| E hene, 30.03.2020, 07:55 PM |
PËR NJË “ARMËPUSHIM” POLITIK NË BOTËN SHQIPTARE, PËRBALLË LUFTËS SË VËRTETË BOTËRORE KUNDËR KORONAVIRUSI
NGA
FRANK SHKRELI
Javën
që kaloi, Sekretari i Përgjithëshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara,
(OKB-së) Antonio Gutierres bëri thirrje për një armëpushim global, me qëllim që
bota të përqendrohet në atë që ai e cilësoi si, “luftën tonë të vërtetë”,
kundër koronavirusit, armikut të përbashkët, i cili tani po kërcënon mbarë
njerëzimin.
“Shpërthimi
i koronavirusit ilustron marrëzinë e luftës” dhe konflikteve, tha udhëheqësi i
organizatës botërore. “Kjo është arsyeja
pse sot po bëj thirrje për një armëpushim të menjëherëshëm global, në të katër
anët e botës. Ka ardhur koha që t’u
jepet fund konflikteve të armatosura dhe të pëqendrohemi të gjithë së bashku në
luftën për shpëtimin e jetëve tona”, është shprehur Antonio Gutierres. Shefi i OKB-së nënvijoi faktin se koronavirusi
(COVID-19) nuk dallon njerëzit që prek për nga kombësia, etniciteti, as nga
ndryshimet dhe dallimet midis popujve dhe individëve, por i sulmon të gjithë,
pa dallim dhe pa mëshirë. Antonio
Gutierrez u bëri thirrje palëve në konlikt, që të tërhiqen nga konfliktet dhe
të lënë mënjanë armiqësitë dhe mosbesimin ndaj njëri tjetrit. Ndalimi i konflikteve kudo qoftë, është gjëja
për të cilën familja njerëzore ka nevojë sot më shumë se kurrë, për të luftuar
këtë sëmundje që po shkundë botën, ka thënë Antonio Guitierrez.
Thirrjes
së Sekretarit të Përgjithëshëm të Kombeve të Bashkuara për një armpushim global
dhe për ndalimin e konflikteve në mbarë botën, iu bashkua edhe Papa Françesku i
cili, ditët e fundit, bëri thirrje për bashkim dhe solidaritet, përballë kësaj
murtaje. “Shpresoj që lufta jonë e
përbashkët kundër koronavirusit të na kujtojë dhe të na bindë për nevojën e
madhe për të forcuar lidhjet tona vëllazërore, si anëtarë të një familjeje
njerëzore”, ka thënë Papa, duke thekësuar se “Veçanërisht, shpresojmë që lufta
kundër koronavirusit të frymëzojë një angazhim të ri për mënjanimin e
konflikteve në radhët e udhëheqësve të vendeve dhe të palëve të ndryshme të
botës, të përziera në konflikte”, duke thekësuar se, antagonizmat dhe
ndryshimet që shkaktojnë konflikte midis palëve dhe individëve, “duhet të
zhduken nepërmjet dialogut dhe përpjekjeve konstruktive për pajtim dhe për paqë
midis individëve dhe vendeve, është shprehur udhëheqësi shpirtëror i Kishës
Katolike, Papa Françesku.
Mesazhi
i Shefit të OKB-së dhe Papës, për ndalimin e konflikteve dhe për armpushim në
këtë kohë, i është drejtuar udhëheqësve të vendeve të botës -- pothuaj 180
gjithsejt prej tyre -- të prekura nga koronavirusi. Por duke lexuar mesazhet e tyre, domosdo,
“gjuha shkon ku të dhëmb dhëmbi”, atje tek klasa politike shqiptare dhe tek
konfliktet e tyre të fundit për pushtet, në Shqipëri dhe në Kosovë – e sidomos
në Kosovë, këto ditë me rreximin e qeveris Kurti -- madje edhe në këtë periudhë
kur bota është e përqendruar në luftën kundër përhapjes së koronavirusit.
Në
vend që në këtë moment të kemi bashkim dhe solidaritet në radhët e klasës
politike shqiptare, përballë luftës kundër koronavirusit, siç bëjnë thirrje
Shefi i OKB-së, Antonio Gutierres dhe Papa Françesku -- sidomos në Prishtinë, por
pa përjashtuar edhe Tiranën zyrtare, gjatë kësaj kohe është arritur,
fatkeqësisht, kulmi i konflikteve politike – konflikte këto që çuan, kohët e
fundit, në rrëximin e qeverisë së Kryeministrit Albin Kurtit nga Kuvendi i
Republikës së Kosovës. Në vend që
qeveria e re prej vetëm pesë javësh e Kryeministrit Kurti të përballej me
mobilizimin e shoqërisë për t’iu përgjigjur kësaj krize serioze shëndetësore
për kombin dhe për botën, e njëkohësisht të minimizonte efektet e kësaj
sëmundjeje të rëndë në ekonominë dhe në jetën e përgjithshëme të vendit –ajo
qeveri është rrëzuar në momentin më të papërshtatshëm për Kosovën, duke i
shkaktuar vendit edhe një traumë të rëndë politiko-ekonomike, mos ndoshta edhe
më të keqe për stabilitetin, sigurinë dhe paqën afatgjatë të vendit -- përveç
sëmundjes së pamëshirëshme të koronavirusit.
Është
vështirë të thuhet se cila krizë, më në fund,do
të ketë pasoja më të rrezikshme për Kosovën, ajo e koronavirusit a po
rreziku i përbrendshëm, i shkaktuar nga rrëximi i qeverisë Kurtid he nga
konfliktet politike të pafund, për të cilat njihet klasa politike
shqiptare. Unë e thashë para disa
ditëve, në një shkrim modest,se diçka nuk është në rregull me politikën
shqiptare në Prishtinë dhe se kjo nuk ishte koha të rrëxohej qeveria e Kryeministrit
Kurti. Kriza aktuale politike në
Prishtinë, tregon gjithashtu se diçka nuk është në rregull as me politikën e
Tiranës zyrtare karshi Kosovës, se me politikën kombëtare, në përgjithësi, jo
se jo. Për më tepër, jam dakort gjithashtu edhe me Kongresmenin e
njohur amerikan dhe mbështetësin e vjetër të çështjeve shqiptare, sidomos
Kosovës, Eliot Engel, se si përfundim i veprimtarive të fundit i të dërguarit
të Presidentit Trump për Kosovën, ambasadorit, Richard Grenell – diçka nuk
është në rregull as me politikën amerikane, të kohëve të fundit, karshi
Kosovës.
Diçka
nuk shkon këtu! Dikush në Prishtinë dhe në Tiranë duhet të japë llogari se si
kemi ardhur deri tek ky lamsh, të cilit është vështirë t’i gjëndet filli, përsa
u përket marrëdhënieve të shkëlqyeshme të deritanishme midis Shteteve të
Bashkuara me Kosovën. Kosova gjëndet
përballë një situate pothuaj apokaliptike si shtet i pavarur e sovran. Shtetet e Bashkuara, që dikur flisnin me një
zë të fuqishëm në favor të Kosovës, tani kanë dy përfaqsues zyrtar, që në sipërfaqe duket sikur nuk ndjekin aspak
një politikë të bashkrenduar: njëri përfaqsues i Shtëpisë Bardhë e tjetri i
Departamentit të Shtetit, përfshirë edhe disa zëdhënës të tjerë amerikanë të
cilët nuk duhej të flisnin fare për Kosovën.
Të pakën, publikisht, këta gjithnjë shprehen si mbështetës të Kosovës,
megjithëse deklaratat e tyre, nganjëherë kontradiktore, janë gjithnjë e më
vështira t’u besojmë.
Situata
është edhe më keq me marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian. Brukseli ka
në krye të politikës së jashtme një individ që në të kaluarën është shprehur
kundër pavarësisë së Kosovës dhe i cili vjen nga një vend që ende nuk e ka
njohur shtetin e Kosovës. Për më tepër,
kohët e fundit, duke venë një qershi mbi tortën e marrëdhënieve me Kosovën,
BE-ja ka propozuar një përfaqsues të posaçëm për të ashtuquajturin dialog
Kosovë-Serbi. Edhe ai, si bosi i tij që
e ka përzgjedhur në atë post, është një mohues i pavarësisë së Kosovës dhe
rrjedh nga një vend i BE-së, që gjithashtu nuk e njeh ende pavarësinë e
Kosovës.
Por
ka edhe më keq, Tirana zyrtare, nepërmjet Kryeministrit të vendit, që dikur
fliste në emër të Kosovës me mburrje dhe patriotizëm, ndërsa herë tjera hidhte
gurin e fshihte dorën në këtë drejtim, tashti kemi vetëm heshtje nga shteti amë
për ato që po ndodhin me Kosovën, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kam
drojë se dëmi është bërë dhe më e keqja që mund të ketë ndodhur nuk ka më
këthesë. Kini venë re gjtihashtu se edhe
Beogradi e Moska zyrtare heshtin për gjëndjen e krijuar politike në
Kosovë. Rusia dhe Serbia me
bashkpuntorët e tyre në radhët e shqiptarëve dhe me miqët e tyre ndërkombëtarë
e kanë hedhur Kosovën në kurthë – në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar – ashtu
siç u duhet dhe ku e duan:të përçarë dhe të ndarë brenda vetes dhe të izoluar
ndërkombëtarisht!
Si
rrjedhim, Kosova dhe mbarë shqiptaria, nuk i ka pasur kurr më keq punët në këto
30-vjet post-komunizëm! Si rrjedhim dhe
para se të keqësohen punët edhe më tepër, është e nevojshëm një reflektim i
përmasave kombëtare dhe një këthim prej 180 gradësh. Uroj që në këtë periudhë lufte kundër
koronavirusit, të përfillni thirrjen e Shefit të OKB-së dhe Papës, për bashkim
dhe solidaritet vëllazëror me shpresën se lufta kundër koronavirusit do t’ju
frymëzojë për një angazhim të ri për mënjanimin e konflikteve. Që në vend të konflikteve politike të pafund
– për hir të atij populli të vuajtur --të merreni me sfidat serioze me të cilat
përballet Kombi shqiptar, përfshirë krizën aktuale të koronavirusit. Koronavirusi nuk njeh PDK, LDK, Vetvendosje,
Parti Socialiste, Parti Demokrate e ku ta dijë unë se sa dyzina partishë të
tjera. Ky është momenti që kërkon
bashkim dhe solidaritet, pikëspari midis shqiptarërve me njëri tjetrin, por
edhe më gjërë. Nuk mund të presim që faktori
ndërkombëtar të jetë i bashkuar me një qëndrim për fatin e Kosovës dhe të
Shqipërisë, kur vetë shqiptarët janë të ndarë e të percarë për të ardhmen e
vet. Nuk është për t’u habitur pra, që
sjelljet e ndërkombëtarëve me Kosovën dhe me Shqipërinë, thjeshtë, reflektojnë
atmosferën politike të grindjeve të pafund, në radhët e klasës politike të dy
shteteve shqiptare!