| E diele, 01.03.2020, 04:03 PM |
LEGJENDË E ROMANIZUAR ME SUKSES
(Mbi romanin “Bendo Shapërdani në kohë orëliga”
të K. Nanushit)
Nga Thanas
L. Gjika
Qyteti piktoresk i Pogradecit me fshatrat përreth, i ka
dhënë kulturës dhe letërsisë shqiptare një varg personalitetesh të shquara, si
gjuhëtarin Prof. Gjergj Pekmezi, poetin e shquar Lasgush Poradeci, prozatorin klasik
Mitrush Kuteli, shkrimtarët e talentuar Vasil Alarupi, Dhimitër Xhuvani,
humoristin Niko Nikolla, dramaturgun Misto Marko, etj. Kësaj aradhe i shtohet
denjësisht edhe Kristaq Nanushi, i cili me pasionin, talentin dhe përgatitjen e
vet ka realizuar me sukses hartimin e disa veprave me vlera të veçanta. Pas
shumë artikujsh e kritikash letrare në “Drita” e “Nëntori”, pas disa skenarë
filmash dokumentarë e artistikë televizivë, ai botoi dy përmbledhje me legjenda
e gojëdhëna iliro – shqiptare, “Legjendat e Liknidës” më 2002 dhe “Legjendat
e Enkelanës” më 2013, që patën jehonë të gjerë. Nga viti 2007 është autori
i librit didaktik “Pogradeci, vendlindja ime”, me të cilin nxënësit e shkollave
të rrethit marrin njohuri për vendlindjen e tyre. Kurse më 2014 botoi
bibliografinë e vëllimshme “Pogradeci në shtypin e viteve”, me të cilën nxori
në dritë gjithçka të botuar në gazeta, revista, kalendarë, fletore zyrtare,
buletine, etj. që nga Rilindja e deri në mbarim të Luftës së Dytë Botërore.
Lëndën e përbëjnë lajme, artikuj, njoftime, reportazhe, fotografi, portrete
njerëzish, vendime gjyqesh, reklama, letërkëmbime, telegrame, urime... Thënë
ndryshe, lënda është enciklopedi e jetës së Pogradecit me rrethinat e tij deri
në fund të vitit 1944.
Romani “Bendo Shapërdani në kohë orëliga” që doli
në qakullim në fillim të këtij viti, dëshmon sërisht se tek ky autor bashkohen
me dinjitet shtysat individuale, formimi letraro-shkencor dhe talenti krijues.
Ky roman e merr temën nga jeta shqiptare gjatë sundimit
turk, konkretisht nga fundi i shekullit të XVIII. Në qendër është udhëheqësi
popullor, kapedan Bendo Shapërdani, një figurë që ka ekzistuar realisht, por e
patrajtuar nga historia dhe pak e shestuar nga letërsia, prandaj kishte mbetur
në hapësirat e legjendave. Pra autori lëvron në terren gati të panjohur. Në
trevën e Pogradecit në atë kohë u organizuan revolta fshatare me në krye Suli
Starovën dhe Bendo Shapërdanin. Në përballje të pabarabarta në numër, në
armatime e në organizim, ushtria e sanxhakut për turp të Perandorisë u thye dy
herë. Pashai i Ohrit me pabesi eliminoi njërin nga dy udhëheqësit, Suli
Starovën. Këto ngjarje jepen përmbledhtas me retrospektive, në tre kapitujt e
parë. Pastaj, me kompozicion linear në 23 kapituj, pasqyrohen bëmat e Bendo
Shapërdanit me çetën e tij përballë me pushtetin e pashait të Ohrit. Nami i
kapedanit vajti në Stamboll. Populli i ngriti një këngë epike nga më të
bukurat, të cilën e botoi Thimi Mitko në përmbledhjen “Alvaniki melissa” (Bleta
Shqiptare) në Aleksandri më 1878, pastaj e kthyen në tregim Mitrush
Kuteli, Sterio Spasse dhe Kristaq Nanushi duke shtuar secili nuanca dhe ide të
reja.
Romancieri Nanushi sendërton në sfondin e jetës shoqërore
dhe të bëmave të luftëtarëve konturet politike të sistemit feudalo-ushtarak
turk, si dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të perandorisë me shtetet e fuqishme të
Evropës. Për atmosferën politiko-shoqërore të kohës ai ka hulumtuar në studimet
historike për shekullin e XVIII, ku përmes skenash plot detaje domethënëse pasqyrohet
jeta e rëndë e popullit nën pushtim. Ndonëse jepet jeta në kazanë e Starovës,
aty përgjithësohet dhe jeta e gjithë popullit tonë. Ballafaqimet e fshatarëve
të Malit të Thatë me dërgatën e Ahmet Pashait, apo debatet në kuvendet e
Namazgjasë së Starovës e përcjellin bukur dhe me emocion kundërshtitë sociale
të kohës, dufin popullor që vlon prej shtypjes.
Në dy librat e tij me legjenda, si kemi vënë në dukje më
parë, ky autor dëshmoi se është mjeshtër i ndërtimit dhe i rrëfimit të fabulës.
Nga brumi i pakët i legjendave ai shpalosi aftësinë e krijimit të skicave
poetike, pra të veprave letrare. Kjo dukuri ndodhi edhe me legjendën kushtuar
Bendo Shapërdanit, legjendën e të cilit Kristaqi, si thamë më lart, e shpalosi
së pari në kufijtë e një tregimi. Kurse tani, legjendën e këtij kryengritësi ai
e ritrajtoi në dimensionet e veprës së re romanore. Fantazia e tij krijuese
kësaj radhe është shumë më e begatë, si në rikrijimin e jetës shoqërore,
krijimin e tipave dhe karaktereve letrare, përshkrimin e ambjenteve ku jetojnë
protagonistët dhe ku kryhen aksionet, ku strehohet çeta, deri dhe skenat e
pazareve të qyteteve, ambjentet e brendëshme të sarajeve të sanxhakbeut, etj.
Toponomastika është konkrete, reale dhe e lidhur mirë me ngjarjet. Ndjehet se
autori i ka shkelur vetë gjithë viset që përshkruan. Madhështia dhe bukuria e
Malit të Thatë me ambjentet për rreth jepet në stinë të ndryshme plot ngjyra,
plot zëra zogjsh, bukuri njerëzore, shushuritje dallgësh të liqenit të Ohrit,
etj. Të tilla përshkrime nuk u janë bërë bukurive natyrore të maleve të tjerë
madhështorë që ka Shqipëria si Mali i Tomorit, Mali i Dajtit, Mali i
Taraboshit, Mali i Korabit, Mali i Shkëlzenit, etj.
Puna për krijimin e personazheve, sidomos të
protagonistëve, është një nga arritjet madhore të autorit, të cilët skaliten në
detaje duke theksuar diferenca në tiparet e karakterit, në veshjet, në
sjelljet, në dialogjet e komunikimet e tyre. Kryepersonazhëve Bendo Shapërdani
e Suli Starova, të cilët kanë ekzistuar realisht, autori nuk i kushton shumë
rëndësi pamjes së tyre fizike, por sjelljes, mendimeve, bëmave të tyre për të
shpalosur atdhedashurinë, vendosmërinë e tyre për të luftuar për të drejtat e
popullit të krahinës. Përmes krijimit të ngjarjeve e dialogjeve, përshkrimit të
jetës së shumanshme, zbulohet morali i lartë, bukuria shpirtërore e këtyre dy
heronjve. Po kështu veprohet edhe për krijimin e personazheve joreale, qofshin
pozitivë, si mësuesi Asllan i Manastirit, kryeplaku i Starovës, xha Gjoka i
Peshkëpisë, etj, qofshin negativë, si Ahmet Pashai i Ohrit – sundimtar i
sanxhakut, Fetih agai – komandanti i ushtrisë, Bektash agai – shef i policisë,
Muhtar agai – komandant i truprojës, etj. Karakterizimi i tyre si vrastarë të
paskrupullt të popullit shqiptar, jepet përmes dialogjeve e veprimeve të
ndërtuar me shkathtësi.
Përpara çështjes madhore të lirisë, midis kombeve fqinj,
autori di të shkrijë e tresë dallimet kombëtare midis shqiptarëve dhe
maqedonëve. Kundër armikut të njëjtë ata bashkohen në luftë të përbashkët.
Bendoja me Bojkon shkojnë bashkë në luftën e Livadhisë, çeta e Peristerit
përshëndetet me çetën e Malit të Thatë, në Shën Johan Kaneo; shqiptarët duan të
shkojnë për kuvend me kryengritësit e tjerë të Ballkanit. “Liria si kudo
është e shenjtë edhe ndër ne”, i thotë Bendos miku maqedonas Radko
Dimitrovski.
Po kështu, është meritë e shquar edhe harmonia ndërfetare
midis shqiptarëve. Ata janë të pandarë edhe në jetë, edhe përballë furtunave që
sjell pashai i Ohrit. Kur ky i fundit i nxit njerëzit e tij “të ndezin urët”
midis myslimanëve dhe krishterëve, qatipi i thotë se ata “shkojnë shumë
mirë, si miq. Në luftë si vëllezër. Jetën e bëjnë bashkë në gëzime e hidhërime,
në paqe e në luftë. Kanë bërë edhe krushqi. Një zot kemi, thonë. Shikoji,
pasha, dhe të parët e tyre, Suli Starova është mysliman, Bendo Shapërdani është
kaur. Si të ndahen të tjerët?”
Të veçanta e të pashlyeshme janë figurat e Ritës dhe
Lenës, dy vogëlushe që rriten bashkë me lodra, mendime dhe ndjenja vajzërore.
Bota shpirtërore e tyre përshkruhet me bukuri e finesë: “Kur po mbushnin 15
vjet zunë po shihnin ëndrra ndryshe nga ato të fëmijërisë. Ia tregonin
njëra-tjetrës të skuqura, me purpur në faqe. Shihnin dhe ëndrra me turp, sikur
pranë u afroheshin djem të bukur. Në këto raste gjumi u trembej dhe ëndrra u tretej
si flokë bore mbi qerpik.” Në tematikën e romanit linja e këtyre dy vajzave
sjell një botë tjetër, me ngjyra e freski të veçantë. Fundi tragjik i njërës
prej tyre, i Lenës, është dëshmi e dhimbjeve të jetës së rëndë nën pushtimin
turk.
Në subjektin e romanit, përkundër skenave me epiciet të
fortë të luftimeve, ndërthuret edhe linja lirike e dashurisë së Bendos me
Vesën, vajzën maqedone, lindur e rritur aty pranë. Marrëdhëniet mes tyre kanë
një regjistër ligjërimi shumë të ndryshëm të autorit. Në fillim janë “bisedat
frymëvalë e ëndërrimet qiellore”, pastaj në takimin e parë, nën një shtog
të çelur, midis luledeleve të bardha, Vesa lë trëndafilin e kuq të vajzërisë.
Vazhdojnë harbime faqeve të malit, ai si mëzat e ajo si hergjele, enden me
varkë valëve të liqenit, zhyten në not e lodra uji... Kështu kapedani bën me
nusen “atë që bën prilli me qershinë, e lulëzon”. Edhe pse kohë
luftërash e trazirash, në roman zënë vend dhe përshkrime të goditura ndjenjash
erotike, skena dashurie, madje marrëdhënie seksuale, të ndërtuara me mjeshtëri
e maturi. Një gji i fshehtë i liqenit, ku në mëngjes Vesa me dy shoqe lahen
lakuriq, si sirena përrallash, përshkruhet me një stilistikë që të emocion
fort. Aty, pikërisht, djaloshi Bendo la mendjen së pari. Po aty, pas shtjellimit
të subjektit, do të jetë edhe skena e fundit e çiftit të dashuruar. Këtë herë
në mbrëmje, në mbyllje të ditës, si në mbyllje të jetës bashkëshortore...
Ashtu si në vëllimet e mëparshëm me legjenda, K. Nanushi
mbush me lëndë jetësore subjekte që i rrëfen bukur, me gjuhë të ëmbël, plot
nuancime e ngjyrime kuptimore. Peizazhet i hijeshon, i shpirtëzon, u jep jetë e
bukuri. Ngjarjet i bën të ardhura afër e me ndjeshmëri të lartë. Gjuha është e
mbushur me fjalë e frazeologji të së folmes se Pogradecit që e pasurojnë gjuhën
letrare, si: “drokth, humbellë, zhujë, shavar, vërshë, calik, cekëlinë,
mbushullimë, çatallë, sheputkë, urdhëror, i angështuar, i myshkëtuar, ofkëllin,
rrusku! nemituni! frymëvalë, lakadredha, orëliga, poshtëthella, këmbëshkallë,
etj. Në përdorimin e tyre bie në sy melodioziteti, ashtu si në krijimet e
Lasgushit e të Mitrushit. Kjo ndodh, mendoj, sepse ky autor ecën në rrugën
krijuese letrare të këtyre dy mjeshtërve të fjalës shqipe, punë të cilën ai e
ka ngritur në një nivel më të lartë në këtë vepër romanore, krahasuar me veprat
e tij të mëparshme.
Sa për ilustrim po sjell një përshkrim mëngjesi: “Qielli
u çyjëzua e dielli shkrepi mbi Mal të Thatë, por rrezet e tij shndritën më parë
në brigjet matanë liqenit, nga Pogradeci në Lin e nga Struga në Ohër. Fshatrat
në faqe të këtij mali, ende nxirrnin nëpër ag kollën e mëngjesit. Dhe
gatiteshin me përtesë për punët e rënda të ditës.”
Po kaq tërheqëse është ndërfutja në subjekt e gojëdhënave
të shumta të trevës, që me gjuhë alegorike e paralelizma sjellin pasuri e
ngjyresa të tjera. Fjalët e urta e frazeologjitë në to, shprehjet sentenca, me
mençuri e filozofi popullore, deri te urimet e mallkimet, janë margaritarë të
thesarit leksikor popullor. Autori shprehet shkurt e qartë, teksti artikulohet
natyrshëm e me intensitet.
Për arritjet gjuhësore të këtij romani, Prof. Nasho
Jorgaqi në parathënien e veprës thekson: “Lënda artistike... shprehet me
ligjërim të bukur, emocionues, me frazë të ngjeshur e të larmishme, me nëntekst
të mençur dhe me stilistikë të pasur origjinale... Të befasojnë regjistrat
ligjërimorë aq të larmishëm të autorit: tonet epikë (skenat e luftimeve), tonet
trimërorë (përballjet Bendo – pasha i Ohrit), tonet kërcënues (letrat e
sulltanit), tonet analitikë e filozofikë (Bendo – Atë Stefani në Shën Naull),
tonet oratorikë (Bendo e mësonjësi Asllan në kuvende burrash), tonet shoqërorë
(Bendo dhe çetarët e tij), tonet lirikë dhe idilikë (Bendo – Vesa), etj. Ato
janë të motivuar, të natyrshëm e të besueshëm, me fjalorin e atyre moteve...”
Si përfundim, them se në tërësinë e vet romani shquhet
për ndërtimin e një subjekti tërheqës, me kompozicion të zhdërvjellët, me
dialogje të shkathët, me kalime të ngjarjeve si në një rrjedhë kroi malor të
freskët e të shpejtë, me gjuhë të pasur e të pastër dhe me ligjërime të
shumllojshme. Këto cilësi bëjnë që romani të lexohet me ëndje, përmes
emocionesh mbresëlënës.