Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Kozeta Zylo: Flet Albana Martinaj nga fronti i Luftës në Bronx, New York

| E premte, 03.04.2020, 05:09 PM |


Flet Albana Martinaj nga fronti i Luftës në Bronx, New York

Znj. Albana Martinaj punon Infermiere (Nurse RN) në spitalin Montefiore Medical Center–Wakefield Division.

Siç po e shikoni nga lajmet për ditë stafi mjekësor po infektohet e disa prej tyre kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm. Por ajo që unë kam frikë është momenti kur ka më shumë pacientë seç kemi ne mjete  dhe ilace, e pastaj do vijë puna kush do vihet në respirator e kush jo. Ajo nuk është aspak zgjedhje e lehtë sepse të gjithë jemi njerëz. A.M.

Jemi në Luftë boterore me një armik të padukshem, ju jeni direkt në vijën e parë të frontit

cila është  detyra juaj në spital për t’i shërbyer popullit amerikan?

Jam Registered Nurse RN në spitalin Montefiore Medical Center–Wakefield Division. Punoj aty prej 7 vjet e gjysmë. Punoj në Telemetry-Stepdown unit, me pak fjalë në repartin e kardiologisë që kujdesohet për pacientët  (shpesh janë në gjendje kritike) që kanë nevojë me monitorim constant.

Si e fillon ditën Albana deri sa shkoni në spital?

Alarmi im bie në 5 të mëngjesit. një falenderim Zotit për një ditë të re, bëhem gati, kafen në dorë, zgjoj femijët te bëhen gati per shkollë, dhe në oren 6:15 jam në makinë. Punën e kam larg gati 40 minuta. Nganjëherë kur jam rrugës flas me familjarët në Shqipëri në Whatsup, e pastaj vë muzikë shqiptare deri sa arrij në punë.  Turni im fillon 7:15 am. Punoj  3 ditë në jave nga 12 orë.

Si i menaxhoni efektet emocionale kur shikoni të sëmurë të traumatizuar nga kjo gjendje pandemike?

Kur e kam zgjedhur këtë profesion jam përgatitur shpirtërisht se vdekja ashtu si lindja, hidhërimi ashtu si gëzimi janë pjesë e jetës. Por në këtë situatë që po kalojme është shumë e vështirë. Pacientat jane vetëm, familjarët s’janë të lejuar t’i vizitojnë njerëizit e tyre dhe kjo e bën akoma më të dhimbshme situatën. Para 3 ditësh pata nje paciente -63 vjece që megjithëse provuam ti japim oxigjen me koncentrim te lartë prapë oxigjeni në gjak sa vinte e binte. Doktori e informon se hapi tjetër do ishte ta intubonim, pra do vendosnin tuba që ajo të merrte frymë. Pacientja ishte shumë e frikësuar ndërsa vellai i saj në anën tjetër të telefonit qante dhe i  thoshte se të gjithë do luteshin per të. Ula ilacet që i mbaja në dorë për ta vënë ne gjumë  e ja mbaja dorën duke i thënë se çdo gjë do të bëhet mire. Megjithëse e dija mirë qe aty s’ka garanci. Janë momente që lënë gjurmë në jetën tonë e do na duhet shumë punë psikologjike edhe me veten tonë për ti kapërcyer këto trauma.

Vazhdoj të lutem për ditë që Zoti t’i jap fund sa më shpejt kësaj krize që po jetojmë.

Cili është shqetësimi juaj kryesor si punonjëse e shëndetësisë kur ndodheni pranë pacientëve tuaj?

Të them të drejtën, 3 javë më pare kur pacienti i parë Covid- rule out erdhi në repartin tim më takoi atë dite mua. Ishte një zonjë nga shtëpia e pleqve në moshën 80 vjecare. Për një moment u shtanga e i thashë vetes pse më takoi mua? Pastaj i thashë vetes që “lufta” sapo filloi.

Tani kur shkoj në pavionin tim 98% e pacientave jane Covid +. Reparti ku unë punoj tani është kthyer në reanimacion të improvizuar, kurse ne stafit na kanë dhënë një “crash-course” për t’u kujdesur për këta pacienta që janë në gjendje shumë kritike. I gjithë spitali është mbushur me pacienta që jane pozitivë për Covid. Shumica e tyre janë në ventilators duke luftuar me jetën. Stafi në anën tjetër te shqetësuar sepse veshjet mbrojtëse të lënë për të dëshiruar. Siç po e shikoni nga lajmet për ditë stafi mjekësor po infektohet për ditë e disa prej tyre kanë vdekur nga ky virus i tmerrshëm. Por ajo që unë kam frikë është momenti kur ka më shumë pacientë seç kemi ne mjete  dhe ilace, e pastaj do vijë puna kush do vihet në respirator e kush jo. Ajo nuk është aspak zgjedhje e lehtë sepse të gjithë jemi njerëz.

Sa kohë keni që punoni në shëndetësi në Amerikë?

Jam duke punuar si RN prej 9 vitesh, por për 7 vite e gjysmë punoj këtu në Montefiore në të njëjtin repart. Të them të drejtën është si familja ime e dytë. Ditën më të parë kur unë fillova  punë u takova me një infermere që tani unë e të gjithë kolegët e mi e quajnë “mami im e dytë”.

Si u ndjetë kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të Frontit të Luftës?

Unë punoj në spital kështu që ishte e pashmangshme. Është e frikshme sepse kam 3 fëmijë adoloshenta dhe bashkëshortin në shtëpi. Frika që mund të infektoj veten, por edhe ato është gjithmonë në mendjen time. Por i them vetes që do Zoti edhe kësaj vështirësie do ja dalim mbanë.

Nju Jorku është epiqedra e Amerikës për nga numri i vdekjeve dhe i rritjes së numrit të pacientëve me Coronavirus dhe Covid 19, pse ndodhi kjo?

Arsyeja e parë është popullësia e lartë e NY, së dyti ne kemi Aeroportin JFK më të madh në vend nga ku fluturonin përafërsisht 100 mijë njerëz ne ditë nga të gjitha vendet e botës. Së treti,  ne kemi një numër të lartë të banorëve kinezë që jetojnë në 5 lagje të NY-ut që mund të kenë fluturuar për Vitin Ri Kinez në fillim të Shkurtit. Një tjetër arsye është shpejtësia me të cilin ky virus përhapet edhe kur nuk ke shumë symptoma. Së fundmi, unë mendoj që njerëzit po ashtu edhe qeveria nuk e morën  shumë seriozisht në fillim distancimin dhe situatën në përgjithësi.

A mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale?

Jam njeri pozitiv dhe dua ta besoj që ashtu siç erdhi shpejt do të iki shpejt. Na takon secilit nga ne të bëjmë punën tonë të mbrojmë veten dhe të tjerët duke u distancuar, duke qëndruar në shtëpi, të lajmë duartë e të disenfektojmë sa të jetë e mundur mjediset ku jetojmë.

Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe punonjëse në spitalet e Amerikës?

Shqipëria mori masa të menjëhershme që popullësia të jetë në kuarantinë dhe numri i te infektuarve është relativisht i vogël. Por përsa i përket shëndetësisë nqs ne në Amerike jemi të papërgatitur për këtë pandemi nuk dua ta mendoj se si do mund Shqipëria t’ia dalë mbanë nqs numri rritet ndjeshëm.

E kishit endërr të punonit në shëndetësi?

Une kam studiuar Matematikë dhe Juridik (dega e dytë) në Shqipëri. Kur erdha këtu u bëra nënë e 3 femijëve shumë shpejt, por megjithatë nuk doja t’i lija pas dore studimet. Në fillim fillova studimet me shumë pikëpytje në mendje. Pyesja veten të vazhdoj të studioj për mesuese matematike apo accounting siç më sugjeronte një profesor? Por në fund zgjodha shëndetësinë e më duket se ky profesion është “my calling”.

Në New York jetojnë shumë emigrantë shqiptarë. Keni pasur raste me pacientë shqiptarë?

Tek spitali im nuk kam pasur shumë, por tek Jacobi Hospital ka pasur. Fatkeqësisht kemi pasur dhe viktima të ketij virusi në komunitetin tonë.

Sa është i shqetësuar bashkeshorti apo familja juaj në Shqipëri apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në front të Luftës?

Të gjithë janë të shqetësuar kështu që unë më duhet të vendos një “brave face” dhe t’i qetësoj të gjithë. Ne jemi ato që zgjodhem këtë profesion dhe si edhe semundjet e tjera edhe kësaj do ja dalim mbanë. Shpresojmë që shumë shpejt testimet e castit, ilacet dhe nje vaksinë efikative to prodhohet për popullatën nënjë të ardhme të shpejtë.

Pse e ndërruat profesionin e mësuesisë me shëndetsinë dhe sa e vështirë ka qenë për të arritur këtë sukses në Amerikë?

Nga natyra jam një person që më pëlqen t;i ndihmoj njerëzit, kështu që ndërrimi i profesionit nuk më duket shumë drastik në këtë aspekt. Më sjell gëzim në zemrën time kur jam në gjëndje tëndihmoj sadopak. Nuk ka gjë me të bukur kur pacienti dhe familja e tij  me thonë “Thank you Alba, you are an Angel”.

Suksesi në Amerikë arrihet me punë të palodhur. Kam studiuar 4 vite në Lehman College – dega infermieri. Familjarët e mi kanë qenë bashkëvuajtësit e mi. Një dedikim të vecantë ka bashkeshorti im që nuk u lodh kurrë duke më mbështetur që unë ta realizoj jo vetëm ëndrrën time, por edhe të prindërve të mi. Ka punuar 3 punë të ndryshme për të paguar qeranë billat, shkollën time e babysitter. Kur i shoh fotot, kur jam diplomuar me tre femijët e mi shumë të vegjël emocionohem edhe tani.

Shpresoj dhe lutem të dalim sa më shpejt nga kjo situatë e krijuar në gjithë botën.

Ju faleminderit zonja Martinaj për bisedën dhe paçi shëndet!

Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare

3 Prill, 2020

New York