| E diele, 16.02.2020, 11:40 AM |
HAJRIJE DEDUSHAJ-PRELVUKAJ, ME PËRKUSHTIME E KONTRIBUTE PËR FAMILJEN E KOMBIN E VET
Në
60-Vjetorin e Lindjes (1960-15 shkurt-2020)
Nga
Ramiz LUSHAJ
Ishte i dhimshëm 9 nëntori i vitit
1981 kur një autobus-tragjedi u rrëzua në lartësi të malit të Çakorrit, ku përkundër
përkujdesjes së lartë familjare e shëndetësore, ndrroi jetë dhe mësuesi i Pejës,
i riu atdhetar Bajram Prelvukaj i Martinajve të krahinës historike, kulturore e
turistike të Plavë-Gucisë. Ai, në gjendje të randë, në koma spitalore, e mori
lajmnimin e gëzuar ma të madhin e të fundit në gjallje të tij: u shtua me djalë,
i pagëzuem prej tij me emrin Alban, që vinte pas dy motrave Arbëreshës e Albanës.
Tre emra të fëmijëve që flasin për shqiptarinë elitare tradicionale e bashkëkohore
të kësaj familjeje të re plavëguciase me tradita e kontribute të shquara në
Martinaj (Prelvukaj) e në Vuthaj (Dedushaj). Pak kohë pas lindjes së Albanit, e
morën lajmin e ikjes nga jeta të Bajram Prelvukajt, gjithkahit, gjithkund.
Kuvendi i Burrave të Plavë-Gucisë e shpallë “Ditë Zie”.
Katër vite ma herët, kur ma tregoi këtë
histori miku im, dr. Naim Dedushaj, e pata shkrue një poezi të dalun prej
shpirtit tem, për me i përshkrue ngjarjet e asaj dite, të asaj kohe: Tek strofa
e parë: “Dimni nuk po don me ardhë/ Nuk don me e marrë Bajramin…!/ Vjeshta nuk
po don me ikë,/ Po doon me e prit Albanin…!/”. Strofa e tretë: “Në synin e
djathtë lotë kanë gëzim/ Në synin e majtë lotët kanë dhimbje/ Në kullën
Prelvukaj të Martinaje:/Hana prêt një vdekje…/Dielli prêt një lindje./Strofa e
gjashtë: “Nusja Hajri me një dorë tek arkivoli/ Nana Hajri me dorën tjetër tek
djepi…/Nata e bani vejushë /Gjyshe e bani mëngjesi…/.
1.
Hajrije Salih Dedushaj lindi dhe u
rrit në një familje me tradita e kontribute atdhetare në Vuthaj të
Plavë-Gucisë, çka pati ndikimet e veta në përkushtimet, qëndresat, sfidat e
lartësimet e saj e të familjes së saj në Malin e Zi, në Kosovë e në Shtetet e
Bashkuara të Amerikës.
Gjyshi
i saj Çung (përndryshe dhe emri tjetër: Jahë) Tahir Dedushaj (1889-1951) është
një atdhetar martir i Kombit Shqiptar. Ai mori pjesë në Luftën e Grebenit në
tetor të vitit 1912 në mbrojtje të krahinës së Plavë-Gucisë, ku u plagos randë
dhe mixha i tij, Smajl Isuf Dedushaj. Ai ishte i fjalës atdhetare për Kombin; i
papajtueshëm me sllavët deri në kundërshtime konfliktuale; i pushkës luftarake
në mbrojtje të krahinës e të kufinjve të Shqipërisë, derisa më 18 korrik 1951
vriten (pushkatim politik e fizik) në Vuthaj nga UDBA-shët, nga forcat policore-ushtarake
të Jugosllavisë së Titos, sëbashku me nipin e tij (djalin e vllaut) Isuf Zymer
Dedushaj (1925-1951).
Presidenti
i Shqipërisë, prof. dr. Sali Berisha, në 80 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë,
i ka dekoruar: Çung (Jahë) Tahir Dedushaj me “Urdhrin për Veprimtari Patriotike
të Klasit II” dhe Isuf Zymer Dedushaj me Urdhrin Naim Frashëri të Klasit Parë
“Për shërbim në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore”. Historiani shqiptaro-amerikan
Rexhep Dedushaj ka shkrue një libër monografik “Çung Tahiri i Vuthajve” (ShB
“Dukagjini”. Pejë, 2013) si dhe janë shkruar artikuj, poezi, etj.
Hajrije
Dedushaj, bashkë me dy vllaznit e motrat e saj, janë krenarë dhe për babën e
tyre, Salih Çungi (Jaha) i Vuthajve (1936-2012), për të cilin në kohëndarjen e
tij nga jeta, Kryeministri i Shqipërisë, dr. Sali Berisha, i shkruante djalit
të tij, dr. Naim Dedushajt: “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga
jeta të babit dhe njeriut tuaj të dashur, atdhetarit të flaktë, Sali
Dedushaj..(i cili)…nuk është më midis nesh, por ai ka lënë për ju dhe për çdo
shqiptar emrin e Tij të mirë dhe dinjitoz, përpjekjen dhe sakrificën e madhe
për të parë shqiptarët dhe Kosovën të lirë. Kujtimi i tij do të nderohet
gjithnjë”.
Dedushajt
e Vuthajve i kanë sakrifikuar vazhdimisht përgjatë historisë për interest e
larta të Kombit Shqiptar: Bajram Musa Dedushaj është dëshmor i Lidhjes
Shqiptare të Prizrenit (janar 1880). Bajram Xhuku Dedushaj është pushkatuar nga
forcat malazeze në Masakrën e Previsë (1912). Zeqir dhe Xhemë Dedushaj u vranë
në luftë me çetnikët shkije në korrik 1941 në Novosellë (kur bashkë me Çung
Tahir Dedushaj e Sokol Sadri Dedushaj u vunë në mbrojtje të kufnjve të
Shqipërisë Etnike). Disa djemë të Dedushajve morën pjesë dhe në Luftën e fundit
të Kosovës, ku mbeti i vrarë heroikisht Jeton Idriz Dedushaj (1975-1999) në
Deçan, Rrafshi i Dukagjinit të Kosovës dardane.
2.
Hajrije Dedushaj u lind e u rrit në
një familje të madhe me tradita e arritje kulturore, akademike, mediatike; me
libra të botuar; me tituj e grada shkencore; me angazhime në institucione të
shtetit të Kosovës e të Malit të Zi, me Shoqërinë Civile, etj. si dr. Naim
Dedushaj; prof. dr. Isuf Dedushaj (autor i disa botimeve akademike, ish Kryetar
i Kryqit të Kuq të Kosovës, ish-kryeredaktor i revistës “Shëndeti”, ish-dekan i
Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë; historiani Rexhep Dedushaj- autor i disa
librave historik për krahinën e Plavë-Gucisë; etj.
I
pari ndër të gjithë është i vllai i saj i shenjtë, i çmuar, i shtrenjtë, Naim
Dedushaj, një nga adhuruesit e bashkëpunëtorët e Presidentit të Kosovës, dr.
Ibrahim Rugovës. Ai u lind në Vuthaj, ku aty e në Guci kreu shkollimet e para,
ndërsa të mesmen e universitetin (Fakulteti Filozofik) në Prishtinë, kurse në
Amerikë kreu studimet në Anglisht dhe në Kulturën Amerikane (YMCA dhe Lehman College-
New York). Dr. Naim Dedushaj ishte
Drejtor Ekzekutiv i Zyrës së LDK-së në Amerikë (1992-1999), të cilën Presidenti
Rugova e cilësonte “Ambasada e Kosovës”, pasi ka luajt rol të madh në marrëdhaniet
shqiptaro-amerikane, në lobimin e shumanshëm e të vazhdueshëm për Kosovën, etj.
të cilat Naim Dedushaj i ka pasqyruar dhe në librin e tij “LDK-ja në SHBA:
Historia e një Lëvizjeje” (New York, 2000). Pra, në një kuptim të caktuar, si të
thuash, duke iu referuar edhe thënies së Rugovës, ai ishte “ambasadori i parë
(jozyrtar) i Kosovës në Amerikë”. Dr. Naim Dedushaj ka botuar dhe një tjetër
libër me interes kombëtar shqiptar e anglosakson: “Shtetet e Bashkuara të
Amerikës dhe fati i Kosovës” (Prishtinë, 2006) si dhe ka në planet e tij edhe
një tjetër monografi për Diasporën Shqiptare.
Dr.
Naim Dedushaj ka kryer suksesshëm detyra të larta shtetërore në Ministrinë e
Brendshme, në Ministrinë e Jashtme, në Ministrinë e Kulturës, në Ministrinë e
Diasporës, ndërsa tani- ndërvite- është ideator, themelues, Drejtor Ekzekutiv i
Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare (në Prishtinë). Gjithashtu
është antar i Bordit Botues të “Gazeta e Alpeve”, i dekoruar me Çmimin “Pjetër
Bogdani”, etj.
Dr. Naim Dedushaj ka një dashuri të veçantë për
motren tij të çmuar Hajrijen, çka shohim ta shprehin dhe në një mesazh urimi
për Ditëlindjes e saj pesë vite ma herët:” Motra ime- e jonë, Hajrija, e feston Ditëlindjen e 55-të ! Motër, ti je
personi ma i veçantë dhe ma e dashura në Familjen tonë, ti je "Mother
Teresa e Familjes Sonë"”.
3.
Hajrie Dedushaj e Vuthajve, e Derës
së Madhe të martirit kombëtar Çung (Jahë) Tahir Dedushaj, motra e dr. Naim
Dedushaj, nana e Alban Prelvukajt…u martua në moshë të re në Martinaj, me mësuesin
atdhetar shqiptar Bajram Zeqir Prelvukaj, me të cilin pati dy vajza: Arbëresha
e Albana dhe djalin e vetëm: Albanin. Kur iu nda papritmas, tragjikisht, herët,
nga jeta i shoqi i saj, Bajrami- dashuria e madhe dhe e përjetshme e saj, ajo
ishte vetëm 21 vjeçe. U kthye nga Peja e Kosovës në Martinaj të Plavë-Gucisë,
tek kulla e saj, me i rritë vajzat e djalin e saj. Ishte e vështirë, pasi ajo çikë
e nuse në dy familjet që ndër breza ishin vrarë në luftëra me sllavët, etj. Po Hajrije
Dedushajt-Prelvukajt i takon merita e madhe morale, jetësore, meritore, që iu përkushtua
rritjes së fëmijëve të saj, për ta mbajt e ngrit Familjen e vet me tradita
shqipatre, me nivel arsimor; me sa ma shumë lumturime e lartësime si në Kosovë,
në Mal të Zi e në Amerikë.
4.
Hajrie Dedushaj-Prelvukaj ka shkuar
në Amerikë në vitin 1998, në kohë-luftën e Kosovës, ndërsa djali i saj, Albani,
pas vitit 2000. Vajzat e saj, Arbëresha dhe Albana kishin ikur që në Dekadën
’90 të shekullit të kaluar. Nuk ishte i lehtë largimi i tyre nga Atdheu i vet,
por iu duhej larguar medoemos çdo ndëshkimi sllav ndaj tyre, gjendjes ekonomike
në vështirësime. “Unë nuk e kisha “Ëndrrën
Amerikane”-i shprehej vjet biznesmeni i suksesshëm Alban Prelvukaj gazetarit të
njohur shqiptaro-amerikan Beqir Sina,- por kur filloi lufta në Kosovë dhe
situata ekonomike u bë më e vështirë, ne vendosëm të largohemi për në Amerikë”,
Hajrija asokohe, atëherit, punonte dhe në dy punë për
të mbajtur e lartngrit ekonomikisht familjen e saj në Amerikë. Ata/ato, Hajrija
me vajzat e djalin e saj, e prekën “Ëndrrën Amerikane”, por kurrnjherë nuk e
harruan Kombin e vet Shqiptar.
Djali
i saj, Albani, filloi punë në Amerikë, fillimisht si kamarier dhe me edukatën e
tij të punës e të jetës, me përkushtimet e sakrificat e tij, arriti të bahet
pronari i katër restoranteve të famshme në Amerikë e deri në Japoni. Albani, sëbashku
me kunatin e tij, Ben Sinanaj, hapën më 2006-’08 restorantin famoz “Benjamin Steakhouse”, por tani ka dhe “Benjamin Steakhouse Prime”, “The
Sea Fire Grill”…dhe një tjetër në Japoni. Nga mbi 500 të punësuar në
restorantet e tij mbi 300 prej tyre janë shqiptarë. Dua të faleminderoj edhe një
herë tjetër publikisht biznesmenin bajemirë, Albanin, pasi ka ndihmuar dhe në
botimin e librit tim poetik “Për Ty, Plavë-Guci”, sikurse dhe në hapjen e
portalit “Plavë-Gucia Sot”, apo në raste të tjera në komunitetin shqiptar në
Amerikë, në Vendlindjen e tij, etj. Humanizmi i tij është i përhershëm, me
heshtje, me punë e vlera të mira.
Biznesmeni
humanist Albin Bajram Prelvukaj është nderuar në Amerikë me çmimin e lartë “Për
Arritje jetësore, 2019”, çka deshmon se ëndrra amerikane ende është një
realitet i mirë për shqiptarët.
Sigurisht
këto arritje në Amerikë nuk janë të lehta, por kanë vështirësitë e sakrificat e
tyre të mëdha e të vazhdueshme, ku një meritë të veçantë ka dhe Hajrije
Dedushaj-Prelvukaj, kjo Nanëmadhe - që arriti të edukojë me trashëgiminë
familjare e të saj, një djalë të tillë, një familje të tillë, që të shkruajnë
histori suksesi edhe në Amerikë. Mjafton kaq dhe ajo e ka kryer misionin e saj
në jetë, por ajo ende punon e lufton si nënë, si gjyshe, si shqiptare dinjitare
me përkushtime e kontribute për Familjen e për Kombin e Vet.
Hajrije
Dedushaj-Prelvukaj për përkushtimet e
kontributet e saj për Familjen e Kombin e Vet në Amerikë, në Malin e Zi, Kosovë
e Shqipëri, ka marrë vlerësim të lartë me Çertifikatë “Mirënjohje” nga Qendra
“Gratë në Shërbim Publik” (WPS Albania) në Tiranë, në 60-vjetorin e Lindjes së
Saj, jubilar që do t’i festohet me dashuri e nderime në New York të Amerikës.