| E diele, 19.10.2008, 07:37 AM |
Nga Arlinda Canaj
Fatmira Breçani
Ka realizuar rreth 5 albume me kompaninë muzikore “Elrodi muzik”, albume tejet të shitura, ndonëse njihen problemet e piraterisë shqiptare. Krahas suksesit profesional që në këto vite kanë arritur majat Fatmira ndjehet një grua shumë e lumtur. Bashkëshorti është menaxher i saj, kanë dy fëmijë dhe ai është mbështetësi dhe frymëzuesi i karrierës së saj. Për dashurinë e tyre 11 vjeçare, miqësitë e saj me njerëz të suksesshëm dhe karrierën jetëgjatë do të flasë për suplementin tonë këngëtarja më e njohur popullore e trevave të Veriut të Shqipërisë…
Ka qenë shumë e vështirë për të realizuar këtë bisedë me ju. Gjatë gjithë kohës keni qenë në turne. Një verë e frytshme, besoj?
-Verën e kam pasur të mbingarkuar. Kam qenë e ftuar në shumë dasma, nëpër koncerte në Kosovë dhe Maqedoni , drekë dhe darkë gjatë gjithë kohës. Por jam ndjerë shumë mirë, sepse njerëzit më kanë respektuar shumë, duke më rritur dhe autoritetin me pritjen që më kanë bërë. Tani është një periudhë pak më e qetë.
Keni kënduar që e vogël. Sa vite karrierë janë bërë?
-Sot jam 48 vjeçe dhe kur isha 18 vjeç jam ngjitur për herë të parë në skenë.
Kush e zbuloi talentin tuaj?
-Në një dasëm, u ngrita për të kënduar. Disa persona të shtëpisë së kulturës më dëgjuan, i bëri përshtypje zëri im dhe dalëngadalë më tërhoqën në aktivitetet e tyre. Në një takim të ansambleve të klasës punëtore në Durrës, u paraqita me një këngë, dhe bëra figurë të mirë. Më pas u hap rruga e festivaleve dhe koncerteve prestixhoze. Në zonën e Tropojës ka pasur dhe një këngëtare tjetër të sukseshme, Fatime Sokoli.
Ç’marrëdhënie keni pasur me të?
-Unë e kam pasur mësuese muzike dhe ajo më thoshte gjithnjë se do bëhesha këngëtare me emër. Ajo i binte çiftelisë dhe unë këndoja. Shpesh bashkëatdhetarët që vijnë me pushime më thonë se kam zëvëndësu Fatime Sokolin. Me të nuk kam qenë vetëm nxënëse por dhe shoqe. Vitet e fundit të jetës Fatimja ka qenë shumë sëmurë, dhe na ndodhte shpesh të shkonim bashkë të pinim kafenë në mëngjes tek Turizmi në Bajram Curri. E kam pasur dhe mësuese por dhe shoqe shumë të mirë.
Fëmijërinë tënde e ke kaluar në fshat. Ka qenë fëmijëri e lumtur?
-Fëmijëria ime ka qenë shumë e bukur. Unë kam lindur në Markaj të Tropojës, në një familje me 12 fëmijë, 7 motra dhe 5 vëllezër, me një gjendje ekonomike mesatare. Të gjithë kanë pasur prirje muzikore, por vetëm unë dola këngëtare profesioniste.
Për një vajzë fshatare që ngjitet në skenë është normale që të lindin shumë paragjykime dhe thashetheme. Personalisht jeni ndjerë e paragjykuar?
-Paragjykimet egzistojnë dhe sot sepse këngëtaret janë më të çiltra, më të shoqërueshme dhe pjesa më e emancipuar e shoqërisë. Në fshat diskutohej shumë dhe thuhej shpesh se ato që merrnin profesionin e këngëtares nuk linin gjë pa bërë.Një gjë që nuk është e vërtetë. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem e hapur, por mendjen e kam pasur gjithnjë tek familja ime. Kam pasur zërin dhe prirjen për muzikën por për mua primare ka qenë familja. Nëse do më kishte rënë një burrë që nuk do e honepste profesionin e këngtares me dy duart do e kisha lënë profesionin për hir të qetësisë dhe mirëqënies familjare. Falë zotit i kam realizuar të treja dhe karrierën për të cilën është burri im shkaktar dhe martesën e suksesshme dhe fëmijët e mbarë.
Në qarqet artistike thuhet se zgjidhja e jetës tënde ka qenë disi e veçantë. Ke ndenjur shumë kohë e fejuar…
-Im shoq merrej me tregëti metrazhesh, ndërsa unë isha këngëtare. Ai më simpatizonte dhe unë e respektoja si çdo simpatizant. Ai ishte më i interesuar dhe gradualisht u lidhëm me njëri-tjetrin. Jemi dashuruar për 11 vite rradhazi pastaj jemi martuar. Nuk mund të them se ishte një bashkëjetesë, se nuk jetuam nën një çati, por për 11 vite kemi shkuar bashkë nëpër koncerte, kemi udhëtuar gjithnjë bashkë dhe kemi qenë një çift shumë i çlirët.
Pse kjo zgjidhje?
-Ashtu na pëlqente. Ka qenë një periudhë e artë. Im shoq është shumë kavalier dhe burrë i zgjuar. Më ka shoqëruar kudo dhe çdo hap e kemi bërë bashkë. Ka ardhur me mua deri në Amerikë.
Gjithë këto vite të fejuar, a nuk paragjykohej si status nga familjet tuaja?
-Sigurisht që paragjykohej. Nga familja ime , jo. Ndoshta ato nuk donin që gjërat të bëheshin kaq hapur dhe kaq gjatë. Por ne vazhduam dhe ia dolëm mbanë. Kishte shumë llafe njerëzish, por unë s’jam marrë kurrë me thashethemet e tyre. Unë kam bërë jetën time pa e vrarë mendjen për të tjerët.
Kjo do të thotë se thashethemet nuk janë pjesë e botës tënde?
-Nuk më interesojnë fare. Sepse bëj një analizë të thjeshtë. Njerëzit që punojnë nuk kanë kohë për thashetheme, ndërkohë që ato që s’kanë ç’të bëjnë do mbushin kohën me këto gjepura. Unë kam shumë mikesha të miat të muzikës, që martohen , ndahen, po këto janë zgjidhjet e tyre personale. Ç’më interesojnë mua.
Ju vetë keni pasur ndonjëherë probleme në martesë?
-Jo. Ndjehem shumë e lumtur me burrin tim. Dy javë më parë kemi festuar 16 vjetorin e martesës. Kemi bërë një ceremoni të vogël dhe do zoti vazhdojmë gjatë me këtë harmoni që kemi.
Ç’dhurata shkëmbyet me njëri-tjetrin?
-Nga një parfum. Ndërkohë jeni dhe nëna e dy fëmijëve. Si kanë qenë momentet e të bërit nënë për ju? -Unë kam ëndërruar gjithnjë për familjen time. Kam bërë një jetë të lirë për gati 11 vjet dhe jam martuar në moshën 30 vjeçare. Më dukej vetja paksa e madhe, po për fat 1 vit më pas do të lindte Drenica. Kur lindi vajza dhe më pas djali kanë qenë gëzime të mëdha për mua dhe gjithë familjen, meqë unë i kam bërë pak me vonesë dhe kasha frikë se nuk do bëhesha nanë. Fëmijët janë drita e syve të mi. Dhe pse kam shumë ngarkesë i përkushtohem shumë fëmijëve dhe gjej kohën të jem pranë tyre. Shpeshherë ato më shoqërojnë nëpër koncerte. Duket sikur gjithë familja jote rrotullohet rreth muzikës që ju bëni. Bashkëshorti është menaxher ndërkohë që dhe fëmijët ju shoqërojnë në ndonjë eveniment muzikor.
Kaq shumë fitoni sa arrini të siguroni gjithë jetesën familjare?
-Unë rradhitem ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare. Kam shumë kërkesa, shumë koncerte, më bëjnë shumë oferta dhe për fat zërin e kam të pandryshuar. Ndërsa flisnim më sipër u shprehët se shyqyr zotit që erdhën këto kohë se më parë më ka shkuar talenti kot.
Tani shpërbleheni mirë. Sa janë tarifat tuaja?
-Shpërblehem mirë. Kur më ftojnë nëpër dasma kam paksa mëshirë. Po ku kam shkuar kam pasur shumë sukses, dhe mendoj se kjo është më e rëndësishmja.
Kush është shifra që ju merrni për koncerte?
-Në koncerte të mëdha nuk marr më shumë se 2 mijë euro. Ndërkohë që në dasma ftohem me gjithë grupin dhe ka tarifa të tjera. Falë zotit kam zërin mirë dhe mund të këndoj dhe 5-6 orë live. Mund të them se dhe në festat familjare në krahinën e Veriut njerëzit kanë nisur të hedhin baskshishe më shumë se shqiptarët e Shqipërisë së Mesme.
Raportin me fansat si e ke?
-Jam shumë e hapur. Më respektojnë shumë dhe moshatarët e mi, dhe më të vjetrit dhe rinia, sepse i përshtatem. Unë këndoj live në një lokal tek Ura e Tabakëve dhe aty ka shumë njerëz që vijnë e më dëgjojnë. Ka shumë rini. Bashkëshorti është menaxher i juaji. Ndodh ndonjëherë që marrëdhënia e këngëtares me fansat duken më të afërta.
Bashkëshortin e bën xheloz me zhdërvjelltësinë që tregon me fansat?
-Jo. Im shoq është më i civilizum se unë. 70 % e fansave bisedojnë shumë hapur me mua, më hedhin dorën në qafë, bëjnë poza, filmime. Më ka rastisur shpesh të shoh disa këngëtare në Amerikë që u heqin dorën fansave kur ata i përqafojnë. Në sy të burrit tim përqafohemi shumë lirshëm sepse asnjëherë nuk duhet keqkuptuar një përqafim miqësor. Ndërsa këngëtaret popullore shpeshherë janë zhveshur ju jeni gjithnjë e veshur me një kostum popullor.
Nuk ke hequr dorë kurrë prej tij?
-Veshjen ma pëlqejnë gjithandej dhe ma kërkojnë. Veçanërisht në Amerikë të gjithë më shtrojnë kërkesën për kostumin popullor. Tani vlerësohet shumë dhe në Shqipëri. Kush janë mikeshat e tua në muzikë? -Përgjithësisht i kam të gjitha mikesha. Por nuk kam shoqëri me të cilat të dal dhe të kaloj kohën e lirë. Preferoj që atë t’ia kushtoj bashkëshortit dhe familjes sime. Ka xhelozi mes jush? -Sa të duash. Unë nuk jam xheloze. Mua më pëlqen kur dikush këndon një këngë të bukur. Ju jeni nga Tropoja.
Keni ndonjë lidhje me drejtuesit demokratë?
-Unë me politikë nuk merrem fare, por jam demokrate e flaktë.
Përmendëm Fatime Sokolin dhe mbaj mend që ajo ka qenë e preferuara e Enver Hoxhës. Por ju jeni e preferuara e ndonjë politikani?
-Në kohën e diktaturës nuk kam pasur para por privilegje kam pasur shumë. Kam kënduar para Enver Hoxhës, Ramiz Alisë. Në vitet e demokracisë doktor Berisha më ka ftuar në dasmën e vajzës së vet, Argitës. Unë për vete e dua shumë farefisin e Saliut dhe jam shumë e lidhur me ta. Nuk kam kërkuar asgjë prej politikanëve sepse unë po e çaj jetën me fytin tim. Por e privilegjuar kam qenë dhe jam. Mendoj se kujtdo zyrtari t’i shkojë në zyrë ai më nderon.