| E shtune, 25.01.2020, 09:34 AM |
Sejdi BERISHA:
O MIKU IM, ATË NATË ÇDO
FJALË RRIDHTE LOT...!
(Në vend përkujtimi për gazetarin,
publicistin dhe atdhetarin, Nazmi LUKAJN)
Gjithçka
ishte akt i kryer dhe jeta e tij i ngjante shkrimit të papërfunduar, sepse
rrugëtimi ishte në të sosur apo edhe kishte mbaruar. Andaj, kur diçka gjithnjë
më shtynte dhe më detyronte të shkruaj këtë shkrim, përherë në mendje më sillej
një si mallkim apo edhe gjykim: lindja është fajtore për vdekjen! Dhe, tash pas
tre muajsh pa Nazmi Lukajn, kur dua të them diçka të madhe dhe të lumtur për
te, secili mendim m’i këputë këmbët, sepse, takimet dhe bisedat me këtë njeri,
përherë ishin me peshë por edhe me dhembje, sa që shpeshherë ato kalonin në
fushën e mendimit të çuditshëm.
...Fati
i kombit gjithnjë e mbërthente në atë fuqinë, por edhe në atë dhembjen e cila
sikur për çdo sekondë e çdo minutë diçka
i merrte nga trupi, nga zemra e shpirti. ...Andaj, shëtitje e Nazmiut ma
këpuste shpirtin, sepse ajo i ngjante shmalljes me vendlindjen dhe rrugëtimit
në pakthim...!
_________
1.
Kur
bisedonim për jetën, fjalët e Nazmiut ishin më ndryshe se ato të rëndomtat,
ishin plotë elan e dashuri për lumturinë, pa marrë parasysh sfidat dhe
përplasjet. Kështu që, kjo forcë, Nazmiun e bënte të dashur por ndonjëherë edhe enigmatik. Enigmatik, sepse, dot nuk
arrinte t’i mbërthente dhe t’i thoshte të gjitha përnjëherë, dhe kështu ngelej
i etur për mendimin e drejtë dhe peshën e tij.
Thonë,
se së pari njeriu gjithnjë mendon për fatin dhe për mirëqenien e familjes, të
fëmijëve, bashkëshortes dhe të prindërve, por tek ai sikur ishte krejt ndryshe.
Fati i kombit gjithnjë e mbërthente në atë fuqinë, por edhe në atë dhembjen e
cila, sikur për çdo sekondë e çdo minutë
diçka i merrte nga trupi, nga zemra e shpirti.
Pse
ishte i tillë Nazmiu?! Këtë, pakkush mund ta ketë ditur, apo nuk e kanë ditur
fare!. Ishte një shpirt i parehatshëm, i cili çdo gjë ia bënte “haram” duke menduar
për njeriun, për historinë dhe fatin e tij. Andaj, ky shndërrohej në atë
ëndrrën që ndrydh, që të përkëdhelë, të tmerron por edhe të lë në dritaren e
pritjes. I tillë ishte Nazmiu kur bisedonim për atdheun dhe për rrugëtimin e
kombit, të cilat gjëra, në shenjë revolte, shpesh i truanim dhe i mallkonim.
Pra, kështu tani më duket se po e shoh profesorin, gazetarin dhe publicistin,
duke udhëtuar në trenin e madhështisë dhe të shpresës, por me kokë në dritare
dhe me shikimin e derdhur në fatin e tokës dhe të njeriut që gjithnjë i
konsideronte si gjëra të shenjta. Nazmiun, që ne nuk e dinim se ishte në
ikje,... në ikjen tinëzare dhe plotë padrejtësi, sepse, ai kishte synim dhe
ëndërr për të bërë edhe shumëçka, për të lënë vepra shumë më me peshë e më me vlerë...!
Njeriu,
qysh në vegjëli sikur e ndanë fatin dhe përcaktohet për diçka. Profesori Nazmi,
edhe pse me moshë i ri, ia arriti të merr ditarin dhe gjeneratat e reja t’i
sjellë në rrethin e diturisë, t’u ofrojë vlera diturie duke e begatuar çdo gjë
me atdhedashuri. Ishte tejet e madhe kjo punë e profesorit të gjuhës dhe
letërsisë shqipe, për mësimdhënësin e lëndës së themeleve të të arriturave
madhore në të gjitha fushat. Duke pasur parasysh këtë rëndësi me vlerë, atë e
shohim duke nxituar si njeriun e uritur për të siguruar sa më shumë kafshatë
buke. Me përkushtimin e tij për t’ia ngritur namin gjuhës së nënës, atë shpesh
e kemi hasur ndoshta edhe të dalë nga vetvetja mbase edhe të ngujuar në peshën
e fjalës dhe të mendimit. Aq shumë thellohej në brendinë e këtij tuneli të
jetës, sa që nganjëherë ndoshta edhe i ngatërroheshin betimet: a për t’i sjellë
sa më shumë dituri rinisë, apo për t’i sjellë krenari jetës dhe njeriut. Të
themi se të gjitha i përziente Nazmiu, vetëm e vetëm që lumturia dhe dituria,
por edhe drita e liria të bëheshin pjesë e njeriut, e shpirtit të tij. Dhe, unë
jam i vetëdijshëm, dhe dua të them, se jetën e tij e kam përcjellë cep më cep,
pikë për pikë. Andaj, kishte një rrugëtim interesant, të vështirë, të lumtur e
të dhembshëm, por shumë njerëzor, të cilat virtyte, jo rrallë por shpesh, ia
kanë nënçmuar dhe ndonjëherë edhe ka qenë i përbuzur. Gjërat e tilla,
nganjëherë e demoralizonin gazetarin dhe publicistin e ardhshëm, por, aty për
aty e kalitnin dhe e trimëronin edhe më shumë që të vazhdojë rrjedhën e lumit
të jetës së tij.
I
tillë ishte Nazmiu, i cili nuk druante as nga jeta as nga vdekja...!
2.
Duke
shkruar njëherë Tolstoji, kush e di se pse, me indinjatë kishte thënë:
“vetëdija e lartë e rëndon njeriun”! Dhe, nëse i referohemi këtij mendimi,
gazetarin dhe publicistin, Nazmi Lukajn, një gjë e tillë kishte kohë që e
kishte rënduar dhe gllabëruar. Për këtë arsye, ai, me shkrimet e veta “zbrazej”
një mjete të informimit. Në gazetën “Bota Sot”, përpëlitej me tema të nxehta,
të cilat e lënin pa fije gjumi. Bile, mund të ketë ndodhur që shumë herë kotja
e kishte tradhtuar, kurse cigarja ia kishte djegur gishtat e dorës, ndoshta për
t’ia nxjerrë edhe mendimin e fundit për shkrimin e papërfunduar. Por, nuk
mjaftonte vetëm kjo! Shkrimi dhe fryma e tij gjendet pothuaj tek shumica e
gazetave që botohen në Prishtinë dhe në Tiranë. Dëshira e tij për informimin e
njeriut dhe të kombit, ishte si dëshira e luftëtarit: me çdo çmim për ta sjellë
e përjetuar dritën dhe lirinë.
Ai,
ishte plotësisht i vetëdijshëm se për shumë gjëra haste edhe në kritika. Kjo,
gjithnjë, ngase shpirti i tij ishte shumë përpara dhe guximshëm hapëronte,
kurse lapsin e kishte “pa qime në gjuhë”. Për këtë, sa herë që e kam takuar
mikun tim, Nazmiun, me kërshëri më fliste për jetën dhe trysnin e saj, për
etjen që kishte për t’i parë njerëzit vetëm të lumtur. Këtë, shumë ma
dëshironte edhe mua, gjithnjë dhe përherë, sepse, e pëlqente penën dhe mendimin
tim. Andaj, ecjen ai e shihte dhe e konsideronte si diçka të domosdoshme dhe si
detyrim njerëzor. Për këtë arsye, nuk shkoi gjatë dhe e organizoi botimin e
gazetës “Pavarësia”, e cila për një kohë u botua në Prishtinë. Emri i kësaj
gazete kishte kuptim shumëdimensional, dhe, atë e “grahi” mirë e me sukses. Aty,
u dha mundësi shumë penave dhe gazetarëve që të dëshmohen, ta gjejnë veten dhe
në këtë mënyrë edhe të afirmohen. Kështu ndodhi gjithnjë, të cilën gjë e
forconte edhe me disa miq e kolegë të tjerë, disa prej të cilëve nuk iu ndanë
as deri në frymën e fundit dhe përtej saj!
Nuk
ndalej tani, ky krijues në shumë fusha. Të tillë, më vonë e hasim edhe te
gazeta “Nacional”, e cila botohet në Tiranë. Edhe këtu, ai bëri çmos që ta
afirmojë kauzën kombëtare, vlerat shpirtërore dhe kulturore, por edhe ta
afirmojë krijimtarinë e shumë krijuesve nga Kosova, e veçmas nga Peja, prej nga
vjen edhe ai vet.
Forca
shpirtërore e Nazmiut ishte e madhe dhe e veçantë. Kurrë nuk me hiqen nga
mendja momentet kur atë e shihja me gazetën “Nacional”, të cilën vetë e
shpërndante në Pejë e kudo tjetër. Ishte kjo shprehje e një shpirti të madh i
një njeriut të sinqertë dhe entuziast. Në Restorantin “Tiffany” në Pejë,
përherë m’i lente ekzemplarët e “Nacional-it”, që më gëzonin dhe ndjehesha
shumë i respektuar. Herën e fundit, këtë gazetë e kam marrë po në këtë
restorant, të cilën ma kishte paluar në mënyrë pedante dhe me shkrimin:
“Nazmiu, në shenjë respekti”! Besoni, atë ditë diçka më theri në zemër dhe tërë
trupin ma përlau dhembja për këtë njeri, të cilin nuk do ta shihja më kurrë!
Edhe
pse ishte i vetëdijshëm për sëmundjen, ai gjithmonë na nderonte me gazetën në
fjalë. Edhe këtu qëndron madhështia e Nazmiut...!
3.
Edhe
diçka. Më kujtohet edhe fjetja e tij në redaksinë e gazetës “Bota Sot”, vetëm e
vetëm që t’i qëndronte besnik shkrimit dhe profesionit prej gazetarit. Kjo
sakrificë, nuk mund të krahasohej dhe as të matej me asgjë, përveç se me
virtytin e lartë prej njeriut të çiltër. Për këtë, shpesh e kam kritikuar,
ashtu siç i kam drejtuar nganjëherë fjalë qortimi edhe për kujdesin më të madh
ndaj familjes, ndaj fëmijëve që i kishte dhe i ka si lulet.
Kur
bisedonim për familjen, ai ma rrëzonte mendimin tim, sepse, me përkushtim dhe
me krenarinë më të madhe më fliste për fëmijët.
-I
kam të shkëlqyeshëm edhe në jetë edhe në mësime...
Po.
Ashtu ishte. Krenohesha edhe unë me ata fëmijë të cilët edhe unë i kurajoja
duke i përqafuar dhe duke u folur fjalë miradije për mësimet që i merrnin në
shkollë.
Po,
pra. Vajza e madhe, Ariana, sot është studente e dhjetësheve në Fakultetin
Filologjik, Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Dhe shih, për madhështinë e
saj, Nazmiu, prej atje, në spitalin e Tiranës, edhe pse luftonte me sëmundjen,
me gëzim të madh më rrëfente:
-Sot,
Ariana kishte marrë dhjetëshe...!
Tash,
them, e si mos të mburren fëmijët Ariana, Arianiti, Arianita dhe Afërdita për
babanë e tyre. Ata e ruajnë kujtimin dhe premtimin për te, se do të bëhen
shembull i njeriut të kësaj toke, për çfarë, Nazmiu gjithnjë ishte i etur. Se
çfarë përkushtimi kishte ai në jetë, është përrallë e gjatë, e cila lumturon,
hidhëron dhe përmallon.
Nëse
nuk gabohem, mu atë ditë kur Ariana do të ngelej pa babanë, ajo kishte marrë
edhe një dhjetëshe në fakultet. Prej atëherë, gëzimi i përzier me hidhërimin
ngelën shokë të dhunshëm, që dot nuk ndahen as nuk harrohen...!
4.
Kur
më kujtohet biseda me Nazmiun për sëmundjen e tij, për të cilën nuk kisha ditur
ndonjëherë se ai luftonte dhe kacafytej me te, në ndërdije gjithmonë me flenë
ajo pesha e dhembjes së tij, e cila, po të matej me ndonjë masë, do të peshonte
shumë dhe do të depërtonte në thellësitë e pamatura të tokës memece. Ishim ulur
në restorantin të cilin ai më shumë e preferonte, në “Tiffany”. Pasi e pyeta
për familjen dhe për shkrimet për gazetën “Nacional”, ai u ndal si i stepur.
Heshti duke shikuar përreth, pastaj me zë të ulët m’u drejtua:
-Sejdo,...ti
je i pari që po të tregoj...
-Çfarë,
ashtu?!
-Jam
i sëmur,...
-Si?!
Çfarë të mirën ke...
Kur
më tregoi për sëmundjen, nuk doja t’u besoja veshëve të mi.
-Po,
po. Ndoshta nuk do të shkojë gjatë...!
Ia
ndërpreva fjalët dhe tërë kohën e vërshova me bisedën e shpresës dhe të
besimit. Mirëpo, tash fytyra e tij m’u shndërrua si në një hartë të tronditjes,
që shpreh relieve të çrregulluara. Nuk dëshiroja në atë moment të besoj asgjë.
Tani
e tutje e njihja një Nazmi tjetër, i cili qëndronte stoik, por më shumë e
dëshironte vetminë dhe shëtitjen në natyrë. U dashurua edhe më shumë me
bukuritë e natyrës, me bukuritë e tokës! U dashurua me bukuritë përrallore të
Pejës, me madhështinë e Grykës Piktoreske të Rugovës, të cilën e donte në
mënyrën e vet, dhe sikur gjithmonë e kishte ëndërr që këtë pjesë të Kosovës ta
përjetojë si qendër turistike kombëtare.
Mirëpo,
kjo shëtitje e Nazmiut ma këpuste shpirtin, sepse, ajo i ngjante shmalljes me
vendlindjen dhe rrugëtimit në të sosur...!
5.
Takimi
i fundit me Ty Nazmi, ishte i pabesueshëm se prej atij momenti nuk u pamë më.
Atë mbrëmje, në shtëpinë tënde çdo gjë më dukej e rëndë. Çatitë peshonin
ndryshe. Tjetër barrë bartnin mbi vete. Edhe shikimin që ta drejtoja më dukej
ndryshe. Biseduam gjatë, por më dukej se çdo fjalë rridhte lot...!
-Ke
për ta fituar edhe këtë betejë,... Njerëzit me këtë sëmundje jetojnë njëqind
vjet! –i thash vetëm sa për ta bërë fjalë. Por, ai me gjithë ngarkesën
shpirtërore, buzëqeshi siç e kishte zakon dhe ma ktheu:
-M’i
lejo vetëm dhjetë vjet,... të tjerat po t’i fali. –mu duk se kjo fjali çdo
pjesë të trupit ma lëndoi dhe ma pengoi ecjen e gjakut nëpër damarë. Ishte
mbrëmje dhe nuk ndeja shumë. Në të dalë, duke u përshëndetur, ma dhuroi librin
e Gjekë Marinajt “Protonizmi: Nga teoria në praktikë (Vizione letrare)”, kurse
në brendinë e librit kishte shkruar: “Shkrimtarit të mirënjohur, z. Sejdi
Berishës, në shenjë kujtimi e respekti. Nazmi Lukaj”! E, bashkë me libër ma
dhuroi edhe një stilolaps me ngjyrë të zezë. Sepse, e dinte ai që i kam në qejf
stilolapsat që shkruajnë zi. Dhe, çfarë të them. Libri dhe lapsi me peshuan hiq
më pak se dhjetëra tonelata. Ishin zjarr që më përcëllonte. U përshëndetem,...
e, kjo përshëndetje mbeti përshëndetja e përgjithmonshme me mikun tim, Nazmi
Lukajn!
Kjo
ndarje ishte me plot padrejtësi. Tradhtare, ishte kjo ndarje...! Nazmi, tani të
takoj vetëm në kujtime, të cilat më lënë pagjumë,... të cilat më trishtojnë.
Nazmi,
për fund dua të të them edhe diçka. Pusho i qetë, sepse askush nuk ka besuar se
aq shumë të paskan dashtë njerëzit, numri i të cilëve, atë ditë kur të
përcollëm për në shtëpinë e fundit, por edhe tri ditë radhazi gjatë
ngushëllimeve, i kalonte shifrat e mijëra e mijëra njerëzish të të gjitha
moshave. Ato momente dhe ato ditë, emri yt i ngjante gjerdanit të pakëputur
duke u shqiptuar me peshën e respektit, të dhembjes dhe krenarisë. Sa i madh
ishe dhe mbete, Nazmi. Tani, qëndron si figurë e pavdekësisë dhe e krenarisë në
historinë e njeriut dhe të atdheut tënd. Krenari është kjo,... s’është vdekje.
Nazmi,
të gjithë njerëzit e përkushtuar janë melankolikë, të dhembshëm dhe si të tillë
shpejtë dhe befasisht ikin, mu si zogjtë e trembur, që pas lënë madhështinë si
amanet. Kurse, kjo që shkrova për ty është shumë pak,... krejt pak, sepse, je
duke shëtitur nëpër damarët e gjakut tim. Andaj, sa ka vlerë shkrimi kur ti
s’je më...!