| E shtune, 18.04.2020, 03:00 PM |
KUR TË VIJË KOMUNIZMI...
Nga
Hamza Halabaku
Në
kohën e sistemit monist, i cili quhej socializëm, shpeshherë nëpër takimet e
organizatave shoqërore-politike flitej edhe për komunizmin, si rend
ekonomiko-shoqëror më i lartë, që do të vinte. Thuhej se kjo fazë vjen pas
ndërtimit të plotë të socializmit, pra pas vendosjes së diktaturës së
proletariatit, ku sundon plotësisht prona e përbashkët mbi mjetet e prodhimit
dhe ku do të zhduket shfrytëzimi i njeriut prej njeriut. Thuhej se në sistemin
komunist secili do të punojë sipas mundësisë, e secili do të marrë sipas
nevojës.
*
Shpendi
nuk kishte mundur asnjëherë të bindej me teorinë që shpjegohej, se kjo mund të
ndodh, sepse i dukej e parealizueshme dhe e pamundur, ndonëse për këtë temë aq
shumë flitej në organizatat e lidhjes së rinisë, të lidhjes socialiste, pastaj
në shoqata të ndryshme dhe veçmas në organizatën e partisë.
Një
pasdite të një të shtune, Shpendi duket se kishte vendosur ta provonte, si
duket në praktikë, ajo që dëgjohej gati çdo ditë në shkolla, në bashkësi
lokale, në tubimet e fshatit, e edhe më gjerë në shoqëri. Ai kishte siguruar
pak të holla, meqë e kishte marrë pagën mujore dhe ishte nisur drejt te furra
kryesore e qytetit. Bukëpjekësin kryesor përtej sportelit e kishte pyetur:
-
Kur dalin bukët e nxehta?
-
Pas pesëmbëdhjetë minutash, - ishte përgjigjur bukëpjekësi.
-
Sa kushtojnë të gjitha bukët që janë në furrë?
Bukëpjekësi
i kishte treguar për çmimin, e Shpendi i kishte nxjerrë të hollat dhe ia kishte
paguar të gjitha bukët që do të dilnin të pjekura pas pesëmbëdhjetë minutash.
-
Të lutëm, të gjithë ata që do të kërkojnë bukë, ua jep nga sa bukë të kërkojnë
pa asnjë metelik. Për sot i kanë të paguara nga unë, - i kishte thënë Shpendi
bukëpjekësit.
Tanimë,
para furrës ishte krijuar radha nga blerësit e bukës. Askush nuk e dinte se bukët
ishin të paguara! Secili kishte ardhur për të blerë bukët për të cilat kishte
nevojë.
Njëri
nga bukëpjekësit filloi t'i nxirrte bukët nga furra, e tjetri ishte afër
sportelit të vogël dhe i jepte bukët atij që i afrohej sportelit.
Blerësi
i parë i kërkoi dy bukë. Bukëpjekësi ia dha bukët, por nuk ia mori të hollat
kur blerësi deshi t'i paguante.
-
Sot janë të paguara. Le të marrë secili aq bukë sa ka nevojë, janë pa pagesë, -
e përsëriti bukëpjekësi. Kështu i tha edhe të dytit, që priste në rresht, e
pastaj të tretit, e kështu me radhë...
Ata
iknin me shportat plot bukë të nxehta dhe i njoftonin të tjerët që pritnin në
radhë se bukët ishin pa pagesë.
-
Merrni sa bukë ju duhen, po nuk paguani asgjë, - kishte folur një tjetër.
Kur
njerëzit e kuptuan se bukët ishin pa pagesë filloi të krijohej tollovi, sepse
shtyheshin, ngase secili donte që të merrte bukë të nxehta pa pagesë, jo vetëm
sa kishte nevojë, por edhe për një ose dy ditë më vonë.
Lajmi
sa vinte e përhapej se në furrë, po shpërndahet bukë pa pagesë. Grumbulli i
njerëzve para furrës sa vinte e rritej. Tani edhe kishin filluar të shtyheshin.
-
Unë kam nevojë për tri, thoshte njëri. Një tjetër kërkonte t'i merrte gjashtë
bukë, duke theksuar se qenkëshin familje e madhe. Një tjetër kishte kërkuar të
merrte edhe për xhaxhanë e tij, që i kishte pesë fëmijë....
Grumbulli
i njerëzve sa vinte e rritej. Edhe rreshti tanimë ishte çrregulluar. Ai që
ishte më i fortë, i dilte përpara atij më të dobëtit. Një tjetër më i fortë e
shtynte të fortin e parë. Secili kishte dëshirë që të merrte bukët dhe të ikte
nga ai pështjellim. Rrëmuja sa vinte e shtohej! U thye edhe xhami i parë i
furrës. Bukëpjekësi, kur e pa se tani nuk mund të mbante rendin, kërkoi ndihmë
nga policia. Ai dhe ndihmësit e tij tanimë ishin habitur fare. Të shqetësuar
përpiqeshin ta mbanin nën kontroll gjendjen, por më nuk kishin mundësi. Nuk e
njihte qeni të zonë, si i thonë një fjale.
Shtyrjet
nuk ndaleshin. Secili donte më shumë bukë sesa kishte nevojë! U thyen edhe
xhamat e tjerë...
Para
furrës, arriti një njësit i vogël i policisë për të vendosur rend, por kot.
Njerëzit ishin djersitur duke u shtyrë me njëri-tjetrin, që secili të merrte
bukë jo vetëm për nevojat ditore, po kishin dëshirë, meqë ishte pa pagesë, të
furnizoheshin edhe për ditën apo ditët në vijim!
Kur
nuk mbeti asnjë bukë në furrë dhe qenë thyer të gjithë xhamat e furrës,
bukëpjekësi tha se nuk ka më!
-
Shikoni edhe vetë. Nuk mbeti më as për ne që jemi në furrë. Duhet të përgatisim
brumin edhe për një furrë tjetër, për t’i plotësuar nevojat tona.
Policia
nisi hetimet pse kishte ndodhur kjo kështu. E kishin pyetur së pari
bukëpjekësin, i cili, i mbuluar nga djersët, tha se nuk e dinte dhe se edhe
vetë po habitej.
-
Po e shihni çfarë dëmi m'i është bërë furrës. Të gjithë xhamat e dritareve janë
thyer. Mirë filloi puna, po, si duket, sapo u informuan mileti se bukët janë pa
pagesë, u bënë shumë kërkesa dhe ja çka më ndodhi mua. M'i thyen të gjithë
xhamat, - tregonte i merakosur bukëpjekësi.
-
Më është bërë dëm i madh. Gjatë kohë nuk mund të barazohem. Kam humbur shumë, -
shtonte ai. U dëgjuan edhe shumë ankesa të tjera nga ana e bukëpjekësit.
Kur
policia mori vesh se Shpendi ishte ai që i kishte paguar të gjitha bukët, u
drejtuan te Shpendi.
-
Çka ka ndodhur kështu? A është e vërtetë se ti ia ke paguar të gjitha bukët
bukëpjekësit? - e pyetën ata pasi ia kishin kërkuar letërnjoftimin për të
mësuar më shumë për identitetin e tij.
-
Po, - u përgjigj ai.
-
Po pse e bëre këtë? - e kishte pyetur njëri nga ata të policisë, po që nuk
ishte i veshur në uniformë.
-
Kam dëgjuar për maksimën se “në komunizëm do të punojë kush sa të mundet, e do
të marrë secili aq sa ka nevojë!”, - tha Shpendi dhe shtoi:
-
Si duket, unë nuk do të kem jetë derisa shoqëria jonë të mbërrijë në komunizëm,
se e kam bërë goxha një moshë, prandaj desha ta shoh si do të dukej rendi i ri
ekonomiko - shoqëror, komunizmi pra, dhe e pagova bukën e furrës që ta shihja
si do të duket rendi i ardhshëm shoqëror...”, - u arsyetua ai.