| E shtune, 18.10.2008, 02:01 AM |
Suzana Kuqi
Suzana Kuqi
Leter shokut te babait tim.
Kur njeriu vdes...
Kur njeriu vdes...Kur vdes njeriu këputet një jetë . Për njerëzit e afërm, humbja është e madhe, dhimbja akoma më e madhe se humbja...ikën e nuk sheh më, ikën ashtu , i ri apo i vjetër , pa patur kohë të të thotë lamtumirë...ashtu si dhe jeta shpesh të lë pa të lajmëruar. Gjithsejcilit i dhemb plaga e tij, dhe e mat me kutin e vet. Kur vdes njeriu...është një ikje pa kthim, e mendon të humbur një herë e përgjithmonë , e me shpirt kërkon atë që mendja herë herë e vë në dyshim, botën e përtejme . E jo vetëm. E dëshëron me gjithë shpirt...
Babai im vdiq në moshë relativisht të re. Ishim dy shokë , ai më i madhi dhe unë e vogla, ai më i moshuari dhe unë më e reja. Tani, nëse dikush më sheh në varreza, e nuk do të lexojë ato shifra aty, por vetëm fotografinë do të mendojë se duhet të jem motra e tij e madhe. Tash jam më e moshuar se ai , e gjunjëzohem si fëmijë e puth pllakën e mermerit, e i lutem tokës e qiellit , t'a thërrasë , të vijë aty pranë, do të bëja gjitshka, gjithshka ,veç për t'a parë e për t'i dëgjuar zërin edhe një herë,edhe një çast , për të shuar një grimcë mall...Do të jepja ditë nga jeta ime , ndoshta edhe vite...
Largohem nga varrezat me zemër më të rëndë se ç' hyra, qiririn e lashë ende të ndezur, cigaren e mbarova . Fotografia , sytë e tij në të u dukën sikur më nënqeshën, por ajo pllakë e ftohtë më tha ... kot e ke, e ke humbur...
Kur vdes njeriu, një ditë , ndoshta një ditë e takon , jo në këtë jetë, në një tjetër, por a matet vallë koha me ditë në jetën tjetër...
Një zakon tjetër , pas varrezave, thonë, nuk duhet të shkosh në shtëpi , duhet medoemos të hysh diku ku ka shumë njerëz, bar, kafe, dyqan, autobus, kudo veç në shtëpi jo, e mos bëj gabim të shkosh tek shtëpia e ndokujt, do t'i vijë keq nëse e merr vesh...
Hyj në një bar, porosis një kafe, e dua të hidhur ashtu siç jam edhe vetë. Dikush më thërret me emër ,një shoku i tim eti. Sytë i shkëlqejnë, është i gëzuar tek sheh të bijën e shokut...Takohemi përzemërsisht, muhabeti fillon me pyetjet se si janë nga familja, si na venë punët, pastaj kalojmë tek miqtë e përbashkët e pastaj...e pashmangshme... emri , preket në fillim me dhimbje, ndjej lotin e pavullnetshëm që më zbret faqes e mundohem të mos shikoj në sy bashkëfolësin , që mundohet t'i fshehë sytë e lagështuar tek i thellohet ajo rrudhë midis vetullave . Edhe se dhëmb nuk ...ka kthim prapa, një herë i zënë në gojë ... nuk heq dorë ai . Biseda rrjedh duke u alternuar në kujtime të rinisë së tij, e kujtimet e fëmijërisë e adoleshences sime.Diku fillojmë e buzëqeshim e më pas edhe qeshim. Shpirti fillon e më çlirohet , mendja rrok universin e përshkon barrikada kohe e vendi...Im atë është aty, prezent,e ndjej në ajrin që thith , në dritën që futet nga dritarja, në zërin e shokut të tij, tek dora e zëri im që dridhet nga mallëngjimi... një shpresë e ndruajtur fillon e nxjerr krye... Shpresë apo marrëzi...
Ndahemi ,duke i shtërnguar dorën njeri tjetrit. Ikim në drejtime të ndryshme. Bëj disa hapa dhe kthej kokën prapa për t'a parë edhe një herë shokun e tim eti. Edhe ai ka kthyer kokën e shikimet tona përplasen. E befas kuptoj ... kur vdes njeriu...sa e rëndë është kjo fjalë edhe në të thënë e të shkruar... ikën vetëm pjesa fizike e tij, ajo e prekshmja nga shqisat tona, ndërsa pjesa tjetër mbetet këtu, midis nesh , ajo që ka bërë e ka thënë, ajo dashuri që ka dhuruar, është e ndarë në zemrat e mendjet tona dhe e mbartim pa qenë të ndërgjegjshëm...E pastaj një çast, një çast e ndërgjegjësohesh , se ti tek ai burrë që po largohet ke gjetur e njohur një pjesë të babait tënd , atë që i takonte miqësisë ashtu si ai gjen e njeh tek unë një pjesë tjetër të tij ...
E ndërgjegjësohesh për faktin se sa rëndësi ka të jesh i mirë në këtë jetë, mbetesh mirësi në shpirtrat e njerëzve, e të jesh i keq... brrr...as që dua t'a mendoj.
Kush thotë se koha shëron çdo gjë ? Kur ikën njeriu... i vë kore plagës , por mallit...a është gjetur vallë shëruesi i mallit ? Sa herë që malli bëhet i padurueshem e arrin në atë pikë sa më merr frymën, dal e takoj shokët e tim eti ,e çmallem...
Ashtu siç më çmalli sot përgëzimi që më bëri një miku i babait tim në internet, Prof.Dr.Inxh.Gjeolog Vedat Shehu. Ishte më shumë se dhuratë , aty , pashë babanë tim të më buzëqeshte ashtu thjesht siç dinte të buzëqeshte vetëm ai, e të më qortonte për lotët që nuk i mbajta dot. Kam tërë pasditen që kërkoj adresën e emailit të Z.Vedat Shehu e nuk ja dola . Atëhere u ula të shkruaj këto dy rreshta , me shpresë se do t'i shohë diku, t'i them faleminderit e t'i shpreh mirënjohjen time pa kufi.
Imperia 17 Tetor 2008
Suzana Kuqi
Mall…
Të erdha pranë
një urim për ditëlindje
të marr
o im atë
me hapa të lehtë
e të mendueshëm
që trishtëm masin trishtimin
e këtij vendi
ku të njëjtat fytyra
me të njëjtën mënyrë
të shohin
Ballin mbështes
mbi gurin e ftohtë
si dikur mbi ballin tënd,
e në shpirt
diçka
shumë, shumë,
më dhëmb.
Mendimi mundimshëm
kërkon të çajë kufijtë,
të hyjë thellë në tokë,
të fluturojë lart në qiell,
e të kridhet në pafundësi
prej nga kthehet
kujtimi yt
që trishtëm, dhimbshëm
por ëmbël
mbështet buzët në ballin tim
duke më dhënë
si dikur
të ëmblin urim.