| E shtune, 29.02.2020, 12:22 PM |
Komshiu
Nga
Edison Ypi
Pavarsisht
se kush trokiste në derën tënde, i pari që hapte derën e vet nuk ishe ti, ishte
komshiu përballë si skuth me shkumë rroje në fytyrë, duke u mbllaçitur, duke
mbërthyer kopsat e pantallonave ose rripin e mesit.
I
tmerruar nga përfytyrimi se biçim komshiut mund ti tekej të trokiste te ty, ti
nuk hyje kurrë në apartamentin e komshiut. Komshiu megjithatë gjithmonë e
gjente një mënyrë për të hyrë në shtëpinë tënde.
Nuk
kishte mënyrë për t'i shpëtuar vigjilencës diabolike të komshiut.
Të
shpresoje të hyje në shtëpinë tënde me një mikeshë pa të parë komshiu, ishte
ëndërr e çmendur.
Ngaqë
komshiu s'kishte asgjë për të fituar, asgjë për të humbur, asgjë për të ndarë,
gruaja e komshiut s'kishta asnjë arësye për të mos mbetur vazhdimisht
shtatzanë. Kur ndodhte që numuri i kalamajve të komshiut kalonte masën kritike
dhe shtatzania e rradhës konsiderohej e tepërt, andej nga muaji i gjashtë a i
shtatë i shtatzanisë, komshiu gjente një xherahe për t'ja nxjerrë gruas fetusin
me çengela hekuri mes ulurimash.
E
vetmja manovër për ta paksuar disi kuriozitetin e sëmurë të komshiut, ishte të
hiqeshe sikur s'kuptoje, pra të bëje rolin e budallait. Çmenduria jote e
vetshpallur e zbaviste komshiun. Megjithatë përmbahej. I frigej ndonjë të
keqeje të paparashikueshme që mund t'i vinte nga sjellja e çuditëshme e dikujt
që edhepse i çmendur s'është, i çmendur preferon të hiqet.
Në
kushtet e pamundësisë absolute për të jetuar më mirë, për të pasur më tepër,
për të ngrënë, për tu veshur e mbathur, kur i mungonin të dhënat e sigurta,
imagjinata e komshiut më e papërmbajtur se e Ajnshtajnit kombinohej me aftësinë
e tij rrëfyese më të fuqishme se të Tolstoit.
Komshiu
kishte dëshirë të paepur të kishte një Kanoçe. E dije që për Kanoçe komshiu nuk
të spiunonte. Megjithatë nuk guxoje t'ja bëje. Të pengonin ndërlikimet që mund
të vinin nga paqëndrueshmëria dhelparake e komshiut.
Të
kishe komshi një mediokër që kishte lexuar vetëm "Shvejkun" dhe
"Tre Shokët" dhe të shurdhonte me dromca për të vjellë nga ato dy
libra, ishte një mënxyrë që nuk rrëfehet dot. Gjysmaku e hidhte aq përpjetë
sikur nuk ishit njësoj komshinj të dy, por vetëm ti komshiu i tij.
Vështirë
t'i bëje ballë zellit të komshiut për të bërë të ditur hollësira nga jetët e të
tjerëve. Të bëje sikur për jetët e të tjerëve nuk ishe i interesuar, për
komshiun ishte krejt e pabesueshme, dhe fillonte dyshonte, niste thurte
meselera inekzistente për ty.
Të
tregoje interesim ndaj thashethemeve të komshiut, por të hiqeshe sikur nuk
kuptoje, mund të ndodhte që ta besonte për një çast, dhe përjetoje një moment
çlodhje. Por pas pak komshiu vinte në vete. Çfarë do ndodhte më pas nuk mund ta
gjente dot asnjë parashikim fallxhoreje.
Për
të krijuar një farë sigurie që komshiu të mos të spiunonte, mund të gjeje
ndonjë mënyrë që ta vinte pak dorën në zemër, të ishte pakëz i mëshirshëm.
Përderisa vetë komshiu ishte spiun, për komshiun nuk mund të mos ishin spiunë
dhe gjithë të tjerët. Prekej disi nga ky barazpeshim, derisa vinte në vete dhe
niste përsëri të të spiunonte.
Të
kishe durim ta dëgjoje, komshiu të spjegonte fije për pe nga stërgjyshi i tij
tek e ardhmja e ndritur kur nën udhëheqjen e partisë revolucioni proletar
botëror do triumfonte, klasat do zhdukeshin, e të tjera e të tjera. Ta
kundërshtoje sadopak komshiun për të tilla, ishte një nga mënyrat për t'i thënë
burgut hapu.
Komshiu,
ky fatalitet i mënxyrshëm prej të cilit nuk shpëtoje dot asnjë çast, bërtiste;
Jam puntor, jam proletar, bota më përket, revolucionin do ta bëj. komunizmin do
ta ndërtoj.
Kishte
të drejtë komshiu. Ai të cilit bota, jeta, komunizmi, revolucioni, nuk i
përkisnin, ishte komshiu i komshiut, unë.