| E hene, 27.01.2020, 08:32 PM |
Çmitizimi artistik i diktatorit
(në
penën e shkrimtares Mira Meksi)
Nga
Prof. dr. Eshref Ymeri
Në Panairin e
librit të nëntorit që kaloi, Shtëpia botuese “Onufri” nxori në qarkullim
romanin e ri të shkrimtares së mirënjohur Mira Meksi, me titull “Diktatori
në kryq”. Kjo është një vepër origjinale në llojin e vet në mbarë letërsinë
shqipe pas zëvendësimit të sistemit komunist dhe vendosjes së pluralizmit.
Diktatori i një
vendi është sundimtari i vetëm i tij, i cili gëzon një pushtet të pakufizuar
dhe qëndron mbi ligjin. Ai është i vetmi njeri me imunitet. Të gjithë qytetarët
e vendit, duke filluar që nga ata që diktatori ka rreth vetes dhe deri te më i
thjeshti, ai i konsideron si materiale inerte, mes të cilave mund të zhdukë kë
t’i dojë dhe kur t’ia dojë qejfi. Diktatori e ka të pamundur të sundojë pa
ushtruar terror mbi njerëzit. Prandaj Çurçilli (Sir Winston Churchill - 1874-1965)
thotë:
“Diktatorët ecin kaluar majë tigrave, duke pasur frikë të zbresin prej
tyre”.
Pikërisht një
diktator të tillë ka pasur në krye vendi ynë gjatë një periudhe më shumë se
gjysmëshekullore. Por me vendosjen e sistemit pluralist, klasa politike
shqiptare nuk bëri as përpjekjen më të vogël për t’i hyrë analizës së
veprimtarisë kriminale të atij diktatori, duke thirrur në ndihmë historianë dhe
specialistë nga fusha të ndryshme të dijes, si mjekë, psikologë, ekonomistë
etj. Ajo nuk e ndërmori dhe nuk mund ta ndërmerrte një hap të tillë, sepse në
dhjetor të vitit 1990 vërtet u vendos pluralizmi, por nuk u përmbys rendi
veteranokomunist, ky thjesht u zëvendësua me një rend neokomunist. Kjo është
arsyeja që klasa politike nuk e ka dënuar zyrtarisht dhe publikisht diktatorin,
me qëllim çmitizimin e tij. Përkundrazi, ajo ka lejuar që ai edhe sot e kësaj
dite të mbajë titullin e “Heroit të popullit”. Klasa politike shqiptare,
të paktën, për të qetësuar shpirtrat e shtresës së të përndjekurve politikë,
duhej të ishte frymëzuesja dhe nxitësja e specialistëve përkatës për çmitizimin
e diktatorit. Për këtë qëllim ajo mund të merrte shembull nga Gjermania.
Në janar të vitit
2016, vepra e Hilerit me titull “Lufta ime” doli nga shtypi jo në
gjendjen origjinale, por e shoqëruar me pothuajse 3700 komente ekspertësh, të
përgatitur nga një grup shkencëtarësh të Institutit të historisë moderne të qytetit të Mynihut. Madje në punën e këtij
kolektivi, nën drejtimin e Kristian Hartnanit, qenë përfshirë jo vetëm
historianë, por edhe ekonomistë, japonologë, specialistë të fushës së judaizmit
dhe matje gjenetistë dhe biologë.
Hartuesit e veprës
në dy vëllime, me titull “Hitler. Lufta ime. Botim kritik”, i kishin
vënë vetes si detyrë të çmitizonin figurën e diktatorit dhe të zbulonin natyrën
kriminale të regjimit fashist. Në libër bëhet fjalë për kontekstin historik,
për njerëzit që përmend Hitleri, për ngjarjet e asaj peiudhe nga këndvështrimi
i ditëve të sotme. Aty jepen shpjegime dhe bëhen përgënjeshtrime të teorive të
tij të përbindshme që kanë në qendër
urrejtjen kundër njeriut, si edhe hidhen poshtë kryekëput parullat
propagandistike.
Udhëheqësi i
grupit të hartuesve të librit, dr. Kristian Hartman, dhe drejtori i Institutit
të historisë moderne të qytetit të Mynihut Andreas Virshing, patën theksuar se
libri ishte një vepër antihitleriane.
Megjithatë, punën
që duhej ta bënte klasa politike shqiptare me historianë dhe me specialistë të
organizuar për çmitizimin e figurës kriminale të diktatorit shqiptar, e ka
përballuar një historian i vetëm, dr. Vasfi Baruti, në dy veprat e veta, të
titulluara “Enver Hoxha në optikë të re” (Tiranë 2013) dhe “Enver
Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)” (Tiranë 2018).
Në të dyja këto
vepra, dr. Vasfi Baruti, me fakte tronditëse, ka arritur ta çmitizojë në një
mënyrë të pamëshirshme figurën e diktatorit, duke e zhveshur lakuriq në sytë e
opinionit publik, pra, duke i çvlerësuar përfundimisht mitet e rreme që kishin
krijuar për të propaganda komuniste, historianët e indoktrinuar dhe krejt
ngrehina e Akademisë së Shkencave.
Kësisoj, në dy
veprat e lartpërmendura të dr. Vasfi Barutit, bëhet çmitizimi historik i
diktatorit, mbi bazën e dokumenteve arkivore dhe të shumë dokumenteve të tjera.
Kur njihet me
përmbajtjen e romanit të lartpërmendur, lexuesi i vëmendshëm krijon bindjen e
plotë se Mira Meksi i është pëmbajtur gjithmonë idesë se shkrimtari ka për
detyrë ta tregojë të keqen vetëm me gisht, ta pasqyrojë me nota të ndezura, ta
bëjë sa më shumë bindëse për lexuesin dhe t’ia përcjellë në një mënyrë sa më shteruese.
Për krijimin e
kësaj vepre, Mira Meksi, si një intelektuale e shquar me brumosje atdhetare,
duhet përgëzuar për guximin e saj shembullor për çmitizimin artistik që i ka
bërë diktatorit në një mënyrë shembullore. Ajo ka hyrë mjeshtërisht në botën e
mistershme të diktatorit dhe ka zbuluar natyrën e tij kriminale. Kur e njeh
lexuesin me serinë e krimeve të diktatorit, ajo, tërthorazi, e bën atë të
përsiatë dhe të pyesë veten se cilat
janë arsyet që disa njerëz, duke u ngritur në majat e pushtetit, vijnë e
shndërrohen në diktator.
Nxënësi i
dikurshëm i Liceut të Korçës, me rezultate në mësime poshtë mesatares, ishte
bërë objekt talljesh nga ana e shokëve të vet. Profesori Vedat Kokona kujton:
“… Shokët i kishin vënë nofkën “gazhel”, fjalë që kishte pak a shumë
ngjyrimin e cilësorit të veshgjatit” (Vedat Kokona. “endur në tisin e Kohës”. Botimet “Kokona”,
2016, f. 59).
Por, çuditërisht,
ky “gazheli” i Liceut të Korçës, një ditë të bukur përfundoi student në
Universitetin e Monpeliesë (Montpellier) në Francë, ku nuk dha asnjë provim për
be. Në Konferencën e Labinotit (mars 1943), Mustafa Kaçaçi deklaroi publikisht:
“Ti Enver ke qenë një hiç…” (Vasfi Baruti. “Enver Hoxha (Gjysma tjetër e Hënës)”. Tiranë
2018, f. 346).
Por pikërisht ky
hiç njeri, në atë konferencë, me mbështetjen e fuqishme të serbosllavizmit,
përfundon në krye të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe pas 28 nëntorit 1944
mori në dorë frenat e pushtetit absolut, të cilin e ushtroi në mënyrën më
kriminale gjatë më shumë se një gjysmë shekulli, sidomos ndaj intelektualëve të shquar. Dhe Mira Meksi i
përcjell lexuesit shpërthimet inatçore të diktatorit kundër tyre:
“… i thoshte shpesh vetes, - duheshin vrarë, duheshin zhdukur, sidomos
intelektualët, ata të shkolluarit në Perëndimin e molepsur nga e liga”.
Kompleksi i inferioritetit është burimi i smirës ndaj njerëzve të aftë, e cila, me kalimin e
kohës, vjen e shndërrohet në urrejtje, deri në tërbim, në qenien e diktatorit.
Në një burim, të botuar në shtyp, për diktatorin thuhet se “... një ish-liceist
i Liceut Francez të Korçës,.. u kaloi tangjent studimeve të tij për biologji në
Motnpellier. Në arkivat Departamentale Herault të këtij qyteti, në
fondin e arkivave të Fakultetit të Shkencave, ruhet gjithashtu edhe dosja
universitare e diktatorit Hoxha në regjistrin me numrin: 15 ETP 20439. Në
dosjen e tij nuk figuron asnjë notë dhe asnjë diplomë. A mos ishte vallë ky
dështim shkaku i armiqësisë së thellë të tij me bashkëliceistët e Liceut të
Korçës? Fati i atyre, që në vitet e liceut u kryqëzuan me diktatorin Hoxha, do
të ishte tragjik. Ky pikëtakim dhe përplasja e tyre ideologjike, do t’u
kushtonte shtrenjtë, shumë shtrenjtë mjaft prej liceistëve të Korçës. Sepse
shumë prej tyre që e kishin njohur nga afër Hoxhën, miq dhe shokë, por edhe ata
që e njohën në mënyrë të rastësishme, u bënë pjesë e një vargu të gjatë
eliminimesh dhe ekzekutimesh. Të konsideruar si kundërshtarë politikë, edhe pse
me një potencial intelektual të padiskutueshëm, ata përfunduan pafajësisht në
gijotinë, u internuan, u burgosën, u torturuan, u vranë dhe u zhdukën,
menjëherë pas vendosjes të diktaturës në Shqipëri” (Ermira
Xhoamqi. “Liceu Francez, fati i paracaktuar i
të rinjve, që donin dijen perëndimore”. Gazeta “Panorama”. 08 shkurt 2018).
Pas analizës
artistikisht të gjetur që shkrimtarja i bën figurës së diktatorit përmes bëmave
të tij kriminale, ajo e çon lexuesin mjeshtërisht drejt një përfundimi logjik:
njeriu, të cilin e mundon kompleksi i inferioritetit për shkak të paaftësive të
tij, e ka të pamundur t’u dalë përballë njerëzve të talentuar me tjetër mënyrë,
përveçse me forcën e pushtetit absolut, të cilin mundohet ta hedhë në dorë me
çdo mënyrë.
Dhe diktatori e
kishte të gatshëm modelin e pushtetit absolut. Mira Meksi i kujton lexuesit se
ai ishte “biri ideologjik i Stalinit dhe gjithë bota e dinte. Biri që
e mbrojti edhe kur gjithë bota e rrëzoi… Biri, që në emër të Atit kish krijuar
dhe kish ushqyer kultin e individit të pavdekshëm…”.
Duke e shtruar
problemin e kultit të individit të diktatorit në veprën e vet artistike, Mira
Meksi i çel një dritare lexuesit, prej nga ai mund të vëzhgojë ecurinë e
ngritjes drejt majave të pushtetit absolut pikërisht të individëve me aftësi të
kufizuara, të cilët e kanë të pamundur vetafirmimin publik pa një pushtet të
tillë. Prandaj, sapo arrijnë majat e pushtetit dhe e kthejnë këtë në absolut,
individë të tillë bëjnë ç’është e mundur për konsolidimin e tij.
Diktatori,
domosdo, Stalinin do ta kishte si yll karvani në ushtrimin e diktaturës së tij.
Sepse edhe Stalini, po ashtu, vuante nga kompleksi i inferioritetit. Arsimimi i
tij ishte nën nivelin e mesatares:
kishte bërë gjith-gjithë pesë klasë shkollë. Por ai e vërtetoi në
praktikë se, nëpërmjet terrorit, popullin mund ta çosh deri në atë shkallë, që
ai ta himnizojë diktatorin, paçka se ky e shkel me këmbë.
Nuk mund të mos
vuante nga kompleksi i inferioritetit edhe Hitleri, i cili arriti të merrte
pushtetin në Gjermani në vitin 1933. Studiuesi gjerman Anton Noimair (Anton Neumayr
- 1887-1954), në një punim me titull “Portreti
i diktatorit”, punim që ia pati kushtuar figurës së Napoleonit, të Hitlerit
dhe të Stalinit, ka theksuar se Hitleri e pati përjetuar me një tronditje të rëndë
shpirtërore dështimin që pësoi gjatë një përpjekjeje që bëri për të hyrë në
Akademinë e Arteve Figurative të Vjenës në vitin 1907. Ai dështim solli si
pasojë urrejtjen e tij të hapur ndaj njerëzve të talentuar, të integruar më së
miri në radhët e shoqërisë, urrejtjen ndaj gjithçkaje që kishte lidhje me
universitetet dhe me akademitë. Në përmbysjen e ëndrrave të jetës së tij për
t’u bërë piktor ose arkitekt, ai bënte fajtor jo vetveten, por mendjemadhësinë
dhe paaftësinë e profesorëve akademikë. Hitleri e ndiente veten të braktisur
nga shoqëria, çka e nxiti të gjente strehë në një gjendje anonimati: në fillim
në një vendstrehim për njerëzit pa banesë dhe më pas në një konvikt për
meshkuj.
Ishte pikërisht
kompleksi i inferioritetit ai që e bëri Hitlerin, pas hedhjes në dorë
pushtetit, të synonte të arrinte lavdinë e Frederikut II (Friedrich II. der Große - 1712-1786), përfaqësuesit të shquar të
absolutizmit iluminist dhe themeluesit të organizimit shtetëror
prusiano-gjerman, dhe t’ia kalonte edhe lavdisë së Napoleonit nëpërmjet
një terrori të egër.
Në këtë roman,
Mira Meksi ka zbuluar pa mëshirë natyrën kriminale të diktatorit.
“Askush nuk e dinte, përpos të vdekurve, se ai i kishte filmuar të gjitha
ekzekutimet e rëndësishme minutë për minutë, çast pas çasti, gjer kur gropa e
përbashkët mbulohej nga dheu i zi… Kish parë dhe stërparë vështrimin e syve kur
toga e pushkatimit merrte komandën për zjarr…”.
Diktatori nuk mund
të vepronte ndryshe. Ai ndiqte me
besnikëri gjurmët e Hitlerit dhe të Stalinit në qëndrimin kriminal ndaj
viktimave të veta.
Hitleri pati dhënë urdhër të filmoheshin skenat e
torturave dhe të ekzekutimeve të gjeneralëve që patën marrë pjesë në komplotin
kundër tij, pati urdhëruar që ai dokumentar të shfaqej disa herë në praninë e
tij, në mënyrë që të kënaqej me pamjet e kufomave të varura në çengela, me
pantallona të zhveshura. Fotografinë e asaj skene madje e mbante në tryezën e
tij të punës.
Stalini krenohej që kishte qenë i pari, i cili, pas
revolucionit bolshevik të vitit 1917, kishte dhënë urdhër të torturoheshin të
burgosurit politikë. Ai e kishte për krenari që, gjatë periudhës së sundimit të
tij, metodat e torturave që përdorte Komisariati i Punëve të Brendshme, ua
kishin kaluar atyre që qenë përdorur deri asokohe. Herë-herë Stalini ndiente
një kënaqësi të veçantë kur zgjidhte personalisht metodën e torturës së njërës
ose tjetrës viktimë. Ai ndiente kënaqësi të madhe kur jepte urdhra për tortura
shpirtërore, gjatë të cilave viktimat i mbante pezull në një gjendje dëshpërimi
dhe frike mes shprehjeve të simpatisë së çiltër dhe shpalljes paskëtaj të
dënimit me vdekje.
Mira Meksi ka hyrë
në botën e përsiatjeve të diktatorit, i cili kërkon që kulti i tij të
hyjnizohet në mendjet e njerëzve. Dhe këtu ajo zbulon me art se njëra nga
veçoritë e ushtrimit të pushtetit të diktatorit shfaqet në aftësinë e tij për
ta ushqyer mbarë shoqërinë me qenien e vetvetes. Prandaj ai mundohet të futet
në indin e saj nëpërmjet pushtimit të çdo qoshke të vendit të tij. Kësisoj ai
kërkon që në sytë e njerëzve të zërë vendin e Hyjnisë, me qëllim që t’i bindë
se prej tij varet mirëqenia e tyre. Kështu që ata duhet të vendosin shenjën e
barazisë mes diktatorit dhe shtetit, në kuptimin që nëse nuk ekziston
diktatori, nuk ka më shtet. Sigurisht, kur diktatori synon të shndërrohet në
Hyjni, në këtë mes ka diçka argëtuese, por duke krijuar kultin e individit, ai
arrin disa pikësynime. Ai kërkon t’u futë frikën njerëzve, pra, t’i detyrojë
kundërshtarët politikë të mendojnë mirë para se të ndërmarrin ndonjë hap kundër
tij, duke ua bërë të qartë se ai është i pamposhtshëm. Veç kësaj, në
psikologjinë e njerëzve diktatori kërkon të krijojë bindjen se ai gëzon
statusin e Hyjnisë, çka i siguron një pushtet politik absolut. Dhe, të vësh në
diskutim pushtetin e diktatorit, është njëlloj sikur ke vënë në diskutim ligjet
e natyrës. Por pushteti absolut sjell pasoja të rënda. Historiani dhe
politikani i njohur anglez, lordi Xhon Akton (John Acton - 1834-1902),
thotë: “Pushteti të degjeneron, pushteti absolut të degjeneron në mënyrë
absolute”.
Nën presionin e
furishëm të pushtetit absolut të diktatorit, edhe masat e gjera të popullit
zënë e shushaten dhe, me kalimin e kohës, fillojnë të besojnë se ai ka tiparet
e Hyjnisë.
Regjisori rus i
filmave dokumentarë Vitali Manski (1963), thotë:
“Putini po jeton në një realitet krejt tjetër, në një realitet “hyjnor”. Dhe, për pasojë, - vazhdon regjisori,
- “pjesa dërrmuese e popullsisë ruse e përfshin atë në radhën e shenjtorëve”
(Citohet sipas: “Ç’ka në kokë një diktator?”. Faqja e internetit “Novaja
gazjeta”. 29 qershor 2016).
Sigurisht që edhe
Putini, si diktator i kohëve moderne, jeton në një realitet “hyjnor”, sepse
edhe ai ka vuajtur dhe vuan nga kompleksi i inferioritetit. Shoku i klasës së
Putinit në shkollën e sigurimit, Juri Shvec (1952), thotë:
“Në KGB Putinin e
quanin “Bisht Cigareje”, më pas i vunë nofkën “Tenjë e Zbehtë”, kurse
tani e quajnë “Botoks” (botox -
ilaç për heqjen e rrudhave të fytyrës, prodhim i kompanisë amerikane “Allergan”
- E.Y.)... Unë kam komunikuar me njerëz që e njihnin
mirë Putinin shumë kohë para se ai të zgjidhej president. Të gjithë theksonin
se, përveç aftësive të rëndomta intelektuale, ai binte në sy edhe për komplekse
të jashtëzakonshme inferioriteti. Putinin e torturonte për vdekje trupi i tij i
shkurtër, komleksi i inferioritetit i lexohej në gjithë figurën dhe fytyrën e
tij” (Citohet sipas: Natalia Dvali. “Shoku i klasës së Putinit, ish-zbulues
i KGB-së: Ju seriozisht e keni kur mendoni që Putini, i cili merret me heqjen e
rrudhave të fytyrës, do të shpërthyeka ndonjë luftë bërthamore? Atij, nga
frika, do të fillojë t’i rrjedhë botoksi”. Faqja e internetit “GORDON”.
28 prill 2015).
Shtrohet pyetja:
mos vallë edhe populli ynë, në kushtet e neodiktaturës, është duke ecur në gjurmët
e popullit rus?
Për të arritur
deri te barazimi i vetvetes me Hyjninë, diktatorit i duhet ta largojë popullin
nga feja. Prandaj Mira Meksi i përcjell lexuesit një monolog domethënës të
diktatorit:
“… ajo që doja të arrija në direktivat e mia ishte veç brumosja e njeriut
të ri me materializmin e Marksit. Feja është opium për popujt, ky mësim i madh
duhet të drejtonte jetën e bashkëkombasve të mi, t’i edukonte ata”.
Dhe diktatori i
turret fesë me tërbim. Mira Meksi thekson se vrerin kryesor ai e vjell kundër
katolicizmit, kundërshtarit kryesor të diktaturës komuniste. Dhe “kishte të
drejtë” ta urrente katolicizmin, si vatrën e nacionalizmit shqiptar, sepse
përfaqësuesi i shquar i tij, Atë Gjergj Fishta, kishte qëndruar burrërisht në
vijën e parë të luftës për demaskimin e shovinizmit serbosllav, të cilit
diktatori i pati shërbyer me një zell të jashtëzakonshëm që prej 08 nëntorit të
vitit 1941. Urrejtja e diktatorit ndaj katolicizmit të kujton të njëjtën
urrejtje që pati ushqyer ndaj tij edhe Hitleri.
Në punimin e
lartpërmendur, Anton Noimairi është ndalur edhe në qëndrimin e Fyrerit ndaj katolicizmit. Ai ka
shkruar se pas përfundimit të një marrëveshjeje me Romën në vitin 1933,
Hitleri pati planifikuar që t’i jepte një zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje,
sepse, sipas mendimit të tij, i duhej dhënë fund bashkekzistencës me
katolicizmin, të cilin e vlerësonte si një dukuri të turpshme për kulturën.
Mira Meksi zbulon
djallëzinë e diktatorit në organizimin e fushatës kundër fesë, të cilën ai e
quante hidër që rrezikonte komunizmin. Prandaj, për ta bindur opinionin
publik se nuk ishte ai që u ngrit kundër saj, ai vuri në lëvizje njërën nga
levat e diktaturës, të yshtur prej tij me marifet: rininë.
“Ndeza veç një pishtar në trup të fesë, të cilin fëmijët e shkollës, rinia
e Durrësit e para... dhe më tej tërë rinia e vendit dhe gjithë shqiptarët, ma
rrëmbyen nga dora, i vunë në fillim zjarrin kishës së Shna Vlashit dhe më tej
tërë vendit, përcëlluan dhe dogjën edhe vetë emrin e fesë”.
Marifete të tilla
janë në natyrën e diktatorëve. Ata i përdorin këto lloje marifetesh për të
maskuar krimet e veta, duke i thënë opinionit publik se ata thjesht po zbatojnë
vullnetin e masave. Me fjalët e mësipërme të diktatorit, Mira Meksi më bën të
sjell ndër mend përmbajtjen e një vepre të Leopold Sondit (Léopold Szondi - 1893-1986), psikolog,
psikiatër dhe psikanalist hungarez dhe zviceran. Në monografinë e tij me titull
“Kain, Gestalten des Bösen” (Kaini, figura e së keqes), Sondi thekson se
mbretërit dhe perandorët, politikanët dhe fyrerët që vuajnë nga mania e
madhështisë, kanë arritur që, në çfarëdo epoke, të tërheqin, të mobilizojnë
masat shumëmilionshe të njerëzve për qëllimet e tyre të turpshme dhe t’i
detyrojnë të kryejnë krime të përbindshme, me të vetmin qëllim që të krijohet
bindja në opinionin e gjerë se një pjesë e të
ashtuquajturit popull përbëhet prej kainësh të fshehtë, të cilët mezi
presin atë moment, kur atyre, nën maskën e “patriotëve”, do t’u lejohet t’i shpërthejnë
lirshëm pasionet e tyre prej kriminelësh të pamëshirshëm. Kësisoj, Sondi arrin
në përfundimin se masa e njerëzve është
një maskë ideale, prapa së cilës mund të fshihen kainët e rinj, sepse ajo i
çliron diktatorët nga përgjegjësia personale.
Me zhdukjen e
fesë, diktatori i dha vetes tiparet e
Hyjnisë. Prandaj Mira Meksi shkruan:
“U grisën dhe u dogjën librat fetarë dhe shkrimet e shenjta. U zëvendësuan
më pastaj me veprat e Tij”.
Pra, shqiptarëve,
deri asokohe, siç shkruan ajo në vazhdim, “askush nuk kish guxuar t’u merrte
Zotin”.
Sigurisht, botimi
i veprave të diktatorit ishte njëra nga mënyrat e rrënjosjes së kultit të
individit në ndërgjegjen e njerëzve.
Pohimi i mësipërm
i Mira Meksit të sjell në kujtesë një libër të gazetarit dhe të shkrimtarit
norvegjez Mikal Hem, të titulluar “Të jesh diktator: udhëzim
praktik”, përmbajtja e të cilit përshkohet nga ideja se kulti i individit
krijohet saktësisht përmes portreteve dhe statujave në mbarë vendin, marrjes së
titujve, krijimit të ideologjisë shtetërore me emërtim tingëllues, emërtimit të
objekteve të ndryshme me emrin e diktatorit, vënies në shërbim të diktatorit të
mjeteve të informimit masiv, sajimit të ligjeve të pazakonta, shkrimit të
librave.
Mikal Hemi e vë
theksin tek ideja se veprat e diktatorit duhet të jenë të llojit të veçantë, se
ato duhet të përmbajnë profetizime dhe moralizime, të cilat do të shërbejnë si
bazë për rrënjosjen e kultit të individit në vetëdijen e njerëzve. Koha e
vërtetoi se cila ishte “vlera” e veprave të diktatorit.
Më lart u theksua
se për çmitizimin e librit të Hitlerit, mes specialistëve të ndryshëm, qenë
përfshirë edhe ekonomistë. Sikur klasa politike shqiptare të kishte marrë një
vendim për çmitizimin e diktatorit, patjetër që do të ishte më se e domosdoshme
që në grupin e specialistëve përkatës të përfshiheshin edhe ekonomistë. Sepse
botimi i veprave të diktatorit në gjuhën shqipe dhe të jo pak prej tyre edhe në
disa gjuhë të huaja, asokohe i ka kushtuar shumë shtrenjtë arkës së shtetit.
Atëherë kanë qarkulluar mendime se kostoja e botimit të tyre i ka kushtuar
shtetit miliona dollarë. Brezi i ri e ka të vështirë ta besojë, por brezi i
dytë dhe brezi i tretë e kanë parë me sytë e tyre se si ekspozoheshin në mbarë
vendin “veprat” e diktatorit, duke
arritur deri te vëllimi 71, i cili reklamohej si “relike e çmuar” majë ndërtesave më të larta
të qendrave të qyteteve në fundin e viteve ’80. Pra, diktatori, përveç krimeve
të rënda që kreu kundër popullit
shqiptar, duhej të çmitizohej edhe për grabitjen e vlerave monetare të vendit
për botimin e “veprave” të tij që përfunduan në koshin e mbeturinave.
Shkrimtarja Mira
Meksi, me elegancën e imagjinatës së vet, e zhvendos lexuesin në botën e
përsiatjeve të diktatorit në vetminë e tij në kohën e pragvdekjes. Sigurisht që
diktatori e ka të vështirë të ndahet nga pushteti absolut dhe, po të kishte
mundësi, do të ngrinte krye edhe kundër Hyjnisë që ka shpikur vdekjen. Prandaj
ai ëndërron për ringjalljen.
“U kthye me mendje sërish te vdekja e tij e afërt, sidomos te ringjallja.
Vdekja i la në gojë amzën e hidhur të rrugëtimit vetmitar e të pambrojtur të
trupit... Por edhe frikën e takimit, në atë rrugëtim të mbramë, me viktimat e
tij”.
Pra, në fanitjen
para syve të viktimave të diktatorit, Mira Meksi shikon arsyen e vetmisë së tij
vrastare.
Psikiatri dhe
psikologu amerikan me prejardhje çeke Stanislav Grof (1931), autor i librit me titull “Beyond
the Brain” (Përtej caqeve të trurit), thotë:
“Diktatori përjeton jo forcën, por kompleksin torturues të inferioriteti,
etjen e tmerrshme për t’u rrëfyer, vetminë e padurueshme dhe një mosbesim që e
gërryen përbrenda. Gjatë terapisë së thelluar empirike, “kompleksi i
diktatorit” zgjidhet me përmbylljen e
procesit të vdekje-ringjalljes”.
Një dukuri
interesante kjo: edhe një shkrimtare e talentuar, edhe një psikiatër dhe
psikolog i shquar vijnë në të njëjtin përfundim: diktatori, i marrosur pas
pushtetit absolut, kërkuaka të mos ndahet prej këtij të fundit, duke u rikthyer
përmes ringjalljes. Vetvetiu të vjen ndër mend një aforizëm i bukur i Fitzxheraldit
(Francis Scott Key
Fitzgerald - 1896-1940),
shkrimtar amerikan, përfaqësuesi më i shquar i të ashtuquajturit “brez i
humbur”:
“Kurrfarë mrekullie e prekshme,
reale, nuk mund të krahasohet me faktin se ç’mund të grumbullojë njeriu në
humnerat e fantazisë së vet”.
Por jeta vërtetuaka se fantazia e Mira Meksit dhe e
Stanislav Grofit për dëshirën e diktatorit që ëndërruaka ringjalljen, u
mbështetka mbi një truall konkret. Le të flasim me gjuhën e fakteve:
Në një libër mjaft interesant, të botuar për herë të parë
në Turqi në vitin 1991, me titull “Kendini
arayan adam” (Njeriu që kërkon vetveten), me autor as.doc.dr.
Halit Ertogrul, jepen të dhëna befasuese në lidhje me çastet e fundit të
jetës së Josif Broz Titos. Në këtë libër, në faqen 105-106,
autori jep rrëfimet e Sali Gokkaya, i cili kishte kaluar 50
vjet të jetës së tij në shërbim të ideologjisë komuniste. Ai kishte kryesuar
delegacionin e komunistëve turq, me rastin e vizitës që i kishte bërë kryetarit
dhe liderit komunist të Jugosllavisë, Titos. Ja rrëfimi i tij:
“Në vitin 1980 gjendeshim në Beograd me ftesën e
presidentit të Jugosllavisë Mareshalit Tito. Përreth shtratit të
liderit komunist, i cili kishte kaluar 70 vjet nga jeta e tij 88-vjeçare në
shërbim të komunizmit dhe Jugosllavisë, shkonin e vinin shërbëtorë që plotësonin
dëshirat e fundit të tij. Lideri i moshuar komunist nuk ishte më i zoti të
fliste, ashtu siç kishte aftësi për të folur më parë kur u drejtohej miliona
njerëzve, ngase tashmë funksioni i duarve dhe i këmbëve të tij ishte dobësuar
shumë. Sytë e tij, sa herë që fliste, i mbusheshin me lot, buzët i dridheshin,
ndërsa fytyra e tij tashmë kishte marrë një pamje krejtësisht tjetër, kishte
një pamje që prezantonte dhembshuri. Me të kuptuar gjendjen e tij, unë desha
t’i them diçka për ta ngushëlluar. Duke iu drejtuar me këto fjalë, i thashë:
“Zotëri, ju nuk duhet të trembeni nga vdekja, sepse
ndoshta me trup do të largoheni nga kjo jetë, por shpirtërisht dhe me veprat
tuaja do të jeni gjithmonë prezent në zemrat e njerëzve. Por me të dëgjuar
fjalën vdekje, ai u prek thellë dhe pamë se si filloi të dridhet, sikur
ta kishte zënë tërmeti. Fjalët e tij që i tha në ato momente, ende buçasin në
veshët e mi”, - thotë Gokkaya, dhe vazhdon të transmetojë fjalët e
Titos:
“Po. Unë po vdes. Por, edhe po t’jua shpjegoj juve që
jeni të shëndetshëm, nuk do të mund të më kuptoni në këtë moshë. Ndarja
nga shokët, miqtë, nga posti dhe nga pozita, të bën të çmendesh.
Juve, shokë, do t’jua tregoj diçka me zemër të hapur. Në qoftë se pasi të vdes,
trupi im do të bëhet dhé, dhe në qoftë se nuk do të ketë ringjallje, shpërblim
dhe ndëshkim, atëherë cila kishte me qenë vlera e përpjekjeve të jetës sime? Ju
lutem, më thoni! Në qoftë se unë do të ndëshkohem deri në pafundësi, atëherë
çfarë vlere ka të jetoj në zemrat e të tjerëve dhe të duartrokitem. Pas vdekjes
sime, a thua do të arrijë zhurma e duartrokitjeve që bëhen për mua, për të
ndaluar gjarpërinjtë dhe krimbat, që të mos e hanë kufomën time?..”. (Citohet
sipas: Shevki Sh. Voca. “Pendimi i Josip Broz Titos”. Faqja e internetit
“Radio Islame”. 15 nëntor 2008).
Duke pasur parasysh dëshirën e Titos për ringjallje,
rezulton se në pohimin e Mira Meksit kemi të bëjmë me një trill artistik, kurse
në pohimin e Stanislav Grofit kemi të bëjmë me një trill shkencor. Prandaj ka
të drejtë skenaristi, shkrimtari dhe gazetari anglez Frederik Rafaeli (Frederic
Raphael - 1931) kur thotë:
“E vërteta është më mbresëlënëse se
trilli, por trilli ama është më afër realitetit”.
Me botimin e këtij
romani, Mira Meksi mund të radhitet denjësisht pranë atyre shkrimtarëve, të
cilët në veprat e tyre kanë skalitur me mjeshtëri pasojat e sundimit
diktatorial. Këtu po përmend disa prej tyre.
Shkrimtari gjerman Bertold Breht (Bertolt Brecht - 1898-1956)
romanin-pamflet me titull “Punët e zotit Jul Çezar”, e pati
shkruar në vitet 1937-1938, kur hitlerizmi ndodhej në ngritje e sipër dhe as që
parashikohej shembja e ardhshme e diktaturës. Por në vitin 1939, në novelën me
titull “Çezari dhe legjioneri i tij”, po me të njëjtën analogji
historike me Jul Çezarin, ai parashikoi përmbysjen e diktatorit.
Në vitet 1944-1947, shkrimtari francez Alber
Kamy (Albert Camus - 1913-1960) shkroi pjesën “Kaligula”, në të cilën i
përcjell lexuesit fjalët e diktatorit romak:
“Në mbarë
perandorinë romake, i lirë jam vetëm unë”.
Duke shfrytëzuar mundësinë për të qenë i
pandëshkueshëm, të cilën e pati shpallur si parullë politike të pushtetit të
pakufizuar të diktatorit, mekanizmat e fshehta të politikës shtetërore Kaligula
i shpallte haptas. Prandaj ai deklaronte:
“Të sundosh, do të thotë të vjedhësh... Për sa më përket mua, unë do të vjedh
haptas”.
Në skalitjen e figurës së Kaligulës, Alber Kamy
vjen dhe e shton motivin e tmerrshëm të vetmisë së diktatorit që u mbyll me
fundin e tij tragjik.
Shkrimtari amerikan Torton Uailder
(Thornton Niven Wilder - 1897-1975), është autor i romanit
“The
Ides Of March” (Idat marsiane - kështu quhej te romakët e lashtë dita në
mes të marsit që i kushtohej Jupiterit. Në kuptimin figurativ, kjo shprehje do
të thotë “dita e ngjarjeve fatale”, sepse më 15 mars të vitit 44 p.e.r qe vrarë
Jul Çezari), të botuar në vitin 1948, në të cilin hero kryesor është
diktatori Jul Çezari. Si një shkrimtar i vëmendshëm, që ka trajtuar proceset më
të thella të aktualitetit, Uailderi hedh dritë mbi shkaqet politikosociale të
shembjes së dikturave. Romani ishte rezultat i përsiatjeve të shkrimtarit për fatet e Evropës të
kohës së Luftës së Dytë Botërore
Në
roman ai u ofron lexuesve një letër të Çezarit për Kleopatrën:
“Domosdoshmëria për të tërhequr njerëzit pas vetes, e
thellon vetminë e natyrshme të njeriut. Çdo urdhër që nxjerrim vjen dhe e shton
vetminë tonë, çdo shenjë respekti që manifestohet ndaj nesh, na largon edhe më
shumë nga njerëzit e tjerë”.
Dhe
Kleopatra i përgjigjet:
“... ju me të vërtetë keni krijuar rreth vetes murin e
vetmisë, një mur të tepruar madje edhe për sundimtarin e botës”.
Duke u
njohur me jetë diktatorësh të zhytur në krime kundër popujve të tyre, lexuesit,
vetvetiu, mund t’i lindë një pyetje e thjeshtë:
Po
vallë a do të jetë e mundur ndonjëherë që ndokush nga diktatorët, i cili, në
gjalljen e vet, t’i thërrasë mendjes për krimet e kryera dhe të marrë guximin
për të dalë me një pendesë publike para popullit të tij?
Filozofi
i shquar gjerman, Kanti (Immanuel
Kant - 1724-1804), kësaj
pyetjeje i ka dhënë një përgjigje shteruese:
“Sundimtari suprem duhet të jetë i drejtë me vetveten dhe
me këtë rast të vazhdojë të mbetet njeri. Kjo është një detyrë nga më të
vështirat, aq më tepër që kjo detyrë është e pazgjidhshme: njeriu është latuar
prej një druri kaq të shtrembër, saqë asnjë marangoz nuk është në gjendje ta
drejtojë. Natyra na ka ngarkuar përsipër vetëm detyrën për t’iu afruar këtij
ideali”.
Kompozicioni i romanit të shkrimtares Mira Meksi e
orienton lexuesin drejt idesë kryesore të veprës - idesë së marrëzisë së
ekzistencës së tiranisë në shoqërinë njerëzore.
Romani mbyllet me fjalinë në vijim:
“Po
e kryqëzonin edhe të vdekur dhe nuk kishte një mundësi të dytë në tokë”.
Pra, fundi i biografisë së diktatorëve zakonisht është tepër
i mjerueshëm. Dhe sado të vërtitet njëri ose tjetri sundimtar për ta paraqitur
veten si Hyjni para popullit të vet, njerëzit, herët ose vonë, do të arrijnë
deri tek e vërteta dhe do ta nxjerrin lakuriq në sytë e botës.
Santa Barbara,
Kaliforni
30 dhjetor 2019