| E shtune, 28.03.2020, 11:07 AM |
VËSHTRIM PËR LIBRIN POETIK “LULJA NË GUR”, TË POETIT NAIM SALIHUT
Nga Ma.
Sc. Fatmir HALIMI
Poeti i talentuar Naim Salihu, gjatë këtij fillim viti
para lexuesve tanë po paraqitet me veprën tjetër poetike “Lulja në gur”.Libri”Lulja në
gur”, si vepër poetike në vete ngërthen motive e ndjesi të ndryshme, me një
larushi të ideve dhe ngjarjeve që trajton, përmes së cilave është paraqit
gjendja sociale e njeriut të sotëm në e
këto hapësira shqiptare, por edhe jeta e shqiptarit në mërgim. Marrë në tërësi
si një vepër poetike me një ndjesi të hollë shpirtërore, është e mbështjell me
ngjarje të ndryshme, të cilat e rrethojnë individin tonë të pasluftës, mllefin
e tij për dukuritë negative, për ngecjen e zhvillimit të jetës, për
oportunizmin, e për shume e shumë dukuri të tjera.
Te libri “Lulja në gur”, poeti Salihu shpëtimin
dhe ngushëllimin e vetëm të jetës e gjen te lulja. Lulja për të, së pari është
mbretëreshë e natyrës, sepse pa lule nuk ka kuptim pranvera, nuk ka kuptim as
gjelbërimi i krejt natyrës tokësore, pra lulja gjithsesi dhe domosdoshmërisht
duhet të jetë prezente në çdo hapësirë të planetit tonë të quajtur Tokë.
Përdorimi i figurave dhe tropeve
stilistike
Sa i përket figuracionit poetik të veprës “Lulja në
gur” përgjithësisht ka një figuracion të mjaftueshëm, që ajo të trajtohet
si libër me vlera të larta letrare artistike. Me ketë rast dua të them se poeti Salihu ka edhe tendencë të
krijimit të figurave dhe tropeve stilistike të reja, për të cilat ndoshta edhe
nuk i kemi hasur deri më sot te poetët tanë që po e zhvillojnë poezinë
bashkëkohore, ku do të përmendi këto trope stilistike si: Lulja (lulet), varr, livadh, , hënë, ylli
qiell, era, lisi, vetulla, dora, syri, të cilat varësisht nga përdorimin marrin
fuqi dhe vlera te caktuara artistike. Kurse sa i përket fjalëve të ndërtuara si
figura stilistike do të veçoj këto si: natë, errësirë, bubullimë shtëllung,
tym, gjumë këmbëkryq etj.
Poeti Salihu për nga stili i ndërtimit të vargjeve dhe
për nga përdorimi i figurave stilistike është shumë modern dhe bashkëkohor, por
në qasje dhe trajtim na e krijon përshtypjen se nganjëherë përgjason me Lasgushin, pasi që e dimë se ta ai figurë
dominate e tij ishte ylli, kurse te poeti Salihu figurë domionate është lulja,
e cila merr edhe konotacionet e një metafore të fuqishme në libër. Përveç
metaforës vijnë në shprehje edhe figurat e tjera si; metonimia, simboli,
alegoria, epiteti, krahasim, e shumë të tjera.
Poezia e Naimit përgjithësisht mund të trajtohet në tri
motive, si motivi patriotik, motivi social dhe ai i dashurisë.
Te motivi patriotik vlen të përmenden poezitë si: Baci,
Jeta hapëron, etj, ku poeti veçon se kur e do nevoja, shqiptarët kudo që
janë dinë të jenë të bashkuar e t’i ndihmojnë njëri-tjetrit, “hatanë e
shporrin/e në krah shqiponje e ndërtojnë kalanë”. Kurse te motivi social do
të përmendja baladën Në tokën time, e cila është një baladë satirike,
por me një përfundim ngazëllues e shpresëdhënës, për një të ardhme më të mirë
në tokën e poetit, ose më mirë të thosha për ditë më të mira në atdheun tonë të
shenjtë, të larë me gjak përgjatë gjithë historisë e deri në luftën e fundit,
kur edhe e fituam lirinë.
Poeti Salihu, përveç shprehjeve më të bukura që i gjen
për trimërinë e popullit tonë, e sidomos për heronjtë, siç është poezia për
Adem Jasharin BACI; mandej disa poezi për nënën e tij në Prishtinë, dhe disa të
tjera për dashurinë e madhe që autori e ndjen ai për Shqipërinë, si atdheu i
përbashkët i të gjithë shqiptareve kudo që janë, por mbi të gjitha penda e tij
shkëlqen te poezitë erotike ose të dashurisë, siç janë: Drithërimë, Dashuri
e egër, Gaca në zemër, Nga zabeli, Shtriga e dashurisë, Më kujtohet, etj.
Pra poeti nuk e lë anash temën e dashurisë, të cilën e
trajton mjaftë bukur me një gjuhë shumë të zgjedhur poetike. Tema e dashurisë
te poezitë e Salihut është e ndërtuar mbi motivet idilike e bukolike, e ndërtuara
me figura stilistike si këto; livadhi, lëndina, mali, kumbulla rrushi, qershia
e shumë të tjera, për mes të cilave poeti lexuesit e moshës së mesme, apo të
vjetër i kthen prapa në kujtesë, kurse të rinjtë i fut në andralla, se si mund
të jetë një dashuri plot ndjenja dhe plot sinqeritet. Te motivi i dashurisë
përveç poezive bukolike, poeti shkëlqyeshëm thurë edhe elegji për dashurinë,
për vdekjen e të dashurës. Kjo shprehet shumë fuqishëm te elegjia Drithërimë,
ku autori e kujton me nostalgji bukurinë e saj, por për lajmin e vdekjes
shprehet kështu:
DRITHËRIMË
“Përbirova gjerdanin
Dhe u ula në mendime
Ankthi mu bë duq
në zemrën time
Tani ajo
mbylli sytë
në atë botën e gjatë
drithërimat më përqafojnë
e
dita mu bë natë”
Autorit Salihu i uroj të mos ndalet së shkruari, që edhe
në të ardhme të na sjellë vargje të veçanta, me kaq ndjesi e frymëzim të ri.