marrëdhëniet e veta me gjërat
përreth e me realitetin jetësor. Ajo nuk e dëshiron këtë vetmi, sepse ajo i
është bërë gjendje e dhunshme, vetmi e shkaktuar nga dhuna. Ndryshe nga poetët
metafizikë që e duan vetminë e tillë, duke e ndjerë veten të çliruar nga
prangat shoqërore, aty ku nuk ndien se humb diçka; Drita Çomo e ëndërron të
kundërtën.
Minutat që ikin
ngadalë-ngadalë
Rënduar nga ajo që quhet
pritje
Rënduar nga ai që quhet
mall
Dhe që nuk llogaritet….
Ndryshe,
po të mos kishte qenë ëndërrimtare, te ky mall i pritjes, ajo nuk do t'i
shfaqte këto vuajtje me kaq art. Vetëm një shpirt i mirë e harmonik i një jete
tragjike, dhuron bukuri artistike. Lirika vjen si një përsiatje e reflektim
drite nga burimet e kësaj errësire të tragjikes. Ajo që i jep përmbajtje edhe
poezisë edhe jetës, janë e bukura në art dhe dashuria. Poetët do të thoshin se
është streha hyjnore e idealeve njerëzore. Poetja nuk e pranon botën e ftohtë
që i ka marrë gjithçka, prandaj aty bëjnë dritë gjakimet e saj... sepse ajo
dëgjon me zemër, sheh me shpirt, si një shpirt që ligjëron nga parajsa. Nëse
fati është kaq tragjik, nëse gjithçka ka dështuar në jetë, ajo megjithatë
vallëzon me ritëm e melodi përmes vargut poetik e vetmisë. Vallëzon me imagjinatën
e saj: duke ëndërruar dashurinë, fjalën e mirë e të bukurën: është po kjo
imagjinatë që e mbron jetën e saj dhe ëndrrat e pashprehura, e mbron nga
pasiguria, fataliteti, nga lufta e përditshme dhe e egër e ekzistencës. Ky edhe
është ai shtegu i shpëtimit nga boshllëku e asgjëja, nga zhdukja e fikja e
jetës.
_____________________
DRITA ÇOMO
VETMIA
Vetmia
është të shikosh pas xhamit
Njerëz
që nxitojnë në mbrëmje
Mërzia
e gjatë para gjumit
Dhe
vapa në netët pa hënë.
Vetmia
është të duash shumë
Dhe
të mos kesh çfarë të duash
Të
mos kesh kujt t’i falësh dy lule
Dy
fjalë të mira të mos kesh kujt t’ia thuash.
Të
jesh kudo, i tepërt, i huaj
Mik
i paftuar në botë, hije
Pa
një kujtim që të të bëjë të vuash
Pa
një shpresë për atë që do të vijë.
Po
ankthi i ditëve të mia pa ty
Ankthi
im i përhershëm
Për
të gjitha ato që i di dhe s’i di
Kjo
është diçka tjetër.
Minutat
që ikin ngadalë-ngadalë
Rënduar
nga ajo që quhet pritje
Rënduar
nga ai që quhet mall
Dhe
që nuk llogaritet….
(Mars 1979)
---
(Prend N. Buzhala, 19 prill 2020)