| E premte, 03.04.2020, 03:19 PM |
FRAGMENT PËR GJON GAZULLIN, NGA VEPRA E MARTIN CAMAJT
Nga Adil
FETAHU
“Gjith se sia marrësh, Gjon Gazulli qe një njeri tejet i
kapërthyem. Nga kjo rrethanë,zë fill ma së pari edhe mospërfillja e
bashkëkohorëve të tij, mandej edhe lanja mbasdore ose qitja në harresë e veprës
dhe e jetës së tij për pesë shekuj
rresht. E si mund të ishte ndryshe? As Pali dhe Ndreu, të dy vëlleznit, ndonëse
edhe ata të shtitëruem ndër letra, nuk e kuptonin Gjonin, jo ma bota! Të
vëlleznit vërtetë e çmonin si njeri të ditun vetëm për së largu, por ndërronin
mendim kur takoheshin, ngase arsyetimet, deri jeta që çonte humanisti u dukej
atyne fare e pa grat.
- Mirë – i kishin thanë ata të vellatë të parilemë – mirë
e ke që s’don të merresh me cikërrimet e përditës, por a e ke pleqnue nëse të
ka hije, me të tanë këtë za që ke, të zmbrapesh nga rrëmuja e ngjarjeve të
kohës?
- Qe, këtë barrë ua kam lënë juve, e këpuste kuvendin me
ta.
Pali dhe Ndreu, si përkrahës të Skanderbegut, merreshin
me diplomati; silleshin mes Durrësit, Raguzës e Budapestit, pa e lane me njenën
anë as tregtinë, për të qenë fare të pavarur, thoshin ata, për të veprue vetëm
për të mirën e vendit. Po qe se ndokush i pyeste si e kish punën Gjoni, dijetari,
me çfarë problemesh qenkej i zanun, s’dinin me i dhanë kurrë përgjigje të
saktë, ndonëse edhe ata afërsisht kishin pasë të njëjtën përgatitje
humanistike.
Ç’është thelbësore – thoshin përciptazi- mbetet për
vëllaun tonë ndërlidhja mes matematikës dhe astronomisë, në një anë, dhe
njeriut, në anën tjetër. – Për të mos përsëritë prore të njëjtat fjalë, e
sillnin gunën mbrapsht: Vëllau përpushet me ardhë te njoftime sintetike mbi
njeriun.
Kur largoheshin prej pritjeve ndër kurte të mëdha zotash
e mbretënsh të përmendur, Pali e Ndreu i thoshin njeni tjetrit me një si gjysmë
gazi në buzë:
Sgurisht, ai vëllau ynë e humb kohën më kot në decifrimin
e ndonjë pergamene të gjetun prej ndonjë tregtari venecian në Spanjë! Po flasim
mirë për të, sa të mundemi e sa të dimë për të mos ia prishë zanin e mirë.
Por kur këta, të
dy, binin ngusht dhe s’dinin t’i dalin në krye çështjes, e kërkonin dhe
i lypnin këshilla. Gjoni i lente të shfaqin imtësisht të dhanat e u thoshte që
të vinin nesër; ndërlidhte fijet e ngjarjeve njena për tjetrën, metodikisht,
dhe kur dukeshin ata përsëri tek ai, i mësonte se çka duhej të banin, kinse si
vëllau ma i madh e jo si ma i ditun se të vëllaznit, ma të rij. Gjithnjë i
këshillonte me i ndejë gati vetes sepse ata kishin gra e fëmijë. Familja
mbështetet në ju, u thoshte, tue lanë me nënkuptue se ai jetonte në një tjetër
botë të veçueme prej kohës e kufijsh tokësorë.
A e sheh? – i tha Pali Ndreut, kur u ndamë të mbramen
herë prej Gjonit.- Ai flet ma me bindje se për së gjalli ka vdekë për fëmijë e
vend. Bani ju, thotë, kështu e kështu, tue mos përmendë askund veten! Kësaj
here s’na ndien zema mirëpër dijetarin tone, – ankoheshin të vëlleznit e Gjon
Gazullit.- Çfarë fatzezësh paskemi qenë mos me jetue të tre bashkë, së paku në
një qytet”.(…).
(Fragment nga vepra letrare e Martin
Camajt, libri 3, me pesë novela: “Pishtarët
e natës”, “Shkundullima”, “Rrungaja në mars”, “Katundi me gjuhë të
fshehtë” dhe “Gjon Gazulli”, fq.305-307.
Po të shohim shkurtazi, kush ishte Gjon Gazulli, në të vërtetë).
* * *
KUSH ISHTE GJON GAZULLI
Gjon Gazuli (1400 -1465), ishte i biri i Gjin Gazullit, me prejardhje nga
Shqipëria e Veriut, nga Mirdita ose Zadrima e Shkodrës. Familja e tij ishte vendosur në Raguzë
(Dubrovniku i sotëm), që asokohe ishte republike në vete, sikur ishte Vendiku.
Nuk dihet viti kur kishte arritur në Raguzë
konkretisht familja e Gjon Gazullit, por ka të dhëna të vitit 1301 në
librat e Raguzës, në të cilat përmendën emra me mbiemrat Gazul, Gasulus,Gazola.
Nuk dihet saktë as datëlindja e tij, por dihet se Gjoni kishte edhe dy
vëllezër tjerë: Pali e Ndreu dhe motrën
Lucie. Sipas asaj që shkruan Martin
Camaj në novelën Gjon Gazuli, i ati i tyre (pa ia përmendur emrin, por
nga burime tjera dihet se quhej Gjin), ishte një tregtar – shitës pemësh e
perimesh në tregun e Raguzës, dhe se në rininë e hershme Gjoni i ndihmonte të
atit në punët e tij.
Gjoni kreu shkolla për jurisprudencë,
teologji dhe filozofi, në Raguzë dhe në Padovë. Pas kryerjes së
studimeve në Padovë në vitin 1428, dy vjet më vonë, më 31 janar 1430 fitoi titullin e doktorit të
shkencave të lira në Universitetin e
Padovës. Në ceremoninë e mbrojtjes së doktoratës kishin shkuar e marrë pjesë
shumë arbëreshë të Italisë dhe të Dalmacisë.
Më vonë (1436 - 1445, me ndonjë ndërprerje) u bë pedagog dhe shef i
katedrës së matematikës dhe astronomisë,
ndër më të përgatiturit dhe më të shquarit e pedagogëve të atij
Universiteti dhe më gjërë. Student i Gjonit ka qenë edhe astronomi i njohur
polak, Nikolla Koperniku. Fama e Gjon Gazullit, si shkencëtar dhe humanist
shkëlqeu në gjithë Europën e Rilindjes.
Gjoni, përveç si pedagog universiteti,
zuri vend të lartë në hierarkinë kishtare, shkencore, kulturore
e diplomatike dhe praktikisht ishte diplomat
i Skënderbeut në Raguzë, Romë, Budapest, Firencë, Sienë,Lubjanë. Ishte
rektor i shkollave të Raguzës, por për shkak të angazhimit pedagog në Universitetin e Padovës, posti i
rektorit të shkollave të Raguzës iu besua vëllait të tij Palit, i cili ishte
poashtu mjaft i përgatitur profesionalisht.
Përndryshe, edhe Pali dhe Ndreu
ishin diplomatë të emëruar të Skenderbeut, ndërsa për shkak
të moshës dhe angazhimeve në punën shkencore-hulumtuese Gjoni u tërhoq nga
diplomacia.
Testamenti i Gjon Gazullit
Dy ditë para se me ndërrua jetë, me shkrim të noteruar kishte lënë
testamentin për ndarjen e pasurisë së tij, duke mos harruar asnjë nga familjarët dhe bashkëpunëtorët e
tij. Testamentin e përpliuar më 17 shkurt 1465, e fillon: “Unë Gjon
Gazulli, duke kujtuar fjalën e urtë
ungjillore që thotë: jini të përgatitur, sepse nuk dini ditën, as
çastin, i dobësuar nga shëndeti, por i kthjellët në mendje dhe vetëdije, po
caktoj kështu dhe po përpiloj testamentin tim të fundit”, dhe vazhdon
me përpikmëri duke ndarë pasurinë që kishte lënë. Natyrisht, testamentin
e ka shkruar në gjuhën latine, që përdorej atëherë gjithandej, e lere më në
Raguzë. Kishte një shtëpi rrënzë
Ankoras, një sasi financa dhe pasuria e tij më e madhe ishte në libra të shumta
e të ndryshme. Me testament, të gjitha librat
e të drejtës ligjore dhe librat e shenjta ia ka lënë Katedrales së
Raguzës, ndërsa librat tjera ua ka lënë kishave, bibliotekave ose
personaliteteve të caktuara. Pasurinë
financiare e ndau në shumë persona nga
rrethi familjar dhe i bashkëpunëtorëve, la për të sëmurët nga leproza, madje
nga tre grosh t’iu jepen të gjithë priftërve të Raguzës, që t’i luten Zotit për
shpirtin e tij.
Pas dy ditëve që kishte nënshkruar
testamentin, në prani të dëshmitarëve, Zyra Noteriale e Raguzës shpalli
se Gjoni kishte ndërruar jetë.
Gjergj Kastrioti - Skënderbeu e
kishte cilësuar Gjon Gazullin si yllë i ndritur i Arbërisë.