| E diele, 15.03.2020, 12:57 PM |
Shkolla Tregtare, dallëndyshe e arsimit kombëtar në Vlorë
Tregtarja e Vlorës - vatër e Dritës Shqiptare
Nga MSc.
Albert HABAZAJ, përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universtiteti “Ismail Qemali”, Vlorë
1. ARSIMI NË VLORË DERI NË VITET E
PAVARËSISË
Po t’i hedhim një sy historikut të arsimit dhe shkollës
sonë në Vlorë, vërejmë se qyteti dhe krahinat, njohur për histori e bëma edhe
tej hapësirave rajonale, kishte krijuar emër të përveçëm në udhët e reja që iu
çelën shkollës shqipe nga porta e shekullit XX. Vlora ka një traditë të pasur
arsimore. Kujtojmë se shkollat e para, ku mësohej shqip janë hapur në Himarë
para afro katër shekujsh nga misionarët bazilianë, shumica arbëreshë dhe të
tjerë, por që e dinin shqipen po aq saktë sa banorët. Pohojmë se Himarë para
disa shekujsh, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, quhej gjithë krahina e
Labërisë së sotme, domethënë duke nisur nga Radhima, në Lekël e Butrint [Shih:
“Fletë nga historiku u shkollës sonë (materiale dhe dokumenta), Tiranë,
1963, f. 7]. Shkollat e para kombëtare shqipe në Vlorë nisin me shkollën e
Muradies në verën e vitit 1908 [Neil Shehu shkruan se është hapur më 25 korrik
1908, ndërsa Aleksandër Prifti shkruan se është hapur po atë verë, por më 8
gusht], me drejtor Leonidha Naçin. Vjeshtën e atij viti, më tetor 1908 hapet
nga Jani Minga shkolla fillore e Kaninës. Edhe pse rrethanat politike,
ekonomike dhe arsimore ishin të pafavorshme, dhe kushtet në të cilat filloi dhe
vijoi veprimtarinë e vet Qeveria e Përkohshme e Vlorës ishin të vështira e të
ndërlikuara, Plaku i Urtë vështrimhapur me rilindasit e dritës, i dha përparësi
organizimit dhe zhvillimit të arsimit tonë kombëtar në trevën e Vlorës, si dhe
në zonat ku shtrinte pushtetin: Fier, Lushnjë, Berat e Gjirokastër. Qeveria e
Vlorës përcaktoi ndër detyrat themelore për prefekturat Vlorë, Berat, Durrës,
Elbasan ishin ato që kishin karakter arsimor-kulturor, sepse, sipas atyre burrave
të ndritur, arsimi është dritë për të ardhmen e vendit, për pavarësinë e kombit
tonë. Gazeta qeveritare “Përlindja e Shqipërisë” shkruante: “Viti
shkollor 193-1914 filloi më 16 shtator 1913. Në Vlorë u hapën 10 shkolla, 1 në
qytet dhe 9 në fshatra: Kaninë, Vranisht, Kudhës,Dukat, Tragjas, Oshtimë,
Drashovicë, Smokthinë [Matogjin], Tërbaç” [Shih: “Përlindja e Shqynies”,
20.11. 1913; “Revista pedagogjike” nr. 1, 1978; K. Koçi “Arsimi në
periudhën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, 1912-1914”, f. 99, “Shqipëria,
më 1937”, vëll. 1, f. 157, N. Shehu “Edukata dhe arsimi në Vlorë”,
Tiranë, Eurorilindja, 1998, f. 84].
Në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, numri i shkollave shqipe që çeli Qeveria e Ismail Qemalit me Ministër Arsimi Luigj Gurakuqin në krahinat e lira arriti 48, ndërkohë në qytet 9 shkolla (në vitet 1913-1914).
2. SHKOLLA TREGTARE - SHKOLLË
KOMBËTARE
Me shtrirjen e sistemit unik, kishte lindur nevoja e një
shkolle të mesme, e cila u bë e mundur e çeljen e shkollës mesme tregtare. Më
23 shtator 1924, prefekura e Vlorës i shkruante Ministrisë së Arsimit se …
“mjerisht, gjithë prefekturat kanë lice, Vlora është lënë pas dore. Populli i
Vlorës kundrejt sakrificave të bëra në çdo rast për shpëtimin e vendit, kërkon
nga qeveria qendrore ndihma morale për zhvillimin e kulturës. Populli dhe
intelektualët e vendit më drejtohen dhe më shtërngojnë përditë…urdhëroni çeljen
e shkollës”. [AQSH, Fondi Prefektura Vlorë, dok. nr. 2814, shkresa nr. 1661, v.
1925; shih dhe “Konferenca shkencore: Vlora në rrjedhat e kohës”,
Tiranë, Toena, 2001, f. 288].
Vlen të kujtojmë se për hapjen e Shkollës Tregtare ka rol
pozitiv veprimtari politik dhe arsimit
kombëtar Niman Ferizi nga Gjakova, “Mësues i Popullit”, që ishte emëruar
prefekt i Vlorës, qysh më 1 korrik 1924, kur erdhi në fuqi qeveria e Fan Nolit.
Në Shkollën Tregtare, përveç nxënësve të qytetit, kishte edhe nxënës nga
krahina e Lumit të Vlorës, Dukati, Himara, Mesapliku dhe Kurveleshi.
Kërkesa që përcolli prefekti i Vlorës për çeljen e saj u
shtrua me nismën e pishtarëve të diturisë, mësuesve atdhetarë Jani Minga e
Halim Xhelo dhe u miratua nga Qeveria Demokratike e Fan Nolit më 8.11.1924.
Sipas Alesandër Priftit, “... u bë e mundur, që me shkresën nr. 1661, viti 1925
të Ministrisë së Arsimit, më 1 dhjetor 1925 u çel shkolla e mesme tregtare me
68 nxënës nga Vlora, Dibra dhe prefektura të tjera”. [“Konferenca shkencore:
Vlora në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 2001, f. 289].
Është mirë që nxënësit tanë të dinë se Tregtarja është
shkollë e mesme profesionale nga më të vjetrat në Shqipëri. Me këtë shkollë,
arsimi shqip në Vlorë dhe në rang vendi mori një përparim të dukshëm, mbi bazën
e programeve shtetërore, ku mësimi jepej në gjuhën amtare.
Kush kishte kryer studimet në Shkollën Tregtare të Ujit
të Ftohtë në Vlorë, vlerësohej lartësisht, si të kishte realizuar denjësisht
Universitetin.
3. PISHTARËT E TREGTARES
Drejtori i parë i shkollës ka qenë Isuf Puka “Mësues i
Popullit”, dhe vite më pas Naum Stralla
nga Korça (1903 - 1972), i cili kreu studimet e larta për inxhinieri kimike në
Athinë dhe më 1931 u emërua drejtor i Institutit Tregtar Mbretëror (kështu
quhej atëherë shkolla tregtare në Vlorë). Në këtë shkollë kanë dhënë mësim
Stavro Skëndi nga Korça (1906- 1989) historian, etnolog, gjuhëtar, arsimuar në
Stamboll, Zvicër e Gjemani; Skënder Luarasi nga Luarasi i Kolonjës (1900-1982),
i biri i rilindasit të dritës shqiptare Petro Nini Luarasi, publicist,
përkthyes, luftëtar antifashist, autor librash, veprimtar i arsimit dhe i
shkollës shqipe, personalitet i shquar i kulturës shqiptare, arsimuar në
Stamboll, SHBA dhe Austri; studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e
Filozofisë në Universitetin e Vjenës. Një tjetër emër gjurmëlënës është Ernest
Koliqi nga Shkodra (1903 - 1975), shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë,
publicist, botues, arsimuar në Itali; studimet e larta i kreu për letërsi në
Padova. Në dritëhijet e këtij personaliteti të kulturës dhe arsimit shqiptar,
[pa patur të drejtën të futem thellësisht në fushës e historisë], vlen të
theksohet se gjatë viteve të pushtimit fashist qe Ministër i Arsimit (1 prill
1939-dhjetor 1941) dhe ka meritën e dërgatës së mësuesve nga Vlora për mësimin
e gjuhës shqipe në Kosovë.
4. UDHA E TRADITAVE
Traditat atdhetare të qytetit historik të Vlorës, ku
ishin ende të freskëta ngjarjet madhore të vitit 1912 (Pavarësia Diplomatike)
dhe fitorja e vitit 1920 (Pavarësia e Vërtetë), ndikuan shumë për të ushqyer në
një shkallë më të lartë frymën përparimtare të nxënësve. Gjatë periudhës së
pushtimit fashist të vendit, nxënësit e Shkollës Tregtare sabotuan masat për
fashistizimin e shkollës. Në bankat e Shkollës Tregtare kanë studiuar dhe 229
nxënës e nxënëse që u radhitën në formacionet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare,
ndër ta shkrimtarët Petro Marko, Shevqet Musaraj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi,
Fatos Arapi, etj. 45 prej tyre ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut e u
përjetësuan si 45 yje e pashuar, ndër ta dhe 6 Heronj të Popullit: Kastriot
Muço (1923-1943) regjistruar në Shkollën Tregtare me nr. amze 115, Perlat
Rexhepi me nr. amze 140, Bajram Tushi (1924-1942) me nr. amze 157, Hajredin
Bylyshi (1920-1942), me nr. amze 189, Shyqyri Alimerko (1923-1943) me nr. amze
224, Maliq Muço (1921-1944) me nr. amze
525. Në këtë shkollë kanë studiuar dhe 2 Heronj të Popullit, që vdiqën mbas Çlirimit, ish- partizanët Hysni Kapo (1915-1979) dhe
Vehbi Hoxha (1916-1993). Kujtimi i heronjve dhe dëshmorëve Astrit Kokoshi,
Akile Bezhani, Azem Troqe, Bedri Agalliu, Dadan Dajlani, Donika Dule, Enver
Velja, Gaqo Qeleshi, Gogo Mati, Hajro Çakërri, Hasan Kushta, Hektor Shyti,
Ismet Çakërri, Jani Mone, Jashar Luçi, Josif
Bitri, Kostandin Kazanxhiu, Kujtim Hoxha, Lef Sallata, Llambro Sheti,
Merjeme Gjomemaj, Mitaq Sallata, Mithat Dauti, Nexhat Agolli, Nustret Xhelo, Numan
Bilani, Petrit Bisha, Pirro Palla, Polo Bezhani, Prënjo Petoshati, Qëndro
Bellaj, Reiz Rukaj, Sami Imami, Senusi Nota, Skënder Libohova, Sulo Didi, Teli
Ndini, Vllas Arapi, Xhuvel Xhemalaj është përjetësuar në kujtesën atdhetare të
Vlorës dhe Shqipërisë. Emrat e tyre janë gdhendur në faqet e këtij instucioni të rëndësishëm
profesional dhe dritërojnë me dinjitet, sikur duan t’ju thonë brezave: “Edhe ne
e nisëm rrugën nga Shkolla Tregtare, por Atdheu na kërkoi të bëheshim yje
lirie, ndërsa ju, djem e vajza sot koha u do të bëheni yje të ekonomisë dhe
turizmit shqiptar dhe të shkëlqeni këtu edhe tutje, ku është tregu i punës për
ju...”
Nuk mund të harrojmë, por duhet ta pohojmë me dhembje, se
më 22 Maj 1943 shkolla u mbyll. Ishin organet e pushtimit që e kthyen atë në
kazermë ushtarake. U rihap pas Çlirimit të vendit, në mars 1945. Në vitin
arsimor 1946-1947 u çel konvikti dhe dega e mbrëmjes pa shkëputje nga puna. Për
një kohë të shkurtër, shkolla u vendos në Tiranë, por më pas u kthye në Vlorë.
Kjo shkollë, deri në ditët tona, ka qenë vatër diturie
dhe ka krijuar traditën e saj në qytet për arsimin profesional, si një shtyllë
e arsimit kombëtar. Në Vlorë kemi dhe simotrën e Tregtares, Shkollën e Mesme
Industriale “Pavarësia”, që po shkruan një faqe të re me emër të bukur dinjitoz
në qytet e në rang vendi, sidomos vlen të përmendim ndërkombëtarizimin që i bën
aktualisht edukimit dhe arsimit të mesëm profesional të qytetit.
Shkolla Tregtare e priti 95 vjetorin e çeljes së saj me
ballin e bukur shkruar me dritë lavdie: “Dallëndyshe e arsimit kombëtar në
Vlorë, vatër e dritës shqiptare” dhe udhëton me vizion të qartë të kapë
shekullin e shekuj të tjerë mes sfidash me arritje të dukshme të arsimin
profesional, aq të nevojshëm për ekonominë dhe turizmin e Vlorës, rajonit e më
gjerë. Ndërkohë, një nga pikat kulmore të historisë më të re të Vlorës është
hapja e Universiteti “Ismail Qemali” më 10 Tetor 1994, sipas Vendimit të
Këshillit të Ministrave nr. 105, datë 28.02. 1994 fillimisht me tre fakultete,
ku Fakulteti i Tregtisë (sot i EKONOMISË) ishte dhe duhet të jetë PORTË
E HAPUR, E NGROHTË, E DASHUR për ju, të dashur nxënës të Tregtares.