| E premte, 28.02.2020, 07:14 PM |
Vepër e një modeli unik tematik e ligjërimor
Nga
Ilir Sefaj
‘Prozë
urbane' titullohet libri më i ri me tregime i shkrimtarit e publicistit, Bajram
Sefaj. Autor i sprovuar në shumë gjini e zhanre letrare, Bajram Sefaj qysh në
përsiatjet e para krijuese të tij, që fillojnë këtu e dyzet vjet më parë, kur
edhe e botoi librin me tregime të shkurtra 'Tri pika’ (1980), para opinionit
lexues shpërfaqet tejet i artikuluar në këtë 'zeje' të moçme e cila 'nuk
pensionohet kurrë', sikundër shprehet edhe vet autori në prologun e botimit të
tij fundit.
Nëse
librit më të ri të këtij autori i qasemi duke u mbështetur në atë që sugjeron
metoda strukturaliste e studimit të artit letrar, themi se në botimin e tij të
fundit, krijuesi BajramSefaj, me mjaft mjeshtëri ka pleksur brendapërbrenda një
libri tregimin dhe reportazhin si lloje të shprehjes letrare, duke krijuar
kështu një model unik tematik e ligjërimor.
Libri
hapet me tregimin sinjifikativ 'Miza'. Është një kandërr fluturuese e cila me
lëvizjet e saj në bordin e avionit jo vetëm që ngjallë kërshëri, por edhe mëri
tek autori narrator. Themi mëri, ngase ky insekt për dallim nga
“bashkudhëtarët” e tij nuk lodhet fare për formalitet e shumta që kërkon të
udhëtarit me avion. Ajo sorollatet nga njëri te tjetri kënd i avionit, madje pa
prerë biletë fare paraprakisht.
Edhe
në ‘Prozë urbane’, sikurse pothuajse në tërë krijimtarinë e tij letrare e
publicistike, Bajram Sefaj për asnjë çast nuk mbetet rob i stereotipive dhe
metodave strikte të krijimit të artit letrat, pra arti i tij nuk kufizohet në
forma të ‘ngurta’ të shprehjes letrare. Letërsia e Sefajt është letërsi e lirë.
Meqë
është kështu, konsiderojmë se në prozën e tij shpërfaqen situata e personazhe
jokonvencionale, të cilave autori u jep shpirt për t’u bërë pastaj të
kuptueshme për të gjitha kategoritë e lexuesit.
Në
krijimtarinë e tij në përgjithësi, e në veçanti në atë në prozë, krahas
motiveve të tjera, ky autor trajton edhe motivin erotik!
Nuk
janë të pakta pasazhet erotike që hasim në prozën e Sefajt, pasazhe këto që
njërën ose në mënyrën tjetër ngjasojnëme ato të shkrimtarit të madh amerikan
Çarls Bukovski. Megjithatë, përderisa Henk i Bukovskit është i involvuar direkt
në afera dashurie, Nreci i Sefajt edhe pse lakmitar i papërmirësueshëm i së
‘çarës së qejfit’ më shumë shfaqet si ëndërrimtar për të mos thënë iluzionist.
Ani
pse i dremitur nga mosha e jeta, i shtrirë në krevat për një seancë të radhës
për masazhin që megjithatë i ndihmon në tejkalimin e dhembjeve të përditshme,
protagonisti narrator i përfytyron në të gjitha pozicionet punëtoret e vyeshme
e simpatike të spitalit, përderisa shtojzovallet mantelebardha vetëm se e
kryejnë punën e tyre për t’i dalë në ndihmë këtij pacienti të ‘pashpresë’!
Ani
pse libri titullohet ‘Prozë urbanë’ dhe në një perceptim fillestar krijohet
përshtypja se temë bosht e tij mund të jetë një ambient me protagonistë e
situata urbane, pjesa dërmuese e rrëfenjave të tij lidhen me një ambient tipik
rural, e ngjarje që lidhen me jetën që bëhet në këto ambiente.
Në
fakt, pjesa e tregimeve që lidhen me ambientin rural, për motiv kanë dukurinë e
zoofilisë, motiv ky që në prozën e Sefajt trajtohet nga këndi i reminishencës
ose si një rikujtuesë e njohurive që narratori i ka ruajtur nga fëmijëria.
‘Proza
urbane’ e Bajram Sefajt është e ndarë në tri cikle tregimtare; ‘Tregime’,
‘Burrëri’ dhe ‘Anekdotike’, dhe ky klasifikim nuk është i rastësishëm, ngase
këto cikle janë të ndërtuara sipas një porcedeu ligjërimor e tematik që mund të
lexohen e kuptohen ndaras, por edhe si tërësi.
Si
përfundim i kësaj përqasjeje të shkurtër, themi se, shkrimtari e publicisti
Bajram Sefaj është sprovuar në lloje e kategori të ndryshme të artit letrar,
dhe kujtoj se me krijimtarinë e tij ai e ka vënë në sprovë edhe lexuesin e
‘rëndomtë’, dashamir i fjalës së shkruar, por jo më pak edhe kritikën letrare,
e cila për mendimin tim, me ose pavetëdije ka qëndruar ‘indiferente’ karshi
veprës artistike të këtij autori.
Sidoqoftë,
kjo vepër, kjo krijimtari edhe mund të ri-zbulohet një ditë, mbase edhe atëherë
kur autori në fjalë do t’i takojë përjetësisë. Tekefundit, a nuk është ky fati
edhe i shumë krijuesve të tjerë që njeh letërsia e përbotshme?!
Nëse
jo për tjetër, ky konstatim mund të konsiderohet i përligjshëm edhe për faktin
se vepra e tekste të njëjta, jo rrallë lexohen e kuptohen ndryshe nga persona
të ndryshëm në kohë të ndryshme. E nëse është kështu, themi se krijimtaria
letrare e publicistike e Bajram Sefajt nuk është vetëm e kohës, por edhe e
kohërave!