| E premte, 13.03.2020, 10:03 PM |
Aftësia për të thënë PO dhe JO kërkon dinjitet dhe profesionalizëm!
Nga
Enver Bytyçi
Dy
pjesëzat pohuese dhe mohuese të shqipes shprehen me dy fjalë njërrokëshe: PO
dhe JO! Por në jetë ndeshim dhe me njerëz, të cilët përdorin hibridizimin e
këtyre dy fjalëve të shndërruara në PJO! Që do të thotë edhe PO, edhe JO, ose
as PO, as JO! PJO është karakteristikë shprehëse e njerëzve të paditur, të
pavendosur, të cilët rendin pas interesit dhe kanë si cilësi përshtatjen,
njësoj siç bëjnë bimët, kafshët, dhe njerëzit në nevojë. Fatkeqësisht bie më
shumë në sy PJO-ja e atyre që kanë më shumë pushtet dhe pasuri!
Ndërkohë
shoqëria njerëzore njeh dhe tipa të nënshtruar, të cilët nuk dinë të thonë JO e
tipa të tjerë egoistë, të cilët nuk e thonë kurrë PO-në. E në fakt në kohët e
sotme ka shumë raste kur liderët politikë në Shqipëri e në Kosovë thonë PO kur
duhet thënë JO dhe thonë JO kur duhet thënë PO! Gjithnjë sipas interesit
personal të pushtetit, por jo edhe sipas kuvendit, sipas së drejtës, sipas
logjikës dhe racionalitetit!
Eksperti
amerikan për çeshtjet e Ballkanit, Daniel Serwer, në një deklarim të tijin të
së shtunës thoshte se “Kosova duhet të jetë e gatshme të largohet nga një
marrëveshje e keqe, madje edhe nëse ajo mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të
Amerikës”. Kjo këshillë e Serwer është njëkohësisht vërejtje për lidershipin e
Kosovës se ata nuk dinë ose nuk duan të thonë JO kur duhet thënë JO dhe nuk
dinë të thonë PO atëherë kur duhet të thuhet PO.
Po
a mund t’u thuhet JO Shteteve të Bashkuara të Amerikës?! Në princip Amerikës
nuk i thuhet JO, për shkak të kontributeve të saj për shtetësinë e Kosovës. E
vërteta është se SHBA-të dhe forca e NATO-s e çliruan Kosovën nga pushtimi dhe
sundimi serb. Por nëse nuk do të ishin viktimat e shqiptarëve prej së paku 13
mijë sosh, nëse nuk do të kishte terror, dhunë, djegie, shkatërrime, vrasje e
masakra, dëbime masive, përdhunime nga ana e serbëve dhe e shtetit të Serbisë,
nuk do të kishte as ndërhyrje amerikane për çlirimin e Kosovës.
Megjithatë
duhet ditur për çfarë thuhet JO e për çfarë thuhet PO! Njëkohësisht duhet ditur
edhe si të thuhet PO e si të thuhet JO! Waren Zimmerman, ish ambasador i
SHBA-ve në Beograd, ka shkruar një libër me titull “Burimet e një katastrofe”
dhe përshkruan një rast kur ai kishte intervenuar te Ibrahim Rugova me qëllim
që ta bindë liderin historik të Kosovës për pjesëmarrje të shqiptarëve të
Kosovës në votimet e përgjithshme për presidentin dhe parlamentin e Serbisë.
“Nëse marrin pjesë shqiptarët, i thoshte Zimmerman Rugovës, me votat e
shqiptarëve rrëzohet Milosheviçi”.
Por
Presidenti i Kosovës i përgjigjej prerë: “Unë jap dorëheqjen dhe nuk u them
shqiptarëve që të marrin pjesë në zgjedhje të një shteti, (Serbisë) të cilin ne
e refuzojmë”. Ambasadori amerikan u tërhoq. Ndërkaq miqësia midis palëve mbeti.
Sepse ajo ishte miqësi e sinqertë, e pastër, pa agjenda!Ashtu siç sot përligjet
një marrëveshje e keqe me Serbinë, edhe atëherë kishte mundësi që Rugovës t’i
thuhej se “Ti nuk do që të rrëzohet Milosheviçi”! Por ndërsa atëherë Rugova
kishte bërë me dije gjithë botën se problemi i Kosovës nuk ishte Milosheviçi,
por Serbia, Hashim Thaçi, psh sot, lobon në SHBA e gjetkë të thotë se problemi
nuk është Serbia, por Albin Kurti e Ramush Haradinaj!
Ramush
Haradinaj ndoshta është lideri që e ka artikuluar JO-në më shumë se kushdo
tjetër në Kosovë. Edhe ndaj amerikanëve. Aq sa e izoluan, madje nuk i dhanë
vizë për vizitë në SHBA. Por ai u tregua i durueshëm, nuk hoqi dorë nga
argumenti pse u detyrua ta vendosë taksën, derisa arriti të rikthejë
mirësjelljen dhe respektin e Amerikës zyrtare! Ndërsa Hashim Thaçi nuk u ndal
së thëni vetëm “PO”, madje pa e kërkuar askush në Shtëpinë e Bardhë e sidomos
në Departamentin e Shtetit Amerikan. Për pasojë u mbështet, sidomos nga grupimi
amerikan më afër Serbisë për shkak të riformulimit të strategjisë së aleancave
në kontinentin evropian.
Nuk
është se Hashim Thaçi nuk thotë JO. Me vartësit, me kundërshtarët brenda vendit
të tij ai është mohuesi dhe refuzuesi më i madh i politikës në Kosovës. Ndërsa
me Serbinë dhe për interesat e saj është më i angazhuari ndër të gjithë
shqiptarët. Kjo është arsyeja pse ai e ka heq përdorimin e pjesëzës JO edhe kur
bëhet fjalë për tjetërsimin e territoreve të vendit, edhe nëse do të ketë një
marrëveshje të keqe për Kosovën.
Si
përfundim, pjesëza morfologjike JO është mohim, refuzim, ndërsa PO-ja është
pohim, miratim, pranim. Eshtë e drejtë e secilit të refuzojë diçka që nuk
plotëson interesat e tij personale, familjare apo në rastin e Kosovës,
interesat e shtetit dhe të shoqërisë kosovare. Eshtë e drejtë e secilit të
pranojë diçka që shkon në dobi të personit, familjes ose shtetit të tij. Por
është detyrë e shtetarëve të refuzojnë atë që është e dëmshme për shtetin, të
cilin ata e udhëheqin. Fatkeqësisht në Shqipëri dhe në Kosovë jo rrallë liderët
politikë në emër të “miqësisë” me Amerikën lobojnë për realizimin e interesave
serbe në Kosovë.
Rasti
i Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në marrëdhëniet e ngushta me presidentin serb,
Aleksandër Vuçiç, është ndoshta më tipiku, më i dizajnuari si rast unik kur
liderët politikë të zgjedhur nga shqiptarët punojnë për interesat e një shteti
tjetër armiqësor, Serbisë, thjesht se duan të realizojnë agjendat e tyre
personale. Ndaj këta të dy kanë guximin t’i thonë JO çdo shqiptari kritikë të
tyre dhe t’i thonë PO Begradit për çdo iniciativë dhe interes që Serbia
dëshiron ta implementojë në Kosovë e në rajon.
Megjithatë,
ata që artikulojnë JO-në, si Kurti e të tjerë, duhet të bëhen më aktivë, të
jenë të gatshëm të ballafaqohen me argumente edhe me amerikanët, për të
shpjeguar pse JO-ja e tij është një refuzim i ligjshëm, i drejtë dhe logjik në
bisedimet me Beogradin. Loja me PO-në dhe JO-në në rastin e Kosovës dhe
bisedimeve midis Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të dalin jashtë këtij
arsyetimi. Kësisoj miqësitë, në rastin konkret miqësia me SHBA-të, bëhen më të
qëndrueshme.