| E merkure, 15.10.2008, 04:07 PM |
![]() |
Edi Shukriu |
Pjesëmarrja dhe prezantimet me PowerPoint të pesë studiuesve kosovar u mirëpritën nga pjesëmarrësit e konferencës. Prof.Dr. Edi Shukriu trajtoi dy labyrinthet e gdhendura dhe jo të zakonshme që janë paraqitur në monumentin e Hyjneshës Dardane nga Smira, duke u ndalur në veçanti në labyrinthin rrethor, që lidhet me traditën autoktone dhe krye-hyjneshën dardane. Ajo po ashtu trajtoi lidhjet midis dardanëve/ilirëve, grekëve dhe romakëve që sjell ky monument (Two labyrinths and Dardanian, Greek and Roman relations by Dea Dardanica’s monument). Sedat Baraliut, doktorant në arkeologji, prezantoi ritet funerale të epokës së hekurit në Dardani, në veçanti ato në Kosovë (Rites funéraires en Dardanie à l’âge du fer). Arben Hajdari dhe Pleurat Kabashi, dy doktorantë të tjerë kosovar, prezantuan rezultatet e hulumtimeve trevjeçare arkeologjike në Ulpianë, të udhëhequra nga E. Shukriu dhe J-L. Lamboley (Résultats préliminaires des campagnes de fouilles à Ulpiana 2006-2008), ndërsa Fatmir Peja prezantoi rezultatet e gërmimeve shumëvjeçare në Harilaç (Harilaq (Kosovo) une forteresse d’antiquité tardive et paleobyzantine). Arkeologjia kosovare ishte prezente edhe përmes kumtesave të arkeologëve nga Shqipëria, Luan Përzhita dhe Gëzim Hoxha, të cilët prezantuan të dhëna mbi fortifikatat në rrugën antike Lezhë-Nish dhe mbi rezultate e reja në Kalanë e Prizrenit. Mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës flet dhe fakti se fotoja e gërmimeve në Ulpianë ishte e vendosur në programin e konferencës.
Duke sjell rezultate dhe trajtime të reja në fushën e antikitetit, si dhe diskutimet rreth lokaliteteve dhe çështjeve të caktuara, konferenca e porsapërfunduar në Grenoble edhe një herë vuri në pah nevojën e bashkëpunimit më intensiv dhe të qasjes interdisiplinare në kuadër të trajtimit të parahistorisë dhe të historisë antike.
Labyrinthi rrethor, Smirë
(Nga libri: Edi Shukriu, Kosova antike, 2004, fot. 1)