| E premte, 27.03.2020, 05:41 PM |
MOCIONI - DILEMË E DEPUTETËVE TË LDK-SË
-
Mendësi bolshevike edhe nga tempulli i demokracisë - Gjermania!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Shkrimi
"Kërkohet përjashtimi i Vjosa Osmanit dhe të tjerëve që janë kundër daljes
nga Qeveria", me autor Fatmir Bajraj, i botuar në portalin e Kombëtarës
"Bota Sot", më 19 mars, më befasoj skajshëm, sepse bëhej nga një
publicist, i angazhuar dhe serioz.
Brenda
shkrimit ka kundërthënie vetëdemantuese, në raportin e lirisë së shprehjes,
mendimit, garancisë të mos gjykimit. Dhe po aty bëhet thirrje për ndëshkim e
linçim, të atyre që mendojnë ndryshe nga Shefi dhe klani që e rrethon dhe e
mbështetë, edhe pse të vetëdijshëm që bëjnë numrat hipokrizisht, përkundër
vullnetit të tyre.
Citojmë
artikullshkruesin Bajraj: "Në LDK mendimi dhe votimi ndryshe, është i lirë
dhe i garantuar, për çfarë nuk ndiqet, nuk sanksionohet, nuk gjykohet dhe as
nuk ndihet inferior asnjë LDK-ist..."
Realiteti
ka provuar të kundërtën. Pas shuarjes të kryezotit Rugovë, LDK-ja, më saktë,
klanorët e saj, kanë anashkaluar, shpërfillur e larguar, pa zhurmë fare, kuadro
të dëshmuar ndër vite e dekada, pikërisht, ata që nuk u pajtuan me braktisjen
totale të frymës rugoviane në parti.
Më
tej autori Bajraj thotë se "...përpjekja për ta sfiduar vendimin e
shumicës, është sabotim dhe diversion anti-demokratik. Ata të cilët nuk
përfillin vendimin e shumicës, janë kolonë e pestë!"
Votimi
"demokratik" në LDK-e, votimi aklamativ, me ngritje dore, pra, jo i
fshehtë, përjashtimi i debatit, mungesa e konkurrencës, ka degraduar e
degjeneruar, tërësisht, procesin zgjedhor, përzgjedhjen demokratike.
Shumica
aktuale në LDK-e, në politikë quhet "diktatura e numrave", sepse
klani ka përjashtuar votën e fshehtë demokratike, duke e zëvendësuar me
aklamacionin bolshevik e aplauzativ!
Mos, vallë, shumica e numrave të deputetëve të LDK-së, në votimin e
"Demarkacionit", ishte reale?! A ishte, vërtet, shumica e deputetëve
të LDK-së, për ta votuar Hashimin-president, ndërkohë që Presidenti Rugovë
kishte lënë porosinë-amanet, që Hashimi të mos bëhet as kryeministër dhe as
president, sepse është i dëmshëm për Kosovën?!! Dhe, kjo ishte në vartësi të
LDK-së. Shkelja e këtij amaneti është mallkim i përjetshëm për klanorët.
"Nga
dje, në LDK duhet të ndahet shapi nga sheqeri, pra kolona e pestë, duhet ta
marrin tagrin meritor, atë të marionetave të filtruara e të penetruara, për
dobi dhe llogari të qarqeve dhe agjenturave anti-LDK dhe anti-Kosovë", -
shkreton autori Fatmir Bajraj!
Krejt
atificialisht dhe pa sjellur asnjë argument bindës, shton dozën e akuzave, për
Vjosën, Lumirin me kolegë, duke i futur në labirinthet e konspiracionit, edhe
pse ata mendimin ndryshe e japin në strukturat më të larta të partisë dhe në
media publike, ashtu siç veprohet në botën e mirëfilltë demokratike. Ia
kujtojmë autorit se është pikërisht Vjosa e Lumiri me shokë, që i kanë sjellur
shumë mijëra vota LDK-së dhe se janë, absolutisht, shumë më të ligjshëm se sa
disa nga butakët në Kryesinë Qendrore.
Vërtet,
kryetari Isa Mustafa emëroi anëtarë të rinj në Këshillin e Përgjithshëm, duke
shtuar numrin për 20 sish, pa i hequr të vjetërit. Edhe emërimi i kandidatëve
për deputetë, ishte përzgjedhje e duhur. Por, Kryesia e LDK-së, e koracuar
fort, nuk u prekë! Edhe shtimi me 10 anëtarë të tjerë, nuk kënaqi anëtarësinë.
Si përfaqësues të një brezi, tashmë, të dëshmuar për aftësi e parimësi, po
përmend vetëm njërin nga ata, akademik Frashër Demaj, që pritej të listohej në
Kryesi, por, kjo nuk ndodhi! Megjithatë, as Këshilli i Përgjithshëm dhe as
Kryesia e LDK-së, nuk u provuan me votë të fshehtë. Pra, ata nuk u zgjodhën,
por, u emëruan. Dhe, nga strukturat e LDK-së gëzojnë legjimitet vetëm kryetarët
e komunave dhe deputetët.
Rrjedhimisht,
Kryesia e LDK-së nuk gëzon besimin e anëtarësisë. Pazari konspirativ i
koalicionit me PDK-në dhe zgjedhja e Hashimit-president ka rrënuar
besueshmërinë. Çka pas Mocionit? Nuk ka alternativë, përveç puthjes me
partitë-banda të PAN-it. Për klanin, brenda Kryesisë, kjo nuk përbën dilemë,
sepse në qarshi flitet për ca lidhje të pista biznesore. "Ku ka zë, nuk
është pa gjë",- thotë urtësia!