| E enjte, 16.04.2020, 02:01 PM |
GURI SIZIFIAN I PANO TAÇIT
(Lexime
poetike. Pano Taçi: “Epilog”-
“Çapitem
me rrasin e varrit mbi shpinë”), VIII
Nga
Prend BUZHALA
Pano
Taçi (i lindur më 1929 në Gjirokastër dhe vdiq në vitin 2012), i ka vuajtur 24
vjet burgje, persekutime e internime dhe punë të detyrueshme. Te poema “Muzg”
ai e këndon fatin e tij, sagën e tij të trishtimit e të vuajtjes, të flijimit
të vetvetes për të vërtetën.
Jam një lis ku ra sopata
Qysh në brishtësinë e
njomë…
Pra,
që në moshë të njomë fjala e tij e lirë i provoi pengesat, i provoi sëpatën e
prangat e diktaturës. Ky libër, nga ana tjetër, na vjen si një romancë e kaltër
dashurie, duke mos u reshtur as shkëputur prej “çapojve të Erosit të krekosur”.
Erosit ai i këndon edhe në çastet e fundit të jetës.
Vetëm
mbas viteve ’90 e këndej arriti të botojë libra, duke rendur gjithandej për ta
gjetur e ringjallur atë që ia kishte vjedhur e vjelur jeta egërsisht.
Librat
e tij poetikë(prej “Blerim i vonuar” 1994, “Dhe vdekja do paguar” Tiranë, 1997,
“Hukama e Venusit” Tiranë, 1999, “Qirinjtë” dramë, “Muzg” Tiranë, 2000, poemë e
deri te vëllimet “Sa pak qiell” 2003, “Trokas në qiell”, “Poezi të zgjedhura”
2002, “Dell-ar” poezi eros 2004, “Pani plak” 2005, ”Prit e prit…” poezi 2007,
“Kitara cigane” poezi 2008 e “Muzgu vjen papritur” poezi 2013, nuk e përbëjnë
vetëm lirizmin e hidhur të dhembjes e të vuajtjes së pafund e të gjatë; ata i
përmbajnë, po ashtu, hovet e fundme dashurore në pleqëri të thellë, siç do të
shprehej poeti Xhevahir Spahiu për lirikën e Taçit, të cilin e quan poet
endacak me ndjeshmëri serembiane.
Aq
shumë e shumë kapituj tragjikë ka letërsia shqipe! Aq shumë kësi kapitujsh
zbulon e rizbulon letërsia e sotme shqipe! Nuk është e rastit, prandaj, pse
Pano Taçi është i përzgjedhur në Bibliotekën Tragjike botërore, në mesin e 400
poetëve të gjallë të këtij shekulli, të cilën përzgjedhje e ka bërë asociacioni
“Dub-cit” në Irlandë.
1.
Poemës
“Muzg” i prin një “Prolog”, pastaj vijnë 54 copëza lirike, të cilat i përmbyll
një “Epilog”. Edhe ky libër, si të mëparshmit, thur botën e kontrasteve poetike
e jetësore, si dhe poetikën dyjësore të ballafaqimeve poetike nëpër situata të
ndryshme e të skajshme jetësore, të djeshme e të sotme, të burgut e të
pasburgut, të muzgut të jetës e të agut të dashurisë, të mikrokozmosit jetësor
e të makrokozmosit.
Kësaj
radhe, po përqendrohemi te poezia e fundit “Epilog”, e cila lirisht mund ta
mbajë titullin “Çapitem me rrasin e varrit mbi shpinë” e të qëndrojë si poezi
më vete. Është sinteza e artit dhe jetës së tij. Është guri sizifian që e barti
tërë jetën... Pa të, simbol mundimesh e përpjekjesh, ai sikur nuk e ndien që
është vetvetja...
Por me ç’shoh... toka u
bë plehurinë
Ta lë për dhe më ndyhet,
Kam frikë se më thyhet,
Andaj çapitem me rrasën
e varrit mbi shpinë.
Duke
kaluar nëpër krajata të pafund jetësore, shpirtin e folësit lirik të Pano Taçit
e mbërthejnë kundërthënie të shumta ekzistenciale. Vërtet, ai jetoi i lirë pas
viteve ’90 e deri sa vdiq, po jeta e tij është ndrydhë e shtrydhë, është bërë e
padukshme, është bërë shuk, zhele, humnerë, prandaj klith e klith më se njëherë
nëpër vargje.
Pra,
kaptina tragjike e burgut vazhdon me kapituj të rinj tragjikë të jetës së
pasburgut. Posa i është hapur dera e jetës, posa e ka lënë prapa ferrin e
tiraninë e diktaturës; shtrëngohet të ndeshet ballë për ballë me realitetin e
rëndë, me njëmendësinë tepër të ashpër të fyerjes, të përbuzjes e të varfërisë;
ky është fati që i pret të posaliruarit. Duke u revoltuar kundër një jete të
tillë në kërkim të mehlemit për dhembjen e në kërkim të paqes për shpirtin; ai
tani nuk është asgjë tjetër pos një pasqyrë e thyer, në të cilën, në muzgun e
jetës, i përgjaket ëndrra e fundit. Mirëpo, vetëm ai është i prekuri, i
përgjakuri, i lënduari e i vetakuzuari në këtë arenë të plagosshme të jetës.
2.
Si
në një rrëfimore, folësi lirik i kësaj poezie i paraqet drejtpërsëdrejti përvuajtjet
mëkatare të zemrës së tij, së bashku me këngën e zemrës së lënduar. Janë
këngë-monument, të kredhura brenda një baltimi: “Bëj të gdhendem bust i
gjallë”. Shndërrohet në një faltore për të kunguar shenjt e djall. Krijuesi nuk
ndalet: endet nëpër hone shpirti, nëpër kohë ulërimash, nëpër vitet gri i
rrëshqet jeta, pa ngrohtësi shtëpie “si barka me flakë nëpër dallgë”: ç’figurë
e ç’botë e kontrastuar aq mahnitshëm! Pa gjetur solidarësi njerëzore, ai e bart
“rrasën e varrit mbi shpinë”, si një sizif modern.
Porse,
si kudo në poezinë e tij, edhe te “Epilogu” (“Çapitem me rrasin e varrit mbi
shpinë”), vuajtjet e tij sikur e gjejnë ilaçin e vet, në këndimet mbi
dashurinë. Është muzgu i jetës dhe intonimi i ngrysur ligjlron për jetën e
vjelur:
Ti je arkivoli, unë
kufoma,
Mbi sup të dhembjes ikim
për varr.
Tani asgjë nuk është e
jona
As buzëqeshja e loti
qelibar.
Për
deri sa jo pak poetë të vuajtjeve, edhe kur këndojnë për jetën e dashurinë,
thurin lirikën e imazhit të misterit, Pano Taçi nuk lë mister, as fshehtësi
brenda komunikimit të tij artistik. Ligjërimi i tij poetik vjen me peshën e
plagëve e me frymën e erosit të dehur.
Jo.
Ai
nuk kërkon shtegdalje as në humbellat mistike të ëndrrave, as në labirintet e
besimeve të përshpirtshme, as në lashtësitë mitologjike e as në ekzotikën e
hapësirave e të shtegtimeve pa cak. Prehjen e tij shpirtërore do ta kërkojë në
kosmogoninë orfeike të dashurisë. Te kjo ndjenjë ai gjen drejtpeshimin e tij
jetësor. Kjo këngë orfeike e kërkon Euridikën e tij jetësore nëpër fanitjet,
nëpër obsesionet e nëpër monologët e gjatë, mbushulluar me dhembjet e muzgut të
tij jetësor. Kjo ndjenjë i jep dritë këtij muzgu, e ngazëllen shpirtin e tij të
terratisur.
Ti je arkivoli, kufoma
jam unë.
Dhe ik edhe ik të gjej
varr të kallem.
Të dy për terr, sikur u
lodhëm shumë.
Në ma hap kapakun – do
shoç, ringjallem!
Imazhi
vjen kaq i konkretizuar: ti je arkivoli, kufoma jam unë! Poeti e sheh qenien e
tij dhe ndjesinë e tij të varrosur në arkivolin e dashurisë! Ky është edhe
testamenti tij: nuk ka vdekje më të bekuar se të qëndrosh në arkivolin e tillë!
Se aty, nga kjo frymë dashurie, janë ringjalljet e tij!
3.
Po
njaj delir orfeik i shpirtit nuk do të kërkohet për t’i humbur brigjet, po për
t’i gjetur ato, për të arritur te ato. Dashuria nuk këndohet si ndjenjë që e
cfilit dhe e lëkund shpirtin e krijuesit, por si ndjenjë që vë kika
drejtpeshimi në qenien e tij, për t’ i dhënë kuptim jetës së tij, si një
“humbellë ku buron nata/ e përflakur nëpër komë”.
Ovidi
i moçëm do të nënvizonte: “Ti që e gjakon dashurinë në moshë të pjekur, duke e
çuar më tutje atë ndjesi, do të fitosh një shpërblim të respektueshëm.”
Krijuesit letrarë, gra e burra në moshë, e dinë, që, kur kjo ndjesi harxhohet a
vilet nga koha a mosha, megjithatë një burim që e mban në këmbë, është
imagjinata erotike, imagjinata e freskët dhe e virgjër e dashurisë... që
shtegton deri te dashuria platonike... mbasi i ka (s)provuar të gjitha
"trajtat" e saj... Para bukurisë së këtij emocioni përkulen të gjithë
me respekt. Të duket sikur personazhi lirik i dashurisë verbohet plotësisht nga
kjo ndjenjë, së këndejmi, ai shndërrohet në një qenie vazhdimisht me etje të
pashuar...
Ai
nuk e kërkon në lirikën e dashurisë demonotopinë e Markiz de Sadit, ku
gjëllijnë së bashku erotizmi me krimin, me sodominë, me blasfeminë apo me
perversitetin dashuror. Me këso temash të perveristeteve të tilla është e
mbushur letërsia e sotme shqipe, sidomos e dekadës së fundit. Taçi e kërkon,
para së gjithash, dhembjen që e bart “si krillë e plagosur” përjetshëm, e
shkaktuar nga shigjeta e Kupidit. Ai nuk thur ndonjë erotologos, siç veprojnë
poetët metafizikë, por shkruan për t’i zënë kulmet e lumturisë dhe kulmet
dramatike të kësaj ndjenje:
Çapitem me rrasën e
varrit mbi shpinë
ku gdhendur është një
epitaf i vyer:
“Ky që prehet këtu u
shua për dashurinë
dhe pse ajo e ka
zhgënyer”.
Dhe
zor të gjesh në poezinë shqipe vargje kaq antologjike si ky: “Çapitem me rrasën
e varrit mbi shpinë”!
Ky
“Epilog” në fund të poemës qëndron një si lament poetik mbi jetën dhe dashurinë
e tij. Barra sizifiane e jetës së Pano Taçit i ngjet rrasës së varrit që e bart
me vete e që e përgjak pandërprerë. E pra, ai nuk është ndonjë Sizif që i
mungon barra e rëndë e mundimeve dhe e idealeve jetësore për t’u ngjitur drejt
majës. Përpjetëzes së këtij Mali të Vuajtjeve, ai e shpall pengun e tij të
muzgut jetësor.
Shpall
Zbulesën Ungjillore të dashurisë.
___________
Pano TAÇI:
EPILOG
Ti
je arkivoli, unë kufoma,
Mbi
sup të dhembjes ikim për varr.
Tani
asgjë nuk është e jona
As
buzëqeshja e loti qelibar.
Ti
je arkivoli, kufoma jam unë.
Dhe
ik edhe ik të gjej varr të kallem.
Të
dy për terr, sikur u lodhëm shumë.
Në
ma hap kapakun – do shoç, ringjallem!
Dhe
vdiqa dhe s’vdiqa, ç’malle mbarta?!
Mos
t’ishe arkivol, s’do kisha vdekur.
Kapakun
ma mbylle me gozhda të arta.
Një
sy ma lër hapur me dritë të mekur.
Çapitem
me rrasën e varrit mbi shpinë
ku
gdhendur është një epitaf i vyer:
“Ky
që prehet këtu u shua për dashurinë
dhe
pse ajo e ka zhgënjyer.
Me
rrasën e varrit bares mbi shpinë,
gjithkush
që e pa, e bëri të marrë.
Çuditen
sim und ta duash dashurinë
kur
ajo zëmrën ta tërheq zvarrë?!
Ik
e ik me rrasën që më përgjak
Të
lodhurat koci – mbi shpinë.
Të
mekurat kokalla që m’i përflak
kjo
rrasë prushi që firos njerinë.
Kjo
rarsë bërë nga meteorë
e
larë me brymë,
meqë
jam plak
e
mezi marr frymë,
pres
dikush të ma shtrijë një dorë
të
ma ulë nga shpina, të slodhem veç pak.
Por
me ç’shoh... toka u bë plehurinë
Ta
lë për dhe më ndyhet,
Kam
frikë se më thyhet,
Andaj
çapitem me rrasën e varrit mbi shpinë.
(1998)
(Prend N. Buzhala, rishkrime, 8 prill 2020)