| E premte, 27.03.2020, 05:49 PM |
A i ka mbet gjë Lidhjes Demokratike nga filozofia e Ibrahim Rugovës?!
Nga
Enver Bytyçi
Para
pak ditësh kam shkruar dhe vënë në dukje se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk
është më parti e të madhit Ibrahim Rugova, por patericë e Hashim Thaçit. Për
Isa Mustafën e kam thënë këtë fakt që kur ai para katër vitesh e bëri Hashim
Thaçin president. Mbrëmë u binda se nuk kam gabuar asnjë milimetër në
përcaktimet e mia.
Por
nuk bien dakord me mua shumë anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së. Sinqerisht kjo
nuk më lëndon, sepse secili ka të drejtën e vet të bindet për ndryshimin që
sheh. Vetëm ata që janë të lidhur me interesa me partitë nuk marr përsipër t’i
bind, sepse ku është interesi nuk është e vërteta. Prandaj dua të ve në dukje
vetëm disa, dallime midis Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës dhe kësaj që
ka në dorë Isa Mustafa, (kupto: Hashim Thaçi).
Partia
e Rugovës kishte objektiva, ishte alternativë, ishte trup, ishte parti e
synimeve, vizioneve, dhe ideve të mëdha kombëtare. Si e tillë ajo përcaktoi
strategjitë e aleancave, marrëdhënieve, marrëveshjeve, por me një bosht moral
të përcaktuar e të pandryshueshëm. Nuk lëvizi LDK dhe lideri i saj historik
asnjë çast nga parimet e përcaktuara. Nuk iu shmang asnjëherë detyrës ndaj
Kosovës e atdheut. Kishte një përcaktim: Kosova e pavarur, me kufij të hapur,
në miqësi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe Bashkimin Europian.
Isa
Mustafa nuk e bëri as edhe një ditë LDK alternativë, e shndërroi në degë e
gjethe të Hashim Thaçit dhe PDK-së. Isa Mustafa nuk mbaj mend të ketë përpunuar
asnjë ide origjinale për shtetin dhe për Kosovën, përveç retorikës së
trashëgimisë së Ibrahim Rugovës. Institucionalizmin e Rugovës e përdor si
gjethe fiku në mbrojtje të interesave të pushtetit dhe të pasurisë së Hashim
Thaçit. Miqësinë me Shtetet e Bashkuara e përdor si mjet për t’u armiqësuar me
Europën dhe për më keq për të realizuar projektin e treshes Vuçiq-Thaçi dhe
Rama për ndarjen e Kosovës. Nëse LDK do ta krijojë qeverinë e ardhshme pas
kësaj që u rrëzua, Hashim Thaçi do ta marrë për dore kryeministrin e saj dhe do
ta përdorë si sfond në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së tradhtisë.
Ibrahim
Rugova themeloi doktrinën e aleancës së shenjtë me Shtetet e Bashkuara të
Amerikës. Por ruajti ekuilibra të admirueshme me Bashkimin Europian, sidomos me
Berlinin, Londrën, Parisin, Romën e madje edhe me Madridin. Isa Mustafa për
realizimin e interesave të Hashim Thaçit e shndërroi LDK-në në kundërshtare të
interesave evropiane në Kosovë e në rajon. Kurrë Ibrahim Rugova nuk do të
kishte pranuar të luante intriga midis Uashingtonit dhe Berlinit, gjë që e bëri
Isa Mustafa. Ai dinte ta ruante shenjtërinë e miqësisë me Amerikën, pa patur
nevojë t’i kundërvihej miqësisë me Europën. Ai dinte të thoshte jo, edhe atëherë
kur amerikanët i bënin presion të merrte pjesë në zgjedhjet serbe, gjest që nuk
cënonte drejtpërdrejt interesat e Kosovës. Mund ta bënte një provë. Ndërkohë që
Isa Mustafa e bën të kundërtën në funksion të shkëmbimit të territoreve. Mos i
besoni retorikës dhe fjalëve të Isa Mustafës. Më mirë dëgjojeni Hashimin në
origjinal. Pra Isa Mustafa nuk di të thotë jo edhe kur vihet në pikëpyetje
integriteti territorial i vendit. Janë dy gjëra krejt të ndryshme, dy qëndrime
krejt të kundërta. Sepse Ibrahim Rugova në qëndrimet e tij kishte në llogari
Kosovën, Isa Mustafa ka në llogari lidhjet e tij mafioze me Hashim Thaçin.
Ibrahim
Rugova e kishte LDK-në si trup, ndaj dhe kurrë, edhe në momentet më kritike të
karrierës së tij politike, nuk e humbi orientimin. Në vitin 1998 dhe dimrin e
vitit 1999 e shpallën tradhtar. Madje e shpalli tradhtar edhe kryeministri i
vet, Bujar Bukoshi dhe ky Isa i sotëm ia kishte ndaluar me kohë financat për
veprimtarinë e tij shtetërore. Por ai u ngrit si feniksi. Kujtojeni përshkrimin
e ambasadorit Christofer Hill gjatë një vizite në Malishevë, kur njerëzit në
kushte lufte i përuleshin si Papës dhe paramendoni dikë tjetër në Kosovë të
respektohet si Rugova. Pse ndodhi kjo në kulmin e kundërshtive politike ndaj
Rugovës? Sepse ai ishte Rugova, ishte vetvetja. Nuk ishte mashë e askujt. Ndaj
e kishte bind popullin e Kosovës në drejtësinë dhe filozofinë e tij.
Ibrahim
Rugova kishte rreth vetes burra të mëdhenj e profesorë me famë, si Fehmi Aganin
e Fatmir Sejdiun. Kishte burrin e urtë Kolë Berisha. Shihni kë ka në krah Isa
Mustafa. Një prej injorantëve në kulturën politike, si Agim Veliun, por jo
injorant në mjeshtrinë e intrigave mafioze që rëndojnë në qafën e Kosovës. E
plot si ai. Ka edhe Dr. Abdullah Hotin, për të cilin mund të fliten vetëm fjalë
të mira, përveçse faktit se nuk mundi të bëhet kurrë vetvetja, me identitet të
veçantë.
A
mund të më thotë dikush se cila është filozofia e asaj që ndodhi dje në
Prishtinë? A do kishte vepruar Ibrahim Rugova kësisoj?! Kurrë jo! Ibrahim
Rugova e bëri kryeministër liderin e një partie me 20 deputetë (Ramush
Haradinajn) dhe ia dha të gjitha mundësitë për drejtimin e qeverisë, sepse ai
besonte te njerëzit. Isa Mustafa nuk beson as te këmisha e vet, përveçse të
këmisha e Agim Veliut dhe Hashim Thaçit.
Ibrahim
Rugova kurrë nuk do të krijonte një aleancë parazgjedhore si ajo e VLAN-it e
pastaj të ikte prej saj për ta krijuar qeverinë me Hashim Thaçin. Ibrahim
Rugova nuk e ndërpreu asnjë koalicion qeverisjeje para kohe. Kur Ramushi shkoi
në Hagë, ia dha të drejtën të ndërronte kryeministrat sa herë të donte prej Agi
Çejkut te Bajram Kosumi. Isa Mustafa e Isa Mustafës ia ka prish Hashimi
koalicionet gjithmonë. Megjithatë ai shkon si viktima që shkon pas kriminelit,
nuk i ndahet shpirti prej të pabesit Hashim Thaçi. Ndërkohë Rugova, pavarësisht
presionit të amerikanëve, nuk e pranoi Hashimin për kryeministër! Në vend të
tij mandatoi të ndjerin Bajram Rexhepi.
Ah!
Kosovë sa të mungon Ibrahim Rugova! Sa më shumë kohë kalon e shohim se si
sillet lidershipi i LDK-së ndaj teje, aq më shumë na merr malli për ty e për
kohën tënde!