| E shtune, 29.02.2020, 10:00 AM |
BOTOHEN “LETRA AMBASADORËVE”
(Shefqet Dibrani; “LETRA AMBASADORËVE”, botim
i autorit, St. Gallen 2020)
Fragment
nga parathënia dhe rezymeja e librit
Libri “LETRA AMBASADORËVE”, është i sajuar nga 15
letra klasike të cilat gjatë muajit gusht-shtator 2019, iu kanë
dërguar Ambasadorëve dhe Misioneve Diplomatike Ndërkombëtare në
Kosovë. U nisën si revoltë e situatës nëpër të cilat po kalonte
Kosova, duke krijuar një koncept më të zgjeruar, me synimin për të shpjeguar
disa fenomene me të cilat shoqëria jonë si dhe Bashkësia Ndërkombëtare
nuk është marrë. Natyrisht është një revoltë intelektuale dhe një reagim
publik, i cili është kundruar nga një autor që jeton jashtë Kosovës. Pra, nga
pozita e një qytetari kosovar i cili pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në
Evropën Perëndimore, përkatësisht i njeh mirë gati të gjitha vendet e Bashkimit
Evropian.
Seria e këtyre letrave publike është një bisedë, sa
zyrtare po aq publike, e cila zhvillohet me përfaqësuesit diplomatikë në
Kosovë. Me përfaqësuesit e vendeve mike, me ata që sponsorizuan Lirinë
tonë, me ato vende që shpenzuan shumë për të lulëzuar demokracia dhe
për t’u zhvilluar Kosova.
Askush nuk e mohon se BE-ja dhe SHBA-të, kanë shpenzuar
shumë për të tashmen dhe të ardhmen e vendit tonë. Prandaj biseda, sa
zyrtare po aq publike, kishte të bënte me disa detaje për të cilat ne
mendojmë se përfaqësuesit e vendeve aleate nuk iu kanë qasur. Po ashtu të
gjithë qytetarët e Kosovës, i madh dhe i vogël, jemi të vetëdijshëm se pa
NATO-n, Amerikën dhe aleatët në BE, nuk erdhi Liria Jonë.
Natyrisht po të mos ishte Lufta e UÇK-së, dhe të mos ishte Populli
Martir i Kosovës i cili rezistoi dhe qëndroi në Atdhe, pastaj ishin
përpjekjet tjera intelektuale, akademike, politike dhe diplomatike, që
kanë plotësuar tërë mozaikun e angazhimit kosovar për ta merituar Kosova
Lirinë e saj! Por, ne jemi të vetëdijshëm se as Paqja në
Kosovë, nuk ndërtohet pa aleatë dhe
aleanca. Pra e tashmja dhe as që mund të mendohet e ardhmja e Kosovës,
pa miqtë tanë ndërkombëtarë, veçmas
pa Bashkimin Europian dhe pa Shtetet e Bashkuar të Amerikës. Kosova nuk
mund të qëndrojë si shtet i stabilizuar, as nuk do të mundet e
vetmuar për të ndërtuar partneritet në BE, dhe struktura
Verio-Atlantike, e aq më pak të përafrohet Vendi Ynë drejt konceptit
amerikan dhe të integrohet në shoqërinë e përparuar Evropiane, pa
ndihmën e aleatit kryesor AMERIKËS, të cilës i kofshim falë!...
Pas efektit mediatik të këtyre letrave, e kemi parë me
rëndësi t’i sistemojmë edhe në një libër, natyrisht duke i dhënë një koncept më
estetik. Këto letra klasike, që janë dërguar nëpër kancelaritë e Ambasadave
dhe Misioneve Ndërkombëtare në Kosovë, e kanë kryer funksionin e vet,
prandaj e kemi pa të udhës t’i redaktojmë dhe t’i strukturojmë në formë esesh,
për t’iu dhënë shije më të pranueshme, kurse librin ta konceptojmë si vlerë
artistike më të pretenduar.
Tash këto 15 ese, nuk paraqesin refleksionin vetëm të
atij çasti kur janë shkruar, por do të përçojnë një mesazh më të gjatë. E,
letra të tilla drejtuar misioneve dhe qeverive ndërkombëtare, janë të shumta,
madje disa të bujshme, e për shkak të tyre Televizioni Zviceran, pat
bërë dikur emision special për shqiptarët në Zvicër, në anën tjetër në arkivin
e autorit ruhet edhe një koleksion më i gjerë i përgjigjeve zyrtare nga zyra
dhe qeveri përkatëse.
Fundja e fundit detyra e një shkrimtari është të shkruajë, të
reagojë dhe të informojë botën
dhe lexuesin e vet, për shumë zhvillime rreth Atdheut të tij! Të shpresojmë se
ky libër është në funksion të kësaj ideje artistike për të thënë diçka.
Paçim fat, e fati na priftë edhe në sfida
të tjera!
***
Këto “Letra drejtuar Ambasadorëve”, janë shkruar
gjatë muajit gusht – shtator 2019. Ato kanë shprehur një refleksion të asaj
kohe. Ashtu, në formën klasike, madje duke i filluar me shprehjet “Të
nderuar Ambasador, ose “Të nderuar përfaqësues Diplomatikë”, u janë
dërguar mbi 30 misioneve ndërkombëtare në Kosovë, siç janë: Ambasadorët,
ambasadat dhe shërbimet e tjera, misione të caktuar dhe organizata të shumta
ndërkombëtare që operojnë në Kosovë”. Po ashtu në formën origjinale janë
publikuar nëpër faqe të internetit, me datat e sakta. Madje të sistemuara në
formë të librit, ashtu të përmbledhura ua kemi nisur edhe një herë në fund të
muajit shtator 2019.
Por pasi nga data 7-24 tetor 2019, ishim në Kosovë, iu
kam shkruar letër për t’i pyetur nëse ndonjëra nga përfaqësitë diplomatike,
merret me mbledhjen dhe sistemimin e librit publicistik, libra të cilët i kam
botuar gjatë vitit 2018, pra pa përjashtuar mundësinë e ndonjë takim eventual,
nëse këto letra tashmë kishin zgjuar interesimin e Ambasadorëve!
Siç thamë në fillim, këto letra publike, drejtuar Misioneve
Ndërkombëtare në Kosovë, janë rezultat i gjendjes së përgjithshme,
tashmë të redaktuar dhe të rishkruara në formë të eseve, bëjnë thirrje për të
gjetur mënyra se si duhet me dalë nga kjo situatë, nga kjo krizë e ankthshme, e
cila mund të bëhet vetëm atëherë kur ka vullnet të dyanshëm, të të gjithëve,
për të ndryshuar disa koncepte e qasje të veprimit të përgjithshëm. Gjithashtu
edhe publikimi i tyre kishte për qëllim për t’i sensibilizuar faktorët
ndërkombëtarë, dhe për t’i njoftuar edhe ata se edhe mediat në
Kosovë, janë të kontrolluara dhe pjesë e grupeve të interesit brenda politikës
kaotike që mbretëron në Kosovë. Tashmë ato letra janë bërë publike kudo nëpër
rrjetet sociale, pa përjashtuar edhe ndonjë gazetë dhe mendojmë se e kanë kryer
misionin e tyre.
E kemi theksuar edhe brenda këtij libri se “Shtylla e
tretë e krimit - nëse jo e para - janë Mediat në Kosovë”.
Sot ato, penalizojnë intelektualin që nuk është pjesë e klaneve kriminale.
Mjetet e informimit kontrollohen nga ata që edhe Ambasadorët i
kritikojnë për krim e korrupsion, por shumë pak i kemi dëgjuar Ambasadorët
duke kritikuar edhe mediat dhe drejtuesit e tyre milionerë.
Pra në një vend ku mediat janë ndëshkuesit kryesorë të
fjalës publike, demokracia nuk funksionon, por do të lulëzojë krimi,
kriminaliteti dhe anarkia!...
Libri,
ka dale sivjet dhe ka 128 faqe.
Nga ky autor së shpejti
do të botohet edhe libri “ADRENALINA E NJË TITISTI”