Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Adil Fetahu: Apeli i klubit ''Vëllazëria'' të Filatit për shkollën shqipe

| E merkure, 08.04.2020, 07:37 PM |


APELI I KLUBIT ‘VËLLAZËRIA” TË FILATIT, PËR SHKOLLËN SHQIPE

(9 prill 1911)

Nga Adil FETAHU

Lidhja Kombëtare Shqiptare i kishte dy qendra të saj kyesore patriotike në Çamëri: Prevezën (në  jug) dhe Filatin (në veri), nëpërmes të cilave zhvillonte aktivitetin e vet, si në aspektin e luftës për liri e pavarësi, ashtu edhe në përpjekjet për  ruajtjen, mësimin dhe përhapjën e gjuhës shqipe.  Përhapja e mësimit të shkrim-leximit dhe të librave e gazetave në gjuhën shqipe bëhej kryesisht nga klubet dhe shoqëritë atdhetare, të mëdha e të vogla, të cilat ekzistonin ose formoheshin asokohe në: Stamboll,  Aleksandri, Sofje, Bukuresht, Selanik, Shkup, Manastir, Janinë, Elbasan, Korçë, Berat, Delvinë, Gjirokastër, Filat, Prevezë, etj. Ky aktivitet i lëvizjes kulturore dhe për shkollat shqipe mori hov sidomos pas Revolucionit xhonturk,  dhe kushtetutës së re, të ashtuquajtur “Hyrijet” (1908).

Për aktivitetin patriotik, në lëvizjen kulturore dhe arsimore, por edhe për luftën me armë në dorë, në Filat u shquan shumë atdhetarë, në mesin e të cilëve ishin  edhe Rexhep e Musa Demi, por edhe shumë të tjerë.   Rexhep Hamit Demi u shqua në aktivitetin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe sidomos në Kuvendin e Prevezës (1879), po u dallua edhe në angazhimet për përhapjen e arsimimit në gjuhën shqipe.   Në moshën  62 vjeçare ndoqi kurse për mësues, në Shkollën e Thoma Papapanos në Lubovë dhe një kurs në Gjirokastër, dhe shërbeu  si mësues në disa vende.   Ai mbante lidhje  me klubet dhe shoqëritë shqiptare ekzistuese. Nën drejtimin e tij, në shtator të vitit 1908 u formua klubi i quajur Shoqëria Patriotike “Vëllazëria” e Filatit. Atë e formoi Rexhep Demi, bashkë me mësuesin e tij, Qamil Çami.  Ndërkaq, Musa Demi ishte sekretar i asaj Shoqërie, apo atij klubi (1908-1912). Shkolla e parë në Filat u hap më 7 shtator 1908, dmth.menjëherë pas Hyrijetit, që ndodhi në korrik të atij viti.  Mësues të parë të asaj shkolle ishin Qamil Izet Çami dhe Hamit Demi. Pas kësaj, deri në vitin 1910 u çelën edhe disa shkolla tjera, në Luros, Mallakastër, Konispol,  Ninat, Koskë, Janjar, Konicë, Mazarek, në disa prej të cilave  punoi si mësues  edhe vet Rexhep Demi.  Përveç mësimit të fëmijëve gjatë ditës në shkollë, mësuesit  mbanin edhe kurse të natës, për të mësuar edhe të rriturit shkrim e lexim shqip.  Një formë të mësimit të shkrim-leximit në gjuhën shqipe e ndihmuan edhe “mësuesit shetitës”. Rasih Dino i paguante   nga 350 grosh në muaj tre “mësues shetitës”, për t’ua mësuar njerëzve shkrim-leximin, dhe kontribuonte edhe për ndërtimin e një godine shkollore në Filat ,që mendohej të ishte një shkollë e mesme për përgatitjen e mësuesve.

Detyrë parësore e klubeve dhe shoqërive të formuara ishte  të përhapnin shkrim-leximin shqip, përmes  shtypit e librave dhe të ngritnin shkolla për mësim në gjuhën amtare. Hapja e shkollave shqipe  në Çamëri bëhej  kryesisht me shpenzimet e veta të  fshatarëve dhe qytetarëve, ndërsa për ndërtesa të shkollave lëshonin shtëpitë e tyre private. Kështu, shkolla e parë në Filat filloi në shtëpinë e Mehmet Sejkos. Por, u bënë përpjekje të pareshtura edhe për ndërtimin e objekteve shkollore  të veçanta, me qëllim të zgjërimit të rrjetit dhe të  kapaciteteve. Për këtë qëllim, duhej grumbulluar fonde.   Ndër të parët në këtë aktivitet u dallua Filati. Gazeta “Shqiptari” e Stambollit, e datës  5 shkurt 1911, lajmëronte se u grumbulluan fonde për ndërtimin e një shkolle në Filat, ku do të frekuentonin  fëmijë të tre fshatrave të kazasë  së Filatit. Në aksionin e grumbullimit të fondeve për shkollën, kontribuan shumë veta, ndër të parët ishin vet themeluesit dhe anëtarët e Klubit “Vëllazëria”, po edhe patriotë tjerë.   Gazeta “Gëzimi i Shqipërisë”, organ i Klubit “Bashkimi” të Janinës, e datës 25 prill 1911, shkruante:  “Klubi “Vëllazëria” i Filatit vendosi  të themelojë shkollë kombëtare në Filat. Me qenë se shkolla do të përfshijë djemë nga kazatë e tjera të Çamërisë, ky qëllim i shenjtë nuk mund të arrihet vetëm me ndihmat e atdhetarëve të Filatit, por duhet të ndihmojmë pa kursim për mbarimin e këtij qëllimi të shenjtë”.

Këtu më poshtë, po japim tekstin autentik të një apeli të Shoqërisë Patriotike “Vëllazëria” të Filatit, drejtuar  opinionit  shqiptar për të ndihmuar ndërtimin e shkollës.

KLUBI “VËLLAZËRIA”, Filat

“Çamëria, sikundrë që dihet, është vend pjellor e me ndenjës shqiptarë, po për fat të keq gjendja vuan në padije pothuaj të përgjithshme, se veglat që do hapnin diturinë d.m.th. shkollat, kanë qenë në gjuhra të hueja, me të cilat s’mundet të përparojë kurrë një vend thjesht shqiptar, prandaj klubi ynë vendosi për një shkollë kombiare t’a themelojë në Filat që të mundi të përhapi diturinë në të gjithë Çamërinë, të ndritojë muslimanë e të krishterë së bashku, e si vëllezër që janë.

Për shkollën në Çamëri, pas vendimit të pleqësisë, u mblodhën ca ndihma dhe është shpresë edhe më, po si folmë dhe më sipërë, gjendja duke qenë në padije drejt për drejt nuk e çmojnë dot vleftën e shkollës kombiare, prandaj s’vrapojnë dhe aqë në ndihma se për këta duhet përparimi të dalë në shesh. Nga ky shkak klubi nuk’ e gjeti të udhës të hapte një ndihmë të plotë në Çamëri. Vetëm ndihmuan antarë të flaktë të shoqërisë, me të cilat u përgatitnë ca gjëra  për shkollën, si gëlqere, dru e të tjera.

Shkolla, duke qenë se duhet të jetë për tre kazatë e Çamërisë, atëherë duhet të bënet e madhe dhe e plotë, domosdo këtë s’mundet t’a mbarojë një shoqëri vetëm për vetëm. Prandaj u lutemi githë atdhetarëve, që dëshirojnë përparimin kombiar të ndihin për këtë qëllim, ashtu si ndihmohen dhe kombet e tjera me njeri-tjetrin.

Atdhetarët s’besojmë ta hedhin pas krahëve këtë lutje se Çamëria fund e krye ka dhe rrëfen një dëshirë të madhe për gjuhën shqipe.

Ndihmat për ne, mësojmë se u zotua i madhi punëtori kombiar, Dervish Bej Hima dhe doktor Asaf Çam Ajdonati, të cilëvet u falemi nderit për këtë barrë që muarrnë.

Emrat e ndihëtarëve do të shpallen me anën e fletës “Shkumbi” (“Cqiptari”).

Klubi ka vendosur dhe për një bibliotekë të mbaruar ka bërë shumë libra për sot, ca me të holla dhe ca me dhurata, ky qëllim do të jetë një dëshirë dhe një bukuri për klubin, dmth. për kombin shqiptar. Prandaj, veçanërisht u lutemi gjithë atyre zotërinjëve dhe shtypshkronjave që kanë shtypur libra shqipe, të na dërgojnë ndonjë copë akoma dhe çdo tjatër frengjisht dhe turqisht, që ven për në bibliotekë, çmimet do dërgohen nga ana e klubit pas letrës tyre që do të dërgojnë bashk me librat.

Ç’do ndihmë për klubin tonë dërgohet drejt në zyrë të klubit ose me anë të Dervish Bej Himës, në Stamboll”.

Nga zyra e Klubit “Vëllazëria”, Filat (Çamëri)

“Shkumbi”, Konstandinopojë, nr.54, 9 prill 1911

Autori: Musa Demi

(Teksti i apelit të Klubit “Vëllazëria” është marrë nga Libri i Hajredin Jusufit: “ÇAMËRIA”).

Aktiviteti dhe enthusiazmi i patriotëve dhe i poullit të Filatit e të mbarë Çamërisë, sikurse gjithandej ku ishin shqiptarët, për mësimin e gjuhës dhe për hapjen e shkollave shqipe, u ndërpre me shpërthimin e kryengritjeve të armatosura për çlirimin e vendit dhe me Luftën Ballkanike, që pasoi me ndarjen e Çamërisë nga Shqipëria, të cilën Konferenca e Londrës (1913), pa të drejtë ia dha Greqisë, e cila jo se nuk lejonte shkolla shqipe, por bëri terror të paparë mbi popullsinë myslimane të Çamërisë, duke i detyruar të shpërngulën në Turqi, Shqipëri e deri në Amerikë, ndërsa shqiptarët e krishterë i asimiloi  në grekë.