| E enjte, 26.03.2020, 11:12 AM |
DELO ISUFI, KËNGËTAR I DASHURISË
Në udhëtim me librin “Vajza e Manaferrave”
Nga Kadri Tarelli
Para
do kohësh në Tiranë, miku im Viron Kona, shkrimtar dhe studiues i njohur, duke
pirë kafe, më thotë: - Kam një libër me poezi, “Tavolinë e Rezervuar”, të
poetit aviator Delo Isufi. Hidhi një sy, se e di që të pëlqen poezia.
Më tërhoqi ideja, se paska edhe pilotë që
shkruajnë poezi. - Ç’ përrallis edhe unë, - thashë me vete. Poetët fluturojnë
qiejve vetëm me fantazi dhe frymëzim, në ecje apo ulur diku në lulishte, lumë,
pyll a breg deti, dukë parë me admirim dhe zili, avionët që fluturojnë lart, si
zogj të lirë në hapësirën pa anë e fund. Kurse aviatorët, ah,… lundërtarët e qiejve! I afrohen fronit të perëndisë vetë, pa ju dridhur
qerpiku, në ditë me diell, natë më hënë e me yje, shi dhe erë, borë e tufan,
dhe e shohin tokën si në pëllëmbë të dorës.
-Kush ka të drejtë më shumë? -Pyeta veten! Besoj
se kështu do të pyesë secili prej lexuesve.
E këndova librin që në autobus, pa pritur që të
vi në Durrës. Më pëlqeu tematika, por më shumë thellësia e mendimit dhe
thjeshtësia e fjalës, vendosur bukur në muzikën e vargut. Sepse vargjet kishin melodi,
ishin këngë, që mësohen e këndohen lehtë dhe mbahen mend pa u shtrënguar,
mjafton të bëheshe vet i dytë, që ta marrë dhe ta mbajë ison labe.
Nga kënaqësia, nuk prita gjatë dhe, në ditët e
para të Janarit 2017, shkrova: “Delo Isufi,
Këngëtari i dashurisë, në Librin “Tavolinë e Rezervuar”. Shkrim që u
publikua në disa portale elektronike. Po citoj
vetën pak vargje, që mbeten brengë shpirti e kujtesë jete:
………………………
Një ditë
kalova nga varri,
dashuria
ç’ bënte vallë?!
Ajo tha:
Ju kini vdekur,
Ndërsa unë
jam e gjallë!
Pak
muaj më parë, përsëri poeti Delo Isufi botoi librin e tij të fundit me poezi,
“Vajza e Manaferrave”, ku në ballinë bie në sy një vajzë e bukur, dukë mbledhur
manaferra. Pikturë e bërë enkas për këtë libër nga Rajashree Monhapata.
Bhubaneswar. Nga India.
Më
pëlqen që unë përsëri të vendos në këtë krye titull shkrimi: “Delo Isufi
Këngëtar i dashurisë……….
Që në nisje të librit, gjejmë hyrjen e shkruar
nga Viron Kona, me titull: “”Vajza e Manaferrave”, Një xhevahir i ri në
gjerdanin poetik të Delo Isufit”, ku gjejmë edhe fjalët profetike të tij: “Poezia është e lirë si zogu dhe shkon e
fluturon nga s’e pret”. Lexuesi bindet lehtë, sapo fillon poezitë e para të
këtij libri me copëza jete të shtruara në qëndisje vargjesh.
……………………..
Prit mike
në pranverë,
Të jesh e
bindur aty jam!
Do të
sjell lule me erë,
do t’i
mbjell në fustan………
Këto vargje, shkëputur nga poezia “Pritmë se do
vij”, më shtyjnë që të hesht dhe të mos komentoj poezitë kushtuar dashurisë,
pasi lexuesi do të mund të shijojë mjaltin, mbledhur nga nektari i frymëzimit.
Por më shtyjnë të kridhem në përhumbje mendimi, dukë pyetur veten dhe të gjithë
sojin e poetëve: Ç’ është “dashuria”, kjo magji që mban të mbërthyer botën
njerëzore, që në lindje të saj dhe vazhdon po njësoj si ditën e parë? Mos vallë
ky është boshti i jetës me dy pole; njëri i ngulur në zemër dhe tjetri i
zgjatur deri tek perëndia, rreth të cilit rrotullohet jeta, lindur dhe ushqyer
nga dashuria? Mos prisni përgjigje! As unë nuk pres, pasi e thith aromën nga
vargjet e thëna dhe të kënduara që nga lashtësia, sepse e di që, nuk ka poet, i
famshëm apo i panjohur, të zëshëm apo i pazëshëm, që të mos i ketë kënduar
dashurinë, e cila nuk pyet për moshë, megjithëse lakmon rininë.
S’besoj se jam i gabuar, por çuditërisht
dashuria ka një magji të habitshme në shprehjen e ndjenjave, megjithëse është “i
vetmi yll polar” njerëzor. Besoj se janë me miliona poetë nëpër botë, por kënga
e tyre për dashurinë është e veçantë. Gjykoj se poetët e vërtetë, kurrë nuk
kopjojnë dhe as ngjasojnë me të tjerët. Ata mësojnë, por janë vetvetja, edhe nëse
mund të përdorin të njëjtat forma. Madje mund të shtoj nga trasta ime, disa
vargje kushtuar kësaj teme:
Dashuria,
kur thotë të dua,
Nuk bën
bukë me miell hua.
S’pyet për
ty as për mua,
Shkon pi
vetë ujë në krua.(1)
Kjo
vihet re edhe në këtë libër të Delo Isufit, që nuk ngjason me asnjë tjetër. Është
vetvetja, ndaj pëlqehet vargu dhe kënga e tij.
Të gjithë ne, që lexuam poezi në rini dhe
vazhdojmë të lexojmë, disa edhe shkruajnë, na ka ushqyer e frymëzuar bukuria e
fjalës dhe forca e mendimit të poetëve, kur këndojnë e lëvdojnë dashurinë. A nuk ishte Dante, që zgjodhi Beatriçen ta shoqëronte për në parajsë? Dhe, që më
pas do të shprehet: “Në botën tonë dy yje i kemi, ne nuk i shohim ata,/ por e
ndiejmë mirë fuqinë e tyre të pamasë./ Dashuria që lëviz diellin dhe yjet e tjerë”. Ndërsa
Omer Khajami, çdo ditë porosiste: ”Ngrini kupa, puthni çupa”, dhe Shekspiri
kërkonte: qiellin letër dhe detin bojë, që të shkruante “Ju dashuroj”. Rumiu, poeti
persian, thotë: “... Njeriu ka nevojë për
dy gjëra: Dashuri dhe sy të përlotur”, ndërsa Petrarka i përmalluar: “Femra që zemrën time pat rrëmbyer/ Më la në
kishë, atje tek vendi i mirë/ E dashuria, ku jam përkulur, shkrirë/ Ma zbehu
ballin, më la të ngashëryer...! Kurse Pushkini këndonte që nga Rusia: “Por ja! Më shkrepi prapë agimi/Se përsëri u
shfaqe ti/ Si vezullim i një vegimi/Si engjëll me plot bukuri”. Lazgushi që
përbetohej para Liqerit të Poradecit: … se “Dashuronte
dashuria”! Esenini, nga stepat e gjëra, përgjërohet deri në flijim: “Puthmë moj e dashur puthmë/ gjer në dhimbje
gjer në gjak!”. Dhe Kadare përhumbet e mallëngjehet, kur shkruan: “Ca pika shiu ranë mbi qelq/ dhe unë për ty
seç ndjeva mall!…!” Ndërsa Driteroi, psherëtin e rënkon: “Unë jam i burgosuri yt/Rroj me prangat që ti
më ke vënë/Po çudi, as qelia nuk më mbyt/Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë”.
Për t’u derdhur në përqafim me habitjen e tij: “Nuk di se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit të bëhem kaq i
papërmbajtur në shfaqjen e ndjenjave!
Mbase e teprova me kujtesën e korifenjve të
letrave, por nuk po futem as në minierat e gurrës popullore, ku zbulohen e
nxirren diamante, as në thellësinë e deteve ku vilen perla, as ku i këndohet
dashurisë dhe ngre krye “Perëndesha e bukurisë”, siç shpërthen serenata Korçare,
apo “Tundu bejkë e bardhë tundu, sonte me hënë duku”. Të gjitha këto janë
thesare të popullit e kombit tonë, besoj të tilla ka çdo komb e çdo popull në
botë, sepse aty buron dhe gjen strehë poezia e bukur.
Këtu mbase e vlen të ndalem pak, pasi poeti ynë
Delo, pikërisht në këto burime gjen frymëzimin dhe shuan etjen e shpirtit të trazuar
e të dashuruar. Mendoj kështu, sepse vargjet e tij rrjedhin lirshëm, pa ngutje
e sforcim, si bredhje nëpër lëndina, apo rrëfime të shtruara këmbëkryq pranë
oxhakut në net dimri, mbase në dolli, në tavolinë gëzimi mes miqsh e shokësh të
mirë, dëgjues e krijues. Gjykoni vetë, poezinë: “Vajza e manaferrave”, nga e ka
marrë edhe titullin vetë libri: “Manaferra
më solli një ditë,/ i kish mbledh me duart e saj,/ i gufonte gjoksi dhe
gjinjtë,/ si një det me tallaze e valë”.
Në këtë buqetë poezish, do të çuditesha, sikur
të kishte vetëm lule dashurie, sepse poetët janë të ndjeshëm edhe ndaj
problemeve të jetës dhe shoqërisë. Madje do të trishtohesha po të ndodhte
kështu. Të shpërndara aty-këtu, gjejmë aforizma dhe rrëfime të besueshme. Më gjykoni,
kur të lëçisni poezitë: “Shpërblimi”, “Le ta kthejmë nga një gotë”, “Kukuvajka”,
“U grindën mendimet”. Këtu nuk është fjala për mësim e moralizim. Këto i bëjnë
mirë dhe e kanë për zanat, mësuesi, prifti dhe hoxha. Poeti vrojton, diku qesh,
diku vajton, por godet, ndryshe nuk është poet. Vini re këto pak vargje te
poezia “Nuk kam nge”: “Kundërshtarët kanë
patur çaste fisnike,/ mëritë dhe inatet i kanë harruar fare”. Ose poezia
“Sot kë do të shpallim armik”, ku shpërthen zemërimi: …“Sa çohemi nga gjumi në mëngjes herët,/ mendojmë: kë do shpallim armik?!
Dukuri të trishta në mjedisin tonë, të ndodhura
e po ndodhin! Ndaj ai e vë gishtin në plagë, sepse e ndjen dhimbjen në lëkurë, pikërisht
atë që ndjejnë të gjithë krijuesit, për kulturën vrastare ndaj elitave të
kombit, apo vesin shndërruar në sëmundje, për të baltosur e përgojuar, dënuar e
syrgjynosur, kolegun, mikun, shokun madje edhe të panjohurin, kur ai është më i
ditur, më i zoti dhe më fisnik.
Jo më kot thonë të diturit, se poezia është
pasqyrë e shpirtit të poetit. Edhe unë po shtoj, se në këtë libër noton “këngëtari
i dashurisë”, poeti Delo Isufi. Njeri fisnik, me shpirt bujar dhe mendje të
ditur,.
Urime dhe
suksese, në krijime e libra të tjerë, mbushur frymë dashurie!
Kadri
Tarelli
Durrës më:
22, fillim pranvere, 2020.
Shënim: 1.
Vargje, shkëputur nga poezia “Dashuria”, në librin “Koha në vargje”. Mbetur në
shtypshkronjë nga karantina e Virusit “Corona 19”.