| E marte, 28.01.2020, 07:37 PM |
Dashurohemi
Nga
Edison Ypi
Në
fshatin tonë i duam marrëzisht gratë. Për Dashurinë vrasim e vritemi, rrahim e
rrihemi, vjedhim e vidhemi. Kur vjehrri im ishte ushtar në Shkodër dhe njohu
vjehrrën time, për hatër të saj rrahu një mëhallë të tërë. Kot. Ose si thuhet
nëpër libra; Për Dashurinë e pafundme ndaj saj. Ndërsa vëllai i tij kur u fejua
në Librazhd, vetëm pse iu duk se dikush i bëri një shenjë të fejuarës së tij,
theu mbi dyqint krahë, këmbë, brinjë, kyçe, të atyre që i dolën përpara. Një
djali i xhaxhait tim u marros pas një perrie në fshat. Babai i saj s'deshte që
s'deshte. I thoshte "s'je i sërës". Ky i tha " E ke lexuar apo
jo Romeon dhe Xhulietën ? S'pyet dashuria për sërë. Lëri nazet. Ma jep
çupën". Babai i vajzës nuk u tund. Djali pa ç'pa, iku në Greqi. Punoi ca
kohë. U kthye. Atë që s'e bëri dot Shekspiri, e bëri kurbeti. Me paratë e
emigracionit ndërtoi vilë me katër kate, një kat më lart se babai kapriçioz i
vajzës, të cilit vajti i tha; Hë, po tani që unë vilën e kam me katër kate dhe
ti e ke me tre kate, kush është i sërës, unë apo ti ? Tjetri u bind. Ja dha
çupën. U martuan. S'kaloi një vit, nga lodhja e kurbetit dhe e ndërtimit të
vilës, "Romeos" së kurbetit j'u shpif një sëmundje e trurit që ja
mpiu gjymtyrët duke e bërë të zërë qoshen si mos o Zot. Nusja, Xhulieta e sërës
së 4 kateve e ndau. Iku. U kthye te babai i sërës së 3 kateve. Një tjetër
fshatari ynë ja vuri synë një skraparlleshe. Mirpo e gjeti belaja. Nuk e dinte
se skraparllesha kishte hapur fjalë; Ja marr burrë me shtatë çifligje, ja
s'martohem kurrë. Dhanë e morën t'ja shkulnin nga mendja çifligjet, e çuan
nëpër të gjitha magjistricat e Myzeqesë, deri edhe në Teqenë e Alipostivanit,
meazallah. Djali u çmend nga dëshpërimi. Skraparllesha në dritare me sytë në
horizont pret kot Princin e Kaltër me shtatë çifligje. Ehu sa raste të tilla
kemi ne në fshat. Ca që i deshën gratë aq tepër sa për tua plotsuar të gjitha
tekat vodhën ose u muar me trafiqe dhe sot janë në burg. Ca nëpër spitale
psikiatrike, ca që nëpër botë janë martuar me zezake dhe kineze. Në katundin
tonë nuk numurohen të çmendurit nga Dashuria. Para ca kohësh, dy burra,
ndërkohë që vazhdonin ti dashuronin gratë e veta, ranë marrëzisht në sevda me
gratë e njëri-tjetrit, ky me gruan e atij, ai me gruan e këtij. Në pamundësi të
një kombinacioni poligamik me dy gra dhe dy burra që mund të këmbeheshin sa
herë të donin, çka nuk e pranon Kanuni i shqiptarit, dy burrat pasi vranë gratë
e njëritjetrit, vranë edhe njëritjetrin, dhe nga fshati ynë u zhduk një herë e
mirë rraca e ultraliberalëve. Dashurohemi "për vdekje" dhe "për
jetë". Dashurohemi "jetevdekjepërqafuar". Një kushuriri im ra në
dashuri me veten e vet. Braktisi gjithçka, grua, fëmijë, shtëpi. Ka ikur rri i
mbyllur në një kasolle në mes të ullinjve në faqe të kodrës. Mban vetëm krëhër
dhe pasqyrë. I çojnë për të ngrënë kush një tas me fasule kush një bidon me
dhallë. Kemi një beqar që s'dihet pse s'i mbushet mendja të martohet. Është
bestyt. Ka mësuar Kuranin përmendësh. Njerëzit e tij enden nëpër fallxhorë.
Pinë kafe. Përmbysin filxhanin. Shohin çfarë thotë llumi për fatin e tij. Ai
hiç. Jam martuar me Perëndinë, thotë. Ne nuk lexojmë gazeta, libra, revista,
nuk shohim televizor. Ne nuk dashurohemi me dashurira të lehta, dashurira të
pashijshme, që nisin urtë e vazhdojnë butë, që rrjedhin si mjaltë e rrëshqasin
si gjalpë. Ne gratë i dashurojmë rëndë dhe gratë na dashurojnë marrëzisht ne.
Edhe i rrahim nga pak gratë. Tek ne në katundin Skapidh ku gratë i rrahim
dashuria është më e zjarrtë se në qytetin Skakar ku gratë i puthin.