Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Marjeta Rrapaj: Pafundësisht e ëmbël!

| E marte, 14.04.2020, 02:18 PM |


Cikël poetik nga Marjeta Shatro Rrapaj

Pafundësisht e ëmbël!

Dielli më mbështjell me mantelin e artë të rrezeve

e një ritëm i gëzuar fantazish më rrëmben.

Ora e lumturisë kumbon në veshë

e zjarri i ëndrrave për jetën ndizet.

Cicërima zogjsh bëjnë rezonancë me shpirtin

e natyra me gjymtyrë e trup zjarrmon nga dëshira e çmendur e mosndaljes së vrullit,

mrekullisht e bukur, pafundësisht e brishtë!

Humbas ngjyrave e aromave,

përqafuar nga krahët e pasionit.

Me buzëqeshje në buzë, këndoj me shpirt

vargjet që digjen brenda meje që nga antikiteti,

magjepsur prej madhështisë natyrë e heshtur,

rilind tek unë një tjetër njeri.

Të duam!

Të mendosh për dashurinë, të bën të jetosh,

se të duash është lumturi hyjnore,

ku magjitë e jetës i ndiejnë të gjitha shqisat,

dehur, harruar pas vezullimit të ngjyrave,

ku rrezja e shpirtit shkëlqen në sy

e shpirti fluturon mbi re.

Ku deti i mendimeve bëhet

pasqyrë e thellë e siluetës së ditëve,

kur era e kohës  trazon me këngën e saj

e alkimia e zjarrit të shenjtë përshkon si vetëtimë

e ndez etjen për puthje dashurie plot kënaqësi e ethe.

Nga emocionet frikësohet arsyeja e heshtur,

kurse fati zbukuron ekzistencën e dhimbjes

e nga vuajtja lind shpresa e ëndërruar .

Të duam është sekreti i kësaj bote.

Pranverë?!

Pranverë që i fshehet vetes.

Prej qerpikëve të syve pranverorë

pikon vesa e ëndrrave të prillit

e rrjedh faqeve të trëndafilta të qershive të egra.

Njom buzët e etura prej natës

dehur prej puhizës së shpirtit,

e padukshmja shpërndan grimca misteri

e në ajër ndihet aromë lulesh.

Jeta në ekzaltim përtejreve

të qiellit të tejdukshëm shndërrohet

si stina që harbohet me drithërima

prej përkuljes së dritës mbi bukuri ëndërrore

e filizi i frymëzimit rritet mbi pllajat e pashkelura të mendimit,

nën ritmin e përjetimeve ndryshe

të përthithjes së formave të blerimit

për të dalë jashtë lëkurës ,

prej gjirit të butë të tokës

ku fryma e delirit për jetën bëhet muzë,

e brishtë pafundësisht e bukur

në krahët e pasionit hipnotik tjetërsohet

e sundon magjepsjen e heshtjes

si reflektim i ndjenjës së zjarrtë

nën shoqërinë e fjalëve të shpirtit.

Uri vdekjeje

Në qiellin e zhveshur rri gati

tehu i shpatës së kohës

që të hakmerret ndaj njerëzve,

kur virusi demon lëvrin venave

e shuan reflekset, ngrohtësinë e gjakun

në portretet e palëvizura, në duart e thara

e i merr me vete agimit

që troket ndryshe

me krrokatje korbash

që nxijnë qiellin turma-turma,

të uritura për kufoma.

Shpresë

Në qetësinë mbretëruese të natyrës,

shëtitim deri në ballkon,

me vështrim drejt qiellit,

me sytë e lagur,

me flokët në erë.

Kërkojmë azilin tonë

te lutja drejt Zotit,

që të largojë retë gri,

mos t'i zërë fytyrën diellit

të kthejë ëndrrat që mungojnë.

Përhumbur kujtimeve,

presim një shenjë prej Supremit.

I lutemi diellit:

"Eja këtu mes nesh,  thaji lotët e trishtimit

me ngrohtësinë tënde dehëse!"

Mos na e ndalo dëshirën që të të duam,

se dashuria është ekzistenca jonë

e na e jep një shpresë për mbrojtje të jetës

se besimi te ti rrjedh mes lotëve të shpirtit.