| E premte, 17.04.2020, 05:09 PM |
GJITHMONË NË RASTE KRIZASH, E VËRTETA ËSHTË VIKTIMA E PARË
Nga Frank
Shkreli
Ata që më njohin dhe ata që mund të kenë lexuar, nga koha
në kohë, shkrimet e mia modeste e dinë se sa për “për zemër” e kam lirinë e
fjalës në përgjithësi dhe lirinë e shtypit në veçanti –mbështetjen ndaj të
cilës e kam konsideruar gjithmonë, pothuaj, si një mision i jetës. Mbështetjen dhe promovimin e lirisë së
fjalës, e kam si një obligim moral personal por dikur edhe si një detyrim
profesional për 30-vjet pranë Zërit të Amerikës, gjatë luftës së ftohtë midis
lindjes komuniste dhe perëndimit. Madje
edhe në pension pas më shumë se 15-vite që jam larguar nga VOA, vazhdon të më
mbetet një subjekt ky, gjithnjë, tepër i rëndësishëm për shoqërinë amerikane ku
jetoj për një gjysëm shekulli, por edhe për çdo vend tjetër në botë. Është një subjekt të cilin e kam trajtuar në
dyzina artikuj këto vitet e fundit. Edhe
ky shkrim modest është në rrjedhën a dyzina të tjerëve më parë, ku kryesisht
kam shprehur shqetësimet e mia ndaj kërcënimeve që i bëhen fjalës së lirë këtu
në Amerikë, por edhe anë e mbanë botës ku liria e fjalës vazhdon të shkelet, të
abuzohet dhe të mos respektohet,– përfshir edhe trojet shqiptare në Shqipëri
dhe në Kosovë.
Por, këtë artikull nuk po ia kushtoj mungesës së lirisë
së shtypit dhe as nuk po promovoj lirinë e fjalës në vende dikatoriale ose
autoritare të njohura botërisht për shkeljet flagrante të fjalës së lirë – siç
janë Rusia, Kina, Turqia, Irani, Arabia Saudite, e tjera e të tjera, por atyre
që Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, (KMG) me qëndër
në Nju Jork, Joel Simon, i cilëson si një, “mori presionesh, fyerjesh dhe
abuzimesh që dalin nga goja e Presidentit Trump”, kundër gazetarëve këtu në
Shtetet e Bashkuara.
Sipas një njoftimi për shtypin të (KMG), në një raport të
botuar më 16 prill i sponsorizuar nga Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve,
thuhet se, “prej shumë mënyrave të ndryshme që ka përdorur Administrata Trump
në sulmet e saja kundër gazetarëve, ndër më efektivet dhe më të rrezikshmet
është përpjekja për të shkatërruar kredibilitetin e medias, duke minuar të
vërtetën dhe konsensus-in, ndërkonë që pandemia e koronavirusit kërcënon të
shkaktojë vdekjen e dhjetëra mijëra amerikanëve.”
Në raportin me titull, “Administrata Trump dhe Media” e
botuar të ënjtën, me 16 prill, përgatitur nga Profesori i Gazetarisë në
Universitetin e Arizonës dhe ish-kryeredaktori i gazetës the Washington
Post, Leonard Downie, Jr me bashkautoren
Stephanie Sugars, përfshihen intervistat me mbi 40 gazetarë dhe ekspertë të
medias, akademikë si dhe zyrtarë të administratës Trump.
Në njoftimin për media me këte rast, Drejtori Ekzekutiv i
Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Joel Simon, shprehet se, “ Gazetarët në
Shtetet e Bashkuara, kryesisht, nuk i janë penguar aspak, (në kryerjen e punës
së tyre) nga kritikat, fyerjet dhe presionet e përditshme që vijnë nga
Presidenti Trump, por megjithëkëtë, shtoi ai, “ato kanë ndikuar në minimin e
besimit të publikut tek media si një institucion publik”, gjë që sipas tij
është diçka e rrezikshme, sidomos në mes të një krize shëndetësore.
Për më tepër, thekson Drejtori Ekzekutiv i Komitetit për
Mbrojtjen e Gazetarëve, kritikat e Presidentit Trump ndaj gazetarëve,
“inkurajojnë dhe fuqizojnë autokratët anë e mbanë botës, të cilët janë duke
shkelur liritë e medias dhe lirinë e fjalës me një ashpërsi dhe vendosmëri të
paparë, në një kohë kur informacioni i vërtetë, nevojitet më shumë se kurrë.”
Në raportin e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, me
qëndër në Nju Jork, përfshishen një numër rekomandimesh -https://cpj.org/reports/2020/04/trump-media-attacks-credibility-leaks.php#11
-- për administratën Trump, përfshir nevojën për të folur publikisht në
mbrojtje të lirisë së fjalës, ndërsa (KMG) i ka dërguar Shtëpisë së Bardhë edhe
një letër, https://cpj.org/2020/04/cpj-calls-on-trump-to-improve-press-freedom-in-us.php,
bashkangjitur me raportin Adminstrata Trump dhe Media, me të cilën i kërkohet
edhe një takim në Shtëpinë e Bardhë, për
të biseduar mbi këto çështje.
Ndërkaq, gjatë takimit me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë
të mërkurën, Presidenti Trump zgjodhi Zërin e Amerikës, për ta venë kësaj radhe
në shënjestrën e kritikave të tij. Në
raportin e transmetuar mbi këtë çështje nga Zëri iAmerikës në gjuhën shqipe, të
enjtën https://www.zeriamerikes.com/a/trump-congress-voa-bennett/5374257.html,
në kritikën e tij ndaj Zërit të Amerikës, Trump përmendi si shembull një postim
në llogarinë e Zërit të Amerikës në Twitter, të një videoje të agjencisë
Associated Press. Videoja tregonte një
shfaqje dritash në Wuhan për të shënuar riahpjen e qytetit, ku COVID-19 u
diktua për herë të parë. Në këtë
ndërkohë, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe njoftoi dje se kritikave të
Presidentit Trump iu përgjigj Drejtoresha e Zërit të Amerikës të mërkurën në
mbrëmje, duke i hedhur poshtë kritikat e Presidentit Trump, ndërsa theksoi se
Zëri i Amerikës “ka diskredituar shumë nga informacionet që vijnë nga qeveria
kineze dhe media e kontrolluar prej saj”.
Për më tepër, Drejtresha e VOA-s, Amanda Bennett u shpreh se, “Për
mbi 75 vjet, Zëri i Amerikës ka ndjekur misionin e tij për të treguar historinë
e Amerikës në vende të tjera dhe për të dhënë informacion objektiv, bazuar në
fakte, në vende në gjithë botën që nuk kanë qasje në këto informacione. Siç kemi thënë për një kohë të gjatë, ne
përhapim (parimet) e Amendamentit të Parë (që përfshin lirinë e shprehjes dhe
medias)”, citohet Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett në një
deklaratë për dtafin dhe median. Ajo
shtoi duke thënë se, “Unë besoj në atë mision.
Dhe duke gjykuar nga mënyra se si po zgjerohen audiencat tona, duke
kërkuar informacion të besueshëm gjatë kësaj krize të koronavirusit, edhe bota
beson në misionin tonë. Është punë e
vështirë, punë e rëndësishme, ndoshta sot më shumë se kurrë më parë”, vazhdon
deklarata e Drejtoreshës së Zërit të Amerikës, Amanda Bennett.
VOA në gjuhën shqipe citon gazetën New York Times të ketë
shkruar në lidhje me kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s, se “Akuzat
drejtuar agjencisë 75 vjeçare të transmetimit, dukeshin aq të tepruara saqë
disa lexues shprehën shqetësimin se hakerat mund të kishin depërtuar në rrjetet
e Shtëpisë së Bardhë”.
Edhe për mua – bazuar në përvojën time 30-vjeçare me
Zërin e Amerikës, kritikat e Presidentit Trump ndaj VOA-s janë aq të pakuptimta
sa edhe të çuditshme për një president.
Jo se VOA, në gjuhë të ndryshme të mos ketë bërë ndonjë gabim, nga koha
në kohë, në lidhje me ndonjë lajm ose raportim te cilësdo natyrë qoftë. Por, çdo gjë tratohej ndryshe. Na vinte ndonjë kërkesë për ndonjë shpjegim,
jo vetëm nga Shtëpia e Bardhë por edhe nga Kongresi, nga Departamenti i Shtetit
e tjera ente qeveritare, përfshir ambasadat.
Më kujtohet një rast kur një zyrtar i lartë amerikan po interesohej për
një lajm të VOA-s nga Evropa Lindore, në periudhën e Solidaranostit. “Po interesohem, tha ai, për atë lajm jo se
nuk i besojmë VOA-s, por nëqoftse jeni gabim, për arsye të besueshmërisë së
madhe që gëzoni në rajon, mund të shkaktohet një luftë. Prandaj, nëqoftse ishte lajm i gabuar të
kërkoni falje dhe ta tërhqini. Pas një
shqyrtimi të shpejt të programeve, lajmi i VOA-s doli i sakt dhe as nuk
shpërtheu ndonjë luftë, si rrjedhim.
Dua të them se gjërat trajtoheshin krejt ndryshe, dikur.
Është e vërtetë se gazetarët në Amerikë nuk shqetësohen
shumë për kritikat ndaj tyre, madje qoftë edhe kur ato vijnë edhe nga
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, që konsiderohet njeriu më i fuqishëm në
botë. Falë nderës të Madhit Zot dhe
baballarëve të këtij Kombi që kanë lënë pas një Kushtetutë dhe që krijuan
institucione të forta qeveritare dhe jo-qeveritare, të cilat i qëndrojnë dhe
kundërshtojnë – pa frikë ndëshkimi – abuzimin me pushtet të cilitdo president
ose degë qeveritare qoftë. Jo më kotë
garancia e fjalës së lirë zen vend në artikullin e parë të Kushtetutës së
Shteteve të Bashkuara. Nuk e luan as
topi!
Por, sot më shumë se kurrë, Amerika dhe bota kanë nevojë
për lirinë e medias, për mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe për mbështetjen e të
vërtetës. Bota ka nevojë për ente dhe
burime lajmesh, kombëtare dhe ndërkombëtare, siç është Zëri i Amerikës, i cili që
nga themelimi i tij në fillim të Luftës së Dytë Botërore, është angazhuar të
thotë të vërtetën. Përgjatë ditëve të
errëta të Luftës Botërore, trazirave të Luftës së Ftohtë, përballë terrorizmit,
apo në krah të përpjekjeve të njerëzimit për të fituar lirinë, Zëri i Amerikës
i ka shërbyer botës si shembulli i ruajtjes së parimeve të shtypit të lirë. Karta e Zërit të Amerikës përmbledh tre vlera
themelore. Së pari, Zëri i Amerikës
shërben si një “burim i besueshëm dhe autoritar lajmesh. të sakta,
objektive, dhe gjithëpërfshirëse.” Janë
këto vlera themelore të një shtypi të lirë që duhet të mbrohen nga të gjithë
ata që besojnë në liri, por mbi të gjithë nga ata përgjegjësia kushtetuese e të
cilëve është që t’i mbrojnë ato vlera dhe liritë bazë të njeriut – madje edhe
në kohë krize, nepër të cilën po kalon sot Amerika dhe bota.