| E shtune, 25.04.2020, 10:19 AM |
SKËNDERBEU OSE HEROI DIELLOR I TOKËS ARBËRORE
(Lexime
poetike. Poezia “Vdekja e Skënderbeut” e Fatos Arapit), XVII
Nga
Prend BUZHALA
Që
në fundvitet ‘60 të shekullit që e lamë pas, në Kosovë ishim mësuar tashmë me
tre emra të mëdhenj të letërsisë së sotme shqipe: Ismail Kadarenë, Dritëro
Agollin dhe Fatos Arapin. Tashmë librat me poezi të zgjedhura “Rilindja” e
Prishtinës i kishte botuar dhe shkrimtarët mësoheshin në të gjitha nivelet e
shkollimit. Ata tashmë ishin klasikë të artit letrar të kohës sonë. klasikë
modernë të letërsisë sonë. Dhe tashmë, kur po na rrallohen ndër të gjallët
kolosët e letrave shqipe, a thua, a është alarm për çastet e zgjimit të fundit
për vetveten tonë karshi vlerave të krijuara? “Kënga është e mbyllur, por melodi
vazhdon ...” thoshte Irving Berlin.
Më
1971 “Rilindja” botoi librin “Kaltërsirat” të Fatos Arapit, me poezi të
zgjedhura; kurse më 1979 botohet libri poetik “Fatet” (Rilindja, Prishtinë), me
zgjedhjen, përgatitjen dhe parathënien e Ali Podrimjes.
1.
Ndër
të tjera, te ky vëllim përfshin dhe një cikël të tërë me titullin “Skënderbeu”.
Te poezia "Vdekja e Skënderbeut" , posi te lirikat tjera të këtij
cikli, poeti vë në gërshet kohët; nga njëra anë, ashtu sikundër depërton në
thelbet e ndërliqshme të qenies sonë nacionale, nga ana tjetër, nëpërmes një
figuracioni, imazhesh e refleksionesh të pasura lirike.
Te
imazhet poetike gjithçka ngjet si në skenat antike e shekspiriane. Secili varg
ngërthen një dramë (nacionale) më vete, ashtu sikundër secila poezi përbën një
kapitull më vete të kësaj tërësie poetike. Mbeten për një kohë të gjatë në
kujtesën e lexuesit vargjet antologjike, si “Në një fjalë njeriu, në një kokërr
grurë – ishte liria”, ose "Populli? Po, ai është Skënderbeu./ Skënderbeu?
Po, ai është populli." Na vijnë imazhet e shandanëve që ndizen buzë rrugë,
“duke pritur e përcjellë të ashpërat – lirinë, Arbërinë, dashuritë
pesëqindvjeçare” (Ali Podrimja) e deri te imazhet që përfigurojnë kohët e
tragjedive të mëdha (Berat, Vajkal, Torvioll). Mandej vijnë aluzionet e skenave
të prapaskenave të Fuqive të Mëdha... Aluzionet poetike shtrihen tutje, që i
japin kulm idesë së mbrojtjes së vlerave civilizuese evropiane nga Skënderbeu,
të asaj Evrope sallonesh e dinakërish që bënte gjumin e saj të qetë kundruall tragjedive
shqiptare.
Ja
me çfarë tonesh heroizuese dhe të një lirizmi epik, jepet vdekja e Skënderbeut:
Dhe
ju mos më thoni që dielli s'vdes — se do t'u përgjigjem: vdes njeriu.
Mos
më thoni që oqeani s'fle — se do t'u them: fle njeriu...
Edhe
atë e vendosën në arkivolin e drunjtë
Lirika
për Skënderbeun nuk thuret me tone emfatike, tribunale, por me prirjen e poetit
për ta shqiptuar mendimin, reflektimin për epokat. Poezia e tij është ndër
zërat më të fuqishëm krijues, që e shqipton dramën historike të kombit
shqiptar, me dhe shqetësimet e preokupimet e tij.
2.
Skena
që hapet, është e përzishme, e artikuluar me pyetjen që trand dhe kthjellon
njëkohësisht:
Dhe ju mos më thoni që
dielli s'vdes — se do t'u përgjigjem: vdes njeriu.
Mos më thoni që oqeani
s'fle — se do t'u them: fle njeriu...
Edhe atë e vendosën në
arkivolin e drunjtë
Sugjerimi
i retorikës poetike na drejton diku tjetër?
A vdes dielli?
A vdes drita?
Sikur diell e oqean
nxirosen, ndalojnë për një çast!
Porse
simbolika e diellit ngërthen edhe diçka tjetër: të përkohshmen (njeriu është i
vdekshëm) dhe të përjetshmen. Mu ashtu si fuqia e diellit që dhuron dritë, kjo
fuqi dhuron edhe guxim, është burim jete (“Ata lëviznin jetën, që diku kishte
ngelur.”)
Heroi
është ai që mban përgjegjësi për të tjerët. Ai është simbol harmonie (supet e
njerëzve që e bartin trupin e tij). Është rruga që ata do ta ndjekin. “Në
mitologji, një hero diellor zakonisht lidh Tokën dhe Qiellin - dimensionet e
zakonshme dhe shpirtërore.” Së këndejmi, edhe vargjet (diell e oqean, që
shënjojnë vertikalen dhe horizontalen), sugjerojnë këtë lidhje.
I përjetshëm është
dielli, i tillë është edhe heroi.
Ndërsa
shtirja e heroit, duke fjetur, është si një oqean i qetë (metonimi hiperbolike
për madhështinë e heroit edhe i vdekur). Përqasja e tij me diellin dhe oqeanin,
me vertikalen diellore dhe horizontalen oqeanike pa fund pa skaj, e shqipton
kategorinë estetike të të madhërishmes. E pra, përmasat e figurës së tij
perceptojnë me përmasa kozmike e planetare. Në letërsi, figurat letrare si
antiteza, paralelizmi, kiazma, paradoksi, emfaza e posaçërisht hiperbola,
përdoren për t'i shënjuar e rinjohur të mirën, të madhërishmen,
mendjemprehtësinë, zgjuarsinë, të përshpirtshmen, çiltërinë (qëndrimin e
hapur). Mjeshtër në mënjanimin e stilit bombastik, ai e përdor figurën e
hiperbolës me forcën e intensitetit të përjetimit dhe veprimit, amplifikimit,
përforcimit, jenës përmasore të vdekjes së heroit. Forca e lirikës moderne
qëndron edhe te prirja e afektivitetit dhe patosit të kontrolluar të shprehjes.
Në
fillim jepet përnjëherësh skena e lajmit ndryshe për vdekjen e trimit, pa e
përmendur askund tjetër shkuarjen në amshim. . Mandej vjen një varg krejtësisht
i drejtpërdrejtë, aspak i mitologjizuar apo emfatik, por aq përshkrues e thellësisht
njerëzor: “Edhe atë e vendosën në arkivolin e drunjtë".
3.
Skenat
e strofës së dytë vijnë me një tjetër ritëm, pothuajse të prerë, që i ngjet një
kolone që ngjitet diku shtigjeve të përjetësisë. Janë bashkëluftëtarët, populli
vetë, që do ta bartin mbi supe barrën e historisë. Ajo ndarje prej heroit vjen
me një ndërgjegjësim ndryshe:
Dhe për herën e fundit u
futën nën 'të
supet
e njerëzve që ta ngrinin:
ishin supet e betejave,
të fitoreve,
të lavdive,
të dhimbjeve,
të
tragjedive të popullit të tij. Dhe ishin supe të kërrusur njerëzorë.
Poeti
nuk na e thotë se heroi është ndryshe nga njeriu. Se ç ‘përmasa ka ai, e kishte
dhënë në dy vargjet e para të poezisë. Sikurse në mitet antike, heroi është
qenie e vdekshme. Qenie që qëndron midis njeriut dhe perëndive. Vargjet arrijnë
t'i konceptojnë, me diskretin artistik, këto përmasa, njerëzoren e hyjnoren.
Vetë qëndresa, fitoret e lavditë, dhimbjet dhe tragjeditë, hyjnë në kategorinë
e të madhërishmes. Lexuesi do ta përfytyrojë heroi me njëzetepesë vjetët e qëndresës
kundër Perandorisë më të përbindshme të kohës. Nuk ka kurrfarë mitizimi a
stërmadhimi në këtë përqasje historike e poetike. Thjesht, poeti zbret në mesin
e popullit: supet e njerëzve që e heroin e tyre. Njeriun e tyre. Të parin e
tyre.
Kulti
i heroit, dihet, ishte njëra ndër tiparet e letërsisë antike që nga Homeri e
këndej. Nëse etimologjia e fjalës HERO nga greqishtja antike kishte kuptimin e
një qenieje gjysmë-perëndie, apo të secilit burrë që ngrihej në rang të
gjysmëperëndisë; kjo do të thotë se burimet e këtij koncepti rrjedhin nga
mitologjia, me rrëfimet për heronjtë mitologjikë, me të cilët është populluar
literatura antike greke apo romake, ashtu sikundër konceptime të tilla
mitologjike vijnë edhe në mitet ilire-arbërore-shqiptare. Ndërkaq, në
literaturën antike latine, e cila i zbret kuptimet mitike në rrafshin njerëzor,
atëherë latinishtja shënjonte njeriun e vlerave të larta, të parme, njeriun që
kishte diçka mbi njerëzit e rëndomtë. Në Antikën greke logos-i dhe ethos-i,
dija dhe virtyti, ishin e njëjta gjë; ishin dy faqet e së njëjtës medalje.
Kurse praxis-i e kishte pjesë të veten, të pandarë, theorisis-in. Nga ky
këndvështrim, trimëria, guximi, heroizmi, përbëjnë një etos të veçantë
kombëtar, virtyt e dije, mendësi të veçantë të edukimit etnik, si një nga
mënyrat më të sigurta për të realizuar e për të bartur mesazhe tek ndërgjegjja
kolektive; të cilin etos krijimtaria popullore e ka memorizuar në kujtesën e
kombit, nëpërmes këngëve e formave tjera të krijimtarisë.
4.
Nëse
përfytyrimi për heroin, që nga antika e këndej, mbështetet në trimërinë e tij a
në prirjet e tij mbinjerëzore; dhe për këtë shkak ai nderohej posi perënditë;
padyshim, që, epoka moderne e ka krijuar mitin për Heroin e Kulturës, pikërisht
pse njerëzit e tillë ngërthejnë forcë të jashtëzakonshme shpirtërore a mendore
dhe rrezatojnë me veprën e me jetën e tyre po me këtë forcë në dobi të Atdheut,
të Fesë, të Përparimit a të Njerëzimit. Porse poeti Fatos Arapi assesi nuk
pranon që të hyjë në fushën e tribunalizmit mitizues. Jo. Ai e rikrijon me
forcën e fjalës artistike sintezën popull-hero:
Duke mbajtur përsipër
peshën e asaj vdekjeje
Ata lëviznin jetën, që
diku kishte ngelur.
Vdekja
kishte ndodhur, por ata lëviznin jetën. Edhe kjo përmasë antitetike, është
shprehur me forcën e fjalës: vdekja dhuron jetë! Që siguroi jo vetëm lavdinë
historike, por siguroi emrin e historisë, identitetit të qenies sonë. Heroi,
ndër shekuj, u bë forcë e kësaj lëvizjeje për të mbetur gjallë. Kujtesa
popullore ndër shekuj e ka ruajtur emrin e tij si simbol harmonie, uniteti dhe
guximi, si shenjë mbrojtëse të etnisë, të shqiptarisë.
Ndër
shekuj ai ishte modeli edhe i shumësisë së individëve veprues. Skënderbeu, me
një vetëdije të fortë autoktone-etnike, u ngrit mbi dallimet.
Dhe
tani ky vizion zbret në rrafshin e Heroit Konsensual, të Heroit Të Përbashkët a
Kolektiv, do të thotë, jo vetëm të Heroit Individual. Nuk ka nevojë të
ligjërojë për diçka tjetër, mbiqiellore, sepse aty lexohet, përmes nëntekstit,
modeli shqiptar i tolerancës ndërfetare, krahinore apo modeli shqiptar i Heroit
Koncensual, i Konsensusit Historik Ndërshqiptar; një model që i shërben edhe
civilizimit modern botëror për zgjidhjen e shumë konflikteve. Ky koncensus nuk
bën të shprishet, sikundër na këshillon folësi lirik i kësaj poezie.
Koncensues
ndër shekuj për rezidencën dhe lirinë. Orlando Paterson thotë: "Liria
qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore"; liria lindi
nga përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për lirinë. Liria është shenjë
e civilizimit evropian. Prandaj, për shkak të vizionit të tij UNIK HSITORIK, ai
mbetet figura më përfaqësuese shqiptare... para të cilës përkulen kombet,
shtetet, personalitetet ushtarake, intelektuale etj. Këtë përmasë përnderimi, e
sugjerojnë vargjet e fillimit të poezisë.
-----------
Fatos ARAPI
VDEKJA E SKËNDERBEUT
Dhe
ju mos më thoni që dielli s'vdes — se do t'u përgjigjem: vdes njeriu.
Mos
më thoni që oqeani s'fle — se do t'u them: fle njeriu...
Edhe
atë e vendosën në arkivolin e drunjtë
Dhe
për herën e fundit u futën nën 'të
supet
e njerëzve që ta ngrinin:
ishin
supet e betejave,
të
fitoreve,
të
lavdive,
të
dhimbjeve,
të
tragjedive të popullit të tij. Dhe ishin supe të kërrusur njerëzorë.
Duke
mbajtur përsipër peshën e asaj vdekjeje
Ata
lëviznin jetën, që diku kishte ngelur.
(Prend N. Buzhala, rishkrime, 17 prill 2020)