| E enjte, 16.04.2020, 03:56 PM |
Republika e Xhelalit
Të gjithë ata që dyshuan se ithtarët e Vetëvendosjes, pasi erdhën në pushtet, devijuan nga kauza e tyre e mosnjohjes së çlirimit të Kosovës, mosnjohjes së Republikës dhe mosnjohjes së Kushtetutës së saj, duhet t’i heqin dyshimet. Republika që po jetojmë nuk është ajo që kemi ndërtuar për 20 vjet, as ajo që na bëri të ndihemi shtet krenar. Nuk është Republikë e Kosovës. Atë, shpura e re e pushtetit vazhdon të mos e njohë. Ne tani po jetojmë Republikën e Xhelalit.
Shkruan
Baton HAXHIU
Në
Republikën e Xhelalit, njëjtë si në shtetet policore, Ministria e Punëve të
Brendshme është mbi të gjitha institucionet e Republikës. Në Republikën e tij
nuk ka ndarje të pushteteve, por marrje të pushteteve. Nuk ka balancim të tyre,
por rrëmbim kompetencash. Në Republikën e tij nuk është Kuvendi i Republikës ai
që mbikëqyr pushtetin ekzekutiv, por e kundërta. Nuk është pushteti ekzekutiv
ai që i nënshtrohet kontrollit parlamentar, por ky i fundit duhet t’i bindet
pushtetit. Në Republikën e Xhelalit ndodh që ithtarja kryesore e Kryeministrit,
që është Spikere e Parlamentit, ia heq fjalën bashkëpartiakut të saj, sepse ai
e kritikon. Vjosa Osmani, me Kushtetutën e Republikës, është një nga 120
deputetët që drejton seancën. Kushtetuta e Republikës nuk i njeh asaj
kompetencë më shumë sesa Driton Selmanajt. Republika e Xhelalit, po. Ajo bën
atë që bëri.
Dispozitat
kushtetuese që deputetët e Kuvendit i kualifikon si përfaqësues të popullit, e
të cilët nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues, në Republikën e tij nuk janë
të sakta dhe as të qëlluara. Këto dispozita, në fakt, i nënshtrohet
interpretimit të Xhelalit. Sipas tij, përkundër Kushtetutës, deputetët medoemos
i nënshtrohet një mandati detyrues – mandatit të tij, mandatit të një ushtruesi
detyre të një Qeverie të shkarkuar me votat e 2/3 e të deputetëve të Kuvendit
të Republikës.
Në
Republikën e Xhelalit – është ky ai që u jep leje deputetëve për të shkuar dhe
për të mbajtur seancën. Një ditë tjetër, është ky ai që ua mohon këtë leje. Në
Republikën e tij, e të partisë që ai përfaqëson, të gjitha institucionet
kushtetuese i nënshtrohen kontrollit të tyre. Kjo është Republika, në të cilën
Kushtetuta interpretohet nga pushteti ekzekutiv. Sepse, është vetëm ky pushtet,
të cilin, në detyrë, e udhëheq partia e tij, e i cili ka autoritetin të
interpretojë Kushtetutën. Të tjerat institucione, përfshirë edhe ato të
pavarura, nuk janë të afta ta interpretojnë atë, ashtu si ai.
Leja
e dhënë deputeteve të Kuvendit për mbajtjen e seancës, si dhe kufizimi i të
drejtave të qytetarëve të Kosovës deri në masën e propozuar, pa ligj Kuvendi,
siç kishte kërkuar Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin e saj, ose edhe pa
shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të shërbejnë si kambanë alarmi,
për asgjë më pak përpos për nisjen e përmbysjes së sistemit kushtetues të
Kosovës. Përkundër të gjitha sfidave me të cilat ballafaqohet Kosova, është
evidente e edhe fakt i njohur ndërkombëtarisht që e njëjta ka bërë progres
marramendës në ndërtimin e institucioneve dhe përforcimin gradual të sundimit
të ligjit. Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shërbyer si garant i mbrojtjes së
kushtetutshmërisë. Dhe, përkundër disa vendimeve të saj, e të cilat mund të
jenë cilësuar, me herë, si të papëlqyeshme, janë zbatuar me përpikëri nga të
gjitha institucionet e kësaj Republike. Kujtoni dorëheqjen e Presidentit Sejdiu
në respekt të Gjykatës Kushtetuese; kujtoni largimin e Behgjet Pacollit e
zgjedhjen e Atifete Jahjagës, si rezultat i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese;
kujtoni Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe; kujtoni vendimin e saj për
mandatarin, që është në qendër të debatit politik sërish gati 6 vjet pas
nxjerrjes se tij. Të gjitha ishin zbatuar. Zbatueshmëria e vendimeve të kësaj
Gjykate ka garantuar sigurinë e ruajtjes së demokracisë dhe sundimit të ligjit
në Kosovë . Ka garantuar shtetin ligjor. Tash, 20 vjet pas çlirimit të Kosovës,
e 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë së saj, pavarësi kjo të cilën VV nuk e ka
njohur derisa nuk erdhi në pushtet, dhe vetëm 2 muaj pas ardhjes në pushtet të
kësaj Lëvizjeje, sistemi kushtetues i ndërtuar me mundin e sakrificën e
gjeneratave të tëra është në prag të përmbysjes.
Këto
shenja nuk duhet anashkaluar. Guximi i një Zëvendësministri në detyrë për t’u
dhënë leje përfaqësuesve të popullit që të mblidhen në shtëpinë e tyre, e
guximi i një Ministri tjetër në detyrë për t’u sjell sikur nuk ekziston Gjykata
Kushtetuese, janë hapat e parë drejt përmbysjes së rendit juridik në Kosovë,
dhe fillimit të ndërtimit të një të riu, i cili, në rastin më të mirë, do të
përbëhet vetëm nga pushteti ekzekutiv, në vartësi të të cilit do jenë më pas
Kuvendi e gjykatat. Kjo do të jetë Republika e re e qytetarëve të Kosovës, një
diktaturë në mes të Evropës, nëse shpejt nuk e ushtrojnë rolin e duhur
kushtetues të gjitha institucionet e vendit në mbrojte të vetvetes dhe
Kushtetutës.
Kosova
medoemos ka shumë sfida. Por, Kosova gjithashtu ka shumë të arritura. Përderisa
shumë punë duhet bërë për të adresuar sfidat e saj, po aq punë duhet bërë për
të ruajtur dhe konsoliduar të arriturat e saj. Ndër më të rëndësishmet tashmë
është rendi i saj i konsoliduar kushtetues, një në të cilin pushtetet janë të
ndara dhe të balancuara, dhe i kanë rezistuar, të paktën mjaftueshëm deri tani,
ndërhyrjes së pushtetit ekzekutiv. Ky i fundit, tashmë nën udhëheqjen e VV-së,
ka qëllimin e dominimit dhe të nënshtrimit të çdo pushteti tjetër. Për të
arritur këtë qëllim, Republika e Xhelalit ka në dispozicion edhe mekanizmat
shtetërorë, por edhe ata tradicionalë partiakë – linçimin e organizuar publik.
Kushdo që guxon ta kundërshtojë planin e madh të lindjes së Republikës së re,
në rastin më të mirë do t’i bashkohet kategorisë të famshme tashmë “të të
shiturve e të kapurve”.
Është
koha që strukturat shtetërore t’i qëndrojnë besnike mandatit të tyre
kushtetues. Është koha që ato të veprojnë në kuadër të autorizimeve të tyre, e
në mbrojtje të autoritetit të tyre kushtetues. Është koha që Kuvendi,
Kryeprokurori e Avokati i Popullit, të mos heshtin, ose edhe të fshihen prapa
interpretimeve qëllimshëm të mjegullta ligjore, por të veprojnë në mbrojtje të
autoritetit të tyre nga dominimi i pushtetit ekzekutiv dhe mbrojtje të ligjeve
të shtetit. Nëse është nevoja, është koha që të gjithë të ballafaqohemi me
linçimin publik, në mbrojtje të lirisë së fjalës. Në mbrojte të një Republike
të qytetareve, dhe kundër asaj të Xhelalit – në të cilën përfaqësuesit e
popullit duhet të marrin leje të ushtrojnë mandatin e tyre si deputetë të
Republikës së Kosovës.
Të
gjithë jemi dëshmitarë që “ajatollahët” e Lëvizjes e shpallin fitoren me 25 për
qind si triumf të një fryme, e cila, në fakt, për fat është ende pakicë. Por,
fjalën po e mbajnë. Po qeverisin me frymë, e jo me Kushtetutë e ligj. Po
qeverisin në një pushtet paralel me Republikën e Kosovës. Dhe po sillen ndaj
Republikës së Kosovës jo si njerëz të mandatuar dhe të shkarkuar prej saj, por
si pushtues. Njëjtë si ata që më 23 mars të 1989 ia hoqën shtyllën kurrizore
Kushtetutës së atëhershme, duke e kthyer në një “rregullore” të Milosheviçit
për Kosovën.
Tashmë
Republika e Xhelalit po tenton të bëjë të njëjtë gjë, me ata që tentuan të na
gjunjëzonin më 1989. Fashizmi ose komunizmi nis gjithnjë aty ku pakica tenton
të imponohet si shumicë, duke përdhunuar Kushtetutën. Si Republika e Xhelalit.
Veç “xhelalët” dikur i zhdukin si Stambolliçin e diktatorët kalben bashkë me
iluzionin e tyre.
Marrë nga gazetaexpress.com