| E merkure, 22.04.2020, 04:04 PM |
Albin, reflekto dhe respekto shumicën parlamentare!
Shkruan
Florim Zeqa
Për
të qartësuar situatën bllokuese të krijuar pas shkarkimit të 'Qeverisë Kurti',
lexuesve po ua sjell deklaratën e Albin Kurtit dhënë mediave më 10 tetor 2014,
pas situatës bllokuese në kuvend, kur PDK-ja kërkonte shkuarjen në zgjedhje të
reja; "PDK është pakicë
parlamentare dhe opozitë e re në kuvend, Kosova ka nevojë për qeveri të re dhe
ajo qeveri e re duhet të themelohet nga shumica parlamentare në Kuvend. Ne
LVV-ja e duam demokracinë në qënder, e qëndra në republikën parlamentare është
Kuvendi. Republika e Kosovës që është bërë republikë e pakicës (PDK-së), duhet
të bëhet republikë e shumicës. Pushteti aktual i PDK-së është pushtet ilegal
dhe ilegjitim. Zgjedhjet që po i kërkon PDK-ja, ligjerisht, legalisht dhe
juridikisht nuk janë të mundshme. Ne nuk shohim mundësi tjetër për dalje nga
kriza përveqse në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si organi më i lartë
legjislativ e politik në Republikën e Kosovës që është republikë
parlamentare".
Lakmia (nuk) i prishë
burrat
Tani
pas shkarkimit të 'Qeverisë Kurti" (më 25 mars 2020), gjegjësisht pas
krijimit të shumicës së re parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës
është krijuar përafërsisht e njëjta situatë politike.
LVV-ja
si fituese e zgjedhjeve me 26,27 % të votave është kthyer në pakicë parlamentare,
ashtu siq ishte kthyer PDK-ja në vitin 2014 si fituese e zgjedhjeve me 30,38
% të votave të qytetarëve, siq i
referohet situatës bllokuese Albin Kurti (10 tetor 2014).
Parashtrohet
pyetja, çfarë ka ndryshuar nga ajo kohë!? Përgjigja është asgjë!
Republika
e Kosovës, sikurse atëherë, edhe sot është republikë parlamentare.
Sikurse
asokohe që PDK-ja kishte mbetë pakicë parlamentare, edhe LVV-ja sot është
pakicë parlamentare.
Nëse
atëherë (sipas Kurtit) zgjedhjet paskan qenë ligjerisht, legalisht dhe juridikisht
të pamundshme, pse tani Kurti insiston për zgjedhje në kohë pandemie në mënyrë
të jashtëligjshme!?
Thirrjet
e mëhershme (2014) të Albin Kurtit për respektim të shumicës parlamentare,
duhet të vlejnë edhe sot dhe kurdoherë, derisa Kosova ta ketë njëjtin sistem
qeverisës.
Nëse
Albin Kurti i është referuar republikës parlamentare, gjegjësisht shumicës
parlamentare në vitin 2014 për tejkalimin e krizës, duhet t'i referohet dhe
respektoj edhe sot kur e ka humbur pushtetin në mënyrë legjitime në Kuvend.
Pavarësisht
mënyrës komplotiste të rrëzimit, shkarkimi i qeverisë në Kuvend ishte i
ligjshëm dhe në përputhje me rregullat parlamentare. Prandaj Albin Kurti duhet
ta merrë me qetësi largimin nga pushteti, duke i nxjerrë mësimet e duhura nga
kjo rënje. Ngritjen duhet ta bëjë në mënyrë demokratike dhe civilizuese siq e
bëjnë të gjithë liderët partiak në vendet e zhvilluara, e jo përmes rrugëve
antiligjore, përmes protestave dhe trazirave në kohë pandemie.
Organi
më i lartë ligjvënës në Republikën e Kosovës është Kuvendi deri në (vet)
shpërbërje dhe e ka legjitimitetin e plotë, pavarësisht rikompzimit të grupeve
parlamentare.
Në
situatën e tanishme, LVV-ja si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, e ka vetëm
një rrugë ligjore, e ajo është krijimi i shumicës parlamentare për formimin e
qeverisë me mandatar të ri ose t'i lëshojë rrugë shumicës parlamentare në
Kuvend.
Çdo
tendencë për anashkalim të Kuvendit është shkelje dhe dhunim i demokracisë dhe
rendit kushtetues në vendin tonë!