| E merkure, 04.03.2020, 09:49 PM |
ME GJAK U NDËRTUA, ME DJERSË DUHET MBROJTUR
Me rastin e Ditës së Mësuesit
Nga Prof. Dr. Avzi Mustafa
Lufta për gjuhën dhe shkollën shqipe, që populli ynë e ka
zhvilluar me shekuj, përfaqëson faqet më të ndritura, por edhe më të
përgjakura, të historisë sonë kombëtare. Rilindësit, duke kuptuar
kompleksivitetin e momenteve historike për ta ruajtur qenien e identitetit
kombëtar, dhanë kushtrimin se – pa rrokur armën e shkrimit – nuk mund të
mbijetosh e të futesh në rrugën e progresit, të lirisë e të pavarësisë.
Që në vitin 1868 u mblodhën patriotët shqiptarë mu në
qendër të Perandorisë, në Stamboll, dhe vendosën: “Duhet ta shkruajmë gjuhën
shqipe, duhet të zgjedhim ato germa që përcjellin tingullin me lehtë, tingullin
e bukur të gjuhës sonë. Dhe, germat të jenë shqip!”
Pa marrë parasysh vështirësitë dhe pengesat, ata dhanë
besën e shqiptarit që fjalës ilirike t’ia japin shpirtin në hapësirën e
gjithësisë dhe, nën mbikëqyrjen e shenjtorëve tanë: Koto Hoxhi, Hoxhë Tasini,
Pashko Vasa, Jani Vreto, Sami e Naim Frashëri, Ismail Qemalit…, pastaj të
shkruhej një ABETARE, me të cilën do të përhapej drita për shqiptarët kudo që
janë.
Në truallin e Arbërisë çdo pushtues mundohej të linte
gjurmë në shpirtin e shqiptarit, duke hapur shkolla osmane, greke, latine,
sllave, por asnjë shqipe. Banorët e Arbërisë quheshin arnautë, latinë, kaurë,
por jo edhe me emrin e tyre të vërtetë. Shqiptarët kurrë nuk e identifikuan
veten me pushtuesit. Pavarësisht nga përçarja fetare, ata mbetën gjithmonë
shqiptarë. Këtë e bënte gjuha, e cila ishte “rojtarja me besnike, me vigjilente
e kombit”, që i bënte ata të pamposhtur përballë pushtuesve të huaj.
Abetarja shqipe është shkruar me gjak nga promethenjtë
tanë dhe me kockat e tyre të shenjta është ndërtuar shkolla shqipe. Në krye të
kësaj rruge fisnike u shquan shumë fytyra të ndritura, që sakrifikuan jetën për
shkollën shqiptare. Si Naum Veqilharxhi, që na fali Abetaren e parë dhe këtë e
pagoi me kokë në burgun e patrikanës greke. Gjithashtu me kokë e e pagoi
veprimtarinë patriotike dhe humane edhe mësuesi parë i shkollës shqipe, Pandeli
Sotiri, që u vra prej të vjehrrit të së shoqes me prejardhje greke.
Për arsye se çeli shkollë shqipe në Negovan dhe pse
predikonte për çështjen shqiptare, xhandarët grekë, të ndërsyer nga dhespoti i
Kosturit, e vranë Papa Kristo Negovanin me të vëllain, Theudosin, si edhe pesë
patriotë negovanas përkrahës së shkollës shqipe, vetëm e vetëm për të futur
frikë, që shqiptarët të mos mësonin në gjuhën amtare. Patriotit Koto Hoxhi –
yllit të gjuhës shqipe, që edukoi jo vetëm me ndenja patriotike, por ua mësoi
gjuhën shqipe shumë mësonjësve, po ashtu iu hakmorën mizorisht. Mitropolia e
Manastirit po ashtu me dinakëri e futi në dorë të kusarëve, duke e mbajtur rob
Gjerasim Qiriazin, vetëm e vetëm që të heqë dorë nga shqipja e shqiptaria.
Fanari grek, në bashkëpunim me hyqimetin osman, më 1911 e helmuan Petro Nino
Luarasin, më 1884 nga tortura në burgun e Athinës e mbytën Anastas Kulloriotin,
ndërsa Nuçi Naçin, drejtorin e fundit të mësojtores së Korçës, e mbytën në
internim.
Ndaj shkollës dhe abetares shqipe qeveria osmane merrte
masa të rrepta, duke torturuar, syrgjynosur e vrarë edhe në zandanët e Turqisë,
siç ishte rasti me Sadik Zajmin e Idriz Novokasin, vetëm sepse kishin hapur
shkolla shqipe në Shkup, Pejë, Gjakovë e Prizren. Ata e internuan Hamdi Ohrin.
që hapi shkollë edhe në burgun e Manastirit, ndërsa Said Najdenin, mësuesin e
Dibrës, e mbytën në moshën 39-vjeçare po ashtu sepse hapi shkollë klandestine
në Dibër.
Tmerr të tërbuar kundër shkollës shqipe merrte
pansllavizmi. Ai vrau At Shtjefan Gjeçovin, mbyti në burgun e Prizrenit Bedri
Pejanin, ish-mësuesin e gjuhës shqipe në gjimnazin e Shkupit dhe e vranë
rekasin Anastas Albanski, mësuesin që hapi shkollë në gjuhën shqipe në
Kumanovë.
Me këtë rast i përmendëm vetëm disa emra, ndonëse ka edhe
shumë emra të tjerë, që u sakrifikuan për gjuhën dhe shkrimin shqip. Ashtu siç
thotë Noli: “Ata ishin njerëz me privacione e me vuajtje e me tortura të çdo
minute, përpara të cilëve edhe Ferri i Dantes ishte një panair i bukur.”
Megjithatë, gjithë ky krim më barbar, që iu bë mësuesve e
patriotëve shqiptarë, nuk i trembi, por i bashkoi shqiptarët, duke e realizuar
amanetin e mësuesve e patriotëve shqiptarë të Rilindjes, të cilët na kanë
porositur “Sido të jemi e ku do të jemi, edhe nëse na ndjek qeveria e s’na
le të hapim shkolla në gjuhën tonë, gjuha shqipe le të shkruhet edhe në
kalldrëme dhe le të këndohet.”
Përpjekje për mësim në gjuhën shqipe ka pasur pandërprerë
në shumë vende të Shqipërisë ose përpjekje të mëdha për të futur gjuhën shqipe
si lëndë mësimore në shkollat e huaja.
Kur okupuesit i ndanë shqiptarët në banovina sllave e
greke, një pjesë e madhe e shqiptareve mbeti e okupuar e shkollë në gjuhën
amtare as që flitej, por përgatiteshin plane për shfarosje e shpërngulje.
Sidoqoftë, shkolla në gjuhën shqipe, me mësues, libra e
planprogram dhe jofetare u realizua para 133 vjetëve, më 7 Mars të vitit 1887,
kur u hap Shkolla e Parë në Korçë. Me këtë shkollë u hap rruga e forcimit të
ndërgjegjes kombëtare. Kjo shkollë i mobilizoi të gjitha forcat për t’i bërë
ballë terrorit e intrigave të sunduesve gjatë gjithë historisë së arsimit tonë,
duke shprehur vendosmërinë e popullit shqiptar për ta ruajtur e për ta shkruar gjuhën
shqipe.
Në sistemet moniste arsimi u zhvillua në situata të
ndërlikuara, por periudha pas vitit 1981 është periudha më e errët në historinë
e arsimit shqiptar në Maqedoni dhe Kosovë. Në këtë periudhë u vu në zbatim të
hapur strategjia antishqiptare e përgatitur në kuzhinën e Beogradit, ku
testohej së pari te shkollat shqipe në Maqedoni e deri në mbyllje në Kosovë..
Pushteti jugosllav në këtë periudhë u tregua shumë i
ashpër për të flakur gjoja “separatizmin dhe irredentizmin shqiptar.” Politika
antishqiptare, që ushtrohej nga organet partiake me direktivën e shtetit,
filloi ta sulmojë arsimin shqiptar nga të gjitha anët.
Së pari filluan me evidencën dhe dokumentacionin
pedagogjik, që duhej të shkruhej në gjuhën e shtetit, pastaj e ndërruan edhe
Kushtetutën, me çka gjuha shqipe u hoq plotësisht nga përdorimi. Kështu filloi
kryqëzata e vërtetë kundër arsimit në gjuhën shqipe. Organet e pushtetit monist
filluan të pushojnë nga puna arsimtarë, u ndalua që në shkollë të komunikohet
në gjuhën shqipe, arsimtarët filluan të burgosen, u ndërruan emrat e shkollave,
u mbyllën shkollat e mesme dhe shkollat e larta etj.
Megjithatë, shqiptarët asnjëherë nuk e pranuan shkollën
në gjuhë të huaj e as shkollë të përkthyer në gjuhën shqipe, por vetëm shkollën
kombëtare, ashtu siç na kanë mësuar mësuesit tanë patriotë shqiptarë, që sot
brezi ynë i kujton me admirim emrat e tyre.
Megjithatë, më i rëndësishëm është fakti se populli
autokton shqiptar është i vetëdijshëm, që duhet edhe më tej të qëndrojmë në
këto hapësira, se – përveç tjerash – duhet jo vetëm shkolla fillore e të mesme,
por edhe universitetin e tij, sepse kjo është shenja dhe simboli i emancipimit
kulturor dhe kombëtar. Tragjedia e arsimit tonë kombëtar do të vazhdojë pa
reshtur derisa shqiptarët sidomos në Maqedoni u vetëdijesuan se për fatin tonë
nuk mund të vendosin të tjerët, madje pikërisht ata të cilëve u duket edhe
varrimi ynë si kulturë e komb.
Vështirësitë dhe pengesat për jetësimin e kësaj ideje
s’kishin dyshim se ishin të mëdha. Në radhë të parë kishin të bëjnë me lejimin
dhe themelimin e një universiteti në gjuhën shqipe në Maqedoni. Veprimtaria e
tij jo që u përjashtua nga çfarëdo detyrimi ose ingerence e pushtetit
maqedonas, por përkundrazi ai pushtet ushtronte trysni me format më barbare të
represionit që ta pengojë veprimtarinë e tij.
Sidoqoftë, shqiptarët e Maqedonisë – edhe përballë dhunës
e terrorit – e ruajtën fuqishëm vulën e pavdekshmërisë, vulën dritëdhënëse të
pishtarit të lirisë dhe të parimit të popullit shqiptar në Maqedoni. Ky
universitet, që shumë dashamirë të arsimit, si të vendit ashtu edhe të huaj, e
quajtën “Panteon i pamposhtur”, pas legalizimit nuk na mbetet asgjë tjetër,
përveçse ta mbrojmë me meritokraci akademike.
Viti 2015 për historinë e arsimit shqip në Maqedoni është
i rëndësishëm për atë sepse ndodhi hapja e universitetit të dytë shqip në
Maqedoni – Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Ky universitet u themelua në
bazë të trendeve të shoqërisë evropiane si një projekt me objektiva të qarta,
të mbështetura në nevojat e tregut të brendshëm dhe të jashtëm e me qëllim të
krijimit të profileve me arsim të lartë.
Arsimi në gjuhën amtare për shqiptarët mbetet hyjnesha më
magjike ashtu siç do të ta përshkruajë i madhi Tagora “O arsim i popullit,
hyjnesha më e lartë e të gjitha besimeve dhe të gjithë popujve në botë! Kur do
të shndrisë nëpër popujt të gjitha racat e botës, fytyra jote shkëlqimplotë,
kur t’i vishet ai brez i yt i art mbarë rrukullisë së dheut?”
Sot kur kemi shkolla e universitete, arsimtarë e
pedagogë, arsimin duhet ta shikojmë si kategori kombëtare dhe universale dhe se
ai duhet të udhëtojë drejt një sistemi arsimor modern i cili do të jetë në
përputhje me ekonominë e tregut dhe standardet evropiane e botërore.
Edhe përkundër disave arritjeve në të gjitha shkallët arsimore
edhe në këtë shekull arsimi përballet me shumë sfida të ndryshme, duke filluar
nga mungesa e pamjaftueshme e infrastrukturës, performanca e dobët e
mësimdhënësve, mungesa e pamjaftueshme e buxhetit për trajnimin e
mësimdhënësve, materialet mësimore të papërshtatshme me synimet që i kërkon
tregu i punës, mungesa e mekanizmave për sigurimin e cilësisë etj.
Cilësia e arsimit
është i vetmi faktor që çon shoqërinë përpara, prandaj duke qenë i tillë kërkon
angazhim serioz të të gjithë atyre që kanë përgjegjësi, sidomos atyre që janë
të kyçur në procesin mësimor.
Për të pasur arsim
cilësor në të gjitha shkallët, duhet të angazhohen më të mirët, ata që e duan
kombin, ata që i hapin horizonte te reja kombit, ata që janë më të njerëzishmit
që mësuesinë e kanë edhe mision edhe profesion. Në shkolla e universitete
politika duhet të rrijë larg, kështu që nuk duhet të bëhet nga selitë partiake
që herë-herë e bëjnë për një votë për punësimin e surrogatëve, herë-herë me
nepotizëm ndonjëherë edhe me korrupsion. Me arsimin duhet të merren ata që e
meritojnë se vetëm me punë e cilësi mund ta mbrojmë arsimin.
Shqitarëve nuk u duhen diploma pa dije, por dije
shkencore, sepse nuk kemi më kujt t’ia hedhim fajin për mosdijen tonë. Tani
luftën do ta bëjmë ndaj secilit që harron sakrificat e shkollës dhe të gjuhës
shqipe. Siç thotë Viktor Hygo-ja, me arsimin duhet të merret vetëm “njeriu që
do më shumë se veten krijesën e tij, nxënësin tek i cili do ‘të derdhë’
shpirtin e tij”.
Kur jemi në këtë ditë të shënuar, ua kemi borxh kujtimin
dhe nderimin të gjithë atyre që ishin dhe mbetën fanarë të përjetësuar të
arsimit në gjuhën amtare. Prandaj, të gjithë ata duhet t’i përshëndesim me
përshëndetjen më humane të botës arsimore: Lavdi ndër shekuj!