| E shtune, 07.03.2020, 06:35 PM |
SHQIPËRIA JONË
Bisedë profetike
Nga
Mihal GJERGJI
Kishte
kaluar mesnata. Po dremisja në supin e ëndrrës. Gjumin e trazuar ma prishi zëri
i Kahlil Gibranit. –Ishe në takim me profetin, apo jo? Ishte pyetja e tij e
parë. Jo, - i thashë, isha në vendlindje. Ato ishin ditët e korrjeve të mia.
Nuk munda të shkoja në qytetin e Orfales. Pastaj, fjalët e tij i kam dëgjuar
nga ti, disa herë. Para një viti, para një muaji, para një jave...Ne gjithmonë
kemi biseduar bashkë. –Unë të kam treguar për Libanin tim, vazhdoi bisedën
Gibrani. Ndërsa ti s’më ke thënë asgjë për Shqipërinë tënde. – Ke të drejtë i
thashë. Do të tregoj dhe do ndjehesh sikur ke lindur në parajsën time, në
trojet e mia të bekuara.
Mirëpo,
në ndryshim nga ti, që e cilëson vendin tënd “Libani im”, unë do ta quaj
“Shqipëria jonë”. Sepse është dhe e të vdekurve, dhe e të gjallëve, dhe e atyre
që s’kanë lindur akoma. Të parët kanë eshtrat në këtë vend, djersën dhe gjakun,
historitë dhe kujtimin e tyre. Të dytët ende s’kanë përfunduar rrugëtimin e
caktuar nga Zoti. Akoma s’e kanë vulosur nderin apo turpin e tyre. Ky vend
është edhe i atyre që s’jetojnë këtu, qe kanë marrë rrugët e botës. Ata e kanë
ngarkuar Shqipërinë brenda shpirtit, gëzohen dhe trishtohen për të, si për
nënën e tyre, janë pjesë e dramave të saj. Koha do jetë gjyqtarja më e mirë,
për të gjithë.
Ata që do vijnë pas nesh, do jenë shëmbëlltyra jonë, mbase më e lartë, më e përsosur, por gjithmonë me rrënjët te ky dhe. Ja pra, kjo është Shqipëria, e cila ndodhet mes Lindjes dhe Perëndimit, si një ylber bashkues. Trupi i saj është mbuluar me xhevahire. Malet e larta zgjaten me kryet tek retë. Rreth ballit kanë mbështjellë mjegullat e bardha. Pastaj, këmbët e tyre shtrihen e çlodhen buzë detit. Kuvendojnë me Posejdonin.
Shqiperia
ka Bjeshkët e Nëmuna, Korabin e lartë, Gramozin, Gjallicën, Malet e Sharrit,
Këndrevicën e bukur, Nemërçkën, Malet e Palavlisë, e më të veçantin e maleve,
Tomorin Hyjnor, djepin e Perëndive. Gibrani im i çmuar! Filozofia jote mbetet
pa gojë në vendin tim. Shumë të vërteta janë mbuluar nga harresa dhe misticizmi. Perënditë kanë lëvizur nga
Palavlia në Tomor, pastaj në Olimp, atje ku gjëmon Zeusi, sundimtari i qiellit
dhe tokes.. Këtë e kanë thënë edhe profetët tuaj. Ti e di mirë këtë.
Pse
valle perënditë zgjodhën truallin tim si strehë të tyre? Prej mijëra vjetësh,
në lartësite e malit të Tomorit vinin Mbretër e Perandorë, nga gjithë bota,
sillnin dhurata dhe mësonin të nesërmen e tyre, fatin e betejave dhe të
popujve. Nga ky ankth i çlironin plakat, që dinin të lexonin fëshfërimën e
gjetheve të lisit, gjuhën e erës, gugatjen e pëllumbave, gurgullimën e ujrave
të dy burimeve magjike (njëri e shuante pishtarin dhe tjetri e ndizte atë),
lexonin shpatullat e qengjave dhe kecave te pjekur ne hell.
Vonë,
shumë vonë doli në dritë Krishtërimi. Veshjet e plakave u bënë rrasot e
priftërinjve. Ky besim i bëri të vetat gjithë ritet e këtij tempulli, më pas
edhe pushtetin e tij, (ndoshta edhe thesaret!). Por, Tomori, kurrë s'ka qënë i
braktisur, vazhdon të gjëmojë. E, kur gjëmon Tomori, Vezuvi shperthen gjuhët e
flakëve. Një lidhje e padukshme na flet me gjuhë rënkimesh. Bujtës të panumërt
ngjiten çdo vit në lartësitë e këtij mali. Libani s'ka thesare të tilla. Unë të
ftoj edhe ty Gibran t’i falesh Tomorrit...
2.
Do
të shoqëroj të shijosh edhe bregdetin e magjishëm, stërkalat e valëve që puthin
brigjet shqiptare. E fillojmë nga të duash; nga Velipoja, Shëngjini, nga
Dyrrahu mijëvjeçar, Divjaka, Semani, Vlora, Himara apo Saranda. Këtu ka vetëm
diell. Dora e Zotit është treguar bujare si askund tjetër. Pastaj të tregoj
edhe hambaret e bereqetit, fushat që shtrihen buzë lumenjve. Zadrimën e
mrekullueshme, fushën e Korçës dhe atë të Myzeqesë, më të madhen fushë të
Ballkanit Perëndimor. Po Fushëkosovën?- mund të pyesësh. Nuk e kam harruar, as
atë dhe as fushat e begata të Paramithisë në Çamëri. Do tregoj edhe per qytetin
e Janinës, Artës, Prevezës dhe Pargës magjike, për të cilën Ali Pashë Tepelena
harxho flori pa fund, edhe për dhimbjet tona, pjesët e prera barbarisht që ende
kullojnë gjak.
Ndoshta
ke të drejtë kur thua: “Ti ke Libanin tënd dhe dilemat e tij. Unë kam Libanin
tim me bukurinë e tij të pakufishme…Libani yt është një çështje e pazgjidhur
ndërkombëtare…Libani im janë luginat në të cilat jehojnë tingujt e këmbanave të
kishave dhe gurgullima e përrenjve…”. Poshtë këmbëve tona, ashtu si në Liban,
ari i zi pret të dalë në sipërfaqe, sikurse qymyri, kromi, bakri, dhe minerale
të tjera të çmuara, u kërkojnë të ndalen duarve vrastare që grabisin pa
mëshirë. E si për të freskuar këtë zjarrllëk të madh, burojnë dhe s’shteren
lumenjtë tanë. Si fjango të kaltra zgjaten nga grykat e maleve në drejtim të
detit. Drini, në nxitim e sipër sjell edhe lajmet për Dardaninë.
Pse
vallë, bota e krishterë s’tregon mirënjohje për Kostandinin? Ajkuna e kishte
djalin e vëllait, pra ishte nipi i saj. Ishte i pari Perandor, që pranoi
Krishtin, dhe në oborrin e tij, krahas filozofit pagan mbante edhe priftin.
Ndërsa dardani tjetër, Niketa, krijoi himnin e këtij besimi shpirtëror. Pas
Drinit të vrullshëm, është lumi tjetër, Buna, i cili zbut varfërinë shkodrane
dhe bën çtë mundet për banorët e lidhur fortë me këtë djep qytetërimi. Mandej,
janë edhe Valbona, Osumi, Shkumbini dhe Vjosa, lumenj përjetësisht të trazuar
dhe plot kapriço.
Natyra
ka krijuar xhepa për të vendosur thesaret e saj. Këtë e ndjen po të vizitosh
Kepin e Rodonit, të Bishtit të Pallës apo atë të Gjuhëzës. Fushëpamja mbetet e
pakufizuar për të shquar ishullin e Sazanit, të Kunës apo Zvërrnecit. Ndërsa
Gadishulli i Karaborunit mban në shpinë gjurmët e Çezarit dhe Pompeut. Lavdia
ka zgjedhur si vend prehjeje, pikërisht këto qafa malesh. Nuk po zgjatem me
pasuritë natyrore, pse më të çmuarit janë njerëzit tanë; të një gjaku, të një
rrace, të një gjuhe, denbabaden.
Ti
Gibran e ke lexuar Homerin. Dua ta besoj këtë. Ai është babazoti ynë. Ai fliste
këtë gjuhë dhe e shkruante, dashuronte dhe urrente shqiptarisht. Ishte Ai ndër
të parët që parandjeu gjëmën që do vinte, rrënimin, tmerrin që do provonin
trojet tona. Ai fliste me zotat. Pikërisht prej tyre mësoi të nesërmen e
hidhur. U pikëllua dhe s’e përballoi dot dhimbjen, u verbua. Unë qëndroj i
strukur brenda zgavrave të tij. Ku të vete? Këtu s’ka vend për mua. Por unë jam
shumë i lidhur me këtë dhe, me këto male, sepse këtu kam rrënjët e mia. Ja që
dashuria të tregon se si duhet vepruar. Dhe unë pres. Ylberi do shfaqet
përsëri...
3.
I
dashur Gibran! Më ke folë për njerëzit e Libanit, që ti i çmon aq shumë e që
ndjehesh i dashuruar me ta. Dhe kërkon të njohësh shqiptarët. Do të tregoj.
Shqipëria ka njerëz të mrekullueshëm, por ju nuk i njihni, sepse askush s’u ka
folur për emrat, vlerat dhe lartësinë e tyre. Askush. Pluhuri i harresës ka
mbuluar gjithçka. Syri juaj s’mund t’i shquaj nëse ne s’i nxjerrim në dritë. Në
ekranet e televizorëve ke parë vetëm lehësit, që u detyrohen atyre që i
ushqejnë. Atje s’ka vend për njerëzit e ndershëm, për mendjet e ndritura, për
zemrat bujare. Televizionet bëjnë biznes, gazetat po ashtu.
Çdo
gjë shitet dhe blihet. Malli më i kërkuar është seksi. Dhe seksi është i
pranishëm kudo, si kripa në gjellë. Morali s’vlen. Njerëzit e pushtetshem të
çdo kohe, s’besoj se ndryshojnë nga njëri tjetri. Është brumë i gatuar nga i
njëjti miell. Ata bëjnë marketingun, i shumëfishojnë vlerat financiare dhe i
përdorin për interesat e veta. Sikurse Libani yt, edhe Shqipëria jonë është
shndërruar në një fushë, ku luajnë shah peshkopi dhe gjenerali. Herë njeri dhe
herë tjetri luajnë rolin e mbretit. Të tjerët rreshtohen në kuadratet e
ushtarëve të bindur. Të gjithë janë me maska, si në ballo. Ja, këta keni parë
ju. Ata janë kufoma pa shpirt, trupa të zbrazur, skelete që kundërmojnë. Ata
s’janë shqiptarët e vërtetë, por të shiturit për interesa. Unë do t’i quaja
shqiptarët tuaj.
E
keni parë tokën pas rrebeshit? Rrjedha e fuqishme e ujit e gërryen atë, dhe
llumi del mbi trotuare, sipër rrugëve. Kështu ka ndodhur edhe këtu. Shqipëria
jonë mban brenda gjirit edhe shqiptarët tanë. Dhe s’do filloj me ata lisa
gjigandë, kurora e të cilëve ka bërë hije matanë sinoreve tona. S’do përmënd
perandorët shqiptarë që i kemi falur Romës, Bizantit apo Kostandinopojës. Për
asnjë Papë që ka drejtuar tempullin e krishtërimit në Romë, s’do flas tani. As
për mendjet e ndritura të filozofëve, iluministëve, mendimtarëve të mëdhenj apo
shenjtorëve. As për Pashko Vasën, Mytesarifin e vendit tënd, Libanit, i cili,
në vitin 1883 themeloi fletoren e parë politike në gjuhën tuaj.
Këtyre shqiptarëve edhe skeletet s’ua lanë të treten. E çvarrosën Skënderbeun, sepse besonin jo vetëm te fuqia e shpatës, por edhe te shenjtëria e eshtrave. Ndërsa Sami Frashëri, ky Tomor i lartë, ky diamant në kurorën e trashëgimisë tonë kulturore, ende vazhdon të jetë peng i tokës osmane. Por lavdia e tyre s’mund të tjetërsohet. Ajo endet sipër nesh si një diell që ngroh shpirtrat tanë. Për këta do tregoj në fund të bisedës.
Por,
do filloj rrëfimin tim me shqiptarët tanë të thjeshtë. Ata janë të dashuruarit
me këto troje. Dhe dashuria është fuqia më e madhe në jetën e një njeriu, të
një populli, të një kombi. Ata kanë derdhur me grushte djersën dhe gjakun, kanë
pranuar mbi krye vetëm Zotin dhe Diellin, kanë lënë trashëgim farën e tyre të
florinjtë. Dhe emrin e mire, që meriton të nderohet nga të gjithë. Bujku që hap
brazdat e gjata kur toka çliron afshin e ngrohtë pranëveror, e përqafon
mëngjezin sapo dalin rrezet e para. E merr dheun në duart e tij të argasura nga
parmenda, e shkërrmoq dhe i gëzohet si fëmijës së vet. Ata ngjasojnë me pemët e
përkulura nga dëbora. Të kesh bekimin e dheut tënd, doemos që meriton edhe
bekimin e Zotit. Dhe ata e kanë. Bariu që rritet e plaket pas tufës, mes
blegërimave dhe tingujve magjepsës të këmborëve e zileve. Ata jetojnë mes
natyrës që flet me gjuhën e rrëkeve dhe fëshfërimën e barit.
Dhe
natyra është si një nuse. Çfarë zbukurimi mund t’i bëjë dora e njeriut kësaj
mrekullie. Ajo na është afruar për ta shijuar, për t’u dehur prej saj. Barinjtë
marrin pas vetes dhe gratë, dhe fëmijët. Dashuria për jetën s’mund të ushqehet
veçse kështu! Unë i kam parë sesi mbajnë në duar qengjat e sapolindur (si Shën
Maria–Krishtin), kam parë sesi mbushin vedrat me qumësht, frigoriferët me mish,
magazinat me leshin e bardhë. Sepse pashallarët e qytetit duhet të hanë e pinë
mirë, zonjat e tyre duhet të sajdisen me veshje të ngrohta leshi, të mos u
mbërdhijnë këmbët dhe vithjet, të cilat i reklamojnë çdo ditë, duke shëmtuar
rrugët ku kalojnë.
Ti
Gibran, thua se biri i një bariu që ka aftësi e dituri vlenë më shumë për një
komb se trashëgimtari i fronit që është një injorant. Ke të drejtë, por më lejo
të tregoj më shumë për shqiptarët tanë…Poshtë kodrave të gjelbëruara nga
ullinjtë, vreshtarët e palodhur kultivojnë rrushin aromatik. Atyre s’u lodhen
duart nga gërshëra, sepse pas krasitjes përgatiten për vjeljen. Grumbullojnë
dhe përpunojnë varietete nga më të mirat. Prodhojnë verërat dhe i nxjerrin në
treg. Buza e zhuritur e poetit s’mund të njomet me lëngun e kuq, për të ushqyer
magjinë e fjalës. As piktori, as muzikanti, as artisti i skenës s’mund ta
provojnë atë. Varfëria i shndrron dëshirat në pranga. Konsumatorët e parë janë
të pasurit, ata, që u është shkurtuar qafa, zmadhuar kuleta dhe zvogëluar
shpirti. Po ata kanë dollarët, e me forcën e tyre mund t’a ngjitësh ujin
përpjetë. Ja, i dashur Gibran, këta janë shqiptarët tanë, por jo vetëm. Krah
tyre qëndrojnë montatorët dhe ndërtuesit që punojnë të varur në skelat e larta,
minatorët, jeta e të cilëve mbetet e pandriçuar brenda galerive të nëntokës.
Sepse duhet të dalin në sipërfaqe ato që toka i mban të fshehura në thellësi.
Ti
s’ke dëgjuar të flitet për mësuesit, këta misionarë që përhapin dritën e
diturisë. As për gurgdhendësit, veshjepunuesit, qëndistaret, për ato gra të
nderuara që u enjten duart nga gatimi i brumit në magje, për ata njerëz që kanë
mbetur në kujtesën e këtij populli, në shpirtin e tij. As për fëmijët e vegjël,
ata syçelurit plot ëndrra, që do ngrejnë fidanishtet e së nesërmes, nuk
kujtohet njeri të flasë. Ata mbushin me dritë çdo shtëpi, çdo katund, çdo
qytet, por edhe gjithë vendin. Shqipëria jonë është tempulli ku falen këta
njerëz, gatuar prej mirësisë.
Më
shumë akoma për shqiptarët që jetojnë larg, që vazhdojnë të shkollohen e
mësojnë gjuhën tonë hyjnore, për të mbajtur gjallë atë lidhje të shenjtë të
shpirtit me prushin e mëmëdheut. Në buzët e tyre flet malli i vendlindjes. Ata
i janë përkushtuar dijes, sepse dija s’të jep asgjë nga vetja e saj nëse nuk i
jep gjithë veten tënde.(Sikur të mundja të bleja disa abetare dhe t'i dergoja
atje!) Por jam larg dhe i papunë. Vetëm vendi yt të shikon si një nënë e
dhembshur. E nëna përgjerohet për ne edhe kur ndjehet e tradhtuar. Sepse vetëm
këtu tastjera e shpirtit mund të lëshojë muzikën e dëshiruar nga të gjithë.