Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fahri Xharra: Punë e madhe, bota le të ecë sa të do përpara!

| E premte, 21.02.2020, 07:22 PM |


Punë e madhe, bota le të ecë sa të do përpara!

Shkruan Fahri Xharra

“Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë ment dhe ndërtohen. Ne shqiptarët s’marrim dot mësime. Malet tunden dhe rrëkëllehen, ne nuk e ndryshojmë mënyrën tonë. Mbani mend mirë këtë që po u them: Në njëqind (100) vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.”( Faik Konica, 100 vjet më parë. )

Kur do  të mbushemi mend ? Që 100 vjet e njëjta po përsëritet – dhe ne si jokurrizorët pa evoluim e vazhdojmë rrugëtimin tonë ( i thënçin rrugëtim )  “krahas “ botës së civilizuar. Po, po ne ecim vetë e bota ecën së bashku . Ne udhëtojmë dhe mendojmë që jemi në hap me kohën ; por neve koha na është ndalur. Ora e jonë e murit punon ende “ a la turca “.  Vet turku ecë “a la franga “ e neve na është futur freni në lëvizjen e akrepave të orës e kurrsesi të shkoqemi nga një periudhë e errtë. E më e keqja i thurim lavde ; e rrisim e zmadhojmë dhe prapë mbesim aty ku ishim  para 100 vjet në kohën e Faik Konicës.

“ Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë ment dhe ndërtohen “  kurse ne kënaqemi që ishim dhe jemi ata të para 100 vjetësh . Çfarë hipokrizie ndaj vet vetës , ndaj fëmijëve tanë , ndaj së ardhmes sonë dhe prapë ndalemi e nuk duam të ecim përpara . Ore , bota mbërrini në  Planetin Mars ! , e ne ende nuk ia kemi besën botës që Toka është e rrumbullakët. Ore , ata po na parashohin motin në  çdo mm katrorë ,në çdo skutë të botë , ne ende i kemi “vraçat” tonë që publikisht “vajtojnë” dhe luten për shi .

Bota thurë teknologji supermoderne të kohës e ne ende  ( një lloj si para 200-300  vjetësh ) mashtrohemi me fjalët e atyre , lëre që vet nuk dinë por edhe e “budallikojnë “ një popull .

Faik Konica ! , po më vjen shumë mirë qe e kishim një mendje hollë si ay , por jam shumë i dëshpëruar në ne ,pasardhësit e tij që nuk e patëm as një fije guxim , as një fije mençuri e t`ia thyejmë parashikimet e tija. E pa mundur , historikisht e pa mundur të ngelesh prapa  botës për 100 vjet !

Faik Konica ! e kam edhe për lavdërim kombëtar që ne jemi “besnik” të fjalës , dhe nuk e ndërrojmë as pas 100 vitesh atë që e mendonim në kohën e tij . Burrat e shqiptarisë flasin  një herë , dhe  nuk i bëjmë lak fjalës ; jemi ata që ishim para 100 viteve dhe stop , aty kemi ngelur.

Ne nuk lëvizim “ cërc e mërc” si ato të  fabrikat e elektronikës , mjekësisë , teknologjisë që çdo gjashtë muaj dalin me diçka të re ; ne nuk ndërrojmë.

I japim fjalën Faik Konicës që edhe në 100 vitet e ardhshme do e mbajmë fjalën e prapambetjes mendore., dhe se të jemi po ata , ashtu si   në atë kur ia  kishte  dhënë lamtumirën kës bote.

Punë e madhe që bota ecë përpara , ne i jemi besnik traditës ; nuk i bimë shqelm fjalëve tona.11.01.16