| E marte, 04.02.2020, 09:00 PM |
Në vend të urimit për Qeverinë e Re
Shkruan: Florim Zeqa
Duke qenë se isha ndër mbështetësit e koalicionit qeverisës
LVV-LDK, shfrytëzoj nga rasti, që të gjithë qytetarëve të Kosovës që votuan për
ndryshim, t'ua urojë formimin e qeverisë së re, e qeverisë së zorit dhe
shpresave të vënitura në të njëjtën ditë.
Unë isha për një koalicion qeverisës në mes këtyre dy
subjekteve, të mbështetur në reciprocitet, mirëkuptim dhe respektim të vlerave
të njëri-tjetrit, por jo për një koalicion të pazareve politike të sojit të
monarkëve politik.
Shqetësimet e mia lidhur me arritjen e marrëveshjes politike
në kundërshtim me parimet e shëndosha politike i kam shprehur në dy shkrimet e
mia paraprake autoriale me titull: "Mashtruesi" Albin apo tradhtari
"Putin"!? dhe Ujdi monarkësh apo ujdi tuxharësh politik!?.
Injorimi i Ibrahim
Rugovës, i paramenduar paraprakisht
Albin Kurti gjatë fjalimit të parë si Kryeministër i vedit e
tregoi fytyrën e vërtetë të tij. Ai nuk ngurroi t'i permend disa nga figurat e
merituara historike dhe burrat e medhënjë të kombit, por nuk e gjeti forcën ta permend
edhe mjeriun më meritor dhe më të madh të epokës sonë, presidentin historik
Ibrahim Rugovën, themeluesin dhe arkitektin e shtetit të Kosovës.
Injorimi i themeluesit të shtetit të Kosovës dhe njeriut më
të madh të epokës sonë, është mohim i çdo gjëje në Kosovë që nga fillimi i
viteve të '90-ta deri në aktin e fundit që ndodhi dje në Kuvendin e Kosovës, ku
me ndihmën e votave të LDK-së u katapultua në postin e ekzekutivit.
Në momentin që Albin Kurti injoroi presidentin historik
Ibrahim Rugova në rastin e parë të ekspozeut si kryeministër i vendit, m'u
kujtuan dy gjëra; romani i Dritero Agollit "Shkëlqimi dhe rënja e shokur
Zylo" dhe ajo thënja popullore "Kapërceva përronin, ta q....k...!
Në ato momente shikimin e hodha tek deputët dhe ministrat e
rinjë të LDK-së, të cilëve u shkëlqenin fytyrat sikurse "brymës nga rrezet
e diellit", por që nuk u brengosen aspak "për atin e shaluar"!
Jam i bindur se deputetët dhe minisrtat e rinjë të LDK-së,
poshtërimin dhe nënçmimin që ua bëri
kryeministri i ri, e kanë ndjerë në shpirtin e tyre sikurse që e kanë ndjerë të
gjithë rugovistët, por që nuk guxojnë ta shprehin publikisht përderisa të jenë
në qeverisje me LVV-në dhe nën diktaturen e liderit të tyre partiak.
Për aq sa është irrituese paraqitja e parë e kryeministrit,
po aq irritues është edhe mos reagimi i asnjërit prej deputetëve, ministrave
apo zyrtarëve të lartë të LDK-së ndaj nënçmimit dhe përbuzjes poshtëruese që ua
bëri Kurti në Kuvend.
Tepër irrituese dhe fëmijërore ishte edhe sjellja e zonjës
Vjosa Osmani pas zgjedhjes në postin e kryeparlamentarit, e cila, si
kundërpërgjigje ndaj injorimit të Rugovës nga ana e Kurtit, do duhej së paku ta
permendte në foltoren e kuvendit njeriun më meritor për ekzistencën e shtetit
tonë, por i mjaftoi të vetëkënaqet me postin e ri, jo të pamerituar, por të
degraduar paraprakisht, herë si zv.kryeministre të parë, herë si ministre të
punëve të jashtme e herën tjetër si ministre të punëve të brendshme, derisa u
arritë pazari politik mes monarkëve politik.
Të thirresh tërë kohën në filozofinë politike rugoviane dhe
të mos guxosh të mbrosh Rugovën në momentin kur atë ta injoron partneri
politik, është turp dhe marrëzi dhe njëkohësisht.
Kostoja e lartë e një
ministri...
Çfarë të mire mund të presin qytetarët e vendit nga një klasë
politike që për interesa personale shkaktojnë efekte të dëmshme dhe zinxhirore
për vendin, siq është prodhimi i zgjedhjeve të reja në komunën e Podujevës
shkaku i emërimit në postin e ministrit të kryetarit në detyrë të kësaj komune.
Kjo e dëshmon faktin se koalicioni qeverisës LVV-LDK nuk
eshte produkt i parimeve të shëndosha por i pazareve të pista politike.
Sikur të ishte ndryshe, LDK-ja, edhe sikur të mos kishte
njeri tjetër më të mirë në radhët e saj për postin e Ministrit të Punëve të
Brendshme, do duhej ta huazonte nga partitë e tjera e të mos e çonte assesi në
zgjedhje të reja një komunë pa pasur nevojë fare, sikurse që, edhe ish
kandidati, tani kryeministri Albin Kurti nuk duhej ta pranonte një propozim të
tillë, në mos për asgjë tjetër, me arsyetimin për mbrojtjen e buxhetit të
shtetit, ngase kostoja e zgjedhjeve komunale në Podujevë do të jetë më e lartë
sesa vlera e Agim Veliut për në krye të kësaj ministrie.
Loja pingpong me postin e kryeparlamentarit dhe çuarja në
zgjedhje e komunës së Podujeves, janë tregues i mjaftueshëm se veprimet e para
të kësaj qeverie nuk janë përputhje me interesin e qytetarëve dhe mbrojtjen e
buxhetit të shtetit siq premtuan gjatë fushatës zgjedhore dhe përseritur në
vazhdimesi deri në aktin e votimit në Parlament.
Në fund, dua t'i themë edhe dy fjalë për lexuesit e mi
besnik. Pikëpamjet e mia politike nuk do të ndryshojnë edhe pas formimit të
qeverisë së re, për arsye se nuk varen nga asnjëra qeveri dhe asnjëra parti
politike, e aq me pak nga sjelljet dhe veprimet individuale të liderëve
partiak.
Sikurse më parë, edhe në të ardhmen do te jem i lirë dhe i
pavarur, i paanshëm dhe i pandikuar në shprehjen e mendimit të lirë, pra do te
jem apartiak në analizimin e çdo situate të re politike në vend.
Do të jem në shërbim të qytetarëve dhe mbrojtës i parimeve
të shëndosha dhe mbështetës i veprimeve të mira për vendin qofshin ato nga ana
e qeveritarëve të rinjë apo pushtetarëve të djeshëm.
Do të qëndroj i palëkundur në pozicionin tim apartiak, por
do të jem mbështetës i parimeve të filozofisë politike rugoviane për shtetin e
Kosovës dhe ushtar besnik i atdheut deri frymën time të fundit.
Qeveritë bashkë me partitë politike shkojnë e vijnë, por
qytetarët e dëshpruar që po largohen nga Kosova shkaku i kësaj klase politike
që shkelë parime dhe vendime, vështirë se do të kthehen ndonjëherë në vendin e
tyre.