Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhavit Gasa: Ju kërkon bujku

| E hene, 24.02.2020, 08:16 PM |


JU KËRKON BUJKU

Bëhuni kalë shale vraponi si maratonomak,

o vargje nuk po ju hedh sot letrës bardhë,

ne fusha, male e lugina botës rreth e qark,

mos ndaloni askund  kthehuni prap n'fshat

Zemrohen kokrat e farës grurit dhe misrit

zemrohet bujku që thërmon pisat e tokës

kërkojnë harabelat t'këndojnë kur çukisin,

kërkon bujku buzëqeshjen ti jepni sofrës.

VENDOSA

Sot vendosa t'i hedh nëpër plisa vargjet,

të përzihen me farat e misrit dhe grurit,

të mbushen plot me bereqet  hambarët,

dora e nënave ti gatuaj në magjen e bukës.

I buzëqesh fytyra sofrës bujare prej druri,

mbushur plot përplot prodhime bereqeti,

sofra  si lëndinë ngrohur nga avulli bukës,

vargjet e mia ulur rreth sofrës buzëqeshin.

NË KRAHË TË FLLADIT

Kur vendosa një poezi të re të shkruaja,

te kulla e kosës kostarit vendosa vargjet,

pena të bëhet çekiç fjalët të kalis te kulla.

vargjet të rrjeshtohen si zaldet e barit

Trigëllimat ritmike që bën mbi kullë çekiçi,

në pentagram të bëhen nota muzike,

këngët ti këndoj me zërin e ëmbël bilbili,

në krahë flladi të fluturojë muza poetike.

@Xhavit Gasa