| E premte, 06.03.2020, 10:09 PM |
7 MARSI – DITA E MËSUESIT
“Pesha
e Qiellit dhe vlera e Mësuesit – nuk mund të matën”
(Konfuçi)
Nga
Adil FETAHU
Në kalëndarin e festave
zyrtare dhe atyre jozyrtare, shtetet dhe kombet e ndryshme të botës shënojnë dhe kremtojnë data të
ndryshme nga historia e tyre. Shqiptarët e festojnë 7 Marsin, si Dita e
Mëseusit, dhe kjo festë, ndonëse në
historinë tone shënon një ditë me rëndësi arsimore e kulturore, ka mbetë
me status të festës jozyrtare. Është caktuar 7 Marsi si Dita e Mësuesit,
me Vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, nr.113, datë 3
Mars 1960, kurse në Kosovë kjo festohet
prej vitit 1994. E festojmë 7 Marsin në shenj kujtimi të themelimit të
Mësonjëtores së parë publike shqipe në
Korçë (7 Mars 1887). Deri atëherë, mësimi në gjuhën shqipe ishte rreptësisht i
ndaluar, ndërsa në trojet shqiptare funksiononin mbi 2500 shkolla publike e
private, shetërore e fetare: turke, greke, sllave, llatine.
Hapja publike e Mësonjëtores së parë shqipe në
Korçë, me karakter kombëtar dhe laik,
ishte një fitore e madhe dhe kjo u arrit në saje të angazhimit të një
grupi të rilindasve dhe me përkrahjen e
patriotëve të vendit e të mërgatës shqiptare. Kontribut të veçantë për
atë Mësonjëtore dhanë Kolonia Shqiptare dhe Shoqëria “Drita” e
Bukureshtit, që kishte shtypur librat e vëllëzërve Naimi e Sami Frashëri, të cilat përdoreshin në Shkollë. Shkollën e
ndihmuan edhe shumë aktivistë e patiortë tjerë. Korçari
Mandi Tërpko e fali shtëpinë e vet për këtë shkollë. Fillimisht në atë
Mësonjëtore u regjistruan 35 nxënës, kurse në vitin e dytë arriti në 300 nxënës, djemë e vajza, të të
gjitha shtresave shoqërore e fetare, nga vise të ndryshme të Shqipërisë. Aty
mësohej, lexohej e këndohej vetëm shqip. Nxënësit e asaj Mësonjëtoreje, të
edukuar në frymën e patriotizmit të Rilindjes kombëtare, do të bëheshin pasues
të devotshëm të mësuesve të tyre në luftën për liri e pavarësi të vendit.
Mësuesit e parë ishin Pandeli Sotiri, Thoma Sina, Thoma Avrami, etj, ndërsa
drejtuesit e shquar të asaj Shkolle ishin: Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj.
Disa javë më vonë u çelën shkolla shqipe edhe në disa qytete jera shqipare, por
nuk vonoi shumë kohë dhe, në bazë të propagandës klerofashiste greke,
administrata turke i mbylli, kurse drejtorin e parë të Mësonjëtores, Petro Nini
Lurasin e mbytën (helmuan) në Stamboll qarqet reaksionare të xhonturqve, në
bashkëpunim me klrofashizmin grek dhe me Patrikanën e Stambollit.
Me rastin e hapjes së
Mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Naim Frashëri shkroi këto vargje:
Hapu, hapu errësirë,
Pa jakë tëhu o dritë,
Se arriti kohë emirë,
U gëdhi nata – u bë ditë!
……………………………….
Dita e Mësuesit është festë
jo vetëm për Mësuesit, por edhe për nxënës e studentët dhe për qytetarët, që
t’ikujtojnë me respekt mësuesit e tyre, por t’i kujtojnë edhe sakrificat e tyre
prej ditëve të para të fillimit të shkollës shqipe. Mësuesi është si qiri: e
shkrinë veten, për t’ua ndriçuar rrugën të tjerëve, thotë një urti
anonime. Por, mësuesit ishin edhe artistë
të fushave të ndryshme, humanistë,
idealistë e propagandues që përhapnin idetë patriotike kombëtare.
*
Shumë njerëz kanë dëgjuar
për betimin e Hipokratit, që e bëjnë mjekët kur diplomojnë, por pakkush e di se
edhe mësuesit e kanë betimin e tyre (pedagogjik), që është patentuar për
nevojat e UNESCO-s nga viti 1966. Teksti
i betimit të Mësuesit, i hartuar nga pedagogu zvicëran Robert Dottrens (1893 –
1984), ka këtë përmbajtje:
“Betohem
se:
* Do ta kryej detyrën time me ndërgjegje dhe
krenari,
* Nxënësit
e mi nuk do të jenë vetëm nxënës, por edhe fëmijë dhe kurrë nuk do të harroj se për fatin e
tyre edhe unë mbajë një pjesë të
përgjegjësisë,
*Do ta
mbroj me të gjitha mjetet ekzistuese nderin e profesionit të arsimtarit,
* Kolegët
e mi çdo herë do të jenë edhe miqë të mi,
* Në
bashkëpunim me ta do të përpiqëm që vazhdimisht ta përkryej veprimtarinë e
shkollës në kuptimin efikas të njohjes së të gjitha të drejtave në edukimin dhe
barazinë sociale në arsim,
* Këtë
betim e jap plotësisht në mënyrë të lirë dhe me nderë.
Betohem!”
*
Në Ditën e Mësuesit i
kujtojmë mësuesit tanë prej ditës së parë të shkollës. I kujtojmë me respekt
edhe mësuesit e të gjithë brezave dhe i falënderojmë ata për punën e vyeshme e të rëndësishme që kanë bërë
për arsimimin tonë kombëtar, në kushte të vështira e me rrezik. Edhe
personalitetet me gradat më të larta profesionale e shkencore, të çfarëdo
profili e pozite që kanë arritur, i kujtojnë me respekt mësuesit e vet të parë
dhe të gjitha periudhave të arsimimit të tyre.
Urime e gëzuar 7 Marsi –
Dita e Mësuesit, të dashur mësues shqiptarë kudo që punoni e jetoni!