| E marte, 31.03.2020, 08:06 PM |
Bisedë me znj. Bora Qehaja nga Fronti i Luftes në Itali
Zonja Bora Qehaja
shërben në Istitutin Clinico Beato Matteo Vigevano, regjoni Lombardia.
Ajo është në vijën
e parë të Frontit të Luftës në një nga vendet më të prekura në botë nga Covid
19. Ajo shprehet se unë jam rritur në
një vend që e ka bazë humanizmin dhe kjo forcohet më shumë kur punon pranë të
sëmurëve që kërkojnë ndihmë për t’u shëruar sa më shpejt.
Në këtë kohë pandemike që po kalon gjithë bota, Italia është në vendin e
parë që është goditur shumë keq cila është
detyra juaj në spital për t’i shërbyer popullit italian?
Unë punoj
asistente në sallën e ndërhyrjeve të kirurgjisë ortopedike urologjike në
Istitutin Clinico Beato Matteo Vigevano, regjoni Lombardia. Italia zë vendin e parë për nga humbjet
njerëzore në botë, ngase shkaku kryesor është numri i lartë i të moshuarve që
vuajnë edhe nga sëmundje të tjera, por që i bëjnë pacientët shumë të rrezikuar
nga virusi. Spitali ku punoj për hir të
situatës së krijuar në Lombardi ka ndryshuar drejtimin se nuk kishim repart të
sëmundjeve infective, prandaj u detyruan të përshtatnin spitalin.
Cili është shqetësimi juaj kryesor si punonjëse e shëndetësisë kur ndodheni
pranë pacientëve tuaj?
Shqetesimi është i
gjithanshëm, por në radhë të parë vjen jeta e pacientëve për t’i shëruar e
shpëtuar jetën e tyre sa më parë. Unë
jam rritur në një vend që e ka bazë humanizmin dhe kjo forcohet më shumë kur
punon pranë të sëmurëve që kërkojnë ndihmë për t’u shëruar sa më shpejt. Të gjithe të sëmurët me virus nuk kanë pranë
familjarët e tyre ngase nuk lejohet asnjë vizitë në spital për shkak të
infektimit. Shumë nga pacientët humbin
jetën e tyre pa u dhënë as lamtumirën e fundit familjarëve. Kjo është e dhimbshme por duhet t’i
nënshtrohemi rregullave të rrepta të shëndetsise botërore. Të vdekurve nuk u bëhet asnjë funeral,
familjarët marrin njoftime për gjendjen e të sëmurit dhe vdekjen e tyre nga
administrata e lartë e spitalit.
Sa kohë keni që punoni në shendetësi në Itali?
Kam 12 vjet që
punoj pranë këtij spitali me përkushtim dhe ndershmëri.
Si u ndjeve kur ju dhanë detyrën se ju do të jeni në vijën e parë të
Frontit të Luftës?
Nuk është e lehtë,
por detyra ime është e tillë të jem në dispozicion të sëmurëve duke rrezikuar
jetën time për të shpëtuar të tyren. Pse
ta fsheh, frika të shoqëron përditë. Po
situata e krijuar nuk na lejon të mendojmë gjatë, humbjet e tyre para syve tanë
janë dramatike dhe shumë të dhimbshme…
A mendoni se do të zhduket së shpejti kjo epidemi globale?
Këtu në Itali me gjithë numrin e madh të vdekjeve patjetër që kemi
shpresë . Shpresa na bën të ndihemi të fortë dhe më të bashkuar se
kurrë. Po merren masa më të rrepta për izolimin nga qeveria. Shpresoj t’ja dalim.
Si mendoni për gjendjen e Shqipërisë parë me syrin tuaj si shqiptare dhe
punonjese në spitalet e Italisë?
Shqipëria po
përpiqet të eci përpara, por 30 vite tranzicion janë shumë. është për të ardhur
keq që vendi ynë akoma nuk është në trupin e Bashkimit Europian.
Sistemi shëndetsor
në Shqipëri lë shumë per të dëshiruar, por besoj se ata mund të jene më me fat
se këtu në Itali kesaj radhe për shkak të rasteve të shumta tragjike që kanë
ndodhur.
E kishit endërr të punonit në shëndetësi?
Deshira ime ka
qenë gjithmonë të punoj në shendetësi dhe këtu pata mundësi të punoj dhe të
jetoj me dinjitet. Këtë ëndërr ma realizoi Italia ku punoj dhe jetoj, vendi që
për shumë emigrantë si unë është bërë Atdheu i dytë.
Sa është e shqetësuar familja juaj në Shqipëri apo kudo ku ata jetojnë pasi ju jeni direkt në front të Luftës?
Njerëzit e mi të
dashur janë shumë të shqetësuar që nga nëna ime në Tropojë e deri tek vëllai im
Mark Qehaja në Nju Jork i cili më merr vazhdimisht dhe më inkurajon. E ndjej
shumë mungesën e tyre. Unë nuk kam shumë kohë të flas për hir të turneve të
gjata, por i lexoj mesazhet e thirrjet në ato pak orë pushimi që mund të kem
dhe më sjellin pozitivitet dhe më shumë forcë.
Shpresoj dhe lutem
të dalim sa më shpejt nga kjo situatë e krijuar në gjithë botën.
Ju faleminderit
zonja Qehaja për bisedën dhe paci shëndet!
Bisedoi Keze Kozeta Zylo, gazetare, shkrimtare
30 Mars, 2020
New York