| E diele, 19.04.2020, 02:12 PM |
STAVRO THOMA FRASHËRI (1900-1965), PERSONALITET I RRALLË I KULTURËS SHQIPTARE
Ekskluzive nga Sinan
GASHI
Edhe pse ishte përgatitur për inxhinier mekanik dhe elektrik, pastaj
kishte studiuar edhe për shkencat juridike e ekonomike, Stavro Th. Frashërin e
bëri të përjetshëm vetëm krijimtaria e tij letrare-shkencore.
Emri i tij nderohet edhe me punën në arsim dhe në gazetarinë shqiptare,
kryesisht gjatë viteve ’30 të shekullit XX.
Ngase veçsa dolëm nga
një sistem i përjetimeve të rënda shpirtërore dhe fizike, siç ishte ai i
monizmit të tmerrshëm, shumë gjëra na ngelen të panjohura, të fshehura, të pa sistemuara,
duke e varfëruar kështu dijen tonë dhe kulturën shqiptare në mungesën e tyre.
Ndër ato gjëra të
rëndësishme, janë edhe fatet e krijuesve letrarë, përkatësisht mosnjohja e
veprave të tyre, shumica të asgjësuara nga sistemi komunist, nëse kishin qenë
të botuara më parë, dhe shumica të mbetura në dorëshkrim, që, si relike ruhen me fanatizëm në arkivat
familjare.
Ndër ata që përjetuan
katrahura të një sistemi të vdekur tashmë, është edhe intelektuali, poligloti,
shkrimtari, shkencëtare, inxhinieri dhe juristi Stavro Thoma Frashëri.
Ai, edhe pse fati e
kishte shpënë të jetoi në shtete të ndryshme, po në shtete të ndryshme e kishte
kryer edhe shkollimin, madje shkollim që aspak nuk i jepte dije profesionale të
një letrari e as të një shkencëtari, të cilat i kreu më së miri si
’autodidakt’, por që nuk përsëriten më.
Ai edhe ushtroi profesionin
e inxhinierit, edhe të pedagogut, edhe të zyrtarit e, krahas këtyre, me një
vullnet shpirtëror atë të krijuesit letrar, të mbledhësit të pasionuar të
folklorit dhe po ashtu të hartimit të veprave shkollore e shkencore.
Në fillim ishte njeriu
Stavro Thoma Frashëri
është i lindur në vitin 1900, në Korçë, nga një familje me prejardhje nga Përmeti i Frashërit. I ati, Thomai dhe e
ëma Aleksandra, ishin gjithsej tre vëllezër dhe dy motra. Këtij tregtari të vogël
iu deshtë, për nevojat eksiztenciale, të shpërngulet në Selanik të Greqisë, që
aso kohe ishte një qendër me përplot shqiptarë dhe arbërorë vendas. Kështu Stavri fëmijërinë e nisi
rrugicave të këtij qyteti të lashtë. Aty mbaroi shkollën fillore e, për zgjerim
njohurish, regjistroi gjimnazin e mirënjohur ”Zosimea” , ku kishim marrë dije
shumë rilindës shqiptarë, ndër të cilët edhe të tre vëllezërit Frashëri,
Abdyli, Naimi dhe Samiu. Ky qytet madje ta përkujtonte edhe shqiptarësinë
e figurës së madhe të Ali pashë
Tepelenës, ku e kishte selinë ai.
Në ’Zosimea’ mori dije të shumanshme dhe të thella nga
letërsia greko-latine, teologjia, filozofia,
historia e njëkohësisht edhe nga shkencat klasike: kimia, matematika e
fizika. Këtu mësoi edhe katër gjuhë të
huaja: greqishten, latinishten, frëngjishten dhe italishten, të cilat i dhanë
mundësi të mëdha për hulumtim të diturisë në hapësira të paana.
Pas kësaj kohe, familja
nga Selaniku më 1920 sërish iu kthye në Korçë, ngase iu kishte kallë gjithë shtëpia dhe pasuria. Aty Stavri
ia nisi punës në administratën e Bashkisë së qytetit të Korçës. Pas tre vjetësh
punë, Fondacioni Amerikan ”Near Uast” i udhëhequr nga Laid Archer, ia ndau një
bursë për të studiuar në Kolegjin Amerikan ”Robert College” të Stambollit. Këtu
studioi nga viti 1923 e deri më 1927. aty mori titullin e inxhinierit mekanik.
Përveç se ishte student i dalluar në mësime, ai ishte tepër aktiv edhe në
veprimtaritë jashtëshkollore, për ç’arsye do të zgjidhet edhe kryetar i
organizatave të ndryshme. Dëshmitë dokumentare na bindin se ai ishte zgjedhur
katër herë nënkryetar i Këshillit të Studentëve, katër herë në postin e
kryetarit të komitetit të Shërbimeve Sociale,
katër herë i Komitetit të Disiplinës, pastaj kryesues i Klasës së Debatit
Eng. Debating Team) dhe i Klasës së Futbollit.
Pasi kthehet në atdhe,
nis punën në Ndërmarrjen Elektrike të Korçës. Duke e parë aftësinë e tij dhe
duke e ndjerë nevojën për profesionist, ai dërgohet për perfeksionim të
profesionit në kompaninë angleze ”Ruston & Harnsby Limited” në Londër, ku u
specializua për elektricitet. Atje ai e plotësoi interesin e tij edhe për dijet
e tjera të një etnie dhe kulture tjetër. Kjo firmë, pastaj e njofton me një
letër ndërmarrjen e Korëës për punën dhe
qëndrimin e tij atje.
”La Société Générale d’Electricité
KORYTZA
Monsieur, Stavro Frasheri chez nous:
Il a commence’le 15 Août de l’anneé 1927 dans les
ateliers des moteurs horizantaux et verticaux. (...)
Aprés avoir terminé son caurs dans nous Usines de
LINCOLN, le reste du temps jusqu’a son départ le 12 Avril 1928 il s’est occupé
en visitant nos Usines de STOCKPORT et GRANTHAM.
(…)
RUSTON & HORNSBY LIMITED”
Për shkollën shqiptare
që herët ishin interesuar asociacionet amerikane. Kështu në vitin 1920 Kryqi i
Kuq Amerikan, zyrtarisht i kishte
shkruar shtetit shqiptar për lejimin e hapjes së Shkollës Teknike në Tiranë. Po
ashtu ishte zhvilluar zyrtarisht aktiviteti për hapjen e një shkolle bujqësore.
Në të vërtetë interesimin e kishin shprehur disa ministra amerikanë me
insistimin e fortë të multimiliarderit Rockfeler. Shkresë zyrtare i kishte
dërguar kryeministrit të Shqipërisë, Ahmet Zogut, drejtori C. Telford Erokson,
më 1923. Kështu edhe nis punën Shkolla Bujqësore Shqiptaro-Amerikane, me seli
në Kavajë. Këtu drejtor ishte Joseph Ë. Beach. Kjo shkollë pastaj u shndërruar
në Institut Shqiptaro-Amerikan për Bujqësi. Po në këtë shkollë caktohet të
punoi edhe Stavri, që në vitin 1930. Ajo ishte shkollë për vajza dhe djem. Aty
madje ishin ndërtuar edhe konvikte për
shkollarët.
Ishte martuar me
Dhimirtra Mihallaq Bimbli nga Korca, e cila e kishte mbaruar Institutin e
Kavajës. Me të cilën padi dy djem.
Duke mos u ndalur në
ambiciet e tij, Frashëri e regjistron edhe
Universitetin e Selanikut, për
shkencat juridike dhe ekonomike, më 28 janar 1937, duke i mbaruar vetëm tri
vite, ngase okupimi i Shqipërisë nga fashizmi italian, i çrregullon punët.
Pastaj, ai kthehet në vendlindje, dhe emërohet mësimdhënës në Shkollën Qytetëse
të Durrësit, nga viti 1939-’40.
Ai në konceptin e tij
ideologjik e politik ishte antifashist, ishte simpatizant dhe përkrahës moral
dhe material i Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare, dhe përkrahës i
studentëve shqiptarë. Mu për këtë, në vitin 1944 ishte emëruar kryetar i
Frontit Nacional Çlirimtar për lagjen “Kala” të Durrësit.
Stavri arrestohet më
20.VII.1947, ndërsa Gjykata Ushtarake e Tiranës e cila shpalli fajtor për krime
kundra shtetit, me vendimin nr. 201, dt. 19.III.1948 dhe e dënoi më 20 vjet
heqje lirie. Këtë formulim padie e kishin të gjithë ata mësues që kishin punuar
në shkollën amerikane, si në atë të Tiranës, si në atë në Golem të Kavajës. Ata
madje i kërkonin me çdo kusht të deklaronte se ishte agjent i amerikanëve. Ani
pse ai nuk i përkiste asnjë organizate tradhtare, dhe mbajti qëndrim korrekt
politik, duke u bazuar vetëm në vklerat kombëtare, ai mori dënimin, dhe
cilësohet “armik”.
Nga këto vite, ai i
mbajti vetëm pesë nga ato në burgun e Tiranës, në Beden (Kavajë) dhe në Maliq
(Korçë), ndërsa vitet e tjera iu falen, pas kërkimfaljeve dhe rishqyrtimeve të
gjykimit. Lirohet më datën 16.VI.1952.
Pas dënimit gjithçka iu
sekuestrua, familja i dëbohet. Ai, sa hiqte vetë i mbyllur, po aq e kishte
dhimbjen për bashkëshorten me fëmijën e vogël dhe pa përkrahje materiale.
Letrat nga burgu janë me plot emocione dhe interesa për fatin e familjes.
“Ditën e takimit e pres si ditë feste dhe po të mundeni më sillni nonjë
sheqerkë që t’ua jap fëmijëve. Më vjen liksh të hikin me duar bosh. (...) Nuk
është turp të kërkosh. Gjithashtu shkruaj Lefkodhesë të të dërgojë për mua ç’do
muaj me anën e postës 100 lekë, të cilat më duhen për shpenzime banjoje dhe të
qethuri. Duhan nuk pi. (...)”
Pas disa vitesh
bredhjeje, ai caktohet të punojë në Ndërmarrjen Shtetërore Riparim Makineri Ndërtimi në Shkozet të Durrësit, deri sa vdiq, më 1965. duke mos
ia pranuar datën e lindjes, me motivacion se nuk kanë shënime të hershme, ai
nuk e gëzoi asnjë ditë të pensionimit.
Për personalitetin e
tij, biografi S. Hidri, ndër të tjera shkruan: “Kishte një komunikim të
menjëhershëm, aq sa ti si dëgjues kishe dëshirë të mos e ndalonte ligjërimin e
tij.”
Pastaj vjen veprimtaria
Hapësirat e interesimeve
intelektuale dhe krijuese të Stavri Thoma Frashërit janë të gjëra. Mu për atë,
po i ndajmë në pjesë të veçanta, të cilat përcaktojnë më mirë secilën nga ato.
Ai ishte dëshmuar si një gazetar i shkathët dhe i gjithanshëm, duke trajtuar
tema të shumta, të lëmive po ashtu të ndryshme dhe të cilat i boton në
periodikun e shumtë për kohën. Artikujt e tij trajtojnë tema nga futbolli në
veçanti, pastaj janë firmosur nga ai skica humoristike, me personazhet e
adhuruara Alo dhe Balo. Nga kjo lëmi relaksuese, ai trajton tema të problemeve
shëndetësore, për sëmundjen e tuberkulozit vrasës, temat pastaj shtrirjen në
lëmenjtë e edukimit të fëmijëve, shkrime që kanë aktualitetin e mos përdorimit
të fjalëve të huaja, ngase i kemi plotëkuptimoret e gjuhës shqipe. Ai, duke
qenë i përcaktuar për aktualizimin e të këqijave në shoqërinë e kohës, e
shkruan në një artikull çështjen e fesë,
duke thënë se feja është një domosdoshmëri te çdo njeri, por kritikon
punën e mbrapshtë të atyrte fetarëve sharlatanë që fusin përçarje ndërfetare
përmes flamurit të fesë. Ai sulmon edhe propagandën luftënxitëse e cila bëhet
në emër të ‘atdhetarizmit’ ai sheh vetëm kryetarë demagogë egoistë që bëjnë
lufta pushtuese në emër të obligimit kombëtar.
Mbi të gjitha ai shihte
si vlerë vetëm arsimimin, në mënyrë që përmes saj të shihej drejtë dhe të
projektohej e ardhmja e vendit. “O burra shqipëtarë punoni të hithni lark cipën
e padijes nga Shqipëria dhe përpiquni që të vijë drita e së vërtetës dhe së
bashku me të do të vijë dhe lumturia!”, shkruan ai. Ai në një artikull e ngre
edhe problemin e hapjes së shkollave edhe në viset e thella malore, të cilat
mungonin aso kohe. Ai, madje, mendon të gjejë forma praktike, “se fretërit me
ndërgjegje kombëtare edhe mësuesit shëtitës do t’ishin ata që do ç’duknin cipën
e errësirës në këtë vënd plot etje për dijeni.”, si edhe problemet e tjera
shoqërore, si indiferentizmin, djerrakohën, bixhozin, alkoolizmin i sheh plagë
shoqërore.
Me një fjalë, me penën e
tij ai nuk ndalon së kryeri detyrën e një intelektuali atdhetar në shoqërinë
shqiptare të viteve ’30.
Studiuesi S. Hidri për
të konstaton: “Ka pësuar në jetë, por me sa e njoha, nuk u tjetërsua. Mbeti
njeriu i ndershëm, intelektual i përkorë, bashkëshort i respektuar, prind i
devotshëm, shok e mik i fjalës.”.
Krijimtaria publicistike
Emri i Stavro Thoma
Frashërit në periodik haset herë vetëm me iniciale S.F., S.Th. F., Stavro
Frashëri, S. Frashëri, Stavro Th. Frashëri dhe Stavro Thoma Frashëri. Po thuaja
në të gjitha atë përkohshmet e kohës është hasur emri i tij, duke trajtuar
probleme ndër më të ndryshmet, të natyrës, sociale dhe profesionale,
pedagogjike, shkencore, sportive. Ai botoi në “Tomori” (Nuk kemi problem
gjuhe, 24-25 shtator 1940, Alpet shqiptare dhe alpet italiane, 2
prill 1941, etj.), “Besa” (Çfajqje teatrore, 14 maj 1935), “Vatra” (Bullgarët,
gjermanët e Ballkanit, 22 shtator 1036),
në “Tomori i Vogël” (Folklori dhe kontributa e gruas, 15 prill
1942, O kjo jeta e jonë!, 1 shtator 1942, etj.), Gazeta e Korçës (Nga
margaritarët e gjuhës sonë, 1 maj 1926, Skagajle-izmi dhe nesër-izmi,
24 dhjetor 1932, Folklor shqiptar, 29 dhjetor 1935, etj.), “Gazeta
shqiptare” (Folklori shqiptar në një vepër të re voluminoze, 22 nëntor
1938, etj.), “Shqipëria e re” (Ndërmjet fjalim për mësimin e gjuhës, 28
janar, 4 nëntor, 18 shkurt 1923, Prapë gjuha, 11 prill 1926, Trimëria
e Mirditës, 22 gusht 1930, Përmes Mirditës në dimër, 28 janar 1931,
etj.), ”Vullneti i Popullit” (Në pragun e Mirditës, 1.prill 1931,etj.),
“Fashizmi” (Një studim mbi Arbëreshët e Kalabrisë, 17-24 dhjetor
1939),”Drita” (Nevoja e një instituti të caktuem për të vegjëlit, 28
qershor 1938, etj.), “Edukata e re” (Një
udhëtim nëpër malet t’ona, Arsimi në Mirditë, 1930), “Telegraf “ (Rruga
e drejtë e industrisë s’onë, 5 shtator 1928), e tjerë.
Nga këto bindemi ai
ishte tejet aktiv në punën e tij të kësaj natyre, duke lënë dëshmi edhe të
dijeve të lëmive të shumta. Të gjitha këto ai synonte t’i vinte në shërbim të
së mirës kombëtare. Kah do që e shpie puna ai shikim e ka të orientuar te
çështjet kryesore të jetës, të veprimit, të cilat i bënë tema të aktualitetit
kohor dhe i publikon në periodik, për t’i dhënë vlerë të aktualitetit.
Nga publicistika, ai ka
botuar librin “Këndej kaluan hordhitë gjermane, duke shënuar krimet gjermane në
qytetin e Tiranës, duke menduar se aso forme do të bëhet e dijshme se liria
ishte fituar me sakrifica të mëdha, dhe assesi si dhuratë nga ndonjë fuqi
tjetër. Kujtimet për përjetimet e rënda këtu janë ndër më të ndryshmet,
autentike dhe tepër tronditëse. Autori i kishte mbledhur nga përjetuesit e
atyre mizorive, duke i shënuar edhe emrat e të vrarëve, moshën dhe vendlindjen.
Kjo vepër ka një vlerë dokumentare.
Puna pedagogjike
Si pedagog në Institutin
Bujqësor Shqiptaro-Amerikan të Kavajës Stavro Th. Frashëri është një edukator i
shkëlqyer dhe një mësimdhënës i përkushtuar. Ai, jo vetëm që pati suksese në
atë drejtim, por e nxiti kjo punë, së bashku me ambicien e tija, që të hartojë
edhe libra të natyrës pedagogjike. Ndër ato tekste është “Mësimi i gjuhës
angleze”. Ai ishte njeri që nuk ngopej me fitimin e diturisë, të cilën gjë e
shikonte edhe tek brezat, duke bërë përpjekje për përparim në dije e jo
gjithmonë të mbesim duke e përkujtuar një të kaluar, sado e vlershme qoftë. Në
një artikull për shkollën bujqësorë në Kavajë, botuar në “Kalendari i
botës” më 1939, S. Frashëri ndër të
tjera shkruan: “Populli shqiptar nuk mund të shprehjë mirënjohjen e tij
kundrejt popullit bujar Amerikan më mirë se ç’e ka shprehur Naltmadhnija e Tij
Mbreti Zog I, duke i drejtuar këto fjalë të ndjerit Herman Bernstain, ish
ministrit Amerikan:
‘Ju çfaq kënaqësinë më
të madhe për veprën e dobishme dhe njerëzore që po bën Fondata Near East në
Kavajë. Përfundimet e çkëlqyera që janë dhënë deri tash Më përmetojnë që të kem
shpresa të mëdha për kohën e arthme. Kombi Shqipëtar, i cili i ka çmuar
gjithmonë inisiativat e Kombit Bujar Amerikan në Shqipëri, edhe këtë herë ka
për të shkruar thellë ne zemrën e tij mirënjohje kundrejt Atdheut t’uej.” Ky
ishte fjalimi i fundit nga kjo shkollë,
ngase ai largohet detyrimisht për në një shkollë në Durrës, për ndjenja
antifashiste që kishte S. Frashëri, pasi
që drejtori tashti ishte italian..
Përveç librit në fjalë,
fjalorit të kësaj gjuhe, ai kishte botuar librin tjetër pedagogjik “Metodë
e lehtë për të mësuar inglishten”, të cilën e botoi në Tiranë, në vitin
1944, brenda së cilës ishte edhe një “Gramatikë fillimtare”.
Artikujt e tij të shumë,
veprat e plota si dhe vetë puna pedagogjike, plotësojnë bindshëm mendimin se
ishte një arsimdashës, i përgatitur dhe me një vizion të qartë për rëndësinë e
shkollës në përparimin e një populli. Gjuhën angleze ai e kishte mësuar në kolegjin amerikan, pastaj kur ishte për
specializim në Londër. Ai kishte qenë edhe shoqërues i vazhdueshëm i një çifti
amerikan, që kishin bërë një ekspeditë antropologjike ën Shqipëri. Ai, më 1952
kishte hapur edhe një kurs për mësimin e gjuhës angleze në Durrës. Po në
anglishte kishte shkruar edhe librin “Anglia siç e pashë unë, bashkangjitur me
një album fotografish. Po në këtë gjuhë ai kishte përgatitur një libër,
“Idioma, proverba dhe fraza t’inglishtes”, që do u shërbente nxënësve dhe
mësimdhënësve në përditshmërinë e tyre. Në dorëshkrim kishte lënë “Fjalor anglisht” si dhe një “Fjalor katër
gjuhësh: anglisht-frëngjisht-greqisht-shqip”. Nxitur nga këto vlera dhe
dije gjuhësore, ai kishte ritreguar në
shqip madhështinë e veprave të Shekspirit. Vëllim që titullohet “Tregime nga
Shekspiri”, të cilat nuk u botuan kurrë. Edhe kjo, sipas përmbajtjes, do radhitej
një tekst për nevojat shkollore të nxënësve.
Krijimtaria letrare
Në krijimtarinë letrare,
S. Th. Frashëri shpreh talentin e tij, qoftë në dramat, të cilat nuk iu botuan
asnjëherë, qoftë edhe në tregimet e shkurtra, të cilat më shumë janë proza
poetike. Në këso krijimesh manifestohet talenti i dyfishtë, në prozë dhe në
poezi.
Si gjithherë, autori
edhe në artin letrar nuk i, largohet aktualitetit, përkatësisht krijimit të një
letërsia me ngjyrime edukative e madje edhe atdhetare.
Drama “Hakmarrja e
Mrikës” është një tragjedi në tre akte,
tema e përafërt e veprës “Halili e Hajria”
e K. Jakovës, e cila tashmë si subjekt është e njohur nga historia dhe
dramaturgjia. Është shfaqur në Durrës, më 13 maj 1935. Komedia njëaktëshe “Harmonia
familjare”, të bën të qeshësh me përditshmërinë familjare. Është me katër
personazhe: burri, gruaja, mjeku, plaka. “Mjeshtëria avokatore “ është një
komedi një aktëshe, si dhe mjaft skica, fejtone dhe tregime të tjera.
S. Frashëri kishte
botuar edhe tregime në periodik, si “Vendosa të bëhem zengjin” (Tomori i Vogël,
nr. 11, 1 qershor 1942), “O kjo jeta jonë!” ( po aty, nr. 17, 1 shtator 1942),
e tjerë.
Ndërsa vëllimi i vogël
prozaik, “Lule dhe gjemba”, botuar në
Tiranë më 1944, ka 40 faqe me 23 skica. Janë më sa duket frymëzime të çasteve,
nga të ciklat gjithsesi reflekton edhe brengat shpirtërore të autorit. Në të
gjitha këto krijime (Mos rri e venitur, përmendëzë, Të kam zili marimangë!,
Shtërgu i plagosur, rrugica afër fshatit tim, Kalaja e shkretuar, Pikëza e
shiut, Kthim’ i pullumbit të bardhë, etj.), sikur kanë krahasimin e vet jetës
me të mira dhe të këqija, si një dialektikë pa të cilën nuk jetohet; pra
përherë të bukurën e manushaqes që e rrethojën fije ferra, për ta penguar
bukurinë e saj.
Ja një fragmente nga
ato: “Nevojë është të rosh për vehte, moj Rezë, por madhështore është të bëhesh
flij edhe për ata që vuajn.”, ose “Edhe me diellin kërkon të matesh për
shkëlqimin e pakët që ke! Po nuk e di se edhe kjo e shkëlqyer e remë i
detyrohet po atij Dielli që zotrote shëkon me kaq përbuzje? Mos, Flluskë
mëndje-lehtë, mos e mba hundën kaq përpjetë se vetëm një re’ e tij e hollë
mjafton që të të shujë nga faqja e dheut!” apo, “Pra, vrer u bëre kur skifteri
plak e zemër-keq kurmin cop’ m’a bëri dhe pa frym’ përdhe më la! Por, Zot,
shpirtin dot s’m’a vrau dhe prap’ afër teje ja tek jam!”.
Pasioni i këtij krijuesi
ishte mbledhja e folklorit. Kahdo që shkoi ai s’u ndalua duke shënuar e
grumbulluar, si blerta nektarin, ato krijime te të cilat ai shihte një shpirt
të begatë filozofiko-artistik të popullit shqiptar. Ato, madje, i botoi në një
vetëm voluminoze, më 397 faqe. Po ashtu kishte bërë mjaft fotografi të veshjeve
shqiptare të krahinave të ndryshme, si Kruja, Mirëdita...
Libri “Në momente të
qetë”, i vitit 1935, është me 108 aforizma, të radhitura sipas rendit
alfabetik. Këto krijime që janë të momenteve
të meditimit të autorit, shprehin “disa gjëra të cilat shpirti i autorit
i ka gjetur kur ka qenë larg zhurmës, dhe pas një reaksioni që ka patur nga
zhgënjimet e përditshme të jetës s’onë.” Përndryshe sentencat kanë për
interesim natyrën, njeriun, shkollën, kulturën, jetën, përdorimin e kohës dhe
kombin.
E gjitha kjo krijimtari
mbete është e mangët, po nuk i lexuam me kujdes edhe 11 fletoret me dorëshkrime,
ku fshihen xhevahiret e rrallë të krijimtarisë letrare.
Si përkthyes ai kishte
shqipëruar një vepër nga greqishtja “Dhiata e hekurt” nga shkrimtari P.
Dhimitrakopullos.
Ja fati i krijuesit të
përkushtuar!
Veprat shkencore
Edhe në lëmin e
shkencave, S. Frashëri ishte treguar tepër pasionant, së pakut për kohën e vet.
Për t’i arsyetuar mendimet e thëna, duhet përmendur fjalorët një dhe shumë
gjuhësh, librat metodikë dhe gramatikën e vogël të anglishtes, pastaj librin
“Folklori shqiptar”, “Përmes Mirditës në dimër” dhe “Udhëheqës i vogël për
mbledhjen e thesarit folkloristik”, i vetmi tekst udhëzues i deritashëm. Kjo
vepër e fundit ishte rezultat i dëshirës së tij që t’i sjell në gjuhën tonë
vlerat specifike të punës shkencore në mbledhjen e folklorit shqiptar, e cila
ishte një fushë pak e eksploruar. Në të vërtetë bazë e saj ishte vepra e studiuesit grek Stiplon Qiriaqidis, profesor
në Universitetin e Selanikut, për të cilin Stavro thotë: “pati mirësinë të më
lejojë me kënaqësi për të përdorur lirisht veprën e tij. natyrisht këto
sugjerime janë ndryshuar në një mënyrë të tillë që t’i përshtaten Folklorit
tonë.” Përmes këtij udhëzuesi, në mënyrë të drejtë, mund të bëhej mënyra dhe
teknika e mbledhjes edhe shënimit të krijimeve gojore nga terreni. Vepra ishte
e ndarë në tri kaptina: Si duhet ta mbledhë lëndën, Si duhet regjistruar lënda
dhe Ç’të mbledhë.
Ai me gjithë punën e
tij, teorike dhe praktike, kishte qëllimin e formimit të shkollës folkloristike
shqiptare.
Vepra “Përmes Mirditës
në dimër” është rezultat nxitës gjatë ekspeditës së antropologëve amerikan Dr.
Carelton S. Coon, përkthyes i të cilëve ishte ky. Në ata shëtitën viset e
trimërisë shqiptare, si Pukën, Zadrimën, Matin, Selitën Lurën, Dibrën, Hasin,
Malësinë e Gjakovës e Dukagjinin, nga të cilat ai përshkroi gjerësisht
etnokulturën e këtyre hapësirave. I kishte bërë përshtypje këto zona, ngase
“është më unik se krahinat tjera, ka një karakter të veçantë dhe sistemi i saj
social është edhe primitiv.”
Ja disa fjali nga kjo
vepër:
“Gruaja e Mirditës është
trime me gjithë kuptimin e fjalës. Barra ë e madhe shtëpiake i bie asaj dhe
duhet ta mbajë pa rënkim.
(...)
Mirditasi është i zgjuar
– e rrëmben fjalën menjëherë – ka një fytyrë të qeshur, ndonëse rron një jetë
të mjerë....
(...)
Mirditasi, si dhe
malësori përgjithësisht, është trim, sepse syri i ka parë shumë gjëra që lypin
kurajë dhe kështu nuk trembet aspak.
(...)
Në Mirditë nuk mjafton
të zihesh vetëm dorë për dore kur përshëndetësh; me një solemnitet të madh
duhen të preken edhe tëmthat e të dy palëve njëra pas tjetrës.
(...)
Bukuria e trimërisë
shfaqet më mirë në këngët popullore, të cilat janë pasqyrë e shpirtit malësor.
(...)
Kur, atje qoftë, vdes
ndonjë njeri në Mirditë, një njeri që quhet ‘thirrës morti’ lajmëron fisin
sipas porosive të marra nga shtëpia e të vdekurit.”
Veç krijimeve, Stavro
Frashëri mahnitet nga bukuria edhe e veglave muzikore dhe e veshjeve
tradicionale, fotografi nga të cilat edhe i vë në vepër. Ja se si e përshkruan
ai lahutën: “Kush mund ta mohojë shpirtin e artistit të këtij pionieri popullor
e të panjohur? Shikojeni elegancën e bishtit, këqyrni formën dhe pa dyshim do
të vërtetoni shpirtin malësor. Puna është e ashpër, po; mirëpo n’atë ashpërsi
qëndron një bukuri e cila të bën t’admirosh”
Për këtë vepër ishin
botuar dhjetëra recensione në periodik. Madje përgëzimin ia kishte bërë edhe
Mbretëresha Gjeraldinë, e cila ndër tjera i shkruan: “...ju falënderojmë nga
zemra për këtë dërgesë fisnike, e cila pa dyshin ka me Na shërbye për të njoftun
gjuhën, jetën dhe shpirtin e popullit Tonë të dashtun.”
Vepra të botuara
Lule
dhe gjemba, Tiranë 1944
Këndej
kaluan hordhitë gjermane (krimet gjermane në Tiranë), Tiranë 1945
Folklor
shqiptarë, Durrës, 1936
Në
momente të qetë, Tiranë,
1933
Përmes
Mirditës në dimër, Korçë 1930
(Kjo vepër pas 50
vjetësh ishte botuar në ShBA nga Columbia University Press, në Neë York, më
2002, përthyer në anglisht nga Peter R. Prifti)
Metodë
e lehtë për të mësuar inglishten, Tiranë 1944
Udhëheqësi
i vogël për të mbledhur folklorin
Vepra në dorëshkrim
Anglia
siç e pashë unë-përshtypje
udhëtimi,
Tregime
shekspiriane, sipas subjekteve të
veprave të autorit,
Harmonia
shtëpiake-komedi një aktëshe,
shkruar më 1924
Hakmarrja
e Mrikës –tragjedi në tre akte,
shkruar më 1935
Prenda-
dramë
Fjalori
anglisht-frëngjisht-greqisht-shqip,deri te
shkronja F,
Udhëheqësi
i vogël për mbledhjen e thesarit folklorik
E
bukura përmes gojës së popullit
11
fletore me skica dhe tregime.