| E diele, 01.03.2020, 11:25 AM |
Nën darët e dhunës pa alibi
Nga
Diadema Stil
Në
vend të mendimit të lirë dhe lirisë së zgjedhjes së alternativës, me anë të
dialogut dhe ballafaqimit të alternativave, kasta e vazhdimësisë neokomuniste
ka zgjedhur presionin dhe shantazhimin, si mjete të përgjunjës së kundërshtarit
dhe tkurrjes së dimensionit opozitar të shoqërisë.
Ervis
Belsija, mësues, përkrahës aktiv i opozitës, është njëri nga dhjetëra të
ndëshkuarit për shkak të bindjeve të tij politike, të cilit i është treguar
“gjuhëve e dhëmbëve”, e vetmja gjuhë që di mazhoranca dhe pushteti aktual ndaj
kundërshtarëve politikë.
Presionet
dhe dhuna psikike e fizike ndaj tij janë shtuar dhe kanë kulmuar pas
pjesëmarrjes së tij në protestat e studentëve në Shkodër dhe shoqërimin që iu
ka bërë dy liderëve opozitarë, Bashës dhe Kryemadhit.
Gjithçka
nisi si një sherr i improvizuar në çast me një koleg të tij, duke e hequr më
tej nga puna dhe duke iu nënshtruar nga një kalvari gjyqesh të pakupimtë, nën
presion, shantazh dhe kërcënim të vazhdueshëm.
Ervis
Belsija, nga Shkodra, ditën e premte, më 09.11.2018, është provokuar dhe
goditur nga një koleg i tij, duke i sajuar një precedent penal, pa qënë ai
fajtor, por provokatori dhe të tjerët ndaj tij ia kanë inskenuar gjithçka,
vetëm për faktin se ai është përkrahës i opozitës e konkretisht i LSI-së,
qëndrim që për ambientin mbytës të krijuar nga “Rilindja” në Shkodër, përbën
një herezi të rëndë dhe duhet ndëshkuar egër, siç dhe ndodhi. E heqin nga puna
pa asnjë motiv real, dhe me gjithë protestat e nxënësve dhe të banorëve, jo
vetëm që nuk e rikthejnë në punë, por ngrejnë ndaj tij një mori akuzash, në
gjyqe të sajuar me ngut dhe nuk mund të fshihet dot qëllimi për të gjunjëzuar
një opozitar.
Gjatë
periudhës së pritjes për t’u rikthyer në punë, i vijnë rresht disa telefonata,
ku persona anonimë, në numra me thurje, e kërcënojnë me jetë atë dhe familjen e
tij.
Me
date 24.2.2020, ora nëntë e tridhjetë minuta, në vendin e quajtur Dobraç, kur
po kthehej nga një kafene, në shtëpi, Ervisit i kanë dalë përpara dy persona të
zbritur nga një motor pa taraga dhe pasi e kanë kërcënuar me jetë, duke e
goditur me sende të forta, janë larguar me nxitim. Pasi ka qëndruar disa kohë
në gjendje kome, në rrugë, ashtu i përgjakur dhe nën terror psikik e fizik, ka
mundur me vështirësi të shkojë tek shtëpia e një banori të lagjes dhe t’i
telefonojë ambulancës së spitalit Shkodër. Pas një ore, në spital ka arritur e
alarmuar bashkëshortja e tij, Sibora Belsija, Gjithashtu, Sibora Belsija ka marrë një telefonatë
kërcënuese, nga një numër anonim, duke e kërcënuar me jetën e saj, të bashkëshortit
dhe të fëmijëve. Gjithashtu, ajo ka pasur kërcënime dhe në vendin e punës, duke
ua bërë dy bashkëshortëve dhe fëmijëve të tyre, të pamundur jetën në një qytet
dhe në një vend, ku tashmë dihet për lidhjet e forta që ka një pjesë e
politikës me botën e krimit.
Jeta
në familjen e Ervis Belsija është bërë stresante dhe ankthioze, jo vetëm për
shkak të humbjes së vendit të punës të kryefamiljarit, sagës së gjyqeve të
sajuara, por mbi të gjitha, për shkak të këtyre presioneve e shantazheve të
vazhdueshme, ku shfaqet gjuha e një dhune të egër, e nxitur dhe frymëzuar nga
korridoret më të errëta të një politike pisqollë, që kundërshtarin e konsideron
armik dhe e lufton njësoj siç bënte Diktatura me disedentët dhe kundërshtarët,
në vitin ’46.