Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Frank Shkreli: 75 vjet nga Masakra e Tivarit - as drejtësi as përgjegjësi historike

| E merkure, 01.04.2020, 01:59 PM |


75-VJETË NGA MASAKRA E TIVARIT - AS DREJTËSI AS PËRGJEGJËSI HISTORIKE

Nga Frank Shkreli

Masakrimi i mijëra shqiptarëve të pafajshëm nga Kosova gjatë rrugëtimit të tyre të detyruar për në kasaphanen e Tivarit në vitin 1945, mund të cilësohet lehtë si një tradhëti e madhe kombëtare.  Ndonëse ky vit shënon 75 vjetorin e kësaj masakre dhe megjithse ka patur ndonjë botim aty këtu që hedhë sado pak dritë dhe zbardhë dokumente historike mbi këtë tradhëti, e gjithë kjo tragjedi nuk ka tërhequr kurrë interesimin që meriton, e lere më përcaktimin e drejtësisë dhe të përgjegjësisë historike, qoftë nga Shqipëria post-komuniste, e nga Serbia dhe Mali i Zi, jo se jo.  Fatkeqësisht, as Republika e Kosovës, nuk ka treguar ndonjë interesim zyrtar për të zbuluar të vërtetën e kësaj masakre, me ndonjë përjashtim të ndonjë deklarate përkujtimore nga udhëheqsit e atij vendi, siç ishin sivjet deklaratat e shkrutëra të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj.  Presidenti Thaçi e kujtojë këtë përvjetor, të dielën që kaloi, me një deklaratë në faqen e tij të internetit me këto fjalë:

“Pas shuarjes së kryengritjes të komandantit Shaban Polluzha, Masakra e Tivarit është ndër krimet më të rënda ndaj shqiptarëve në vitin 1945. Të çarmatosur, të uritur, të etur, mijëra shqiptarë u nisën drejt vdekjes së planifikuar nga kreu ushtarak dhe politik jugosllav. Ky krim u përpoq të minimizohet dhe të heshtet në politikat jugosllave dhe serbe në kontekstin e fitores mbi fashizmin, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.  Por, pavarësisht ngufatjes së gjatë, shqiptarët kurrë nuk e harruan këtë krim monstruoz, për të cilin askush nga ideatorët dhe ekzekutuesit nuk është vënë para drejtësisë.  Masakra e Tivarit hyn në radhën e krimeve kundër njerëzimit, e kryer sot e 75 vjet më parë”.

Ndërsa ish-Kryeministri Ramush Haradinaj e ka cilësuar Masakrën e Tivarit si një ndër faqet më të errëta të historisë së Ballkanit: “Tragjedia e Tivarit, një ngjarje e mohuar nga qeveritë komuniste, është ndër faqet më të errëta të historisë së Ballkanit.  Kolonat e të rinjve kosovarë, të mobilizuar për luftë antifashiste, u tradhtuan dhe u vranë si gjatë rrugës, ashtu edhe në Tivar e Dubrovnik, prej fundit të marsit e deri në gjysmën e prillit 1945.  Duke kujtuar të gjithë ata që ranë, e që janë mbi 4000, por edhe ata që i shpëtuan ferrit të Tivarit, apeloj që kjo ngjarje të zbardhet sa më shumë nga historia, pa anime politike e ideologjike. Lavdi të rënëve!”

Ajo që nuk mund të mohohet është fakti se ata të shkretë u tradhëtuan dhe ashtu të çarmatosur, si rrjedhim, u vranë dhe u masakruan nga elementët më kriminel të ushtrisë jugosllave dhe të Partisë Komuniste serbo-malazeze, me dijeninë dhe bashkpunimin e shokëve të tyre ideologjikë të Partisë Komuniste shqiptare dhe të regjimit të Enver Hoxhës.  Sot, kryesisht, kjo masakër është hedhur në harresë, me ndonjë përjashtim aty këtu, siç janë deklaratat e mësipërme të dy udhëheqësve të Kosovës.  Është një gjë shumë e mirë që Thaçi e Haradinaj, të pakën, e kujtojnë maskarën e Tivarit me një deklaratë në faqen e tyre të internetit.  Por, fatkeqësisht, edhe në deklaratat e zotërinjve Thaçi dhe Haradinaj vihet re një mungesë sinqeriteti dhe një hesitim për ta quajtuar masakrën, organizatorët e saj serbo-malazezë dhe bashkpuntorët e tyre komunistë shqiptarë, me fjalët që meriton: Masakra e Tivarit ishte një akt kriminal dhe tradhëti kombëtare e bashkrenduar mirë midis komunistëve shqiptarë dhe shokëve të tyre jugosllavë, për të eliminuar çdo rezistencë ndaj regjimeve të tyre komuniste.  Se masakrimi i shqiptarëve nga Kosova 75-vjet më parë në Tivar, ishte pjesë e një terrori të organizuar mirë dhe një likuidim i qëllimshëm në masë të shqiptarëve, i përpiluar me kujdes nga autoritetet komuniste jugosllave, të cilat ndër të tjera, donin që me çdo kusht të mos lejonin zbatimin e vendimeve të mbledhjes së Bujanit për vetqeverisjen dhe bashkimin e Kosovës me Shqipëri.  Në këtë përpjekje djallëzore, sipas shumë të dhënave zyrtare dhe dëshmitarëve, autoritetet komuniste jugosllave kishin mbështetjen e plotë të Partisë Komuniste Shqiptare, në krye me Enver Hoxhën.  Për sllavët, kjo masakër ishte në përputhje të plotë me planet e herëshme afatgjata të serbo-malazezve komunistë për të spastruar etnikisht trojet shqiptare nën ish-Jugosllavinë.

Në kujtim të 75-vjetorit të masakrës së Tivarit, Presidenti Thaçi u shpreh se,“Ky krim u përpoq të minimizohet dhe të heshtet në politikat jugosllave dhe serbe në kontekstin e fitores mbi fashizmin, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.” Zoti President, sa për informacion, edhe regjimi komunist në Tiranë si edhe ai komunist në Kosovën nën ish-Jugosllavi, kanë heshtur gjithashtu në lidhje me këtë masakër, sepse ishin vet bashkpuntorë në këtë krim dhe tradhti kombëtare.  I takon brezit tënd të politikanëve shqiptarë, në të dy anët e kufirit, që të mos heshtni më, por të ngulni këmbë për zbardhjen e kësaj masakre, të cilën me të drejtë e quani si një krim kundër njerërzimit, në deklaratën tuaj.  Një deklaratë e shkurtë në kujtim të këtij përvjetori, të këtij krimi kundër njerëzimit, nuk mjafton, Z. President!

Krimet komuniste, sidomos ato kundër shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre nga komunistët jugosllavë dhe shqiptarë, përfshirë masakrën e Tivarit, nuk mund të trajtohen më si çështje për të cilat nuk mund të flitet.  Historianët të hapin tanimë dosjet dhe arkivat e shteteve përkatëse, për të zbuluar të vërtetën historike, përfshirë edhe përcaktimin se kush ishin përgjegjësit, bashkpuntorët dhe protagonistët kryesorë që dhanë urdhërat dhe ata që kryen këtë krim kundër njerëzimit, duke vrarë mijëra shqiptarë të pafajshëm, vetëm se ishin shqiptarë.

Megjithse historiografia komuniste e kishte shlyer masakrën e Tivarit për pothuaj një gjysëm shekulli nga historia, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ajo është dhe mbetet një ngjarje që nuk mund të harrohet dhe as të zhduket lehtë nga kujtesa historike e kombit shqiptar.  Duhet të kërkohet drejtësi dhe përgjëgjësi historike!

75-vjet më vonë, nuk duhet patur frikë nga transparenca dhe as nga zbulimi i së vërtetës mbi krimet komuniste në Ballkan, sidomos krimet kundër shqiptarëve, gjatë dhe pas Luftës së dytë Botërore.  Mos zbardhja e kësaj masakre dhe e krimeve të tjera, anë e mbanë trojeve shqiptare, nga regjimet komuniste shqiptare dhe jugosllave do të vazhdojnë të hedhin një hije të zezë mbi ndërgjegjen morale dhe të ardhmen e kombit shqiptar.  Zbardhja e së vërtetës mbi Masakrën e Tivarit -- për të cilin askush nga ideatorët, ekzekutuesit dhe bashkpuntorët e tyre nuk është vënë para drejtësisë -- vetëm do të çojë në përmirësimin e marrëdhënieve, jo vetëm midis shqiptarëve, por edhe midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe marrëdhëniet e Shqipërisë dhe të Kosovës me Malin e Zi, aty ku është bërë masakra.  Zbardhja e Masakrës së Tivarit është një përgjegjësi personale, morale dhe kombëtare për përfaqsuesit e politikës aktuale shqiptare dhe për historianët e mirëfilltë, jo vetëm për për hir të së vërtetës historike, por dhe në shërbim të drejtësisë dhe përgjegjësisë kombëtare.