| E shtune, 01.02.2020, 10:00 PM |
Perspektiva amerikane e dialogut shqiptaro-serb!
Nga
Enver Bytyçi
Nuk
është fjala për dialogun midis Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiq. As për
marrëdhëniet e këtyre të dyve me presidentin e Kosovës dhe Baton Haxhiun. Të
katër këta nuk kanë nevojë as për paqe, as për dialog, as për ndonjë zgjidhje.
Të katër këta tashmë e kanë bërë zgjedhjen dhe zgjidhjen e tyre. Ndërsa Rama,
Thaçi dhe Batoni janë bërë palë më Serbinë kundër Kosovës, madje edhe kundër
Shqipërisë dhe të gjithë shqiptarëve në rajon.
Është
fjala për dialogun e vërtetë midis Prishtinës dhe Beogradit, me qëllim njohjen
e shtetit të Kosovës. Pikërisht ky është problemi dhe shqetësimi i shqiptarëve.
Duket se dialogun në fjalë tashmë e morën në duart e veta Shtetet e Bashkuara
të Amerikës. E vërteta është se të gjithë ne e kemi dashur dhe e kemi pritur
këtë ditë, që SHBA-të të udhëheqin dialogun dhe t'i japin fund konfliktit në
rajon. Në parim duhet pranuar si fatlum fakti që ndodhi kësisoj. Ky lloj
optimizmi është trajtuar në komentin tim "Diplomacia ndryshe e Richard
Grenell" para disa ditësh. Megjithatë sot do të më duhet të mos bëj
optimistin e tepruar, sepse shqiptarët kanë nevojë që SHBA-të ta udhëheqin, por
jo ta imponojnë të vetme zgjidhjen përfundimtare.
Nuk
heq dorë nga e vërteta se SHBA-të kanë investuar shumë në Kosovë dhe për këtë
arsye çfarëdolloj zgjidhje në dëm të së drejtës dhe të Kosovës zhvleftëson këtë
investim amerikan. I përmbahem tezës se presidenti Clinton dhe presidenti Bush
kanë marrë vendime historike për Kosovën. I pari për ta çliruar atë nga sundimi
barbar i Serbisë dhe i dyti për ta shpallë Kosovën të pavarur e sovrane. Donald
Trump, nëse dëshiron ndonjë sukses të tijin në fushatë elektorale, e ka të
vështirë të bëjë ndryshe.
Nga
ana tjetër mbetem optimist edhe për faktin se SHBA-të, nëse p.sh ndajnë
territorin e Kosovës ose lejojnë që Serbia të jetë e pranishme në çfarëdolloj
forme në Kosovë, do të krijonin kushte për praninë ruse në rajonin tonë. Por a
mjaftojnë të gjitha këto për optimizmin tim të motivuar? Mendoj se jo.
Së
pari, është e domosdoshme që në dialogun e Prishtinës me Beogradin të kyçen
Brukseli, Berlini dhe Londra, krahas Uashingtonit. Nëse arrihet kjo, do të ketë
konsensus ndërkombëtar për zgjidhjen që duhet të vijë. Kjo do të evitojë që një
diplomat i vetëm të jetë në kërkim të suksesit të tij personal. Sepse nëse një
diplomat I vetëm mbetet në lojë, atij për interesat e veta do t'i mjaftojë
zgjidhja e konfliktit, jo domosdoshmërish zgjidhja e drejtë e tij. Në këto
kushte ka shumë mundësi që t`i bëhet presion palës më të dobët e më të përçarë.
Në rastin konkret palës shqiptare, e cila jo vetëm është e dobët, por është
edhe e përçarë për shkak të bashkëpunimit të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit me
palën kundërshtare, Serbinë.
Së
dyti, premisa e trajtuar më lart dikton forcimin e faktorit shqiptar të
Prishtinës në dialog. Kjo do të thotë që ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, para së
gjithash zoti Grenell, të heqin dorë nga bashkëpunimi pa kusht me Hashim Thaçin
dhe Edi Ramën. Çdo përpjekje për ta zgjidh konfliktin shqiptaro-serb në Kosovë
me këta të dy se do ta thellojë jo vetëm këtë konflikt, por edhe konfliktin
brendashqiptar. Nëse besohet se zgjidhja arrihet duke i përçarë shqiptarët,
atëherë do të gabohet më shumë. Grenell dhe evropianët duhet të investohen më
shumë për t'i dhënë Kosovës qeverinë legjitime me dy partitë fituese, si kusht
për të shmangur rolin e Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në rezultatet e këtij
dialogu.
Së
treti, ka shumë mundësi që udhëheqësit e sotëm serbë të kenë ngritur kurth për
bisedimet dhe rezultatin e tyre midis palëve. Sipas disa informacioneve të
pakonfirmuara thuhet se Aleksandër Vuçiq ka premtuar se nëse arrihet një
zgjidhje e konfliktit me shkëmbim territoresh dhe ndryshimin e kufijve, ai do
të jetë i gatshëm që ta anëtarësojë Serbinë në NATO. Kjo ofertë e tij është
mbrojtur nga avokati i Vuçiq, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Madje Rama
ka lobuar me këtë formulë ndryshimin e kufijve, së bashku me Thaçin.
Është
e sigurt se ky është një kurth serb për përfitime territoriale dhe të tjera
benefite në Kosovë. Ky kurth është miratuar edhe në Kremlin, me qëllim që në
fund të procesit Vuçiq të japë dorëheqjen, për shkak se qytetarët serbë nuk do
ta votonin anëtarësimin e vendit të tyre në NATO. Dhe pasi të jenë ndryshuar
kufijtë, Rusia do të investohej për krijimin e Serbisë së Madhe dhe daljen e
saj në Adriatik përmes Republikës Srpska dhe Malit të Zi. Ky I fundit, në
rastin e Serbisë së madhe, ashtu si Maqedonia, nuk do të ekzistonin si shtete.
Përfundimisht
SHBA-të kanë nevojë të punojnë me aleatët e tyre evropianë, Gjermaninë dhe
Britaninë e Madhe, me qëllim që të evitojnë çdo ngutje dhe gabim në dialogun
midis Prishtinës dhe Beogradit. Ndërkohë që dy partive fituese në Kosovë u
duhet ta krijojnë së bashku qeverinë dhe të vihen në krye të dialogut me
Serbinë, për të mos lejuar që Edi Rama dhe Hashim Thaçi të luajnë me fatin e
territorit dhe shtetit të Kosovës.