| E diele, 08.03.2020, 01:08 PM |
Dëmet dhe pasojat nga egoizmi i një presidenti!
Shkruan:
Florim Zeqa
Fjala
egoizëm vjen nga latinishtja EGO, që do të thotë mënyra e të reaguarit, duke
kufizuar dhe shkatërruar interesat e tjetrit për hirë të vetvetes.
Egoizmi
është dashuria për veten dhe për çdo gjë në funksion të vetvetes, është dëshira
për të përvetësuar meritat e të tjerëve.
Tek
personat që posedojnë një nivel inteligjence pak më të lart se mesatarja është
egoizëm pozitiv, mirëpo tek personat me intelegjencë të ulët, egoizmi
manifestohet në mënyrën e shëmtuar, me tendencën e rrënimit të vlerave e të
tjerëve.
Tendenca e hapur e
presidentit për ndërhyrje në punën e qeverisë
Dëshira
e madhe presidentit për të përvetësuar meritat e të tjerëve duhet të jetë në
përputhje me kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese.
Në
rendin kushtetues çfarë ne e kemi si republikë parlamentare, roli i presidentit
më tepër është ceremonial sesa vendimarrës dhe me kompetenca të kufizuara
politike.
Prandaj
nuk është ashtu siq e mendon dhe dëshiron presidenti Thaçi, që atij "t'i
subordinohen të gjitha palët që janë pjesë e politikës së jashtme, në këtë rast
edhe qeveria dhe kryeministri, që kanë rol zbatues të politikës së jashtme dhe
këshillues për propozimet e tyre dhe jo anasjelltas”.
Dëshira
e pakufishme e presidentit Thaçi, që ai të ketë rolin kyq në dialog me Serbinë,
ka bërë që ai të merrë jashtëligjshëm kompetencat e kryeministrit dhe ministrit
të punëve të jashtme, respektivisht qeverisë së Kosovës.
Deklarata
e dalë prej Zyrës së Presidentit, se “Presidenti i Republikës së Kosovës është
institucioni më i lartë kushtetues, i cili udhëheq me politikën e
jashtme", është ndërhyrje në punën e qeverisë dhe tendencë e hapur për
dominim në politikën e jashtme të Kosovës.
Askush
nuk mund t'ia mohon presidentit të drejtën e takimit me homologët e tij
ndërkombëtar, pra as me presidentin e Serbisë, sikurse që as presidenti nuk
mund t'i merrë kompetencat e kryeministrit dhe ministrit të punëve të jashtme.
Çdo
tendencë për përzierje kompetencash do ta degradojë akoma më tepër politikën e
jashtme të Kosovës dhe do ta ulë imazhin e përfaqësimit të shtetit tonë në
arenën ndërkombëtare si republikë parlamentare.
Lufta
e ashpër në mes të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe Presidentit Thaçi
për ta kontrolluar dhe dirigjuar
politikën e jashtme të Kosovës, është rezultat i inateve personale dhe ndërskamcave politike
për dominim ekstrem në stilin monarkik.
Kërkesa
e presidentit Thaçi për raportim në Kuvend pas vizitës më shumë private sesa
shtetërore në SHBA dhe takimit jo zyrtarë me presidentin e Serbisë, Aleksandër
Vuçiq, ishte krejtësisht e paarsyeshme dhe e panevojshme.
Mbase
adresimi i presidentit Thaçi në Kuvend do të kishte kuptim sikur ai të ishte
takuar me presidentin Trump, por jo me Vuçiqin dhe zyrtarë të nivelit të ulët
të administratës amerikane.
Përfundimisht,
liderët e tri institucioneve më të larta shtetërore, presidenti Hashim Thaçi,
kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani duhet ta njohin dhe
pranojnë njëri-tjetrin si dhe të koordinojnë veprimet në përputhje me
rregullimin kushtetues të vendit, e jo sipas fuqisë politike apo partiake.
Rënja e fuqisë politike
të Hashim Thaçit
Dita
e merkurë e javës së kaluar i vërtetoi dy gjëra; rënjen e fuqisë politike dhe
dredhitë e Hashim Thaçit. Siq po shihet qartë kanë ndryshuar gjërat, Hashim
Thaçi nuk e ka më fuqinë politike të ndikimit ndaj Kuvendit siq e kishte një
vit më parë. Dita e merkurë e 4 marsit 2020 e shënon dështimin e Hashim Thaçit
që ta marrë legjitimitetin në Kuvend si njeriu më i fuqishëm dhe i vetëm që do
ta përfaqësojë Kosovën në procesin përfundimtar të dialogut me Serbinë.
Mos
përfillja me urgjencë e kërkesës për raportim para deputetëve, e tregon
dështimin dhe delegjitimimin e plotë të Hashim Thaçit që të vendosë i vetëm për
fatin e Kosovës.
Thënë
edhe më qartë, nga dita e merkurë Hashim Thaçi e ka humbur të drejtën e
nënshkrimit i vetëm të marrëveshjes finale me Serbinë. Mund të takohet sa herë
të dojë me Vuçiqin në Bruksel e Uashington, por nuk e ka të drejtën e
përfaqësimit dhe nënshkrimit i vetëm të asnjë asnjë marrëveshje finale, për
arsyes se, Kosova është republikë parlamentare, e ka qeverinë dhe kuvendin,
gjegjësisht edhe kryeministrin dhe kryeparlamentaren të cilët duhet të jenë
nënshkrues të barabartë të marrëveshjes finale me Serbinë, marrëveshje e cila
duhet të kthehet për miratim në referendum popullor, për shkak se këtu kemi të
bëjmë me ndarje dhe bashkim territoresh, e tek pastaj të ratifikohet në Kuvend.
Këndellja e vonuar e
presidentit Thaçi për Specialen
Letra
që presidenti Thaçi ia dërgoi sekretarit të shtetit amerikan, Mike Pompeo, më
29 nëntor 2019, lidhur me tentativën për ta penguar punën e Gjykatës Speciale,
është e këndellje e vonuar, e pavlerë dhe dëmshme në aspektin politik.
Efektet
politike të "Speciales" po ashtu do të jenë me pasoja afatgjata për
të ardhmen e vendit,...të cilat do ta rehabilitojnë pushtuesin tonë
verior-Serbinë, sponsorizuesin kryesor
të kësaj gjykate.
Specialja
do të nivelojë krimet e supozuara individuale të ndonjë pjesëtari të UÇK-së me
gjenocidin shtetëror serb në njërën anë, ndërsa në tjetrën do ta bllokojë
Kosovën në ecjen e saj drejt integrimeve evropiane!
Gjykata
Speciale është produkt i dështimit të politikës dhe shoqërisë kosovare në
përgjithësi në ngritjen e aktakuzave kundër shtetit serb për vrasjet
gjenocidiale dhe spastrimin etnik të shqiptarëve.
Megjithatë,
përgjegjës kryesor për themelimin e Gjykatës Speciale është politikani numër
një në vendin tonë, Hashim Thaçi dhe jo vetëm.
Përgjegjëse
është e tërë klasa politike që e mbështeti një ide të tillë, por në radhë të
parë përgjegjës janë deputetët që e votuan një gjykatë të njëanshme dhe
krejtësisht politike kundër interesave të shqiptarëve.
Hashim
Thaçi, si president i vendit, duke qenë politikani më i shkathtë në Kosovën
Post-Rugoviane dhe protagonisti i të gjitha ngjarjeve që janë zhvilluar në
Kosovë dhe për Kosovën , paralelisht letrës dërguar sekretarit të shtetit
amerikan, Mike Pompeo, do duhej adresuar qytetarëve të vendit me kërkimfaljen e
sinqertë për dëmet e shkaktuara Kosovës nga dialogu i pabarabartë me Serbinë në
Bruksel, në veçanti duhet t'iu kërkojë falje luftëtarëve të lirisë për dëmet
dhe problemet e mëdha që ua shkaktoi me pranimin e Gjykatës Speciale, kësaj
gjykate të njëanshme dhe tendencioze, për ta pasuar tëreqjen e nënshkrimit mbi
të gjitha marrëveshjet me Serbinë, e në veçanti për Gjykatën Speciale dhe
Asociacionin e Komunave Serbe.
Vetëm
kështu presidenti Thaçi mund ta lajë një pjesë të borxhit ndaj qytetarëve të
vendit, pjesën tjetër le ta bën drejtësia. Kërkimfalja është akt i lartë dhe
shprehje e vlerave njerëzore.