Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nebi Dragoti: Pikësimi në poezi

| E shtune, 29.02.2020, 11:13 AM |


PIKËSIMI NË POEZI

(Vëzhgim)

NGA NEBI DRAGOTI

Pikësimi, që përdoret në poezi i përmbahet paragrafit 93 të rregullores Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe, ku, shprehimisht, thuhet: “Në veprat poetike fjala e parë e çdo vargu mund të fillojë me shkronjë të madhe ose të vogël; por në rastet kur vargjet, në citimet shkruhen vijueshëm njëri pas tjetrit, jo secili në rresht më vete, ato nisin gjithmonë me shkronjë të madhe”. Në socrealizëm u përkrah variant i dytë “…ose me të vogël”. Pse? Është më i drejtë në zbatim të drejtshkrimit. Pse?  Që çdo varg të fillojë me shkronjë të madhe, shkelej rregulli, se edhe mbas presjes, pikëpresjes, dypikëshit do të fillonte vargu po me të madhe. Por…por përsëri ky paragraph kërkon të rishihet për ta saktësuar dhe mos të qëndrojë në mëdyshje: dhe ashtu, dhe kështu. Shenjat e pikësimit, që përdoren në prozë janë sanksionuar dhe gjejnë përdorim të drejtë.Atëherë po kjo të jetë edhe në poezi që të kemi një rregull kur e shkruajmë gjuhën. Kjo kërkesë e imja, për saktësim të mëtejshëm, nuk do të thotë që 87 personalitete të gjuhës shqipe ma tituj e grada shkencore të mos rishikohet teorikisht dhe praktikisht kjo temë. Merita e këtyre Delegatëve të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është shumë e madhe dhe e padiskutueshme për kombin tonë. Në këtë natyrë që ceka, shoh që edhe gjuhë të tjera shkelin rregullin drejtshkrimor të pikësimit në poezi. Në prozë ruhet si domosdoshmëri, ndërsa në poezi shkelet, sepse krijuesët kanë dobësi në përvetësimin e lëndës së gjuhës. Kjo mënyrë sjelljeje, që duket edhe te ne, çorienton në marrjen e kuptimit përsa vargëzohet. Shkelje të përdorimit të pikësimit ka edhe në gazetari dhe gazetat letrare, saqë, këtu, shihen edhe poezi pa asnjë shenjë pikësimi. Kjo duhet ndalur, sepse po të shpiki secili rregull të vetin për pikësimin, atëherë mjerë gjuha çfarë pëson. Keqtrajtimi, sa ceka, përdoret edhe nga autorë që punojnë e jetojnë jashtë. Persona të tillë duhet të jenë të kujdesshëm dhe mos të neglizhojnë të mësojnë tekstin e gjuhës. Evitimit të këtij gabimi duhet t’i përvishemi të gjithë. Kjo kërkon mirëkuptim dhe drejtkuptim dhe jo anashkalim.