| E marte, 03.03.2020, 08:37 PM |
Blerim Latifi:
Shteti
ynë ka bërë një gabim të madh strategjik duke e orientuar politikën e njohjeve
drejt shteteve të vogla. Kemi menduar se duke e rritur numrin formal të
njohjeve, vetvetiu do të përmirësohet edhe statusi ynë në bashkësinë
ndërkombëtare të shteteve. Nuk është dashur shumë mend për të kuptuar
naivitetin e këtij mendimi, sepse dihet fare qartë se edhe nëse do të na
njihnin të gjitha shtetet e vogla në Afrikë, Azi, e Amerikë Latine, gjëndja jonë
nuk do të ndryshonte për të mirë. Barrierat tona qëndrojnë diku tjetër : tek
fuqitë e mëdha, si Rusia, Kina, India, Brazili dhe pesë shtetet e Bashkimit
Europian të cilat vazhdojnë të këmbëngulin në mosnjohjen e Kosovës. Prandaj,
është dashur qëmoti të hiqnim dorë nga vetmashtrimi me njohjet e vogla, të
cilat, për më tepër, na janë kthyer bumerang nga interferimi diplomatik i
Serbisë. Çnjohja nga Sierra Leone është më e fundit në këtë histori të gabimeve
trashanike të diplomacisë kosovare.
_______
Në
vitin 1913 Fishta i përshkruante kafehanet e Shkodrës, si vende ku mblidheshin
llojlloj njerëzish, pjesa dërmuese e tyre analfabetë, dhe diskutonin për
problemet e mëdha politike botërore. “Pa ditë asnji gja nga politika, çdo kopuk
do më dalë Bismark ; pa kuptue asnji gja nga arti i luftës, flasin si me qenë
Velington a Napoleon”, shkruante Fishta. Kjo pjesë nga publicistika e Fishtës
mu kujtua dje, derisa në rrjetet sociale kishin vërshuar komentet mbi politikën
amerikane dhe mbi atë se kush çfarë është e çfarë përfaqëson brenda saj, si dhe
mbi ndikimin e Rusisë në proceset e vendimmarrjes në Shtëpinë e Bardhë dhe
Kongres. Ballkani prodhon më shumë histori sesa mund të konsumojë, ka thënë
njëherë kryeministri britanik Churchill. Mbase është koha ta themi në një formë
tjetër këtë mendim : Ballkani prodhon më shumë budallak sesa mund të konsumojë!